27 Nëntor 2014 - 08:30 - Enver Robelli
Ku fillon Ballkani? Në botën perëndimore toponimi Ballkan përdoret shpesh si sinonim për kaos. Kur nuk ecin punët mirë në Parlamentin italian, atëherë mediet ankohen për “ballkanizim të politikës buzë lumit Tevere”. Kur skocezët kërkojnë pavarësi, zëra kritikë paralajmërojnë “rrethana ballkanike”.
Kur katalonjasit duan të shkëputen nga Spanja, kundërshtarët shohin në horizont “konflikte si në Ballkan”. Këta shembuj tregojnë se toponimi Ballkan është i lëvizshëm sipas kutit të vrojtuesit. Shembuj edhe më të mirë se ata që u cekën më lart gjenden në një reportazh që gazetari amerikan Hamilton Fish Armstrong shkroi në vitet 1920, pasi udhëtoi me tren nga Trieste në Stamboll. Duke i hequr mizat nga pjata kamerieri italian në Trieste i thotë Armstrongut: “Ju doni të shkoni në Zagreb? Oh, çfarë grope ndyrësirash është, aty mund të jetojnë vetëm derrat kroatë. Nëna ime ka qenë kroate, por ajo e ka ditur përse u martua me një italian. Ne këtu e mbrojmë kufirin e civilizimit të Dantes. Në anën tjetër nuk gjeni asgjë tjetër përveç dembelisë dhe bërllokut”.
Me këtë porosi amerikani vazhdoi udhëtimin drejt Zagrebit - dhe çfarë i bie në sy menjëherë? Ndonëse është herët dhe dielli sapo ka lindur, arat ngjyrë gështenje janë lëvruar dhe brazdat që sapo janë hapur shtrihen deri në horizont. Dembelia duket ndryshe. Kur mbërrin në Zagreb gazetarit amerikan i bie në sy hoteli “Esplanade”, ku nuk e kishin pickuar pleshtat – “gjë që nuk mund të thuhet për disa hotele të qyteteve që gjenden pak më tutje në perëndim”. Pak a shumë Zagrebi i duket Armstrongut si një Vjenë e vogël – me universitet, i cili ka njërën ndër bibliotekat më të mira të Evropës, me operë, ku këndojnë talente vendëse dhe ruse “të klasit të parë”, me shtëpi impozante të aristokracisë gjysmëkroate, gjysmaustriake.
Kur flet me kroatë gazetari amerikan shumë shpejt vëren një dëshirë të madhe për të theksuar se “ne kroatët jemi katolikë dhe shkruajmë me shkronja latine”. Me këtë ata duan të thonë: këtu është kufiri, pastaj vjen ai Ballkani i tmerrshëm. Dhe natyrisht në krye të listës së fqinjëve të tmerrshëm janë serbët. Armstrong citon qytetarë të Zagrebit të cilët për serbët thonë: “Ata njerëz në të vërtetë janë shumë trima, por nata turke ende lëshon hije. Ata kurrë nuk kanë pasur një shans të vërtetë për t’u civilizuar. Dhe për shkak të fesë ortodokse dhe alfabetit cirilik ata natyrisht e shohin veten të lidhur me Konstantinopojën”.
Për banorët e Zagrebit, Beogradi është një gropë ndyrësirash: “Siç po e shihni, ne i takojmë Perëndimit. Ata Lindjes. Kjo është për të ardhur keq, por kështu është”. Pasi Kroacia kishte vendosur që me Serbinë dhe Slloveninë të themelonin Mbretërinë e përbashkët të kontrolluar nga Beogradi, edhe shkrimtari i njohur kroat Miroslav Kërlezha kishte shkruar: “Realiteti ynë austro-hungarez u rrokullis i dehur nën fronin e Karagjorgjeviqëve si një shishe e zbrazët birre në bërllok”.
Kur mbërrin në Beograd amerikanit Armstrong nuk i bie në sy primitivizmi, siç ishin përpjekur t’ia mbushnin mendjen kroatët. Në qytet flitej se sapo ishin qepur 1 100 kostume elegante për pritje, ishin ndërtuar dy mijë shtëpi, Mbreti e kishte rregulluar pallatin me artikuj luksozë nga Parisi dhe Vjena.
“Dhe që askush të mos thotë se në Ballkan nuk ka banjë, pallati u pajis me banjën më të madhe që mund të ëndërrohej – aq e madhe, saqë vetëm një mbreti nuk i vinte turp të zhvishej aty”, shkruan Armstrong. Hotelet, restorantet, baret e viteve 20 në kryeqytetin serb, për vizitorin amerikan ishin përpjekje për të imituar Parisin, Londrën e New Yorkun.
