14 Janar 2016 - 08:20 - Enver Robelli
Natën e Vitit të Ri reflektorët e mediumeve gjermane ishin të drejtuara nga qyteti i Mynihut, ku policia kishte evakuuar dy stacione hekurudhore pas një paralajmërimi se mund të kishte sulm terrorist. Paralajmërimi kishte ardhur nga një burim në Irak, nga një person që kishte bashkëpunuar me shërbime sekrete perëndimore dhe ishte cilësuar si i besueshëm.
Mynihu është qytet simbol i pranimit të refugjatëve: gjatë vitit 2015 në stacionin kryesor të trenit kanë arritur qindra e mijëra refugjatë nga Siria, Iraku, Afganistani dhe vatrat e tjera të mjerimit të kësaj bote. Opinioni gjerman ishte – me të drejtë – i tronditur se kryeqyteti i landit të Bavarisë mund të ishte cak sulmesh terroriste, pasi mijëra banorë të tij i kishin pritur refugjatët me lule, lodra, pankarta mirëseardhjeje dhe artikuj ushqimorë.
Fatmirësisht alarmi për sulm në Mynih nuk u bë realitet i përgjakshëm.
Por, natën e Vitit të Ri Gjermania përjetoi një tmerr tjetër, një sulm që ka gjasa të ndryshojë edhe politikën e dyerve të hapura ndaj refugjatëve. Sipas informacioneve të deritanishme dhjetëra, në mos qindra persona, siç thuhet, me prejardhje nga Lindja e Afërt, u mblodhën para stacionit të trenit në Köln, ku hodhën fishekzjarrë në masë dhe filluan një ngacmim seksual masiv të grave që kishin dalë të festonin Vitin e Ri.
Shumë gra u plaçkitën, disa mbetën pa telefona, të tjera pa kuleta dhe gjësende të tjera. Një hordhi burrash të egërsuar, të etur për seks dhe lakmitarë për të mira materiale – ky është imazhi që është krijuar për delikuentët e Kölnit. Dëm më të madh ata nuk kanë mundur t’u shkaktojnë qindra e mijëra refugjatëve, të cilët ikën nga vatrat e luftës në Siri e Irak dhe gjetën në Gjermani një vatër të ngrohtë.
Si në Köln edhe në qytete të tjera gjermane si Hamburg e Stuttgart banda të shfrenuara sulmuan gra që s’mund të mbroheshin.
Poshtërimi i grave, nënshtrimi i tyre, ngacmimi duke i prekur në pjesë intime të trupit, madje edhe dhunimi ose përpjekjet për dhunim, siç ka ndodhur në Köln, kanë alarmuar politikën gjermane. “Ndjenja, në këtë rast nga gratë, se janë të nënshtruara dhe plotësisht të pambrojtura edhe për mua personalisht është e padurueshme”, deklaroi kancelarja Angela Merkel.
Një javë pas sulmeve në Köln është larguar nga posti drejtori i policisë së qytetit. Ndoshta në të ardhmen do ta pësojnë edhe zyrtarë të tjerë më të lartë. Kancelarja Merkel e Partisë Kristian-Demokrate (CDU), zëvendësi i saj, Sigmar Gabriel, nga Partia Socialdemokrate (SPD), ministri i Drejtësisë, Heiko Mass (SPD), ministri i Brendshëm, Thomas de Maizière (CDU), kanë paralajmëruar se do të ashpërsohen ligjet për dëbimin e refugjatëve që keqpërdorin mikpritjen. Por, situata juridike është e ndërlikuar dhe shumica e atyre që vijnë nga vendet në konflikt zor se do të dëbohen.
Deliktet, vjedhjet dhe dhuna seksuale në Köln dhe qytete të tjera gjermane e ballafaqojnë Gjermaninë me realitetin: mes një milion refugjatëve që kanë ardhur në këtë vend muajve të fundit ka edhe të tillë që janë agresivë, të frustruar, të pakulturuar, të tillë që nuk kanë fare respekt për gratë. Për këtë temë në Gjermani është heshtur kryesisht nga frika se ata që e vënë gishtin në plagët e hapura mund të akuzohen si racistë.
