31 Mars 2016 - 08:24 - Enver Robelli
Kur Gjykata e Hagës shpall dënime kundër figurave negativisht aq të rëndësishme si Radovan Karaxhiqi, atëherë mund të na kujtohen edhe protagonistë të tjerë të luftës së Bosnjës, diplomatë, ndërmjetësues, emisarë, provokatorë, gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut. Në fillim të shpërbërjes së Jugosllavisë në Perëndim ekzistonin dy kampe: njëri mund të quhet «kampi i mirëkuptuesve të serbëve», tjetri ishte «kampi që burimin e së keqes e shihte në Beograd».
Kampit të mirëkuptuesve i takonin politikanë francezë dhe britanikë, kampit kritik kryesisht politikanë gjermanë dhe austriakë si ministri i atëhershëm i Jashtëm, Klaus Kinkel, dhe homologu i tij austriak, Alois Mock.
Lufta në Bosnjë-Hercegovinë shpërtheu në fillim të prillit 1992, pasi boshnjakët (siç e quajnë veten myslimanët) dhe kroatët në referendum u deklaruan për pavarësi, ndërsa popullsia serbe rroku armët dhe me ndihmën e Armatës Popullore të Jugosllavisë, tashmë të serbizuar, nisi futjen nën kontroll të Bosnjës. Ndërsa diplomatë të tjerë apelonin për negociata dhe nuk bënin dallimin mes agresorit dhe viktimës, Klaus Kinkel që më 24 maj 1992 kishte deklaruar: “Duhet t’i gjunjëzojmë serbët”.
Në shtypin gjerman kishte gazetarë, të cilët nuk e miratuan këtë fjali, madje bënë edhe një krahasim historik: në vitin 1914, pas atentatit në Sarajevë, perandori gjerman Wilhelmi II i kishte shkruar ambasadorit të tij në Vjenë: “Duhet t’i lajmë hesapet me serbët, madje shumë shpejt”. (Mund të jetë rastësi, por e vlefshme të shënohet: ditën kur Kinkel kishte deklaruar se “duhet t’i gjunjëzojmë serbët», në Kosovë po mbaheshin zgjedhjet e para shumëpartiake në shtetin në hije të Ibrahim Rugovës).
Kinkel ishte i «bindur se burimi kryesor i së keqes» ishte në Beograd, andaj në një letër dërguar shteteve anëtare të BE-së të cilat ishin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (Britania e Madhe, Franca dhe Belgjika) kryediplomati gjerman kërkonte që të angazhoheshin për sanksione gjithëpërfshirëse kundër Jugosllavisë. Paraardhësi i Kinkelit në postin e ministrit të Jashtëm, Hans-Dietrich Genscher, në fillim të viteve ‘90 kishte bërë presion ndaj vendeve të tjera të BE-së për ta pranuar pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë.
Për këtë Gjermania është kritikuar shumë – jo vetëm nga francezët dhe britanikët, por edhe nga vetë Richard Holbrooke, i cili në librin e tij mbi luftën në Bosnjë shkruan se njohja diplomatike e Sllovenisë dhe Kroacisë përshpejtoi shpërthimin e luftës, por diplomati amerikan së paku pranon se mungesa e gatishmërisë perëndimore për të intervenuar në Ballkan po ashtu ka hapur shtegun e luftës. Pas këtyre qortimeve gjermanët ishin më të rezervuar dhe nuk ndërmorën pothuaj asnjë nismë për të zgjidhur konfliktet në Ballkan – me gjithë presionin e madh të shtypit konservator të prirë nga gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung».
Prapa kulisave, megjithatë, Klaus Kinkel vazhdonte të kishte mendim të qartë për hegjemonizmin serb. Në një bisedë me kryetarin e Tanzanisë, Julius Nyerere, në korrik 1995, Kinkel, sipas revistës «Der Spiegel», e cila u referohej dokumenteve diplomatike gjermane, kishte thënë se «NATO-ja teorikisht është në gjendje që ish-Jugosllavinë ta bëjë hi e pluhur brenda një nate». Më tutje Kinkel kishte shpjeguar se të gjithë, përveç serbëve të Bosnjës në «kryeqytetin» e tyre Pale, janë të gatshëm të arrijnë një zgjidhje politike: «Kjo na shpie te ky rezultat: Pale me një milion njerëz dhe me një politikan të çmendur në krye janë në gjendje të terrorizojnë botën».