Një oficer serb i tregon atij në frëngjisht se sundimi osman nuk e ka fundosur Serbinë në terr oriental. Kur merr vesh se Armstrong do të vazhdojë udhëtimin drejt Sofjes, oficeri serb i thotë: “Shpresoj se e dini ku po shkoni. (...) Çfarë race këta bullgarët! Gjysmë tatarë. Ky është problemi te ta: ata e kanë sjellë Lindjen dhe e kanë mbjellë në Ballkan, para se të dëgjohej për turqit. Sikur të mos kishin këtë ngjyrim tatar ndoshta do të përpiqeshim të bënim diçka me ta, fundja ne pjesërisht kemi gjakun e njëjtë sllav në damarë. Por, thellë në shpirtin e tyre ata janë nga Lindja. Dhe kurrë një njeri i Perëndimit nuk mund të bashkëpunojë gjatë me Lindjen”.
Në tren nga Sofja në Stamboll një bullgar, me të cilin Armstrong u takua në kupe, pyeti: “A keni qenë ndonjëherë në Konstantinopojë”? Kur amerikani tundi kokën në shenjë mohimi, bullgari ia ktheu: “Atëherë do ta përjetoni për herë të parë Lindjen...”. Por, kur Armstrong arrin në Pera (emri i vjetër grek i lagjes stambollase Beyoglu) nuk dëgjon tinguj orientalë, por “Valencian” e José Padillas, një hit të njohur në mbarë Evropën në atë kohë.
Cili është morali i këtij rrëfimi? Ballkanin nëse e përdorni si sinonim kaosi, atëherë mund ta gjeni kudo. Për shembull, në secilin Raport të Progresit burokratët e BE-së qortojnë “elitat vendëse në Ballkan” për korrupsion. Por shpesh ryshfetdhënëse janë firma nga vendet perëndimore. Dhe shpesh janë diplomatët cinikë perëndimorë që ditën predikojnë ujë dhe natën pinë verë tinëz – bashkë me sundimtarët e korruptuar vendës, të cilët demokracinë e kanë shndërruar në fasadë të shtetit autoritar.
Të fillojmë nga Sllovenia: ish-kryeministri dhe ish-disidenti Janez Jansha, i afërt me qarqet e korruptuara sunduese në Kosovë, u dënua për pranim ryshfeti nga firma finlandeze e armëve “Patria”. Finlanda është vend anëtar i BE-së, por duket që firma “Patria” nuk ka mundur të bënte biznes në Slloveni pa iu nënshtruar “rregullave mafioze ballkanike”. Ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, u dënua me 10 vjet burg pasi u zbulua se kishte marrë provizion ilegal nga një bankë austriake. Austria është vend anëtar i BE-së, por firmat austriake në Ballkan shpesh e kanë përhapur kulturën e egër të korrupsionit. Në Kosovë, ta zëmë, tani po zhvillohet procesi gjyqësor kundër një personi të quajtur Natali Velija, e cila akuzohet se 10 për qind të shumës së tenderit për shtypjen e pasaportave biometrike të Kosovës nga shtypshkronja vjeneze “OeSD” ua ka shpërndarë zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të Kosovës: 1.4 milionë euro nga 14 milionë sa ishte shuma totale e tenderit.
Në Kroaci firma hungareze “MOL” ishte marrë vesh me kryeministrin Ivo Sanader që ky t’i siguronte asaj vendimmarrjen në firmën kroate të naftës “INA” – ndonëse “MOL” s’kishte shumicën e aksioneve. Si shpërblim “MOL” ia pagoi 5 milionë dollarë ryshfet Sanaderit dhe këto para u transferuan në Qipro. Për të gjetur vendin për deponimin e 5 milionëve të tjerë dollarë një përfaqësues i “MOL-it” dhe Sanaderi u takuan në restorantin “Baltazar” në Zagreb. Pazari është regjistruar nga një kamerë e fshehtë. Një këshilltar i Sanaderit thotë se është rrezik që edhe gjysma tjetër e shumës financiare të transferohet në Qipro. Sanaderi dukshëm i zemëruar thotë se do të flasë më vëllanë e vet në Zvicër për të gjetur ndonjë mundësi tjetër për t’i fshehur paratë.
Por ka edhe raste të tjera të kundërta: takova para disa ditësh një biznesmen zviceran, i cili tregoi se si kishte dashur të lidhte një kontratë me PTK-në. Në Prishtinë ishte pritur nga një menaxher, i cili pas një kohe kishte kërkuar që të pranishmit e tjerë në takim të largoheshin nga zyra, mandej i kishte thënë qartë biznesmenit zviceran: “Sa për qind të shumës së gjithëmbarshme të kontratës e marr unë?” Zvicerani ishte larguar duke i thënë: “Kjo nuk është kultura e biznesit që e njoh unë”. Shpesh firmat perëndimore arsyetohen se nuk kanë shans tjetër të investojnë në vendet e korruptuara pa dhënë ryshfet. Por a është ky modeli për ndërtimin e shteteve funksionale në Evropën Juglindore? Sigurisht që jo.
