12 Janar 2016 - 17:54 - Enver Robelli
Mustafa Kemal Ataturku, themeluesi i Turqisë moderne, sapo mori pushtetin gati para një shekulli, u kujdes që burrat të heqin fesin, kokëmbulesën tradicionale, dhe gratë dimitë dhe shamitë. Turqit duhej të bartnin kapela evropiane, turket fustane si zonjat e Parisit apo Londrës. Në vitin 1908 zyrtarët otomanë ishin zemëruar që elitat e atëhershme kulturore dhe fetare shqiptare në Kongresin e Manastirit vendosën që shqiptarët të shkruanin në alfabetin latin. Njëzet vjet më vonë, më 1928, Mustafa Kemal Ataturku imitoi Gjergj Fishtën dhe shokët e tij: tani e tutje turqit nuk do të shkruanin më me shkronja arabe, por latine.
Megjithatë, as shkronjat latine nuk e kanë bërë më të lehtë mësimin e gjuhës turke. Nëse si i huaj do të provoni të shqiptoni fjalë turke gjatë një jave, ju me siguri do të ktheheni në shtëpi me gjuhë tepër të dëmtuar. Shqiptimi i fjalëve turke është më shumë se gjimnastikë e rrezikshme. “Gürültülü”, “Kültürmüdürlüğü”, “gözlüküçabıbülbülü” – provoni t’i thoni njëherë këto fjalë dhe mendja do t’ju shkojë menjëherë te ortopedi. Sikur të kishte ortoped për gjuhë. E, siç dihet, gjuha eshtra nuk ka, por eshtra thyen.
Në dëgjim dhe lexim të parë është vështirë të kuptohet logjika e turqishtes, sepse të gjitha informatat e rëndësishme pasojnë në fund të fjalisë. Për shembull: nuk thuhet “dua të vish”, por “ardhjen tënde e dëshiroj”. Parakusht për të mësuar pak fjalë në turqisht është kureshtja optimiste dhe llogaritja se gjithçka mund të dështojë. Atëherë do të kufizoheni vetëm në disa fjali të rëndomta, që turqit i përdorin shpesh në përditshmëri: “Kolaygelsin” në përkthimin shqip do t’i binte “puna e mbarë”, por në përkthim të drejtpërdrejtë ka këtë kuptim: “E paç lehtë”.
Ose: “Güle, gülegiysin” – që i bie: “E bartësh me të shëndoshë” (kur një klient blen një rrobe në dyqanet e pafundme të Stambollit). Dhe e radhës: “Keskenebereket” (“Kuleta jote qoftë përherë plot e mbushur”) – kështu mund t’ju thotë taksisti nëse i keni dhënë një bakshish të mirë. Edhe bakshishi është një lloj bereqeti, një fjalë që shqipja e ka marrë nga osmanishtja dhe domethënë drithë, të lashtat e mbjella.
Nëse shëtitja juaj nëpër labirintin e gjuhës turke do të dështojë, mos u bëni merak. Shumë turq flasin gjuhë të huaja – anglisht, gjermanisht e frëngjisht po se po. Por bën vaki që, pasi t’ju ketë dëgjuar duke folur shqip në tramvaj, një udhëtar t’ju pyes “Shqiptar?” Fundja, deri në vitet 1920 Stambolli ishte qyteti që kishte më së shumti shqiptarë.
Nëse jeni rritur në kulturën perëndimore, do të vëreni se rituali i përshëndetjes në Turqi është një gardh me fjalë (“Si je?”, “Si e ke familjen?”, “A je mirë me shëndet?”, “Mirë se erdhe”, “Hoşgeldiniz”, “Hoşbulduk!” e kështu me radhë). Në botën perëndimore përshëndetja mes të panjohurve është krejt formale: “Hello”, “Hallo” ose “Hi”. Dhe pas çdo përshëndetjeje në Stamboll shpesh do t’ju lusin për një çaj – madje me kalimin e kohës do të mendoni se edhe në çezmat e Stambollit nuk rrjedh ujë, por çaj. Nëpër rrugica, ngushtica, dyqane, kafehane e hotele do të shihni djem të rinj që me tabak në dorë fluturojnë mes njerëzish.
