Asnjë kompromis me kodoshët e krimit dhe të korrupsionit

9 Tetor 2014 - 09:38 - Enver Robelli      

Krerët e PDK-së përshkruhen nga NATO-ja dhe nga shtetet perëndimore si urdhërdhënës vrasjesh, tregtarë droge dhe mashtrues sigurimesh sociale. Është e kuptueshme që njerëz të tillë nuk e dorëzojnë pushtetin pa i përzënë nga skena politike. Për të arritur këtë kërkohet mobilizim, vendosmëri dhe strategji jo vetëm nga partitë politike shqiptare, por edhe nga shumica e shoqërisë. Shtetin duhet ta shpëtojnë vetë qytetarët

“Nuk e kemi shumicën në Kuvend, por ligji është në anën tonë”. Kështu tingëllon këto ditë porosia kërcënuese e shumë funksionarëve të lartë të PDK-së derisa komentojnë në televizione, gazeta e portale të ashtuquajturin ngërç politik në Kosovë.

Më korrekte do të ishte të thoshin: “Nuk e kemi shumicën në Kuvend, por e kemi marrë ligjin në dorë dhe shumica e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese vallëzojnë sipas surles dhe tupanit tonë”. Dy shembuj të ditëve të fundit e ilustrojnë përmasën e zaptimit të të gjitha institucioneve nga ana e të ashtuquajturës Parti Demokratike e Kosovës dhe arrogancën e krerëve të saj.

Shembulli i parë ka të bëjë me njoftimin e medieve zvicerane se politikani prominent i PDK-së, Azem Syla, do të akuzohet së shpejti për mashtrim të sigurimit social në Zvicër. “Procedura ndërkohë ka përparuar.

Hetimi penal për shkak të mashtrimit do të përfundojë në javët e ardhshme”. Kështu ka deklaruar një zëdhënëse e Prokurorisë së kantonit të Solothurnit, ku ka jetuar me vite Azem Syla. Prokuroria kishte nisur hetimet kundër Sylës në mars të vitit 2012, për shkak se Syla në mënyrë të paligjshme i kishte përvetësuar nga sigurimi invalidor zviceran rrumbullak 426 mijë franga (ose 353 mijë euro).

Në maj të vitit 2012, Syla u dëbua nga Zvicra me vendim të një gjykate administrative, e cila erdhi në përfundim se ai “me vite të tëra e kishte shfrytëzuar dhe madje keqpërdorur në mënyrë të dukshme sistemin e këtushëm social”. Sylës i është ndaluar hyrja në Zvicër për 5 vjet.

“Vërtet, sa budallenj jemi...”


Zemërimi i qytetarëve zviceranë kundër mashtrimit të Sylës vazhdon ende. Mediet raportojnë rregullisht për çdo risi në lidhje me këtë rast. Pas zbulimit të skandalit kryetari i komunës Biberist, ku ka banuar Syla, kishte deklaruar: “Ky rast i tejkalon të gjitha pafytyrësitë. Vërtet, sa budallenj jemi ne zviceranët? Si t’i përgjigjem unë një bashkëqytetari, i cili jeton buzë ekzistencës?

Njerëzit e tillë i dëmtojnë sidomos ata persona që vërtet kanë nevojë për ndihmë. Dhe një pjesë e mirë e tyre janë bashkëvendës të Sylës apo persona të tjerë, të cilët janë të varur nga përkrahja”.

PDK-ja kurrë nuk e ka parë të udhës të distancohet nga Syla. Madje përkundër skandalit që ai ka shkaktuar në Zvicër, PDK-ja e ka kandiduar Sylën për deputet dhe ai është zgjedhur. Delinkuenti Azem Syla thotë se ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ministër në të ashtuquajturën “Qeveri e përkohshme” nën drejtimin e komisarit të UÇK-së, Hashim Thaçi.

Këto funksione të Sylës, qofshin edhe të rrejshme, tregojnë se cili është mentaliteti i shumicës së udhëheqësve të PDK-së: është mentalitet i cubit që politikën e sheh si poltronë për pasurim të paligjshëm, për vjedhje e mashtrime kudo ku është e mundshme.
Shembulli i dytë që tregon se me çfarë papërgjegjësie e nonshalance sillet PDK-ja ndaj institucioneve dhe si i keqpërdor ato është mënyra e shtyrjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës nga ana e poetes Flora Brovina.

