11 Qershor 2014 - 00:07 - Enver Robelli
Hashim Thaçi shihet si kryemashtrues dhe askush nuk dëshiron të njolloset duke bërë koalicion me të.
Deri në këtë gjendje kryetari i PDK-së e ka sjellë veten për shkak të trajtimit të partnerëve si çamçakëzë, që pas përdorimit hidhen në shportë. Partneri i deritanishëm i koalicionit (AKR) është shembulli më i ri. LDK është shembull i mëhershëm. Ramush Haradinaj është po ashtu shembull i keqpërdorimit brutal nga ana e Thaçit: prej qilimit të kuq në Aeroport deri te tallja publike me të.
Marrëveshjen e nënshkruan tre liderë (Mustafa, Haradinaj, Limaj), por fituesi i ditës (dhe ndoshta edhe më gjatë) është Albin Kurti. Ai sot tregoi largpamësi të hatashme politike. Për këtë meriton respektin më të madh. Kurti dalënadalë po largohet nga qasja e ngurtë politike, duke përqafuar krahun liberal të partisë së tij, i vetmi që ka potencial për ndryshime pozitive në Kosovë.
Marrëveshja tregon po ashtu se LDK, AAK dhe NISMA duan ta nxjerrin vetveten nga qorrsokaku (disa edhe nga balta) pas koketimeve me PDK-në, e cila prej vitesh njihet vetëm si parti e skandaleve.
Qasja e VV-së sot dhe e liderit Albin Kurti është pranim se VV në të kaluarën, duke goditur në të gjitha anët, e ka qëlluar nganjëherë pa meritë edhe opozitën, e cila në fakt do të duhej të ishte aleate në luftën kundër të keqes.
Ndonëse Kushtetuta e Kosovës e mundëson një qeveri mes tri partive nënshkruese të marrëveshjes mbetet të shihet se çfarë duarsh të padukshme do të përpiqen të ndërhyjnë në Gjykatën Kushtetuese, e cila deri më sot nuk ka qenë shembull edhe aq i ndritshëm i vendimmarrjes së paanshme.
Ende nuk është e qartë se çfarë qëndrimi do të mbajnë Ambasadat perëndimore në Prishtinë ndaj synimit të shumicës së partive shqitpare për të formuar qeveri. Duhet rikujtuar se ambasadorja amerikane para zgjedhjeve ka thënë se Washingtoni do të bashkëpunojë me çdo qeveri të zgjedhur me vota të lira. Ambasadori britanik ka kërkuar që në politikën e Kosovës të ketë fytyra të reja.
Suksesi i çdo qeverie do të matet me rezultatet konkrete. Kjo vlen edhe për qeverinë që ndoshta krijohet. Po, Kosova ka nevojë urgjente për vende të reja pune, por jo për rrena (200 mijë vende pune). Kosovës i duhet dalja nga izolimi, por për këtë duhet të pastrohet Ministria e Punëve të Brendshme nga sturkutruat paralele dhe të krimit të organizuar. Po, Kosova ka nevojë për personel shumë më të mirë politik, andaj LDK, AAK dhe NISMA në qeverinë e ardhshme duhet të dërgojnë personalitete me taban profesional, kombëtar dhe moral. Ndryshe projekti do të dështojë. Pas shumë gabimeve Ramush Haradinaj e ka një shans, të vetmin në jetën e tij politike që të lë ndonjë gjurmë të mirë. Nëse punon me mençuri e modesti ai mund të heq edhe ndonjë njollë nga e kaluara. Ato njolla nuk janë të vogla. Për të tre liderët nënshkrues të marrëveshjes vlen kjo: nëse nuk punojnë ndryshe dhe në mënyrë thelbësore më mirë se kryeministri i deritanishëm, dëshpërimi në këtë shoqëri të lodhur nga mashtrimet do të jetë shumë më i madh. E pas dëshpërimit mund të pasojnë edhe trazirat sociale.
Një qeveri tjetër gjithsesi do të duhej të tregonte edhe potencialin e Kosovës për t’u ballafaquar me sfidat që na presin, siç janë integrimet europiane dhe rregullimi i marrëdhënieve me Serbinë.
Një qeveri mes LDK, AAK dhe NISMA do të ishte, po ashtu, një leksion për PDK-në se në politikë mund të mashtrosh njëherë, dy herë, tri herë, por jo përgjithmonë. Në politikë mund t’i blesh karakteret e varfëra mendore dhe labile, mund të blesh njerëzit që s’kanë bukë për të ngrënë, mund të lidhësh aleanca nga më të çuditshmet, mund të detyrosh oligarkë të ekonomisë që të kalojnë në parti, por nuk mund ta blesh vullnetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Dy milionë shqiptarë të Kosovës janë ashiqare më shumë se 200 mijë vota të një çervish-koalicioni, që keqpërdori krejt infrasturkturën e shtetit për interesa thellësisht partiake e personale.
©KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...