20 Tetor 2016 - 08:32 - Enver Robelli
Një javë më parë kryeqyteti i Bosnjë-Hercegovinës përjetoi një ngjarje tronditëse. Të hënën në mbrëmje në njërën nga rrugët kryesore të Sarajevës një shofer i papërgjegjshëm goditi me veturë vajzat Selma Agiq dhe Edita Malkoq, ndërsa ato në vendkalimin për këmbësorë po dilnin në anën tjetër të rrugës. Më vonë policia ka konstatuar se shoferi po ngiste veturën me shpejtësi 100 kilometra në orë. Gjatë javës vajzat – të dyja studente të psikologjisë – janë varrosur në vendlindjet e tyre, në Bugojnë dhe në Bosanska Krupa.
Varrimet e dy vajzave fatkeqe janë shndërruar në protesta popullore kundër shoferëve që në komunikacion sillen si huliganë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Protesta janë mbajtur në Bihaq dhe Sarajevë, ndërsa një grup qytetarësh kanë demonstruar para selisë së Qeverisë së Kantonit të Sarajevës dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit rajonal dhe zyrtarëve të lartë policorë.
Zemërimi qytetar është rritur pasi u bë e ditur se shoferi vrasës kishte ikur në Serbi. Ndërkohë janë suspenduar katër nëpunës kufitarë të Bosnjës për “moskryerje të detyrave zyrtare”. Ndonëse shefi i ekipit kishte informatën që shoferi i dyshuar për krimin në Sarajevë ishte shpallur “person në kërkim”, të gjitha barrierat e sigurisë në Bosnjë rezultuan të paqëndrueshme. Më efikase u tregua policia e Republikës së Serbisë. Ajo e arrestoi shoferin boshnjak dhe tani ai ndodhet në burg ekstradues në Novi-Sad. Dorëzimi i tij autoriteteve të Bosnjës pritet të bëhet brenda 18 deri 40 ditëve. Studentë të Fakultetit të Filozofisë në Sarajevë kanë kërkuar hetim dhe gjykim transparent të të dyshuarit dhe kanë bërë thirrje që rasti të mos quhet fatkeqësi, por vrasje. Vendi ku ndodhi tragjedia është mbuluar me lule.
Ndonëse shumë qytetarë të Bosnjë-Hercegovinës kanë humbur besimin në institucionet e shtetit, mobilizimi qytetar është mbresëlënës. Ky mobilizim ka ndikuar në suspendimin nga puna të disa zyrtarëve kufitarë, ndërsa Qeveria e Kantonit të Sarajevës ka kërkuar largimin nga posti të komisarit lokal policor. Ka filluar edhe debati për dyfishimin e dënimeve për shkaktarë të aksidenteve me pasoja fatale. Protestat popullore kanë trimëruar shumë viktima për të folur publikisht për tragjeditë që kanë pësuar. Një nënë ka treguar në gazetën “Oslobodjenje” të Sarajevës se si brenda pesë muajve i ka humbur dy djem në aksidente komunikacioni. Ajo ka akuzuar drejtësinë e Bosnjës se në raste të tilla shpesh i nënshtrohet presionit të politikës.
* * *
Para një viti, më 1 nëntor 2015, në qendër të Prishtinës Dikton Z. natën vonë drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit. Bashkë me të në veturë ishin edhe dy shokë të tij. Sipas aktakuzës, duke lëvizur veturën në gjendje të dehur apo të paaftë Dikton Z. ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën dhe trupin e njerëzve, gjë që ka rezultuar me vdekjen e një personi – Milot Bajramit. Shumë njerëz në Prishtinë e kanë njohur Milotin. Punonte në “Pa pirun”, një nga ato restorantet kreative të Prishtinës, ku ndihesh përherë mirë. Vrasja e Milot Bajramit para një viti pati ngjallur pak zemërim në rrjetet sociale.
Qytetarët e Prishtinës nuk dolën në rrugë për të protestuar, nuk vendosën lule në vendin e tragjedisë, nuk kërkuan dorëheqjen e zyrtarëve policorë. Bosnja shpeshherë përshkruhet si vend apatik, por mobilizimi i qytetarëve pas vrasjes së studenteve Selma Agiq dhe Edita Malkoq tregon se në këtë vend vetëdija qytetare është më e sensibilizuar sesa në Kosovë. Më 2014 mijëra qytetarë të Bosnjës dolën në rrugë për të protestuar kundër korrupsionit dhe krimeve të pushtetarëve, ndërsa në Kosovë nuk gjenden as 100 veta që dalin në rrugë për të protestuar kundër kancerit shoqëror të quajtur korrupsion.
Më së shumti qytetarë janë mobilizuar për kauza që lidhen me serbët apo malazezët (“rasti Jablanoviq”, demarkacioni, bashkësia e komunave serbe). Sigurisht ka argumente të mira të protestohet edhe kundër këtyre skandaleve, por jetën e qytetarëve të Kosovës më shumë e rrezikon korrupsioni e krimi sesa një vijë kufitare me Malin e Zi. Vija kufitare është vetëm rezultat i pushtetit të korruptuar. Apatia shoqërore, dorëzimi përballë së keqes, indiferenca kundër korrupsionit ka shkaktuar një topitje të përgjithshme mendore. Atij që e keqe e madhe nuk i duket korrupsioni dhe nuk del të protestojë, ai do të qëndrojë në shtëpi edhe kur vritet një i ri i pafajshëm në rrugët e Prishtinës. Gjatë gjykimit i dyshuari Dikton Z. nuk e ka pranuar fajin, madje ka deklaruar se ndihet i pafajshëm, shenjë kjo e një arrogance të paparë ndaj viktimës, të cilën pasi e kishte vrarë me veturë nuk i kishte ofruar as ndihmë. Një vit pasi një i dehur ia mori jetën Milot Bajramit drejtësia kosovare nuk ka folur ende.
* * *
Rasti i Milotit, Selmës, Editës nuk është i rrallë në Ballkan. Kultura e bazuar në muskuj, në adrenalinë mashkullore, në përçmim ndaj grave, në trajtimin e tyre si objekt seksual, ndjenja se po pate pare dhe po qe me origjinë nga një familje e kamur, ti je edhe pronar i rrugës publike, ku mund të bësh çfarë të duash, shkakton tragjedi jo vetëm në komunikacion. Krahas zemërimit shoqëror kundër huliganëve të tillë duhet t’i bëhet presion politikës dhe drejtësisë që veturat t’i trajtojnë si armë, kur ato drejtohen nga njerëz të papërgjegjshëm. Paramendojeni po të kishim gjykatës që një shofer do ta dënonin jo vetëm për vrasjen e njerëzve të pafajshëm në rrugë, por atij do t’i konfiskohej edhe vetura e shtrenjtë dhe do t’i ndalohej përjetësisht ngasja e automjetit.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...