Krahas vendimit arbitrar dhe të marrë prej saj pas orarit të punës të administratës së Kuvendit çfarë bie në sy është drejtshkrimi i damës që sillet si e hutuar mes kavalierëve të krimit. Në njoftimin e saj për deputetë dhe opinion Brovina bën aq shumë gabime ortografike, saqë do të kishte qenë punë e mençur sikur ajo të kishte kërkuar ndihmën e njohësve të gjuhës shqipe. Zaptuesja e Kuvendit thotë:

“Shtyerje” e seancës. Duhet të jetë: "Shtyrje". Pastaj: “...të Presidentës” në vend “...të presidentes...”. Tutje: “...konsiderojë të nevojshme” në vend të “konsideroj të nevojshme”. Edhe më tutje: “që seanca të përfundoj...” (duhet të jetë: “të përfundojë”).

Në fund: “Kërkojë mirëkuptim...” (duhet të jetë: “Kërkoj mirëkuptim”).
Në fakt, gjithçka çfarë po bën PDK-ja që nga 8 qershori është kërkimi i mirëkuptimit për grabitjen e shtetit dhe institucioneve të tij, në mënyrë që të vazhdojë misioni i ri sipas zanatit e tabiatit të vjetër.

PDK-ja po argumenton zbehtë, kur po këmbëngul se i ka fituar zgjedhjet dhe si parti (koalicion) me më së shumti vota automatikisht i takon edhe pushteti. Me këtë mendësi kjo parti synon të imponojë diktatin e pakicës parlamentare përballë shumicës parlamentare të krijuar nga Lidhja Demokratike (LDK), Lëvizja Vetëvendosje (VV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën.

Raste kur partia me më së shumti vota nuk e merr pushtetin për shkak se nuk mund të sigurojë shumicën parlamentare ka gjithandej në Evropë.

Prorusët në Letoni dhe PDK-ja në Kosovë


Për shkak të aktualitetit duhet përmendur zgjedhjet parlamentare në Letoni, që u mbajtën gjatë fundjavës. Në këtë shtet anëtar të Bashkimit Evropian dhe rrjedhimisht me demokraci mjaft të zhvilluar më së shumti vota mori partia proruse “Harmonia”.

Meqë me këtë parti nuk dëshiron të lidhë koalicion asnjë parti politike letoneze, ajo – ndonëse “partia më e madhe” si PDK-ja në Kosovë – duhet të ulet në karriget e rezervuara për opozitën. Shefi i partisë proruse “Harmonia”, Nils Usakovs, i bëri thirrje presidentit të Letonisë, Andris Berzins, që ta mandatojë partinë më të fuqishme me krijimin e qeverisë.

Por Berzins u përgjigj menjëherë se nuk ka kurrfarë kuptimi që t’i jepet mandati për qeveri një partie, e cila nuk mund të sigurojë shumicë në parlament.

Partia proruse kishte dalë e para edhe në zgjedhjet e vitit 2011 në Letoni, por ishte injoruar nga tri parti të qendrës së djathtë, të cilat bashkuan votat dhe zgjodhën qeverinë, e cila drejtoi vendin në tre vjetët e fundit.

Nga shembulli i Letonisë mund të shihet se atje madje edhe partia proruse është më demokratike se PDK-ja e Kosovës. Prorusët në Letoni e kanë pranuar se nuk kanë shumicë dhe kanë respektuar rregullat demokratike. Në Kosovë demokraci është kur për demokracinë flasin demokratët Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Që të dy kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të pranojnë se kanë bërë ndonjë veprim në dëm të Kosovës, sepse në mendësinë e tyre primitive të pranosh gabimin apo të kërkosh falje është dobësi. Ka shumë fakte që tregojnë se nën qeverisjen e PDK-së është dëmtuar shumë shteti, pavarësia, demokracia dhe sidomos ekonomia.

