“Hoxha” Irfan Salihu llomotit e gënjen për historinë e shqiptarëve dhe të Kosovës

23 Shtator 2014 - 08:45 - Enver Robelli      

Në kulmin e marrëzisë: “imami” Irfan Salihu amniston krimet e Rankoviqit, i quan ardhacakë shqiptarët në Kosovë dhe manipulon egërsisht me fakte historike. Pse shoqëria kosovare, Bashkësia Islame, intelektualët, politikanët, shoqëria civile, mediet i durojnë këto fyerje ndaj shqiptarëve?

Ka diçka pozitive në ligjëratat e “hoxhallarëve” injorantë të Bashkësisë Islame të Kosovës të prirë nga Naim Tërnava: po zbulohen vetë se janë në shërbim të politikave serbe kundër Republikës së Kosovës. Shqiptarët e Kosovës kanë bërë shumë sakrifica për të arritur lirinë, pavarësinë dhe Republikën e Kosovës. 10 mijë vjet burg janë mbajtur për këtë shtet, mbi 10 mijë njerëz janë vrarë nga Serbia në luftën e fundit vetëm pse e kanë dëshiruar këtë shtet. Tash dalin pseudoteologë dhe duan ta varrosin këtë shtet.

Çdokush i interesuar mund të gjejë në kanalin “Youtube” një pjesë të një biçim-ligjërate që “hoxha” i cirkut Irfan Salihu ka mbajtur para xhematit (me gjasë në Prizren). Në atë biçim-ligjëratë Salihu sulmon, siç thotë, ateistët në Kosovë që, sipas tij, fajin për prapambetjen shoqërore ua ngarkojnë osmanlinjve. Në fjalimin e tij propagandistik Irfan Salihu bën këto deklarata skandaloze:

1. Osmanët u kanë dhënë shqiptarëve me hektarë tokë dhe i kanë sjellë të jetojnë në Kosovë.
2. Osmanët i bënë shqiptarët sundimtarë të Ballkanit.
3. Gjatë kohës së Rankoviqit shqiptarët “vetë kanë shku” në Turqi.
4. Statistikat e vitit 1455 tregojnë se këtu, në Kosovë, vetëm 1 për qind e banorëve kanë qenë shqiptarë.
5. Më 1389, kur erdhi osmanliu, ai këtu luftoi kundër hungarezëve dhe Car Llazarit. Osmanliu ia mori serbit Kosovën dhe ua la në dorë shqiptarëve.

Për aq sa shihet në videon e postuar në “Youtube” askush nga xhemati nuk reagon kundër manipulimeve ekstreme të “hoxhë” Irfan Salihut. Kundër deklaratave skandaloze të tij nuk ka reaguar deri më sot as Bashkësia Islame e Kosovës – dhe derisa nuk reagon me gjasë pajtohet me fjalët që Irfan Salihu i lëshon me pehar dhe pa karar. Deri më sot nuk ka reaguar kundër këtyre budallallëqeve askush as në medie, as nga rrethet intelektuale, universitare etj. Liria për të llomotitur duket e pakufishme në Kosovë. Dhe këtë liri soji i Irfan Salihut po e keqpërdor egërsisht.

Ka disa gënjeshtra në llomotitjen e Irfan Salihut, që duhen korrigjuar. E vërteta është se:

1. Osmanët kanë qenë pushtues të Ballkanit. Këtë pushtim ata nuk e bënë me llokume e bakllava, sytliaç e salep, por me shpatë. Si çdo perandori. Faza e parë e pushtimit u shoqërua me dhunë e terror. Në vijim Perandoria Osmane u konsolidua në territore të caktuara të tri kontinente: Azi, Afrikë dhe Evropë. Faza e tretë perandorake është ajo e fundosjes së ngadalshme për shkak të mungesës së reformave dhe refuzimit të modernes. (Një burim i rëndësishëm mbi pushtimin e Ballkanit janë “Kronikat e Tursun Beut”, por edhe shumë vepra të tjera mbi historinë e Perandorisë Osmane). “Kurse arsyeja e kësaj fushate të dytë në Shqipëri qe se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi dhe arroganca... Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit”, shkruan historiani dhe burokrati osman Tursun Beu.

2. Osmanët nuk i kanë bërë shqiptarët sundimtarë të Ballkanit, siç pretendon “hoxha” mashtrues. Është e saktë se një pjesë e elitës myslimane shqiptare ka bërë karrierë në Perandorinë Osmane, siç kanë bërë edhe serbët, grekët, arumunët. Por, Irfan Salihu, me sa duket, nuk e ka lexuar veprën e historianit të njohur turk Halil Inalcik “Perandoria Osmane. Periudha klasike (1300-1600)”. Inalcik shkruan: “Osmanët vendosën Danubin si kufi verior natyror të Perandorisë. Tashmë ishte kthyer në politikë të (Mehmet) Pushtuesit që të mos lejonte vendosjen në Gadishullin e Ballkanit në jug të Danubit të asnjë shteti të huaj dhe të aneksonte këdo që kishte atje ndonjë pikëmbështetje; kjo u bë e qartë me pushtimin e Moresë në vitin 1460, të Shqipërisë Veriore më 1464-79, si dhe të Bosnjës më 1463. Duke qenë se gjithmonë ekzistonte rreziku që qeverisjet dhe dinastitë vendore të bashkëpunonin me armikun në rast pushtimi, Mehmeti u përpoq të largonte të gjithë anëtarët e dinastive vendore nga Ballkani, duke i shkarkuar ata me një pension apo duke i dërguar guvernatorë në zona të largëta”. Ata që nuk pranonin ofertat osmane eliminoheshin, shkruan Halil Inalcik. Ndër të eliminuarit ishte edhe Mbreti i asokohshëm i Bosnjës.

