27 Gusht 2015 - 08:30 - Enver Robelli
Mahmuti ia ka dalë. Ai buzëqesh, lëviz gjymtyrët, brohorit. Ai flet pa marrë frymë: “Vëlla, nuk ka më jetë në Siri. Bashar al-Asadi është diktator. Ai po e vret popullin. Dua të shkoj në Suedi. Dua të jetoj. Dua të punoj”. Mahmuti e ka braktisur para një muaji qytetin mesdhetar sirian Latakia. Qytetin e tij të dashur. Qytetin e tij të lindjes. Ai ka udhëtuar dhe ecur me ditë të tëra nëpër Turqi derisa ka arritur në Bodrum, në atë qytet turk në Egjeun Jugor, i cili nga turistët perëndimorë përshkruhet si Saint-Tropez i Turqisë.
Atje Mahmuti është hedhur në një anije gome dhe pas gati tri orësh ka arritur në ishullin Kos në Greqi. Tani ai gjendet në peronin numër 1 të stacionit të trenit në Gjevgjeli të Maqedonisë dhe pret trenin, i cili do ta sjellë deri në kufi me Serbinë. “Deri më tani u kam paguar rreth 2.000 euro trafikantëve”, thotë Mahmuti. “Vëlla”, vazhdon ai, “asnjë çmim nuk është i lartë kur është në pyetje jeta jote”.
Treni vjen në orën 10:53. Është e enjte, dielli përvëlon, tregtarët shesin ujë në shishe, pemë, gurabija, cigare, në kioskën e stacionit të trenit refugjatët mund të blejnë edhe karta për t’u lidhur me internet. Refugjati i shekullit të 21-të është i lidhur gati përherë me botën – përmes Smartphone, telefonit të mençur.
Usama dhe grupi i tij sapo kanë kontaktuar nëpërmjet Facebookut me familjet e tyre në Siri. Ata kanë shkruar se gjithçka është në rregull dhe se Bashkimi Evropian është afër. Këta refugjatë mezi qëndrojnë në këmbë. Të rraskapitur, të dehidruar, të uritur këta tre burra dhe dy gra kanë arritur në Gjevgjeli. Menjëherë pasi kanë lënë pas fshatin grek Idomeni buzë kufirit, ata janë ndalur nga policia maqedonase dhe janë rrahur. Ata i tregojnë gjurmët e dhunës. “Ne jemi të krishterë dhe nuk kemi ardhmëri në Siri”, thotë Usama.
Treni hap dyert.
Menjëherë qindra njerëz iu vërsulen vagonëve. Dhe gati secili thotë: “Germania, inshallah”. Ata duan, po deshi Zoti, të shkojnë në Gjermani. Ose në Suedi. Ose në Belgjikë. Derisa sirianët, irakianët, pakistanezët, afganët dhe afrikanët futen në tren, një helikopter i policisë maqedonase fluturon tepër ulët mbi arenën e stacionit të trenit. Është një demonstrim force për t’i frikësuar ardhacakët. Përballë stacionit të trenit njëkohësisht rreth njëqind refugjatë luftojnë për ulëse në dy autobusë, të cilët shkojnë në Kumanovë, afër kufirit me Serbinë. Në Preshevë, një qytet i vogël në Serbinë Jugore, Komisariati i OKB-së për Refugjatë i pret migrantët.
Sipas ligjit të ri për azilin, refugjatët duhet të regjistrohen te autoritetet maqedonase dhe kanë 72 orë kohë për të kërkuar azil. Por askush nuk e ka këtë qëllim. Maqedonia është vend i varfër, nga i cili viteve të fundit kanë ikur në Evropën Perëndimore plot romë.
