7 Mars 2014 - 09:55 - Enver Robelli
Pranvera arabe, e cila ndërkohë është shndërruar në dimër të gjatë arab, ku konflikti mes forcave që synojnë demokracinë, mbetjeve të regjimeve shtypëse dhe grupeve klerikale-politike po vazhdon pandërprerë, pra pranvera arabe i ka ofruar opinionit botëror një pamje të afërt dhe nga brenda të diktaturave.
Për shembull pasi sundimtari i Tunizisë, Zine el-Abidin Ben Ali, iku nga vendi në janar të vitit 2011, autoritetet e reja dërguan një grup zyrtarësh në njërën nga shumë vilat e tij. Mes mobilieve të rënda e të shtrenjta, veshjeve të mureve me dru, qilimave shumëngjyrësh e llambave gjigante, zyrtarët gjetën në një dollap grumbuj me para – kryesisht euro, pastaj zinxhirë e qafore me diamante e rubinë. Diktatori dhe bashkëshortja e tij, por edhe klani i tyre politik e familjar jetonin në një kafaz prej floriri. Leila Ben Ali, bashkëshortja e diktatorit, me rastin e ikjes në Arabinë Saudite mori me vete 1,5 tonelata ari në vlerë prej 45 milionë eurosh.
Nga atje ajo urdhëroi guvernatorin e Bankës Qendrore të Tunizisë t’i transferojë 400 milionë euro në Dubai. Guvernatori e zbatoi urdhrin në marrëveshje me Ben Aliun. Leila Ben Ali ishte e njohur dhe e urryer për jetën e saj në luks. Këpucët, çantat dhe orët e saj u shitën në një aksion në Tunis. Me atë rast në pazar u qitën dhe u shitën edhe 39 vetura sportive të diktatorit Ben Ali. Shitjen e një pjese të artikujve të tyre luksozë çifti plaçkitës e përcolli nga distanca – nga Arabia Saudite, e cila njihet si destinacion i sigurt i diktatorëve.
Para Ben Aliut në këtë vend vitet e fundit të jetës i ka kaluar edhe diktatori i Ugandës, Idi Amin (vdiq më 2003), ndërsa politikani i korruptuar pakistanez Navaz Sharif jetoi në Arabinë Saudite nga viti 2000 deri më 2007.
Xhepa e xhirollogari
Sundimtari shumëvjeçar i Egjiptit, Hosni Mubarak, kontrollonte pothuaj të gjitha degët e rëndësishme të ekonomisë. Në vendet kyçe të biznesit dhe politikës ai kishte vendosur familjarë dhe miq, të cilët i njihte nga koha kur kishte shërbyer në ushtrinë egjiptiane. Mediet ndërkombëtare kanë supozuar se gjatë qeverisjes së tij Mubarak tuboi nja 40 miliardë dollarë. Suzanne Mubarak, bashkëshortja e faraonit modern të Egjiptit, mendohet se kishte futur në xhepa e në xhirollogari anekënd botës mes tre deri pesë miliardë dollarë, ndërsa i biri i çiftit Mubarak, Alaa, ishte pronar i patundshmërive në qendër të Washingtonit, Los Angelesit dhe New Yorkut.
Për shkak të nepsit të pashuar për plaçkitje të arkës së shtetit Suzanne Mubarak në Egjipt quhej “Marie Antoinette”: mbretëresha e fundit franceze ka hyrë në librat e historisë si personalitet arrogant, grabitës dhe cinik. Njëra ndër fjalitë e saj më të cituara është kjo: “Njerëzit s’kanë bukë për të ngrënë? Le të hanë tortë!”
Për liderin e Libisë, Muamar al-Gadafi, është raportuar se bashkë me klanin e tij kishte grumbulluar nja 200 miliardë dollarë. Mbështetëse e zellshme në këtë fushatë për plaçkitjen e Libisë që zgjati më shumë se 4 dekada, ishte edhe Safia, bashkëshortja e Gadafit, për të cilën është spekuluar se rrjedh nga Ballkani.
Shija e al-Gadafit për kiç e marrëzi të veshura me luks ishte legjendare. Kudo ku shkonte, ai me vete merrte tendën e tij të madhe, në të cilën flinte si beduin, bashkë me gardën e tij të përbërë vetëm nga femrat. Ashtu kishte vepruar edhe në New York e në Paris, duke ngjallur edhe protesta në vendet mikpritëse. Në tendën e tij në Tripolis, ndërkaq, Gadafi ka pritur liderë si Tony Blair (sot këshilltar autokratësh në Kaukaz), Gerhard Schröder (sot punëtor i Vladimir Putinit dhe shërbëtor i Kremlinit), Silvio Berlusconi (mik i Putinit, delikuent i dënuar për shkak të evazionit fiskal në Itali, protagonist aferash të llojllojshme).