Mashtruesi Irfan Salihu me gjasë nuk i ka lexuar as kujtimet e Edith Durhamit. Ajo pasi mbërrin në Prizren merr një ftesë të shkojë në pritjen e guvernatorit osman për diplomatët e shteteve të ndryshme që kishin përfaqësi në këtë qytet të rëndësishëm të Kosovës. Edith Durhami tregon se ishte bërë merak se si do të merrej vesh me guvernatorin, pasi udhëtarja e famshme nuk e dinte osmanishten. Por, vazhdon ajo, doli që guvernatori ishte një njeri nga Trebinja e Bosnjës, që kishte bërë karrierë në Perandorinë Osmane. Me të Durham foli serbisht. Pra, edhe në prag të shkatërrimit të Perandorisë Osmane, Prizreni nuk kishte guvernator shqiptar, por sllav, me vulë të Sulltanit.

3. Deklarata më perfide, më fyese, më e pacipë kundër shqiptarëve të Kosovës është të thuash, siç thotë “hoxhë” Irfan Salihu, se në kohën e Aleksandar Rankoviqit shqiptarët kanë shkuar vetvetiu në Turqi. Faktet flasin të kundërtën dhe e nxjerrin “hoxhën” si rrenacak: para Luftës së Dytë Botërore Serbia u përgatit gjithanshëm për të dëbuar sa më shumë shqiptarë nga Kosova. Kjo trevë u kolonizua brutalisht dhe për këtë çështje ka shkruar një punim shkencor prej mbi 350 faqesh historiani serb dr. Milovan Obradoviqi (“Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu. 1918-1941”). Obradoviqi e botoi librin në vitin 1981 në Prishtinë dhe u gjend menjëherë në shënjestër të qarqeve nacionaliste serbe. Ai që në parathënie shkruan:

“Mënyra e kolonizimit të Kosovës ka qenë specifike për dallim nga zbatimi i reformës agrare dhe kolonizimi i pjesëve të tjera të Jugosllavisë – Vojvodinës dhe Sllavonisë. Me atë rast nuk u morën parasysh pozita ekonomike dhe kërkesat e të interesuarve lokalë agrarë, para së gjithash shqiptarëve, derisa ‘qëllimi nacional’ i kolonizimit apo thënë më mirë i serbizimit të Kosovës, ku shumicën e përbëjnë shqiptarët, ishte në plan të parë të politikës së partive borgjeze sunduese”. Mbretëria e Jugosllavisë, e dominuar nga Serbia, lidhi marrëveshje me Turqinë për shpërnguljen e shqiptarëve. Akademiku nacionalist serb Vasa Çubriloviqi shkroi Memorandumin e tij famëkeq, që për nga përmbajtja i përngjan ideologjisë naziste të Adolf Hitlerit. Çubriloviqi e thotë hapur se meqë bota nuk po bëhet merak për hebrenjtë e terrorizuar nga Hitleri, atëherë kush do të shqetësohet për shqiptarët.

Si atëherë, si sot në elitën serbe dominon racizmi i egër kundër shqiptarëve. “Deri më sot bien në sy injoranca dhe mungesa e kompetencës e shtresës udhëheqëse shkencore dhe kulturore të Serbisë në çështjet e kulturës shqiptare. Kjo mund të shpjegohet me qëndrimin arrogant dhe racist të shoqërisë serbe ndaj shqiptarëve. (...) Kush merrej me kulturën shqiptare përtej strukturave shtetërore, rrezikonte jetën: ati françeskan Shtjefën Gjeçovi, i cili kishte kodifikuar Kanunin, u vra më 1929, kroati Milan Shuflaj (Milan von Sufflay), një historian i Shqipërisë i njohur në arenën ndërkombëtare, u vra më 1931 nga një agjent serb dhe ky rast i shtyri Albert Einstein-in dhe Heinrich Mann-in të ngrenë zërin në një apel protestues që bëri jehonë të madhe.

