Doracaku serb për krime nga Sllovenia në Kosovë

29 Shtator 2016 - 08:20 - Enver Robelli      

30 vjet më parë u botua Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, dokumenti që nxiti nacionalistët serbë të zhvillojnë katër luftëra dhe të vrasin mijëra njerëz të pafajshëm nga Sllovenia në Kosovë.

Se çfarë jehone pati Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë tregon më së miri ky fakt: kur u botua më 24 shtator 1986, gazeta e Beogradit “Veçernje novosti” doli me tirazh prej 333.129 ekzemplarësh. Shumica e mediumeve të atëhershme jugosllave nga Lubjana në Shkup e ribotuan pjesërisht apo të plotë Memorandumin, pastaj përmbajtja e dokumentit u analizua dhe u komentua edhe në shtypin ndërkombëtar. 30 vjet kanë kaluar nga botimi i këtij dokumenti, që nxiti nacionalistët serbë të zhvillojnë katër luftëra dhe të vrasin mijëra njerëz të pafajshëm nga Sllovenia në Kosovë.

“Në atë dokument të vrazhdë klika e akademikëve serbë shprehu shqetësimet e veta nacionale. Në krahasim me egërsinë që pasoi në dekadën e ardhshme, sot Memorandumi na duket i zbehtë dhe bajat, por kur më 24 shtator 1986 u botuan pjesë të tij në gazetën me tirazh të madh, ‘Veçernje novosti’, kjo ishte një bombë politike që dridhi tërë vendin”, shkruajnë Laura Silber dhe Allan Little në librin e tyre “Vdekja e Jugosllavisë”.

Memorandumi është një përmbledhje ankesash mbi gjendjen e popullit serb në Jugosllavi – ankesa që deklamohen herë me ton (pseudo)akademik, herë me britma brutale dhe populliste. Sistemi politik i Jugosllavisë përshkruhet si kundërthënës, jofunksional dhe i shtrenjtë. Fajtorë për këtë quhen Josip Broz Tito (kroat) dhe Edvard Kardeli (slloven), të cilët si figurat më të shquara politike të pasluftës gëzonin autoritet të pakontestueshëm në qendrat e pushtetit. Autoritetin e tyre Tito dhe Kardeli, sipas akademikëve serbë, e shfrytëzuan për të dobësuar Serbinë dhe decentralizuar Jugosllavinë. “Me Kushtetutën e vitit 1974 Serbia faktikisht u nda në tri pjesë”, nënvizohet në dokument.

Pretendohej se në Kosovë shumica shqiptare ushtronte “gjenocid fizik, politik, juridik dhe kulturor” kundër pakicës serbe. Edhe gjendja e serbëve në Kroaci paraqitej si më e tmerrshmja në historinë më të re, me përjashtim të viteve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Kroacia ishte shtet vasal i Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste. Akademikët serbë nuk merrnin mundimin që për pretendimet e tyre të siguronin fakte bindëse, mjaftonin krahasimet e pakrahasueshme, retorika emocionale, patosi kombëtar i një Serbie imagjinare që shtrihej nga bregdeti dalmat (kroat) deri së paku në Shkup.

Memorandumi nuk e zgjoi, por vetëm i dha hov nacionalizmit serb. Pas vdekjes së Titos (1980), demonstratave në Kosovë (1981) dhe thellimit të krizës ekonomike në Jugosllavi nacionalistët serbë panë shansin e madh për të rikthyer “çështjen serbe” në debatin publik. Kjo u arrit me ndihmën e shtypit hegjemonist të Beogradit, i cili alarmonte opinionin me lajme të rrejshme mbi dhunimin masiv të grave serbe në Kosovë, mbi prishjen e varreve serbe, dëmtimin e kishave. Dalldia kriminale publicistike arriti deri aty, saqë gazetat e Beogradit më 1985 e shpallën Gjorgje Martinoviqin, një serb nga Gjilani, “martir të kombit serb”. Çfarë kishte bërë Martinoviq? Me gjasë ai kishte lënduar anusin, ndërsa i pëlqente që aty të fuste një shishe.

Që në maj të vitit 1982 disa teologë të kishës ortodokse serbe botuan në revistën “Pravoslavlje” një apel për mbrojtjen e popullsisë serbe dhe shenjtorëve të tij në Kosovë. Duke iu referuar shkrimtares serbe Isidora Sekuliq, teologët theksonin se serbizimi nuk është “as buka, as shkolla, as shteti”, por vetëm Kosova, një varr, ku gjithçka është e varrosur. Kësaj atmosfere mbytëse Akademia serbe i mëshoi vulë me autoritetin e dijetarëve, të cilët në Serbi, një vend kryesisht agrar dhe i prapambetur, përherë kanë pasur ndikim të madh.