Lista e keqpërdorimeve të llahtarshme nga PDK-ja është e gjatë: shteti i zaptuar nga një grup interesi i PDK-së që nga NATO-ja përshkruhet si kriminal; Kuvendi i zaptuar nga një deputete që nga pushteti i korruptuar deri në palcë (keq)përdoret si instrument për të pezulluar vullnetin e shumicës; një qeveri që nuk e ka bërë publike kontratën e autostradës deri në kufi me Shqipërinë, andaj ky popull i varfër nuk e ka të qartë ende si dhe pse është harxhuar gati një miliard euro nga buxheti; dhjetëra vrasje të pasqaruara dhe së paku dhjetë deputetë të PDK-së të dyshuar si organizatorë të këtyre krimeve; qindra privatizime jotransparente, transferim ilegal pronash, shkatërrim i pasurisë publike; afera të frikshme në Agjencinë e Privatizimit, në KEK, në PTK dhe pothuaj në çdo ndërmarrje tjetër publike; (vetë)vrasje misterioze (Dino Asanaj, drejtor i Agjencisë së Privatizimeve); një pushtet që për shkak të skandaleve të njëpasnjëshme e bën Kosovën vendin më të izoluar këtej Ukrainës.

Madje edhe qytetarët e Moldavisë gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në shtetet e Schengenit; një pushtet që shkatërron gjithë sistemin arsimor, duke hapur kovaçhane universitare nëpër Kosovë; një pushtet që kulturë të vetme e ka zaptimin dhe grabitjen; një pushtet që udhëhiqet nga mentaliteti i gërryerjes së Kosovës: prej gurthyesve deri te “Trepça”; një pushtet që të rinjve nuk u lë rrugë tjetër përveçse të ikin nga Kosova; një pushtet që krenohet me kinse përparim ekonomik derisa 75 për qind e të rinjve janë të papunë.

Sa për krahasim: në Rripin e Gazës 43 për qind e të rinjve janë të papunë, pra 32 për qind më pak se në Kosovë; një pushtet që gënjen për lulëzim biznesesh derisa 65 për qind e tyre i përkasin sektorit të shërbimeve, pra një sektori joprodhues. Nuk është biznes dobiprurës për Kosovën të hapësh një dyqan për shitjen e prodhimeve të importuara nga vendet e rajonit apo nga Kina e Brazili.

“Ekonomia kosovare në përgjithësi është ekonomi konsumuese me prodhimtari minimale”, thuhet në një analizë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë; një pushtet që harxhon miliona për “mallra e shërbime” (dreka, darka e udhëtime pa asnjë dobi) derisa investimet kapitale bien në mënyrë rapide; një pushtet... Ky është një pushtet zjarrvënësish jo vetëm politikë, të cilët duhet të largohen sa më shpejt nga zyrat qeveritare. Zjarrvënësit me përvojë nuk duhet të lejohen të luajnë me zjarr edhe më tutje dhe në fund ta djegin mbarë vendin.

Agoni apo kthesë pozitive?

A duhet të bëjnë partitë e tjera kompromis me PDK-në përballë këtij bilanci? Po, nëse janë të interesuara të vazhdojë agonia e Kosovës.

Jo, nëse duan ta shpëtojnë vendin nga fundosja përfundimtare në humnerë. Shumica e re parlamentare (LDK, VV, AAK, Nisma) nuk duhet të bëjë asnjë kompromis me kryetarin dhe nënkryetarin e firmës për biznese të paligjshme – PDK, pra me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Edhe kompromisi më i vogël me këtë duet varrmihësish të demokracisë dhe pavarësisë do të ketë pasoja vdekjeprurëse politike për secilën parti shqiptare dhe për shoqërinë e Kosovës.

Edhe nëse partitë e shumicës së re parlamentare do të pranonin që Arsim Bajrami apo ndonjë shërbëtor tjetër i krimit të organizuar të bëhej kryetar i Kuvendit, koalicioni LDK, VV, AAK dhe Nisma zor se do ta krijojnë qeverinë e re të Kosovës.
PDK-ja nuk është e interesuar për postin e kryetarit të Kuvendit. PDK-ja ka një dhe të vetmin qëllim: shkatërrimin e koalicionit të partive shqiptare – qoftë përmes blerjes së deputetëve apo metodave të tjera kriminale.

PDK-ja sapo ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit do të vazhdojë lojën siç po e luan tani Flora Brovina. Kryetari i ri, ta zëmë se ai quhet Arsim Bajrami, do të refuzojë të caktojë seanca parlamentare, do të bllokojë punën e Kuvendit, do të keqpërdorë pozitën e kryetarit të Kuvendit, do të kërkojë që deputetët të zgjedhin Thaçin sërish kryeministër si kandidat të “partisë më të madhe” pasi që tashmë kanë krijuar precedentin: e kanë pranuar se PDK-ja na qenka partia më e madhe, duke e zgjedhur Arsim Bajramin kryetar Kuvendi.

