Një thes i zi mes kallinjve të grurit

24 Korrik 2014 - 08:55 - Enver Robelli      

Një botë e rrënuar: rrëzimi i aeroplanit të “Malaysian Airlines” në Ukrainë tregon fytyrën e vërtetë të imperializmit rus. A duhet të mësojë Kosova diçka nga këto zhvillime dramatike?

1.
Pamja e parë: një pikë në horizont, një pikë flakëvjellëse që me shpejtësi marramendëse bie drejt tokës. Pamja e dytë: një krah avioni në fushë. Pamja e tretë: ciceronë turistikë të trevave aziatike. Pamja e katërt: një diplomat zviceran pranë fushës së tmerrit, fushës ukrainase ku ranë copat e avionit të “Malaysian Airlines”. Pamja e pestë: punëtorë me gjasë të higjieno-teknikës që bartin kufoma. Pamja e gjashtë: kryengritës barkmëdhenj, që tundin kallashnikovët me lehtësi dhe përvojë prej krimineli. Pamja e shtatë: lodra fëmijësh. Pamja e tetë: tituj gazetash që njoftojnë se në mesin e viktimave janë edhe plot shkencëtarë që ishin nisur drejt Australisë, për të marrë pjesë në një konferencë kundër virusit HIV (AIDS).

Pamja e nëntë: ministri i Jashtëm gjerman që thotë se përballë tragjedisë i kanë mbetur fjalët në fyt. Pamja e dhjetë: ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin, i cili përpiqet që fajin për rrëzimin e avionit aziatik dhe për 300 viktima t’ia lërë Ukrainës. (Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së askush nuk deshi t’i fliste Çurkinit).
2.
Ka shumë pamje nga tragjedia e avionit MH17 që me gjasë u godit me raketë nga separatistët prorusë në Ukrainën Lindore. Por, pamja që ndoshta do të mbetet gjatë në kujtesën e opinionit botëror është kjo: një thes i zi, brenda një kufomë, mes kallinjve të grurit. Sikur të mos kishte ndodhur kjo tragjedi, sikur të mos kishte ngadhënjyer, tani për tani, urrejtja dhe hegjemonia ruse, sikur terroristët të mos kishin pirë ndoshta edhe vodkë, përveç ujit, atëherë udhëtarët do të kishin aterruar në Kuala Lumpur, të gëzuar se kishin arritur në cak për të vazhduar pastaj rrugën e realizimit të planeve: disa në pushime e disa në konferencë. Sikur të mos kishte ndodhur kjo tragjedi, me siguri tani kombajnat do të korrnin grurin në Ukrainë, bujqit do të komentonin rendimentet.

Tani gjithçka është ndryshe.
Tani terroristët prorusë luajnë me viktima.
Tani qarkullojnë lajme se terroristë dhe civilë po plaçkitin kuletat e viktimave.

3.
“Në cilin qytet do të zhvillohet finalja e Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2018?”, e pyeti kancelarja gjermane Angela Merkel presidentin rus Vladimir Putin pas finales mes Gjermanisë dhe Argjentinës në Brazil. Putin, gjakftohtë, spiun me përvojë, u përgjigj: “Sipas planifikimeve të fundit, në Dresden”. Kjo është një barsoletë, por jo aq larg realitetit. Vladimir Putini sivjet i ka bërë me dije Perëndimit se Lufta e Ftohtë nuk ka mbaruar ende, se ai modelit perëndimor të tolerancës dhe zhvillimit ekonomik i përgjigjet me logjikën e shekullit të 19-të, me dhunë, ekspansion, gllabërim territoresh të shteteve fqinje. Pas aneksimit të Krimesë jo pak vëzhgues në Perëndim mendonin se tani gjithçka mbaroi, se tani mund t’i kthehemi realitetit, se Putini me kaq do të ngopej. Doli që Putini nuk u ngop. Nisi betejën e radhës në Ukrainën Lindore, atje ku shumica e popullsisë flasin rusisht, ku besnikëria ndaj pushtetit qendror në Kiev nuk është aq e madhe dhe ku manipulimi me masa është i lehtë.

4.
Në Kiev shumë politikanë mund të pendohen tani që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik pranuan, me ndërmjetësim perëndimor, që armët bërthamore të stacionuara në Ukrainë t’u dorëzoheshin autoriteteve moskovite dhe si kundërshpërblim Rusia pranoi dhe garantoi pavarësinë e Ukrainës. Por, ka edhe arsye të tjera që të pendohen politikanët ukrainas. Ata i kanë humbur më shumë se 20 vjet me afera korrupsioni, me keqqeverisje, me mungesë strategjie për konsolidimin e shtetit, andaj në vitin 2014 gjenden para kolapsit, para greminës. Pak a shumë politikanët ukrainas të kujtojnë politikanët shqiptarë të Kosovës: shansin e madh për zhvillim e përparim të fituar më 1999 ata e kanë djegur me pangopësinë e tyre për të vjedhur, me urrejtjen ndaj lirisë, me primitivizmin mendor dhe social, me një fjalë: tërfurku katërdhëmbësh triumfoi kundër sjelljes së qytetëruar dhe të përgjegjshme ndaj lirisë.