Çfarë pasoi ishte një valë rrëfimesh nga perspektiva e viktimës, retorika inflacionare e gjenocidit (që gjoja serbëve u kanosej nga të tjerët), kulti i të vdekurve, për shembull bartja e eshtrave të Car Lazarit nëpër mitingjet e ashtuquajtura antiburokratike, të cilat në fakt ishin fushatë mbështetëse për Slobodan Milosheviqin dhe politikat e tij luftënxitëse. Për historianin e famshëm gjerman Holm Sundhaussen, Memorandumi “shfaqet si një pamflet paranoik mbi gjendjen e popullit serb” dhe “përbëhet prej pretendimeve dhe fajësimeve të padëshmuara”.

Ndonëse kanë kaluar tri dekada nga botimi i dokumentit famëkeq, Akademia serbe nuk është distancuar prej tij. Përkundrazi, ditëve të fundit, në prag të përvjetorit të shpërndarjes së helmit, disa akademikë serbë u përpoqën të gjejnë arsyetime për përpilimin e këtij dokumenti. Teza konstante që përmendet është kjo: dokumenti nuk ishte versioni final, por vetëm “version i punës” (“radna verzija”), ai nuk ishte publikuar nga Akademia, as nuk ishte miratuar nga Kuvendi i saj, por “dikush” e kishte vjedhur atë dhe ia kishte dhënë gazetës “Veçernje novosti”.

Poeti dhe akademiku Matija Beçkoviq, njëri prej manipuluesve më të mëdhenj në opinionin publik serb, i deklaroi së fundi revistës serbe “Nedeljnik” se Memorandumi mund të ketë qenë vepër e shërbimeve të huaja sekrete gjatë përgatitjeve për shkatërrimin e Jugosllavisë. “I kujt është Memorandumi? I atyre që e vodhën apo i atyre që e shkruan” – kështu titullohet intervista e tij në “Nedeljnik”. Akademiku Vladimir Kostiq thotë: “Mjaft më. Akademikët nuk do ta bartin më këtë hipotekë të rrezikshme”. Vasilije Kresiq shtiret: “Memorandumi synonte të shpëtonte Jugosllavinë, jo ta shkatërronte”. Lubisha Rakiq: “Ajo ishte dhunë e paparë kundër akademikëve”.

Vladimir Kostiq është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë. Për dallim nga poetët e etur për gjak si Beçkoviqi, Kostiq është neurolog, ekspert i sëmundjeve të parkinsonit dhe alzheimerit dhe – rrjedhimisht - pak më racional. Para një viti ai kishte marrë guximin duke thënë të vërtetën: Kosova nuk është në duart e Serbisë. Pas sulmeve të ashpra kundër tij për shkak të kësaj deklarate,në mbështetje të akademikut Kostiq dolën mbi njëqind personalitete të jetës publike të Serbisë, intelektualë publikë dhe profesorë universiteti, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë. «Është e drejtë e secilit të shprehë qëndrimin e tij për Kosovën dhe për çdo temë tjetër. Kjo e drejtë nuk mund dhe nuk guxon t’i shkurtohet duke u thirrur në atë që individët apo pushteti e shpallin si interes nacional», theksohej në letrën e Qendrës për Politikë Praktike në Beograd.

Por kur vjen puna te Memorandumi, edhe Kostiq nuk pranon të distancohet qartë. Ai e quan dokumentin “mëkat të konstruktuar” – dhe me këtë aludon se pamfleti kriminal mund të jetë vepër e ndonjë “dore të padukshme”. Në një intervistë dhënë revistës “Nedeljnik” ai tha: “Në vitin kur shënon 175 vjet të vazhdimësisë, Akademia serbe e Shkencave dhe e Arteve pavullnetshëm, por pashmangshëm ballafaqohet edhe me një përvjetor tjetër – përvjetorin e ‘rastit të Memorandumit’.

Kanë kaluar 30 vjet nga skandali politiko-policor i ‘rastit të Memorandumit’, dhe Akademia serbe jeton në hijen e tij, e sulmuar dhe e dënuar pa të drejtë ankese si fajtore e procesit të përgjakshëm të shpërbërjes së Jugosllavisë, si peng gjenocidal i së keqes nacionaliste prapakthyese”. – Retorikë groteske serbe e vitit 2016, që synon të arsyetojë krimet për kryerjen e të cilave bëri thirrje Akademia serbe para tri dekadave.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...