Misioni i ri i mashtrimit

29 Maj 2014 - 08:26 - Enver Robelli      

Qëllimi i mandatit të tretë qeverisës, të cilin po e synon Hashim Thaçi, nuk është në të mirën e Kosovës. Qëllimi i vërtetë i “Misionit të ri” të PDK-së është rrumbullakimi i projektit më të madh plaçkitës në historinë e Kosovës së lirë. I frikësuar nga humbja e pritshme Thaçi po bën premtime si “pula pa krye” – zaten ç’mund të presësh nga një politikan që fatin e kësaj shoqërie e të Republikës e konsideron lojë bixhozi. Kundër kësaj mënyre të qeverisjes si asnjëherë më parë po shprehet Republika Federale e Gjermanisë, shteti më i fuqishëm i BE-së.

Kur Hashim Thaçi në vërtitjet e tij anekënd Kosovës flet për zhvillim industrial, atëherë qytetarët e Kosovës duhet të jenë të sigurt se kryeministri në largim po përgatit vjedhjen industriale të votave. Në këtë veprimtari të paligjshme ai me shokët e tij ka përvojë të hatashme, siç patën treguar zgjedhjet parlamentare të vitit 2010. Kur Hashim Thaçi flet tani për privatizim transparent, qytetarëve të Kosovës do t’u kujtohet (vetë)vrasja e shefit të Agjencisë së Privatizimeve, që ishte njëri prej atyre kuadrove që i prodhoi anarkia e luftës dhe e pasluftës.

Kur Hashim Thaçi flet për “lulëzim ekonomik” në Kosovë në të ardhmen, njerëzit e kanë shumë të qartë se kjo është edhe një përpjekje e pasinqertë për t’i mashtruar, sepse “lulëzimi ekonomik” deri më tani shihet vetëm në xhepat e fryrë të rrethit të Thaçit; shihet në shtëpinë prej gati 1000 metrash katrorë që Thaçi po e ndërton në periferi të Prishtinës, kuptohet me rrogën e tij; shihet “lulëzimi ekonomik” në plaçkitjen e diasporës përmes të ashtuquajturit “sigurim kufitar”, pasi qëllimisht është penguar anëtarësimi i Kosovës në rrjetin e sigurimeve evropiane, që do të mundësonte qarkullimin me karton të gjelbër.

Së paku 200 milionë euro janë arkëtuar në pikat kufitare nga Byroja Kosovare e Sigurimit – dhe prej vitesh shef mbi shefa në këtë byro për shantazh e plaçkitje ka qenë Gani Thaçi, vëllai i kryeministrit. Opinionit kosovar Gani Thaçi i kujtohet shumë mirë: është ai personi që menjëherë pas luftës u arrestua në Prishtinë me një milion marka gjermane. Gazeta e përjavshme gjermane “Die Zeit” atëbotë shkruante: “Prejardhja e parave (të zbuluara te Gani Thaçi, vj.) është e paqartë. Në rastin më të mirë ato burojnë nga pompat e benzinës, të cilat luftëtarët e demobilizuar të UÇK-së i përvetësuan menjëherë pas stacionimit të NATO-s në rajon. Por, Kosova është vend transitor dhe nyje për kontrabandë me armë dhe cigare, tregti me femra dhe para të falsifikuara”.

Ekziston një vazhdimësi e aktiviteteve të paligjshme të Thaçit me familjen e tij, saqë duket cinike dhe fyerje ndaj qytetarëve kur kryeministri në largim e (keq)përdor edhe babanë e tij, i cili si me axhamillëk e lavdëron të birin “që po punon për Kosovën”. Po të ishte prind i sinqertë babai i Thaçit do t’i kërkonte falje popullit të Kosovës që i dolën dore djemtë dhe përmes klaneve të ndryshme (para)politike arritën të grabisin pushtetin. Për fat të mirë gjithnjë e më shumë banorë të Drenicës, këtij rajoni me aq shumë histori të përgjakshme, po e mposhtin frikën dhe po turpërohen për bëmat e klanit të Thaçit.