5.
Rrëzimi i avionit civil të “Malaysian Airlines” mund jetë një kthesë në raportet mes Perëndimit dhe Rusisë. Pas rrëzimit të Murit të Berlinit ekzistonte shpresa se bota po hynte në një fazë të paqes së përjetshme, saqë politologu amerikan Francis Fukuyama në një ese paralajmëroi hiq më pak se fundin e historisë. Ja që historia s’po marrka fund! Për këtë, mes të tjerëve, po kujdeset Vladimir Putini në përpjekjet e tij të përgjakshme për të rikthyer sistemin sovjetik. A nuk ishte ky agjent i KGB-së që shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e quajti tragjedinë më të madhe të shekullit të njëzetë? Pas rënies së Murit të Berlinit shtetet e hemisferës sovjetike shfrytëzuan shansin e madh historik dhe u integruan në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veriatlantike (NATO). Për popujt e etur për liri, për disidentët çekë, hungarezë e polakë ëndrra perëndimore u bë realitet. Rusia stagnoi dhe mbeti peng e prapambetjes. Putini tani po synon që antimodelin rus t’ia imponojë edhe atyre vendeve që kanë mbetur pa u integruar në një mënyrë a tjetër në BE dhe NATO.

Gruzia, Moldavia, Ukraina janë shembuj dhe viktima të ekspansionit rus. Me vite të tëra Moska është përpjekur të pengojë integrimin e Serbisë në BE. Beogradi me qejf ka lozur të dy vallet: atë ruse dhe herë pas here atë evropiane. Tani edhe të dyshuarit për krime lufte në Serbi e kanë kuptuar se alternativa më fitimprurëse është BE. Integrimi në BE nuk synohet për shkak të vlerave, por për shkak të parave, fondeve.

6.
A duhet të mësojë Kosova diçka nga këto zhvillime dramatike? Do të duhej. Edhe pak javë bëhet një vit prej se në veri të Kosovës u vra një doganier lituan, i cili punonte për misionin e BE-së në Kosovë. Ai vinte nga një vend anëtar i BE-së, që për një gjysmë shekulli ishte nën sundimin sovjetik. Vrasja e tij nga terroristët serbë ishte edhe mesazh i Rusisë kundër Evropës Perëndimore dhe vlerave të saj. Por, cili është sot mesazhi i shqiptarëve në Ballkan ndaj Evropës? Lufta me çdo kusht për pushtet, mungesa e çdo parimi, etja për grabitje të pafundme, rrezitja në statusin e viktimës, pritja se të gjitha problemet zgjidhen vetvetiu ose nga “miqtë tanë ndërkombëtarë” ose nga Gjykata Kushtetuese.

Shumë lojëra të mëdha po luhen jo vetëm në Ukrainë dhe rreth saj, por në mbarë konfiguracionin e politikës botërore dhe, si shpeshherë në histori, shqiptarët ose janë figurantë ose vegla. Protagonistë aktivë të interesave të tyre nuk janë. Për të qenë protagonistë duhet kuptuar mesazhin politik të thesit të zi mes kallinjve të grurit në një arë në Ukrainë. Bota e lirë ia fali Shqipërisë anëtarësinë në NATO dhe e bëri kandidate për anëtare të BE-së. Bota e lirë e bëri Kosovën të pavarur (kuptohet pas përpjekjeve sfilitëse shqiptare). Bota e lirë po e ndërton një gazsjellës strategjik nëpër Shqipëri. Por, si sillen shqiptarët ndaj botës së lirë? Me mospërfillje, mungesë strategjie, mosmirënjohje dhe me shumë marrëzi.

Mbi të gjitha si komb, kudo në Ballkan, shqiptarët në një moment tepër të rëndësishëm historik nuk kanë vënë në krye të vendeve të tyre politikanë cilësorë, por vetëm psikopatë, karateistë, vrasës, tregtarë droge dhe pseudohistorianë të etur për grabitje. Në këto rrethana elitat politike shqiptare as që e vërejnë lojën e madhe në Ukrainës dhe rreth saj. Parësore mbetet beteja për pushtet pa demokraci.

[email protected]
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...