Duke shikuar këtë spektakël të mbushet mendja se para se të shërbejnë çajin këta të rinj kanë mësuar artin e baletit.
Kur erdhi çaji mes turqve? Kur i humbën provincat arabe si Jemenin prej nga Perandoria Osmane importonte kafenë me çmim të lirë dhe pa doganë. Turqia e re republikane e Ataturkut kishte shumë ambicie dhe pak para, sidomos deviza. Provincat arabe tani për një thes kafe kërkonin duqe me deviza. Urdhri i Ataturkut ishte që turqit të hiqnin kaftanin dhe të vishnin kostume perëndimore – dhe të pinin çaj në vend të kafesë. Plantacionet e çajit u mbollën në breg të Detit të Zi, ndërsa samovarin e morën nga rusët. Ndoshta lexuesit e këtij teksti nuk do ta kuptojnë fjalën “samovar”. Gjendet në fjalorin e gjuhës shqipe.
Çaji është si hyrje në kuzhinën e madhe të Stambollit, e cila është ndikuar nga grekët, turqit vendas, turqit e ardhur nga Anadolli, turqit e ardhur nga rajoni i Detit të Zi dhe Egjeu, nga udhëtarë të shumtë nga Persia e Palestina, Egjipti dhe Etiopia, Rusia dhe Rumania, Kaukazi dhe India. Pas çajit vjen rakia (për turqit shekullarë dhe qejfli të tjerë të kësaj bote). Në përpjekje për të shekullarizuar Turqinë Ataturku ka vdekur nga pirja e rakisë pa hesap. Në të kaluarën për të testuar sa shekullarë janë oficerët në pritjet e ushtrisë shërbeheshin vetëm pije alkoolike. Me ardhjen në pushtet të Rexhep Taip Erdoanit mesazhi për ushtarakët ka ndryshuar: jo raki, por sherbet!
Megjithatë, as Erdoani nuk ka arritur ta deformojë kulturën e mejhanes – një fjalë me origjinë persiane (“mey”- verë, “hane” – shtëpi). Vera duhet shtyrë me diçka dhe për këtë Stambolli është adresa e duhur. Koleksioni i mezeve është një festë për jetën. Ndoshta në Stamboll më së shumti flitet për ushqimin. Si ishte pilafi mbrëmë? A bleve peshk të freskët sot? Çfarë do të ziesh në fundjavë? Sa kilogramë mish bleve për dy ditët e ardhshme? A janë domatet e lëngshme si vjet?
Pastaj bota e erëzave. Stambolli nuk është vetëm vend i pazarit të madh (Kapalı Çarşı), por edhe i një pazari të erëzave (Mısır Çarşısı, pazari i Egjiptit), ku një shëtitje prej gjysmë ore është si një udhëtim nëpër botë – nga India në Persi, nga Arabia në Afrikën Veriore. Një ndër gjellët më të famshme të kuzhinës së Stambollit quhet “Imam bayıldı” – imamit i ka rënë të fikët. Ç’është kjo gjellë? Kaq mund të themi: një arsenal perimesh dominuar nga patëllxhani dhe erëza të freskëta, përgatitur me mjeshtëri dhe dashuri.
Pasi keni provuar pa sukses të flisni turqisht e vetmja mundësi për të shëruar gjuhën e lënduar në Stamboll është të shijoni kuzhinën turke. Afiyetolsun!
Në vitin 2016 pushteti aspak premtues i Kosovës ka premtuar (athua për të satën herë?) se do të hiqen vizat për shtetet e Schengenit. Rrjedhimisht, nëse ndodh ky akt çlirimi dhe dalja nga izolimi, atëherë ndoshta më pak qytetarë të Kosovës do të udhëtojnë në Stamboll dhe më tepër do të shkojnë në Vjenë, Berlin, München, Milano e Paris. U hoqën apo nuk u hoqën vizat në vitin që po vjen, Stambolli mbetet përherë një destinacion i mirë për të thyer dhe shëruar gjuhën. Güle, güle, gëzuar!
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...