Në këtë vend refugjatët nuk priten krahëhapur. “Terroristë të mallkuar nga Siria”, thotë një polic, derisa treni braktis stacionin. Një doganier zemërohet mbi “vërshimin e myslimanëve”, të cilët mund të ndryshojnë përbërjen etnike të Maqedonisë. Një taksist thotë se migrantët mund të sjellin epidemi. Për 100 euro ai i sjell refugjatët deri në fshatin Tabanoc në kufi me Serbinë.
Racizmi kundër migrantëve ka pasur pasoja të përgjakshme në të kaluarën e afërt të këtij vendi të vogël ballkanik. Më 2004 policia vrau afër Shkupit, kryeqytetit të Maqedonisë, gjashtë pakistanezë dhe një indian. Bëhet fjalë për terroristë të Al-Kaidës, kishte bërë të ditur ministri i atëhershëm i brendshëm, i cili synonte të profilizohej si luftëtar kundër terrorit. Së shpejti u bë e ditur se të vrarët ishin migrantë të pafajshëm.
Kriza më e re e refugjatëve e ka gjetur Maqedoninë plotësisht të papërgatitur. Deri nga mesi i javës së kaluar rreth dy mijë njerëz kalonin kufirin për çdo ditë, në tre muajt e fundit autoritetet kanë numëruar 38 mijë refugjatë. Në Stacionin e trenit në Gjevgjeli vazhdimisht ndodhnin skena dramatike, rrahje, fyerje. Shteti ishte i pranishëm, para së gjithash, me policë.
Të enjten në mbrëmje, Stacioni i trenit ishte i zbrazët. Qeveria në Shkup sapo kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin jugor dhe verior. Pas kishte mbetur në hekurudhë bërlloku, duhma dhe disa ndihmës humanitarë si Mihal nga Çekia. Ky etnolog ishte i tronditur kur kishte parë në televizion mjerimin në zonën kufitare mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Bashkë me disa shokë ai ka ardhur në Gjevgjeli, ka shpërndarë shujta, ka ndërtuar një kopsht me lodra për fëmijë, ka montuar çadra – dhe e ka dokumentuar mjerimin e refugjatëve me kamerën e tij. “Një ditë”, thotë Mihal, “dua t’i vizitoj disa nga migratët dhe të shoh se çfarë është bërë me ta”. Për shembull me Mahmutin dhe Usaman. Ata dy ua bëjnë me dorë policëve kur treni, më në fund, niset.
Pas mbylljes së kufirit punëtorët humanitarë të OKB-së përpiqen të kuptojnë se çfarë po ngjet në “tokën e askujt” mes Maqedonisë dhe Greqisë. Sipas thashethemeve mbi një mijë refugjatë gjenden atje – pa ujë dhe pa ushqim. Kësaj zone mund t’i afroheni më lehtë nga ana greke. Pas daljes së parë të autostradës gjendet fshati Idomeni. Këtu refugjatët vijnë në çdo gjysmë ore.
Grupe të vogla, shumica me fëmijë, ecin nëpër fusha me luledielli dhe ara me misër deri në stacionin hekurudhor grek. Disa qindra metra më tutje gjenden policët maqedonas të armatosur rëndë, njëri prej tyre është mbështetur në një gur me gravurën “SFRJ”, një kujtim nga Jugosllavia socialiste, pjesë e së cilës ka qenë edhe Maqedonia deri në fillim të viteve ‘90.
Mbrojtësit grekë të rendit e vëzhgojnë situatën nga distanca e sigurt. Mjerimi në “tokën e askujt” tmerron secilin. Disa mijëra njerëz kanë mbetur të bllokuar. Fëmijët lozin në baltë, gratë shtatzëna kërkojnë një vend nën hijen e pemëve të pakta, të rinjtë flenë mbi binarë trenash, pleqtë alivanosen. Termometri arrin në sfera tropikale. Mjekët e organizatës Médecins sans Frontières (MSF) japin ndihmën e parë, sepse shteti grek nuk është pothuaj fare i pranishëm. Një çift shet hamburgerë pranë hekurudhës. Plot njerëz vërsulen të marrin së paku një sandviç të nxehtë pas udhëtimit të gjatë dhe të lodhshëm nëpër Greqi.
