Të gjithë fajtorët e Srebrenicës

16 Korrik 2015 - 08:42 - Enver Robelli      

Gjenocidin e kryen forcat serbe. Kjo njollë i mbetet shoqërisë serbe. Por udhën drejt krimeve masive në Srebrenicë e kanë hapur gabimet e bashkësisë ndërkombëtare, heshtja cinike e zyrtarëve të OKB-së – dhe, po, edhe sjellja skandaloze e udhëheqjes qendrore në Sarajevë, e prirë nga Alija Izebegoviqi

Më 16 qershor 1995, vajza me emrin Federica Mogherini mbushi 22 vjet. Nuk ka të dhëna se si e ka festuar ajo ditëlindjen, por mund ta marrim me mend: në ndonjë ambient gazmor të Romës, duke ëndërruar për një botë më të mirë. Që më 1988 ajo ishte anëtarësuar në Forumin e të rinjve të Partisë Komuniste të Italisë. Në këto qarqe mirëkuptimi për Rusinë dhe urrejtja për Amerikën janë të mëdha. Tri javë pas ditëlindjes së Federica Mogherinit në Srebrenicë forcat serbe, të prira nga gjenerali Ratko Mladiq, vranë rreth 8 mijë boshnjakë (myslimanë). Kufomat u hodhën në varreza masive, në rreth 100 gropa të mëdha. Derisa në Bosnjë rridhnin lumenj gjaku, Mogherini mund të ketë kaluar verën nëpër baret e Riminit, ndoshta duke lexuar Leninin apo Marxin.

Bash në ato ditë Aleksandar Vuçiqi, një nacionalist i etur për gjak të boshnjakëve dhe shqiptarëve, u kërcënua në Kuvendin e Serbisë ndaj shteteve perëndimore se për “çdo serb të vrarë do t’i vrasim 100 myslimanë”. Më 14 shtator 1995, Shtabi i Përgjithshëm i së ashtuquajturës “Republika Srpska” dha leje që Korpusit të Drinës të Armatës së serbëve të Bosnjës t’i vihen në dispozicion pesë tonelata naftë për kryerjen e punëve të xhenios në zonën e Korpusit të Drinës. Për çka u duhej aq shumë naftë trupave serbe në Bosnjën Lindore? Tani, falë librit të gazetarit Matthias Fink, e dimë: me këtë naftë u mbushën rezervuarët e ekskavatorëve për t’i hapur varret masive dhe për t’i varrosur në lokacione të tjera viktimat e Srebrenicës.

Gjatë këtij procesi barbar të heqjes së viktimave nga varrezat primare dhe hedhjes së tyre në varreza sekondare një dorë mbeti atje, një këmbë këtu, një kafkë në një fshat Srebrenice, një torzo në mal. Për këtë arsye edhe sot, 20 vjet pas krimeve, nuk ka përfunduar identifikimi i viktimave. Për këto hollësi ndoshta nuk di gjë as sot Federica Mogherini, kryediplomate e Bashkimit Evropian dhe e shpërblyer me “Kryqin e Meritave të Urdhrit Rus të Miqësisë”. Pikërisht kjo afërsi jokritike me Rusinë e Vladimir Putinit ka qenë arsye që disa vende të BE-së kishin rezerva për ta emëruar Mogherinin në postin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Në përvjetorin e 20-të të masakrës në Srebrenicë, kur kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq i fluturuan rreth kokës disa këpucë, Mogherini shprehu “solidaritet” me kryeministrin serb, i cili paskësh marrë vendim historik për të qenë i pranishëm në Srebrenicë. Sepse, shkruan Mogherini, paqja po u ndërtuaka vetëm me pajtim. Pajtim me Vuçiqin që kundërshtonte emërimin e një bulevardi në Beograd me emrin e Zoran Gjingjiqit dhe në vend të tij preferonte të quhej “Ratko Mladiq”? Pajtim me Vuçiqin që para se të shkonte në Srebrenicë i ndaloi të gjitha tubimet në Beograd në kujtim të viktimave të Srebrenicës? Pajtim me Vuçiqin që para se të nisej për Srebrenicë, triumfonte, pasi Rusia, duke (keq)përdorur veton në Këshillin e Sigurimit, bllokoi një rezolutë, e cila e quante kërdinë e Srebrenicës me emrin e vërtetë: gjenocid! Athua Federica Mogherini do të merrej seriozisht si politikane nëse në vitet ‘90 do të kishte bërë fushatë në Romë që një shesh qendror të bartte emrin e Benito Mussolinit?