Kur kryeministri Thaçi flet për hapjen e 200 mijë vendeve të punës kjo tingëllon po aq besueshëm sa premtimi i dikurshëm se vizat për vendet e Schengenit do të hiqen “brenda 15 muajve”. Sa 15 muajt kanë kaluar që nga atëherë dhe opinioni ka qenë vetëm dëshmitar se si në tenderin për shtypjen e pasaportave biometrike janë shpërndarë 1,4 milionë euro ryshfet nëpër çanta dhe xhirollogari zyrtarësh dhe mafiozësh të llojllojshëm. Premtimet e Thaçit janë po aq të besueshme sa përbetimet e vrasësit të SHIK-ut Fahredin Gashi se është i sëmurë psikik. Në fund Gashit s’i besoi askush dhe ai u dënua me gati 20 vjet burg për vrasje. Në kujtesën e qytetarëve dhe qytetarëve të Kosovës ka mbetur ajo fotografia e famshme e Fahredin Gashit, kur para gjykatës ua qiste gjuhën gazetarëve dhe mbarë opinionit kosovar. Sot Thaçi me çdo premtim të tij po ua qet gjuhën qytetarëve të Kosovës dhe po tallet me ta.

Vërtitjet nëpër Kosovë të Thaçit me sektin e tij, me ç’rast premtimet shpërndahen si bonbonet për fëmijë, janë një karnaval i gërditshëm politik. Përpjekja e Thaçit për t’u dukur urban e i afërt me qytetarë është pafundësisht artificiale edhe për shkak se në thelb ky si kryeministër dhe si person urrejtjen më të madhe e ka shprehur kundër Prishtinës, qendrës më të madhe urbane të Kosovës. Një ndër veprimet e para që ka bërë Thaçi pasi është ulur në kolltukun e kryeministrit në fillim të vitit 2008 ka qenë bllokimi i ligjit për kryeqytetin dhe rrjedhimisht edhe i shumave të konsiderueshme të parave, që u takonin qytetarëve të Prishtinës. Në të njëjtën kohë Thaçi me sejmenët e tij ka refuzuar që Pallati i Rinisë t’i kthehet Komunës së Prishtinës. Njëri prej dallaveraxhinjve më të mëdhenj të Thaçit, me-nder-me-thënë ambasadori i Kosovës në Japoni, Ahmet Shala, kishte bërë plane që Pallati i Rinisë të rrëzohet dhe aty të ndërtohet një godinë e madhe.

Pas protestave të Komunës së Prishtinës një gjë e tillë kishte dështuar. Sidoqoftë, komuna e Prishtinës vazhdon të plaçkitet, sepse të gjitha ato dyqane në Pallatin e Rinisë i paguajnë qira Agjencisë së Privatizimeve, e cila është kryesisht nën kontrollin e Qeverisë dhe strukturave të SHIK-ut.
Qëllimi i mandatit të tretë qeverisës, të cilin po e synon Hashim Thaçi, nuk është në të mirën e Kosovës. Qëllimi i vërtetë i “misionit të ri” të PDK-së është rrumbullakimi i projektit më të madh plaçkitës në historinë e Kosovës së lirë. I frikësuar nga humbja e pritshme Thaçi po bën premtime si “pula pa krye” – zaten ç’mund të presësh nga një politikan që fatin e kësaj shoqërie e të Republikës e konsideron lojë bixhozi.

Kritikat nga Berlini

Kundër kësaj mënyre të qeverisjes siç e praktikon Hashim Thaçi si asnjëherë më parë po shprehet Republika Federale e Gjermanisë, vendi më me ndikim në Bashkimin Evropian dhe ekonomia më e fuqishme e kontinentit. Dhe kjo nuk është rastësi. Gjermania ka investuar pothuaj gjithçka që Kosova të marrë rrugën e mbarë: është futur në luftë kundër agresionit serb ndaj popullit të Kosovës, prej vitit 1999 i ka dërguar në Kosovë 120 mijë ushtarë për të siguruar një ambient paqësor (prej tyre 26 kanë humbur jetën në Kosovë), ka ndihmuar gjithanshëm në ndërtimin e institucioneve, ka mbështetur shumë degë vitale të ekonomisë së Kosovës dhe ka dhënë eksperiencën e madhe në fushën e sundimit të ligjit. Ky angazhim ka kushtuar disa miliarda euro: para të taksapaguesve gjermanë.