Me uniformat e tij shumëngjyrëshe dhe pa asnjë shije Gadafi dukej si kloun i shkretëtirës. Fundi i tij ishte tragjik: u kap në një skutë ku ishte fshehur dhe u masakrua nga kryengritësit. Ironike është se Gadafi ishte angazhuar te qeveria e Arabisë Saudite që t’i ofronte strehim Ben Aliut të Tunizisë. Por, në janar 2011 Gadafi me siguri mendonte se është i paprekshëm, andaj ekzili nuk ishte pjesë e planeve të tij.
Kafshët ekzotike
“Një trëndafil në shkretëtirë” – kështu e kishte përshkruar revista amerikane e modës “Vogue” Asma al-Asadin, gruan e diktatorit sirian Bashar al-Asad. Derisa burri i saj masakron(te) civilë në Siri, Asma porosiste artikuj luksi në botën perëndimore. Portreti himnizues që “Vogue” e kishte botuar me nguti, tashmë është hequr nga interneti. Por, opozita e përçarë siriane nuk ka arritur deri më sot ta heqë nga pushteti Bashar al-Asadin, i cili postin e presidentit e trashëgoi nga i ati i tij Hafiz al-Asadi. Familja Asad kontrollon vendin dhe ekonominë e tij që nga viti 1970.
Ditëve të fundit galerisë së diktatorëve që kanë plaçkitur popullin iu bashkua edhe Viktor Janukoviqi, ish-presidenti i Ukrainës. Pas ikjes së Janukoviqit nga Kievi kundërshtarët e tij marshuan drejt vilës së tij në periferi të kryeqytetit, e cila kishte një oborr prej gati 140 hektarësh. Këtu Janukoviq kishte një kopsht privat zoologjik me kafshë ekzotike, një fushë për të luajtur golf dhe luks tjetër perandorak dhe vulgar. Supozohet se klani i Janukoviqit i ka grabitur rreth 70 miliardë dollarë.
Si shpeshherë në të kaluarën, edhe me rastin e heqjes së Janukoviqit nga pushteti u përmend Zvicra. Sipas një tradite të neveritshme, Zvicra përmendet sa herë që diku në botën e largët rrëzohet një diktator: menjëherë gurgullojnë e qarkullojnë supozimet mbi miliardat e diktatorit përkatës në xhirollogaritë e bankave diskrete në Gjenevë apo Zürich, Lugano apo Basel. Por, kohërat kanë ndryshuar pak. Në të kaluarën Zvicra nuk tregohej aq bashkëpunuese në kthimin e parave: diktatori rrëzohej, autoritetet e reja kërkonin paratë, e zyrtarët zviceranë bëheshin sikur nuk po dëgjonin. Ose kthenin vetëm një pjesë të parave.
Tani një komoditet të tillë Zvicra s’mund t’ia lejojë vetes për shkak të presionit ndërkombëtar, por edhe për shkak të kritikave në opinionin zviceran. Kjo u pa edhe javën që shkoi: derisa presidenti i rrëzuar i Ukrainës të premten e kaluar i drejtohej botës gjatë një konference për shtyp në qytetin rus Roston na Donu dhe thoshte se ende është president, autoritetet zvicerane bllokuan paratë e mundshme të Janukoviqit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që ata viteve apo muajve të fundit i kanë deponuar në Zvicër. Prokuroria e Gjenevës po ashtu të premten nisi hetimet kundër klanit Janukoviq për shkak të dyshimit për shpëlarje parash.
Djali i sinqertë
Pak a shumë kjo është galeria e diktatorëve plaçkitës që viteve të fundit kanë qenë të pranishëm në faqet e shtypit botëror. Një kryeministër, i cili ende nuk mund të quhet diktator, është nisur rrugës së Gadafit, Janukoviçit, Ben Aliut dhe të tjerëve: javën e kaluar në Turqi u bënë publike disa incizime tejet komprometuese, ku një zë që tingëllonte si i Rexhep Taip Erdoganit i thoshte një personi tjetër (supozohet të ketë qenë i biri i Erdoganit, Bilalli) që sa më shpejt t’i heqë nga banesa apo shtëpia 30 milionë... Nuk dihet a euro a dollarë.
Lira me siguri jo. Bilalli, tejet i hutuar, i ankohej babait se 30 milionë janë shumë dhe nuk është aq lehtë të hiqen nga shtëpia. Djalë i sinqertë.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...