Qëllimi ishte që jo vetëm shqiptarët në Jugosllavi të mbaheshin të paditur, por edhe publiku evropian duhej të mësonte mundësisht pak mbi shqiptarët”, shkruan historiani Oliver-Jens Schmitt në veprën e tij “Kosova. Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”. Vetëm shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore pamundësoi realizimin e marrëveshjes serbo-turke për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët. Pas Luftës së Dytë Botërore Beogradi dhe Ankaraja filluan realizimin e marrëveshjes për shpopullimin e Kosovës. Në realizimin e saj ka qenë i kyçur edhe ministri i Jashtëm i Turqisë i asaj kohe (1950-1956), Mehmet Fuat Köprülü, i cili ishte historian dhe, çka është më e rëndësishme, ishte me origjinë shqiptare, pinjoll i familjes së Qypërlinjve. Si ministër i Jashtëm i Turqisë ai vizitoi edhe Jugosllavinë e Titos. “Hoxhë” Irfan Salihu ose nuk i njeh këto fakte për shkak se vuan nga injoranca ose i fsheh ato, sepse nuk i bien tamam takëmit të tij për deformimin e historisë së shqiptarëve, e cila si historia e çdo populli ka anë të ndritshme dhe të errëta.

4. Nuk dihet se cilës statistikë i referohet Irfan Salihu kur thotë se në vitin 1455 në Kosovë vetëm 1 për qind e banorëve kanë qenë shqiptarë. Historianë seriozë perëndimorë si Noel Malcolm flasin për një prani të vazhdueshme të shqiptarëve në Kosovë. Varësisht nga rrethanat historike përqindja herë ka qenë më e madhe, herë më e vogël. 1 për qind mund të jetë vetëm në fantazinë e Irfan Salihut.

5. Nuk është e vërtetë se në Betejën e Kosovës më 1389 osmanët luftuan vetëm kundër serbëve dhe hungarezëve, siç shpif “hoxha” nga Prizreni. Historianët perëndimorë i përmendin edhe shqiptarët si pjesëmarrës në këtë betejë antiosmane. Pas Betejës së Gazimestanit (1389) paria serbe u bë vasale e Perandorisë Osmane dhe nuk i mbështeti më shqiptarët e krishterë (katolikë e ortodoksë) dhe hungarezët për të nisur një luftë të re kundër osmanëve. Në vitin 1448 hungarezët dhe shqiptarët luftuan edhe njëherë në Gazimestan kundër osmanëve dhe pësuan disfatë. Jo beteja e parë (1389), por “tek beteja e dytë në Fushë-Kosovë vulosi fatin e Kosovës”, shkruan Oliver Jens-Schmitt. Perandoria Osmane e trajtoi Kosovën me mospërfillje, si një nga provincat e shumta të largëta, prej së cilës korrte tatimet dhe ndërtonte ndonjë urë, hamam a xhami. Rrjedhimisht, në fillim të shekullit 20 popullsia e Kosovës ishte aq analfabete, saqë kundërshtonte çdo reformë moderne në Perandorinë Osmane. Në atë periudhë Kosova e kishte vetëm një politikan që merrte vesh një grimë nga politika gjeostrategjike. Ai ishte Hasan Prishtina.

Vetë themeluesi i Turqisë moderne Mustafa Kemal Ataturku i godet juristët e Perandorisë Osmane për shkak se me shekuj refuzuan shtypjen e librave. Perandoria lejoi shtypjen e librave tek në vitin 1728: “Paramendojeni veten në vitin 1453 (...) Pushteti, që Stambolli e kishte marrë përgjithmonë për komunitetin turk kundër botës armiqësore, nuk qe në gjendje që kundër rezistencës së poshtër të juristëve të sjellë në Turqi shtypshkronjën që ishte zbuluar afërisht në të njëjtën kohë” (nga një fjalim i Ataturkut, cituar nga libri i historianit gjerman Klaus Kreiser: “Ataturku. Biografia”). Edhe para Ataturkut disa dijetarë osmanë kishin kritikuar injorancën e teologëve dhe juristëve të sheriatit. Enciklopedisti osman Ahmed Tashqyprillizades (1495-1561) ankohej që në vitin 1450 se “teologjia skolastike dhe matematika e kishin humbur popullaritetin e tyre të dikurshëm mes ulemasë në medrese dhe se niveli i përgjithshëm i dijes kishte rënë. Sipas tij, librat për shkencat teorike nuk ishin më të kërkuar dhe se ulematë e konsideronin veten dijetarë, pasi i kishin lexuar thjesht ca doracakë elementarë. Ata nuk u kushtonin rëndësi shkencave, siç ishin teologjia dhe ekzegjeza kuranore, por vetëm anës tokësore të ligjit islam apo ‘kotësive’ si vjershat, kompozicioni apo anekdotat”.

“Hoxhë” Irfan Salihu në të ardhmen mund të prezantohet edhe si myderriz, myezin, myftar e çka jo tjetër, por këta tituj nuk do t’i bëjnë të besueshme dhe shkencore përrallat dhe anekdotat e tij. Megjithatë, është e tmerrshme që imamë të tillë kaq agresivë dhe absurdë lejohen të flasin publikisht nga Bashkësia Islame e Kosovës, e cila gjatë viteve të fundit është shndërruar në çerdhe gjarpinjsh antishqiptarë. Me fenë islame kjo propagandë nuk ka të bëjë asgjë. Paraqitjet si kjo e Irfan Salihut duken si pjesë e një agjende antishqiptare dhe tregojnë se në çfarë mjerimi jemi fundosur si shoqëri.
[email protected]
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...