Për dallim nga politikanë e tjerë perëndimorë Kinkel e njihte më mirë Jugosllavinë. Mes viteve 1979 dhe 1982 ai drejtoi shërbimin sekret gjerman (BND). Në atë kohë shërbimi sekret jugosllav ishte mjaft aktiv në Perëndim dhe sidomos në Gjermani, ku më 1982, u vranë Kadri Zeka dhe vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla. Ndërsa politikanët e dy partive të mëdha në Gjermani (kristiandemokratët e CDU-së dhe socialdemokratët e SPD-së) refuzonin të konfrontoheshin me regjimin e Josip Broz Titos, për të cilin kishin nevojë si partner në ballafaqimin me Bashkimin Sovjetik, liberalët (FDP) e Genscherit dhe Kinkelit janë treguar së paku të sinqertë, duke pranuar më vonë se pala gjermane heshtte ndaj krimeve të UDB-së për arsye të ftohta pragmatike.
Ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Gerhart Baum, një koleg partiak i Genscherit dhe Kinkelit, më 2014, i deklaroi radios publike gjermane: «Ky ishte sulm kundër sovranitetit tonë (fjalën e ka për vrasjet që i kryenin agjentët e Titos në Gjermani, v.j.). Një shtet tjetër kryen apo urdhëron vrasjen e kundërshtarëve të tij në territorin tonë. Këtë nuk është dashur ta lejojmë. Por çfarë të bënim?» Ajo që Baum nuk e thotë, por mund të kuptohet: FDP-ja ishte parti e vogël dhe e pafuqishme në koalicion me socialdemokratët gjermanë, të cilët Josip Broz Titon e shihnin si përfaqësues të socializmit me fytyrë njeriu.
Klaus Kinkel tani është 79-vjeçar, nuk është më politikisht aktiv, por ai mbetet një vëzhgues i kujdesshëm i zhvillimeve politike në Gjermani dhe botë. Pas leximit të aktgjykimit kundër Radovan Karaxhiqit në Hagë, radioja gjermane e intervistoi ish-ministrin e Jashtëm, duke pasur parasysh se në vitet ‘90 ai ishte ballafaquar me luftën në Ballkan. Sipas Kinkelit, Karaxhiqi e ka merituar dënimin për shkak të fajit të tij të tmerrshëm. «Kam pritur se do të dënohet me burgim të përjetshëm», fundja ai, sipas Kinkel, ishte përgjegjës për 100 mijë viktima në Bosnjë.
Kinkel tregoi se në një takim me rastin e arritjes së Marrëveshjes së Daytonit qëllimisht nuk ia kishte dhënë dorën Karaxhiqit. Por Kinkel është edhe vetëkritik, kur thekson se mbrojtja e Srebrenicës nga ana e OKB-së ishte krejtësisht e pamjaftueshme. «Ishte dështim total i bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, i Kombeve të Bashkuara, i NATO-s, i evropianëve – edhe i imi», pranoi Kinkel në këtë intervistë.
Një fusnotë sa i përket Richard Holbrooke: në librin e tij për luftën në Bosnjë ai, siç u theksua më lart, kritikon ministrin e Jashtëm gjerman Genscher se ishte ngutur me pranimin e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë, por ai, pra Holbrooke, në po të njëjtin libër, pasi kishte fituar përvojë të hidhur me Milosheviqin, Karaxhiqin dhe Mladiqin, shkruan se serbët e kanë merak të krekosen dhe të nxjerrin gjoksin përpara, por «kur ua vendos revolen në gjoks, ata në fund ishin vetëm halldupë të vegjël».
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...