Por, nuk është racizëm të flitet publikisht për hapësirën kulturore arabe, ku nuk ka shumë respekt për gratë. Nuk është punë e mençur që për këtë të akuzohet feja islame, sepse, në fakt, për ngacmim të grave islami parasheh dënime drakonike. Sjellja agresive e burrave arabë ndaj grave ka të bëjë më shumë me emancipimin e tyre në një shoqëri, ku djemtë e burrat janë gjithçka dhe gratë gati asgjë, ku burrat mund t’i lejojnë vetes çdo gjë dhe gratë duhet të pyesin burrat madje edhe kur duan të dalin në dyqanin e lagjes për të blerë qumësht.
Gjatë protestave për rrëzimin e autokratit egjiptian, Hosni Mubarak, dhe pas largimit të tij nga posti qindra gra janë ngacmuar seksualisht në sheshin “Tahrir” të Kajros, mes tyre edhe gazetare perëndimore. Sipas anketave mbi 99 për qind e grave në Egjipt kanë përjetuar ngacmime seksuale. Me gjasë jo shumë më ndryshe situata është edhe në vende të tjera arabe, siç dëshmojnë edhe raportet e korrespondentëve me përvojë.
Ngjarjet e Kölnit do ta sjellin kancelaren Angela Merkel në një situatë të vështirë.
Ajo në gjysmën e dytë të vitit 2015 ka hapur dyert për qindra e mijëra refugjatë dhe nuk e ka ndryshuar këtë kurs deri më sot – me gjithë kritikat nga qarqet e djathta, por edhe nga partia simotër CSU e Bavarisë, e cila bashkëqeveris në Berlin. Gazetarë cinikë, madje edhe nga vende si Zvicra, e cila pothuaj nuk është prekur nga vala e refugjatëve, e përqeshin humanizmin e Angela Merkelit, duke e quajtur naivitet të madh. Sipas tyre, Merkel është fajtore për “importimin e kulturës së huaj”, e cila nuk përshtatet me civilizimin perëndimor. Merkel mund të përballet me kritikuesit vetëm nëse arrin të tregojë edhe grushtin e fortë kundër refugjatëve që shkelin ligjet.
Më shumë represion kundër keqbërësve dhe më shumë përpjekje për integrimin e tyre – kjo duhet të jetë deviza. Tingëllon ndoshta absurd në shikim të parë, por nuk duket i pavend propozimi që shumë refugjatë, kryesisht burra të rinj të udhëhequr jo nga truri, por nga testosteroni, të dërgohen në kurse për të mësuar rregullat elementare të sjelljes – sidomos ndaj grave.
Çfarë ka ndodhur në Köln është skandaloze, e papranueshme, e dënueshme. Por, pjesë e së vërtetës është se sjellje agresive ndaj grave, dhunime, ngacmime seksuale ka në shumë shoqëri. Viteve të fundit bota është tronditur nga dhunimet masive të vajzave në Indi. Në Rusi duke filluar nga presidenti Vladimir Putin kultivohet një kult burrërie, i cili gruan e konsideron veç si plaçkë ose pronë. Edhe në Perëndimin aq të civilizuar ka shembuj skandalozë: Silvio Berlusconi, me vite të tëra kryeministër i Italisë, është akuzuar të ketë pasur seks me një vajzë të moshës jomadhore. Në festën e birrës në Mynih për çdo vit regjistrohen me dhjetëra ngacmime seksuale. Këta shembuj nuk janë arsyetim i asaj që ka ndodhur në Köln, vetëm plotësim i tablosë.
Sa i përket respektimit të dinjitetit të grave Perëndimi ka ecur përpara. A do ta kapin trenin e emancipimit edhe vende, rajone e kultura të tjera, për shembull bota arabe? Ngjarjet në Köln janë alarm(ante): përgjigjja e shtetit juridik duhet të jetë e ashpër.
[email protected]
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...