Siç nuk është as puna e deritanishme e EULEX-it në Kosovë, misionit më të madh dhe më të shtrenjtë të BE-së. Janë harxhuar mbi një miliard për të forcuar sistemin e drejtësisë, doganat, policinë etj. Rezultati? Kosova me bekim të EULEX-it e ka sot prokuror Sylë Hoxhën, një aparatçik të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili nuk ngurron që publikisht të ulet pranë Ramadan Mujës, kryetarit të Prizrenit të dënuar për keqpërdorim të detyrës. Edhe më keq: Elez Hoxha, i vëllai i Sylë Hoxhës, në vitin 2010 është dënuar me 4 vjet burg për pranim ryshfeti për të liruar nga burgu apo për t’iu dhënë dënime të lehta me burg dy vrasësve.
Në asnjë vend serioz Sylë Hoxha nuk do ta kishte kaluar testin e sigurisë për të marrë këtë pozitë aq të rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Por, më duket se i dëgjoj tani cinikët në EULEX dhe në ambasadat perëndimore në Prishtinë, që me dashamirësi arrogante thonë: “Faji është individual”. E përse shumë shtete perëndimore nuk e bëjnë kryeprokuror një person që ka familjarë të dënuar për korrupsion?
Mirëkuptim ndaj këtyre fëlliqësive që po ndodhin në Kosovë mund të kenë vetëm përbuzës të drejtësisë. Shpesh në mbrojtje të poshtërsive dalin edhe figura krejt anësore të politikës, pensionistë e pensioniste, lobistë pa asnjë skrupull moral nga vendet perëndimore. Për shembull: ka disa muaj që një gjermane me emrin Doris Pack bërtet në disa medie joprofesionale kosovare ose përmes “Twitterit” në mbrojtje të pushtetit dhe partive të korruptuara. Në hapësirën gjermane Pack është po aq e njohur sa është në Kosovë kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Muçibabë.
Megjithatë, ajo nuk ndalet duke dhënë leksione arrogante se në pushtet duhet të mbesin kanakarët e saj politikë dhe njëkohësisht përpiqet të njollosë ata politikanë që pa asnjë kompromis duan shkëputjen e Kosovës nga karteli i krimit. Ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Pack, është një gjyshe pa asnjë përgjegjësi politike, është pensionuar - dhe flet kopalla e na shitet si apostull moral. Kjo është aq e moralshme saqë kur ishte në Zagreb para disa ditëve e vizitoi në burg Ivo Sanaderin, i cili është dënuar për korrupsion.
Shembulli tjetër: politikani britanik Denis Macshane, i cili është i afërt me strukturat e pushtetit të Hashim Thaçit, ka mbajtur burg për keqpërdorime financiare në vendin e tij. Në Kosovë, Ministria e Jashtme e prezanton Macshane si mbështetës të Kosovës, madje e shpërndan edhe një broshurë të tij të shkruar për Kosovën. Pas botimit të kësaj broshure dhe pas editorialeve të Macshane, ku ai mbronte jo Kosovën por politikanët e korruptuar, imazhi i Kosovës është përmirësuar shumë.
Prej shtetit të korruptuar tash quhet shtet që po shkon drejt dështimit – mjafton të lexohen shkrimet e botuara së fundi nga “Guardian” në Londër deri te gazeta “Wyborcza” në Varshavë për skandalin me gjasë korruptues në EULEX. Por dështimi i EULEX-it është në radhë të parë pasojë e kriminalizimit dhe korruptimit deri në palcë të sistemit shtetëror e partiak të Kosovës, ku dëshmitarët detyrohen të heshtin ose të vriten, ku policët fshehin apo zhdukin dëshmitë, ku politikanët ushtrojnë ndikim mbi gjyqtarë e prokurorë vendës, ku inspektorët tatimorë ndjekin të varfrit dhe tolerojnë evazionin fiskal të oligarkëve të pushtetit, ku mjekët i trajtojnë pacientët si kasapi viçat në thertore.
Kjo është një satirë reale, trishtuese, kjo është përditshmëria jonë. Dhe e tëra të kujton një satirë tjetër reale - atë skenën me ushtarin e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), Bahrudin Kalenoviqin, të cilin e kishte zënë shpërthimi i luftës në Slloveni më 1991. Pasi e pyet gazetari se a e dinte përse po zhvillohej kjo betejë, ai ishte përgjigjur: “Ku ta di unë! Sa po marr vesh, ata po bëjnë sikur duan të shkëputen, ndërsa ne po bëjmë sikur nuk do t’i lejojmë.
Në fakt, ne vetëm duam të kthehemi në kazermë dhe asgjë më shumë”. Njëjtë është edhe në Kosovë: jo pak ndërkombëtarë – sidomos të EULEX-it - bëhen sikur duan të ndërtojnë një shtet funksional përballë shumicës së politikanëve që bëhen sikur duan ta integrojnë vendin në BE. Në fakt nga kjo lojë të dyja palët duan të dalin sa më shumë të pasur dhe me sa më pak pasoja personale. E populli? Populli ka të drejtë në çdo katër vjet t’i zgjedhë plaçkitësit e vet. Që loja të vazhdojë me ritmin e njëjtë. Varet prej qytetarëve të Kosovës sa do ta lejojnë këtë kërdi.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...