Bëhu njeri!

19 Maj 2016 - 08:23 - Enver Robelli      

Politikanët flasin për pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve, por në të njëjtën kohë janë të gatshëm që për interesa të ruajtjes së pushtetit të ndezin ndjenjat nacionaliste. Pajtimi arrihet kur të dominojnë diskursin publik njerëzit normalë si aktori serb Çedomir Petroviq, i cili në fundjavë me një letër publike tregoi fisnikëri të pashoq.

Që nga fillimi i majit qytetarët e Kosovës kanë përjetuar disa ditë me plot emocione. Pas goditjes së rëndë në Paris vitin e kaluar, kur Kosovën nuk deshën ta shihnin në UNESCO madje as shtete mike si Polonia dhe Japonia (të dyja e kanë njohur pavarësinë e Kosovës), pas pritjeve të kota për njohje të reja (një proces që duket se është ndalur plotësisht), më 2 maj Kosova u anëtarësua në UEFA, të premten që shkoi Republika e vogël ballkanike hyri në portën e madhe të FIFA-s.

Heroi i vitit është Fadil Vokrri, shef i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili pati sukses edhe për shkak se fuqitë e mëdha, pra shtetet dashamirëse të Kosovës, pas debaklit në Paris përkitazi me UNESCO-n u mobilizuan për të futur Kosovën në sa më shumë organizata ndërkombëtare.

Funksionarët serbë të futbollit, politikanët, gazetarët proqeveritarë në Beograd kanë reaguar me shkumë para gojës. Pala serbe madje ka paralajmëruar se me mjete juridike do të luftojë anëtarësimin e Kosovës në dy organizatat më të rëndësishme të futbollit botëror. Shanset për sukses janë minimale, mbase baras me zero, por arroganca, «srpski inat», inati serb, kjo tragjedi dhe marrëzi e historisë serbe nuk po i lë politikanët serbë të shohin me sy realist atë që është evidente: pavarësia e Kosovës.

Andaj, pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA Serbia e humbi rastin që duke e uruar Kosovën për këtë sukses të bëjë një hap të rëndësishëm drejt pajtimit. Ministri i Rinisë dhe Sportit i Serbisë është një djalosh në fillim të tridhjetave, vaterpolist i njohur, i cili në vend se të tregohet i emancipuar dhe vizionar, kërcënon se lufta do të vazhdojë. Cila luftë? Gjuha e ngarkuar me kërcënime, me retorikë gazimestaneske, me eshtra të Car Lazarit dhe «kosovska devojkës» do t’i shkonte për shtati varrmihës-presidentit Tomislav Nikoliq, por assesi ministrit të Rinisë dhe Sportit të Serbisë, Vanja Udoviçiq.

Ndonëse djalë i ri dhe i dalë nëpër botë, ai ende s’dëshiron të largohet nga qëndrimi i padronit ndaj qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve si shumicë. Një tip të tillë mund ta përfytyrojmë duke dëgjuar Mile Davisin, jo Cecën.
Sjellja arrogante e Serbisë ndaj Kosovës pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA tregon sa të pavlefshme janë përbetimet në Bruksel për pajtim mes popujve, mes serbëve dhe shqiptarëve. Politikanët flasin për pajtimin, por në të njëjtën kohë janë të gatshëm që për interesa të ruajtjes së pushtetit të ndezin ndjenjat nacionaliste. Pajtimi arrihet kur të dominojnë diskursin publik njerëzit normalë.

Një njeri normal në fundjavë foli. Çedomir Petroviqi, aktor dhe regjisor, jo vetëm që qortoi ministrin e vrazhdë, por i dha një leksion opinionit serb se si duhet të sillet ndaj Kosovës. Në një letër të hapur ministrit Udoviçiq (në fakt, letra i drejtohej mbarë opinionit në Serbi) Petroviqi tha disa të vërteta dhe tregoi një humanizëm të pashoq. «Sa mirë do të ishte nëse Serbia do të votonte për anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA. Sikur t’i kishte ndihmuar, si fqinji i parë. Sa rëndësi do të kishte kjo për rrjedhën e mëtutjeshme të bisedimeve me Prishtinën. Sa do të shihej dëshira jonë e vërtetë dhe vullneti që ato bisedime t’i zhvillojmë sinqerisht», shkroi Petroviq.

Dhe vazhdoi: «Nuk ka fuqi në botë që mund t’ua ndalojë futbollistëve të Kosovës dhe fansave të tyre, të cilët e duan futbollin si ne, për të cilët jetë e vërtetë është gara me reprezentacionet e tjera, që të luajnë futboll me të gjitha reprezentacionet e botës.

Ata s’kanë uniforma ushtarake. Ata bartin fanella me numra, me mbiemrat e tyre. Dija, shkathtësia, kondicioni, ferplej, këto janë armët me të cilat disponojnë futbollistët e Kosovës».
Petroviqi do të mund të merrte lahutën dhe të numëronte me zë vajtues «krejt të zezat» që shqiptarët mund t’ua kenë bërë serbëve, kuptohet duke nxitur urrejtje, pastaj do të mund të thoshte se Kosova na qenkësh tokë e shenjtë serbe, duke përmendur krejt arsenalin historik prejse është kurdisur dynjaja deri te Beteja e Kosovës dhe tutje te fjalimi i vozhdit serb më 28 qershor 1989. Lehtë, shumë lehtë është të bëhet kjo.

Është fisnikëri çfarë bëri Çedomir Petroviqi. Ai ia kujtoi ministrit dhe mbarë Serbisë se shefi i Federatës së Futbollit të Kosovës nuk është i panjohur për Serbinë, as nuk është armik, përkundrazi në vitet ’80 ishte shumë i duartrokitur nga fansat e ekipit të Partizanit. «Fadil Vokrri erdhi në Partizan në vitin 1986, kur e braktisën Zdravko Varga dhe Dragan Mance, i aksidentuar tragjikisht. Si mesfushor Vokrri u bë lojtari i dashur i jugut të Partizanit. Në Partizan, Vokrri kaloi tre stinorë të ligës së parë, ka luajtur 55 ndeshje të ligës së parë dhe ka dhënë 18 gola në ligën e parë. Për reprezentacionin e Jugosllavisë ka luajtur në periudhën 1984-1987. Ka luajtur dymbëdhjetë ndeshje me reprezentacionin dhe ka dhënë gjashtë gola. Sot Fadil Vokrri është kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Urojani! Bëhu njeri! Bëhu sportist. Harrojeni funksionin e ministrit. Dikur s’do të jeni më. A do t’ju vijë turp për këtë deklaratë? Gjithçka varet nga ju. Sportistët janë njerëz të kuptimeve të tjera dhe të vlerave morale».

Gjasat që Udoviçiq të shfrytëzojë shansin e madh janë të vogla. Por letra e aktorit Çedomir Petroviq tregon se pajtimi është i mundshëm kur në opinionin publik të dëgjohet më shumë zëri i personave të tillë. Kjo natyrisht vlen edhe për opinionin kosovar, ku angazhimi për të drejtat e pakicave shpesh të sjell një mori sharjesh, kërcënimesh e shpifjesh nga grazhdi i gjerë i kafshëve primitive dhe pseudonacionaliste. (Një informatë për gjeneratat e kosovarëve me përvojë më të gjatë jetësore: Çedomir Petroviqi është i biri i Miodrag Petroviq – Çkala, njërit prej humoristëve më origjinalë të Ballkanit. Kush këndon, keq s’mendon, thonë serbët. Në rastin konkret vlen: kush ka talent për humor, me të lehtë pajtohesh. Dhe është mirë të pajtohesh).

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...