Për fat të keq sidomos pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike të Kosovës dhe partnerëve të saj në fokus të pushtetarëve nuk ka qenë ndërtimi i shtetit dhe përfitimi nga përvoja gjermane e evropiane, por futja nën kontroll e çdo institucioni për të lehtësuar sa më shumë zhvatjen e milionave nga arka e shtetit. Një shembull fatal është tenderi për autostradën, që do të hyjë në histori si keqpërdorimi mbase më i madh i parasë publike. Vetëm një prokuror i guximshëm mund ta gjejë përgjigjen se si bëri vaki që kostoja e ndërtimit të autostradës të rritet prej 400 në gati 900 milionë euro! Rezultati i çdo hetimi do të çonte në vendosjen e prangave në duart e Hashim Thaçit dhe shokëve të tij, të cilët, siç shkruan historiani gjerman Holm Sundhaussen, “artin e qeverisjes e kuptojnë si vazhdim të ‘ilegalitetit’ me mjete të tjera”. Rrjedhimisht, vazhdon Sundhaussen, Kosova po mbahet peng nga “korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, menaxhimi i keq dhe pabarazia sociale”, andaj nëse vazhdon kjo situatë dhe nëse Kosova nuk arrin të çlirohet nga prangat e krimit, atëherë rrezikon të shndërrohet apo mbes në shtet të dështuar.

Këtë rrezik e kanë vërejtur jo pak politikanë gjermanë. Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së fundit në Kosovë anuloi takimin me Thaçin, sepse kishte frikë se ky i fundit do ta keqpërdorte për fushatën e tij të mërzitshme elektorale. Njëri prej deputetëve më me ndikim në Bundestag sa i përket Ballkanit, Michael Brand, e akuzoi qeverinë e Thaçit se po refuzon të veprojë kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Për një qeveri të tillë rruga drejt Evropës do të jetë e mbyllur, ka thënë Brand. Në thelb me ton të njëjtë është shprehur edhe
Michael Roth, ministër Shteti në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, gjatë debatit në Bundestag mbi vazhdimin e mandatit të trupave gjermane në Kosovë. Ai deklaroi: “...Qeveria e Kosovës duhet të punojë me ngulm për një qeverisje të mirë në vend. Këtu duhet të kalohet ende një rrugë e gjatë. Korrupsioni, krimi i organizuar, sundimi i pamjaftueshëm i ligjit duhet të luftohen më vendosmërisht se deri më tani. Po ashtu demokracia duhet të forcohet në mënyrë thelbësore”.

Pa dyshim këto janë goditje të rënda kundër një qeverie që mbi gjashtë vjet ka qeverisur keq dhe tani, në prag të zgjedhjeve, përpiqet të afrohet me popullin, të cilin e ka pështyrë dhe plaçkitur. Në tentimin e tyre të pashpresë për të mashtruar sërish elektoratin Thaçi dhe shokët e tij i kanë hequr krejt siguresat e mendjes së shëndoshë. Bëjnë premtime që s’do të mund t’i financonte as Norvegjia apo Zvicra e lëre më një shtet si Kosova që nuk prodhon pothuaj asgjë dhe që në arkën e shtetit nuk ka më shumë para se një firmë mesatare ndërtimore në botën perëndimore. Aq i madh është paniku nga humbja e merituar në zgjedhje, saqë për të goditur mediet dhe gazetarët e pavarur PDK-ja ka filluar të aplikojë sërish modelin e shkollës sovjetike për fabrikim rrenash. Për përhapjen e këtyre rrenave lëshohen yrysh zagarë të zgjebosur, relativizues krimesh, avokatë kokërruar të SHIK-ut dhe lloj-lloj përbindëshi tjetër që ndot hapësirën publike. Por ky grup nuk ka më as plumba dhe as baltë për të vrarë apo diskredituar të tjerët.

Pse? Sepse askush nuk i beson më për asgjë! Dhe sepse e vërteta është aq e madhe, saqë do ta varrosë çdo rrenë e mashtrim të këtij pushteti të papërgjegjshëm.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...