Njëri prej tyre është Tafsiri. Ky pronar dyqani në Damask ka braktisur vendin e tij para një muaji. Me gruan dhe dy fëmijë të moshës dy dhe pesë vjeç ai pret në zonën mes dy pikave kufitare. Ai përpiqet të largohet nga këtu sa më shpejt.
Ai ka dëgjuar se Qeveria hungareze deri në fund të gushtit do të ndërtojë një gardh për t’i penguar të futen në këtë vend të mjerët e kësaj bote. Atëherë rruga ballkanike e refugjatëve – aktualisht damari kryesor – do të bllokohej. “Dikur, inshallah, maqedonasit do ta hapin kufirin”, thotë ai.
Të enjten gjatë natës gjendja në “tokën e askujt” mes Idomenit dhe Gjevgjelisë ashpërsohet. Numri i refugjatëve ka arritur në mbi 4 mijë. Gjendja humanitare bëhet gjithnjë e më dramatike. Në pemë njerëzit varin rrobat, ata nuk duan të shkojnë në Evropë me rroba të ndyra. Bie në sy që shumë sirianë vijnë nga familjet e shtresës së mesme. Avokatë, profesorë, inxhinierë. Ata edhe në këtë sallë pritjeje të mjerimit nuk duan të duken si lypsarë.
Në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, para së gjithash, të rinjtë humbin durimin, ata kërkojnë t’u lejohet të hyjnë në Maqedoni, hedhin gurë. Policia maqedonase është barrikaduar pas telave gjemborë dhe hedh gaz lotsjellës dhe shok-bomba kundër refugjatëve.
Por një kufi s’mund të mbyllësh kurrë plotësisht, këtë s’kanë mundur ta bëjnë as diktaturat komuniste gjatë luftës së ftohtë. Dhjetëra refugjatë në orët e hershme të mëngjesit të së premtes kanë gjetur plot vrima në kufi për të hyrë në Maqedoni. Ata janë kapur nga policia dhe tani, të rrethuar nga policët, qëndrojnë ulur në stacionin e trenit në Gjevgjeli. Të rraskapitur, të pafuqishëm dhe të nevrikosur ata brohorasin: “OKB, OKB”. Dikur Kombet e Bashkuara kanë qenë ndërgjegjja e botës, sot ato janë një protagonist pasiv. Bashkimi Evropian gjendet në pauzë verore.
Zona kufitare mes Idomenit dhe Gjevgjelisë të premten pasdite i ngjante një qyteti të çadrave. Qindra refugjatë qëndrojnë në rend para një gjeneratori të rrymës për t’i karikuar telefonat. Duket se ata do të qëndrojnë këtu derisa Qeveria maqedonase do të hapë kufijtë. Mjekët pa kufij raportojnë për dhjetë të plagosur, të cilët janë goditur nga shok-bombat apo janë keqtrajtuar nga policët maqedonas. Vetëm të enjten e kaluar mjekët trajtuan mbi 100 pacientë. Një grua shtatzënë dhe një fëmijë njëvjeçar u shtruan në spital.
Ndërkohë kufiri është hapur. Ose më mirë të thuhet: e kanë hapur refugjatët. Rreth 6 mijë prej tyre gjatë fundjavës arritën në Serbi. Në Beograd dy policë serbë kanë plaçkitur disa refugjatë, duke ua grabitur paratë. Por kjo është harruar pasi ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gashiq, ka vajtur në Preshevë dhe atje i ka ndihmuar një fëmije sirian të gjejë çantën e humbur, ndërsa një tjetri i ka ofruar ushqim dhe ujë pasi ai ishte ankuar se ishte i uritur. Politika është simbolikë dhe inskenim. Në këtë sport politikanët serbë luajnë në ligën e parë.
[email protected]
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...