Një lojë e pistë

22 Nëntor 2014 - 21:32 - Enver Robelli      

Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj ngjallën shpresat për ndërrim të pushtetit të shtyrë vetëm nga motivet e tyre personale dhe mashtruese. Lehtësia me të cilën përbetoheshin para publikut për një qeveri të re dhe në prapaskenë shtyheshin se cili do të shkojë i pari në prehër të Hashim Thaçit i përngjan një romani të keq kriminalistik, ku keqbërësit dihen nga fillimi. Por, shumë mirë që në 6 muajt e fundit opinioni e lexoi këtë roman të gjatë për të parë se ky tip politikani në Kosovë nuk meriton asnjë votë. Meriton vetëm përbuzje!

E padurueshme se si Ramush Haradinaj po përpiqet të shesë moral politik e publik duke thënë se LDK deshi ta çonte te Hashim Thaçi, por ky nuk shkoi. Në këtë vend ku asnjë parti, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, nuk shquhet për mbrojtje minimale të parimeve, mashtrimi prezantohet si fisnikëri. Këtu Isa Mustafa nuk është më pak mashtrues se zoti ish-komandant Ramush Haradinaj. Në LDK ndihen të gëzuar që me një salto të befasishme politike pas 8 qershorit ia hodhën Haradinajt karremin: “Hajde bëhu kryeministër”. Këtë, thonë në LDK, e bëmë edhe për të penguar Haradinajn të shkojë menjëherë te Thaçi: “E bëmë nga frika se ky do të shkonte te Thaçi pa asnjë ngurrim”.

Në opinion u ngjall shpresa se rotacioni i pushtetit është i mundshëm së paku për shëndetin e demokracisë. Vetëm naivët mund të besonin se korrupsioni do të ndalej, sepse që janë të njollosur të gjithë - LDK, AAK, Nisma e sidomos PDK - këtu dyshim nuk ka. Ndërkohë kryetari i LDK-së Isa Mustafa me gjakftohtësinë e paskrupullt të një Joseph Fouchéje ballkanik e rriti pazarin te Thaçi me këtë mesazh: vijmë në prehrin tënd nëse marrim postin e kryeministrit. Dhe nisën takimet e fshehta. Udhëtimet në Europë: Mustafa në Berlin e Bruksel, Thaçi në Bruksel. Kushedi dhe ku tjetër. Dhe ndoshta janë takuar jashtë Kosovës.

Kur iku Mustafa në Berlin, Haradinaj e hetoi se diçka po zihej. Vrapoi edhe ai në kryeqytetin gjerman. AAK tha se kryetari i saj kishte ftesë për të marrë pjesë në shënimin e 25-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Ky lajm ishte i çuditshëm, sepse nuk u prezantua asnjë ftesë. Si mund të kishte ftesë për kryetarin e partisë së katërt në Kosovë e jo për kryetaren e shtetit apo kryeministrin në detyrë. Me gjasë Haradinaj shkoi privat në Berlin për t’i sinjalizuar Mustafës se “edhe unë i kam lidhjet gjermane”. Derisa në prapaskenë binin maska, rrëzoheshin parime e ndërroheshin moçalet politike – pjesa më e madhe e opinionit ende shpresonte që ky vend do të marrë një drejtim të ri.

Nga struktura të AAK-së tani ka zëra që thonë se para se të bëhej publike marrëveshja mes Thaçit dhe Mustafës te presidentja dhe në prani të ambasadores amerikane, Haradinaj iu kishte afruar Thaçit për të lidhur koalicion. Në LDK, ndërkaq, ka zëra që thonë se Haradinaj sillej me arrogancë në takime, përmenden jo vetëm shtyrje me bërryla nga ana e tij. Meqë loja dhe pazaret janë bërë tinëz, mbetet në nderin e protagonistëve që të tregojnë se ç’ndodhi vërtet. Por, zor të besohet se kanë nder. Indikative është se AAK në thumb të kritikës e ka vënë kryesisht LDK-në, PDK-në nuk përmendet aq këto ditë.

Pasi u bë publike marrëveshja Thaçi-Mustafa, Daut Haradinaj, i vëllai i apostullit të moralit Ramush Haradinaj, tha se AAK tani duhet të përqendrohet në bashkëpunimin me forcat opozitare dhe sidomos me Vetëvendosjen. Pas disa zbulimeve që bëri Albin Kurti mbi atmosferën brenda bllokut politik VLAN, ku, mes tjerash, tregoi se Haradinaj i ishte afruar Thaçit, por ky e kishte refuzuar, shefi i AAK-së reagoi me nervozë të lehtë, duke bërë apel për punë të përbashkët në “ndaljen e kapjes së shtetit”. Në korrik të vitit 2013, kur Lëvizja Vetëvendosje kritikoi ashpër Haradinajn për kursin e tij vardisës ndaj PDK-së, ish-komandanti muskulor u përbetua publikisht: “Kurrë me Vetëvendosjen. Po me LDK. Po edhe me PDK”.

