Budallallëqe në Beograd

15 Tetor 2014 - 19:39 - Enver Robelli      

Kur mbizotërojnë emocionet arsyeja varroset. Pas ndeshjes së futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë secila palë i ka “të vërtetat” e veta, të cilat shpërndahen nga mediet që janë vënë në shërbim të propagandës. Lojtari serb që e kapi flamurin provokues shqiptar shikohet si hero nga gazetat beogradase, pala shqiptare e quan Taulant Xhakën po ashtu hero – sepse e paskësh mbrojtur “flamurin e shenjtë shqiptar”. Edhe pse s’bëhej fjalë fare për flamur, por për një copë tekstil me fotografi personalitetesh historike shqiptare, me shqiponjën dykrenore dhe hartën e Shqipërisë së Madhe (ose etnike, siç kanë qejf ta quajnë patriotët e vetëshpallur).

Mediet në Kosovë e Shqipëri shpërndajnë pandërprerë shënime të lojtarëve të kombëtares shqiptare të postuara në Facebook apo Twitter. Janë shënime që nxisin urrejtje dhe ndjenja nacionaliste dhe me gjasë asnjë prej tyre nuk është shkruar nga Xhaka dhe të tjerët, por nga profilet e rrejshme në Facebook. Kjo nuk i pengon mediet tona që rrenat t’i shesin si lajme të vërteta. Këto ditë po dominohen prej emocioneve dhe në këtë pazar shitet çdo budallallëk. Por, as Xhaka dhe të tjerët nuk e shohin të domosdoshme që publikisht të demantojnë postimet që bëhen në emër të tyre në Facebook e Twitter.

Nuk ka dyshim se pala serbe provokoi e para dhe pamasë, thirrjet për vrasjen e shqiptarëve u përsëritën pandërprerë gjatë dhe pas ndërprerjes së lojës. Këto thirrje janë pjesë e ritualit serbomadh, pastaj u hodhën petarda në fushë dhe gjësende të forta. E udhës do të ishte që në këtë situatë pala shqiptare të kërkonte ndërprerjen e ndeshjes. Por, doli dikush shumë i mençur dhe me joystick e futi në stadium fluturaken me flamur që shpejt ua fryn muskujt patriotëve iliro-pellazg.

Ndokujt mund t’i duket ide origjinale kjo puna me fluturake, por pasojat kanë mundur të jenë fatale, duke ditur potencialin agresiv të huliganëve serbë, disa madje me përvojë edhe në trazira të tjera si në Gjenovë më 2010, kur u ndërpre ndeshja Itali:Serbi. Tash po shohim veshë të përgjakur, hundë të thyera, qafë të gërvishtura të futbollistëve shqiptarë. Pak ka munguar dhe sot do të shihnim kufoma.

Për çka? Për shkak të krenarisë mesjetare ballkanike. Kjo bën vaki gati 25 vjet pas shpërthimit të luftës në Ballkan dhe mbi 15 vjet pas përfundimit të gjakderdhjes në Kosovë. Nxënësit në Prishtinë pas marshit të tyre të marrëzisë do të kenë një perspektivë shumë më të mirë jetësore në krahasim me ditën e djeshme.
Shqiptarët kudo në Ballkan gjatë 25 viteve të fundit kanë arritur shumë falë pozicionimit strategjik properëndimor. Shqipëria është në NATO dhe rrugës për në BE, Kosova e pavarur, shqiptarët në Maqedoni jetojnë më mirë se në vitet 90-të kur vriteshin pse kërkonin universitet. Pra, një komb mjaft dinamik, por i dezorientuar për shkak të elitave politike katastrofale, gjendet përballë shoqërisë serbe të rënë në depresion nga luftërat e humbura, të pakuptimta dhe fatale.

Ndoshta nuk është e tepërt që nga shqiptarët të pritet të mos merren me lojëra të padobishme nacionaliste. Për fat të keq sidomos në Kosovën e pllakosur nga mjerimi dhe humbja e besimit në çdo vlerë, urrejtja, racizmi, nacionalizmi folklorik janë bërë pikë bashkimi dhe mobilizimi i njerëzve. Pse? Sepse askush s’ka me çfarë të krenohet tjetër: as me shtet, as me ekonomi, as me mirëqenie, as me sistem arsimor, as me zhvillim kulturor. Kur nuk i ke këto kapesh për atavizma mesjetarë.

Në gjithë tollovinë e Beogradit duhet të shquhet shembulli i një futbollisti serb që u përpoq t’i mbronte pak futbollistët shqiptarë derisa po iknin në katakombe. Ky ishte një sinjal se jo të gjithë serbët në stadium ishin çmendur nga dalldia nacionaliste.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...