Me një fjalë: kryetari i ri i Parlamentit, cilido që të jetë ai nga radhët e PDK-së, do të jetë vetëm një mashë e politikës destruktive të PDK-së. Nuk duhet shpresuar aspak në rolin lehtësues të presidentes. Ajo nuk ka asnjë mandat nga populli, nuk ka marrë kurrë asnjë votë nga qytetarët në zgjedhje, andaj pesha e saj politike është sa një pendël. Rrjedhimisht, ajo mund t’i nënshtrohet, si deri më tani, presionit, sharjeve e kërcënimeve nga ana e PDK-së.

Mandati i saj po shkon drejt përfundimit dhe për Atifete Jahjagën me rëndësi është të planifikojë karrierën e saj të mëtutjeshme personale sesa të tregohet e përgjegjshme dhe e guximshme si kryetari i Letonisë, i cili nuk ia jep mandatin për krijimin e qeverisë një partie që s’mund të sigurojë shumicën parlamentare.

Kosova do të çlirohet tamam kur të gjitha partitë politike shqiptare përjashtojnë në çdo rrethanë bashkëpunimin me PDK-në dhe e trajtojnë atë si parti jashtë sistemit demokratik. Nëse ka diplomatë perëndimorë që vlerësojnë se nën qeverisjen e Thaçit nga buxheti i Kosovës janë vjedhur mes 800 milionë euro deri në 1 miliard euro nga PDK-ja dhe qarqet e afërta me të, atëherë kjo është arsye e përtej arsyes për një kryengritje civile e demokratike kundër kësaj partie të rrezikshme që dalëngadalë po i bën konkurrencë edhe regjimit të dikurshëm shtypës të Beogradit në dëmtimin e Kosovës.

Marrëveshja e vetme që duhet të bëhet me Hashim Thaçin është kjo: LDK, VV, AAK dhe Nisma duhet t’i tregojnë me shkrim shefit të PDK-së se kurrsesi nuk i plotëson kushtet për asnjë marrëveshje, sepse të gjithë partnerëve politikë tinëzisht ua ka futur thikën pas shpinës – që nga viti 1999.

Modeli somalez

PDK-ja eventualisht mund të jetë pjesë e sistemit demokratik nëse anëtarësia ka fuqi ta ndërrojë udhëheqjen, të pastrohet nga kriminelët, të kërkojë falje për krimet dhe korrupsionin gjigant. Për të përmbyllur këtë proces vetëpastrimi PDK-së i duhen së paku 8 vjet. E për të kthyer Kosovën në rrugë të mbarë nuk mjaftojnë as 10 vjet. Aq i madh, aq i llahtarshëm është dëmi që i kanë shkaktuar vendit Thaçi, Veseli dhe kamarilla e tyre.

Kosovës sot i duhen politikanë që nuk bëjnë më asnjë kompromis me struktura të kriminalizuara. Edhe LDK-ja, edhe AAK-ja, edhe Nisma boll e kanë duruar ose disa prej tyre edhe kanë marrë pjesë në ligësinë që i ka prirë PDK-ja. Ky është çasti i fundit për të filluar procesin e shkëputjes përfundimtare nga modeli somalez i PDK-së (sipas Transparency International, Somalia është vendi më i korruptuar në botë).

Për të arritur këtë shkëputje kërkohet mobilizim, vendosmëri dhe strategji jo vetëm nga partitë politike shqiptare (LDK, VV, AAK dhe Nisma), por edhe nga shumica e shoqërisë. Shtetin duhet ta shpëtojnë vetë qytetarët. Jo pak njerëz pyesin me të drejtë se si mund të shkëputet Kosova nga krimi me Ramush Haradinajn kryeministër? Duhet besuar në përgjegjësinë shtetërore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe sidomos të Vetëvendosjes, të cilat do të duhej të tërhiqeshin nga çdo qeveri e ardhshme nëse kreu i saj nuk i përmbahet me përpikëri premtimit për ndryshim pozitiv të kursit qeverisës në Kosovë.

Ky është momenti i fundit për LDK-në, AAK-në dhe Nismën që në disa çështje themelore për fatin e shtetit të tregohen po aq këmbëngulëse sa lëvizja “Vetëvendosje”! Ndryshe, shtet do të kemi por ai nuk do të jetë i yni. Do të jetë i mafisë. Si deri më tani.

[email protected]
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...