Kjo verbëri politike e vitit 2015 ka qenë edhe më e tmerrshme në vitet ‘90. E ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare gjatë, tepër gjatë, deri atëherë kur punët në Ballkan i morën në dorë amerikanët, agresionin serb e quante “luftë civile” – me një fjalë: secili ia thyen kokën tjetrit në Ballkanin tribal, të gjithë janë viktima dhe agresorë, të gjithë gënjejnë dhe të gjithë janë nacionalistë mesjetarë. Për një kohë të gjatë në Ballkan dërgoheshin emisarë krejtësisht të paaftë si Gianni de Michelis, që asnjëherë s’e kuptuan se sundimtari serb Slobodan Milosheviq kishte vetëm një plan: të ndërtojë Serbinë e Madhe mbi rrënojat e Jugosllavisë. Ose diplomatë si japonezi Jasushi Akashi, i cili shovinistëve të Beogradit u fliste me fjalë të mbështjella me pambuk. Ose gjeneral si britaniku Michael Rose, i cili kishte komanduar trupat e OKB-së në Bosnjë dhe ishte bërë famëkeq si dashamirës i agresorëve serbë.

Në fund të mandatit në Bosnjë, Rose mori nga Shtabi i Armatës së serbëve të Bosnjës si dhuratë një pikturë me titullin: “Lindja e një bukurie”. Kjo “bukuri”, një portret gruaje, siç raportonte revista “Der Spiegel” e asaj kohe, simbolizonte republikën e sapolindur të serbëve në Bosnjë – dhe gjenerali Rose në të ishte i pikturuar si mbrojtës i asaj që njihet sot si “Republika Srpska”. Me atë rast gjenerali Mladiq kishte shkruar këtë përkushtim: “Gjeneral, ju keni qenë i pranishëm në lindjen e kësaj bukurie. Kështu ju kujton populli im. Me respekt të madh”. Kjo ka qenë bashkësia ndërkombëtare në Bosnjë në vitet ‘90.

Por nuk ka qenë vetëm turma e diplomatëve, e politikanëve dhe e gjeneralëve cinikë perëndimorë që e kanë hapur rrugën drejt krimeve të mëdha në Srebrenicë. Autori gjerman Matthias Fink ka shkruar një libër prej gati 1000 faqesh, ku me saktësi frikësuese shpalos tragjedinë e Srebrenicës. Në kreun e katërt bëhet fjalë për dështimin kolosal të të gjithë protagonistëve: “Të pambrojtur – pa mbrojtje nga qeveria dhe ushtria. Të humbur – pa mbrojtje nga DutchBat (trupat holandeze, v.j.). Të pafuqi – pa mbrojtje nga Kombet e Bashkuara. Torruahumbur: pa mbrojtje nga NATO-ja dhe fuqitë perëndimore”. Fink ka hulumtuar gati katër vjet dhe pa e minimizuar faktin se fajin kryesor për krimet masive në Srebrenicë e bartin forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, ai kritikon ashpër dhe me dëshmi rolin aspak të lavdishëm të udhëheqjes politike boshnjake në Sarajevë.

Në një intervistë me gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Fink ka treguar se prej datës 6 korrik 1995, kur serbët filluan të sulmojnë Srebrenicën, deri më 11 korrik, kur e pushtuan, forcat qeveritare nuk ndërmorën asgjë për të sulmuar vijat e frontit serb. Sipas tij, ditën e pushtimit të Srebrenicës udhëheqja partiake dhe shtetërore boshnjake ishte takuar në Zenicë për të diskutuar për shpërndarje funksionesh dhe për gjendjen në Sarajevë. Për Srebrenicën që po sulmohej qe pesë ditë ishte folur pesë minuta. Fink është i bindur se rënia e Srebrenicës ishte kalkuluar edhe nga udhëheqja në Sarajevë, në mënyrë që të hapej rruga për shprishjen etnike të Bosnjës dhe arritjen e Marrëveshjes së Daytonit. Politikani suedez, Carl Bildt, më vonë kishte shkruar se pas pushtimit të qytetit të vogël në Bosnjën Lindore, ministri i Jashtëm, Muhamed Shaqirbegoviq, kishte thënë se kjo “do ta bënte punën më të lehtë”. Aksioni i planifikuar i një njësie të ushtrisë së Bosnjës për t’u dalë në ndihmë refugjatëve që po iknin nga Srebrenica kishte dështuar, sepse komandanti ishte dehur me shlivovicë. Edhe kjo anë e historisë duhet të ndriçohet – nga vetë boshnjakët.

[email protected]

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...