Në gjithë këtë lojë më i pastri doli Albin Kurti. Dhe diçka tjetër nuk është pritur prej tij. Atij i mbetet të nxjerrë mësime nga kjo përvojë. E mësimi kryesor është heqja dorë nga projektet e mëdha dhe jorealiste. VV duhet të demonstrojë shumë më tepër cilësi qeverisëse në Prishtinë për të rritur numrin e përkrahësve gjithkund në Kosovë. VV po ashtu duhet të punojë më shumë në rregullimin e komunikimit me përfaqësues të shteteve kryesore perëndimore. Këtë parti pushteti i Thaçit, e sidomos një pjesë e të ashtuquajturve diplomatë të MPJ-së, të cilët janë vetëm disa lecka të SHIK-ut, e kanë demonizuar ku kanë mundur në zyra ndërkombëtare, duke e përshkruar si gogol.

Pjekuri politike në sagën gjashtëmujore tregoi edhe Fatmir Limaj. Përkundër njollave në biografinë e tij politike, të cilat ende nuk kanë marrë epilog gjyqësor, Limaj bëri përpjekje vetëmohuese për ndryshime, pa kërkuar poste dhe pa kushtëzime. Pikërisht për këtë Mustafa në ditën kur i dha fund lojës mashtruese e falënderoi sidomos Limajn. Duket se ndjeu keqardhje që e kishte keqpërdorur egërsisht Limajn me muaj të tërë. Për Haradinajn nuk shprehu keqardhje, sepse e dinte se edhe ky ishte hedhur vrap te Thaçi. Këto dredhi Mustafa ia lejoi vetes, sepse duke e parë fundin e tij politik në LDK u shndërrua prej politikanit në lojtar pokeri me besimin e qytetarëve. Duket se atij nuk i intereson çfarë nami të keq do t’i lë partisë së tij. Mund të pensionet që sot dhe nuk duhet të brengoset se do të mbetet pa bukë.

Të gjitha këto lojëra të pista në prapaskenë tregojnë një gjë: në mesin e politikanëve të Kosovës (e kam fjalën për politikanë të partive që kanë qeverisur në nivel qendror) nuk ekziston kurrfarë mirëbesimi. Deviza e veprimit është: kush kë po e mashtron! Kësaj mund t’i thuhet gjithçka tjetër pos politikë. Dikush tha këto ditë se në Kosovë nuk ka moral politik. Në fakt, në Kosovë nuk ka fare moral, sepse një kastë e tillë politikanësh mashtrues i jep shembull edhe njerëzve të thjeshtë e të varfër. Ajo pjesë e shoqërisë që vërtet beson në etikë e moral publik dhe në një shtet të pastër e funksional është strukur e dëshpëruar nga kjo murtajë politike.

Mjafton të shikosh se ç’kanibalizëm ekziston në mesin e anëtarëve të Kryesisë së LDK-së dhe anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm. Pas shpine njëri-tjetrit i bëjnë këso komplimentesh: “Ruaju se filani është i SHIK-ut”, “ruaji se ajo/ai i raporton SHIK-ut”, “ruaju se ai vetëm thotë se është me Isa Mustafën, por është pion i Fatmir Sejdiut”. Një parti që “funksionon” kështu nuk ka nevojë për kundërshtarë politikë, ajo shkatërrohet vetvetiu. Madje në 25-vjetorin e saj të themelimit. Andaj nuk kanë arsye të nervozohen disa figura të LDK-së si Anton Quni, që gazetarët që s’e kanë shitur lëkurën në pazare të pista po ua kujtojnë Qunit dhe të tjerëve atë që e kanë thënë apo pështyrë dje dhe sot po e lëpijnë me solemnitet. Për shembull Quni, ish-komandant i FARK-ut (sipas PDK-së: inekzistent), në janar pati thënë me zë të lartë e të ashpër në Rubikon të KTV-së: “Vrasjet politike i ka bërë SHIK-u i Kadri Veselit”. Sot ai me të tjerët shkon turravrap në koalicion me PDK-në. Më duket Kadri Veseli është nënkryetar i PDK-së. Sidoqoftë, ndoshta Quni, çunat dhe burra të tjerë të ligë të LDK-së e verifikojnë këtë në ditët në vijim. E vërteta trishtuese e krejt kësaj përvoje në jetën tonë politike është se Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj i dërguan opinionit këtë sinjal: meqë të dy jemi mashtrues, atëherë më mirë po shkojmë te kryemashtruesi. Kësaj radhe Mustafa ishte më i shpejtë, herën tjetër ndoshta mund të shkojë Haradinaj. Apo jo? Kur si politikan e humbni çdo kredibilitet publik, kur nuk ju beson më askush, atëherë pyetjet më të thjeshta duken të rënda sa gurët e Sizifit.

[email protected]
© KOHA.net

 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...