Dhe në një sirtar të harruar zbulojmë...

10 Janar 2015 - 09:05 - Enver Robelli      

Prej njerëzve në Kosovë pritet ta duan atdheun - atë atdhe që e bartën mbi supe para tyre shumë gjenerata. E bartën si strajcë të përgjakur nëpër horizontet e murrme, kur e kaluara kujtohej me buzë në vaj dhe e ardhmja s’ishte gjë tjetër veçse paralajmërim trishtimi. Sot, sidomos sot, mijëra kosovarë gjenden para dilemës: sa dhe si duhet ta duan atdheun e tyre? A e meriton ky atdhe një dashuri pa kusht për shkak të viktimave të deritanishme për liri apo një dashuri me kushte e me kërkesa në emër të ardhmënisë?

Për shumë njerëz dashuria ndaj vendit përfundon gjithnjë e më shpesh aty ku shkelet dinjiteti i tyre. Këtë dinjitet sot nuk po ua shkel më çizmja e xhandarit dhe policit të huaj, por opinga e pushtetarit vendor i cili derisa vjen ne pushtet përbetohet se mbi të gjitha do të mbrojë dinjitetin e njerëzve, se do të kujdeset për mirëqenien dhe sigurinë e tyre. Mirëpo, pasi zë vend në kolltuk ky lloj pushtetari shpërfytyrohet plotësisht dhe merr rolin e klounit të rrezikshëm dhe bëhet – po! – shkelës dinjiteti.

Vërtet, a mund ta duam një atdhe të bërë zap nga duart keqdashëse, zemrat e kalbura dhe sytë barbarisht lakmitarë të një klase politike parake? Këtë atdhe s’mund ta dojë asnjë qytetar normal, sepse i përngjan atdheut të poetit meksikan José Emilio Pacheco. Në poezinë e tij “Tradhti” ai shkruan: “Nuk e dua atdheun tim. / Shkëlqimi i tij abstrakt / është i paprekshëm”. Por, përtej atdheut egërshan e mizor, kësaj prone plaçkitësish me vula çlirimtarësh të rrejshëm, gjendet atdheu tjetër, një botë e afërt, e prekshme dhe e dashur, ai atdhe që poeti meksikan Pacheco - i cili vdiq në vitin që po e lëmë pas – e përshkruante me këto fjalë: “Por unë (ndonëse tingëllon keq) / do të jepja jetën / për dhjetë vende të tij, / për njerëz të caktuar, / porte, male, shkretëtira, kala, / për një qytet të shkatërruar, ngjyrë hiri, / monstruoz, / për disa personalitete të historisë së tij, / për kodrat dhe / - tre apo katër lumenj të tij.” Në këtë sirtar të harruar – edhe këto fjalë të Pachecos – zbulojmë atdheun tjetër, atë që me bukurinë e tij na nxit e jep zemër të luftojmë çdo të keqe që buron nga keqpërdoruesit dhe keqpërdorimi i pushtetit si dhe nga argatët e tij.

Në Kosovë kjo s’është punë e lehtë. Sepse dëshira më se e rëndomtë e natyrës njerëzore për rend e rregull, liri e barazi – një dëshirë e shumicës së qytetarëve - tradhtohet shpeshherë për hir të interesave të ngushta, grykësisë, tradhtohet, në fund të fundit, prej karaktereve të liga. Liria nuk garanton kurrë mirëqenie, por liria është shans së pari për minimizimin e së keqes, pastaj, së dyti, për shumëzimin e mirëqenies, në mënyrë që prej saj të përfitojnë mundësisht të gjithë dhe jo – një kastë, një rajon, një bandë, një taraf.

E keqja kurrë nuk mund të mposhtet plotësisht, por as e mira nuk mund të fitojë nëse ata që e paralajmërojnë atë përqafojnë të keqen në gjysmë të rrugës. Liria është një proces i hapur: falë saj mund të ndërtohet ardhmëria e dinjitetshme, por në emër të saj edhe mund të vritet, mashtrohet e shkatërrohet çdo ide për mbarësi. Kjo është parë dhe bërë në Kosovë që nga viti 1999. Por, asnjë dëshpërim s’mund ta rrëzojë fjalinë e filozofes Hannah Arendt: “Kuptimi i politikës është liria”. Çdo politikë që devijon nga ky synim është e dëmshme.

Si në poezinë “Qartësi” të poetit argjentinas Juan Gelman të cilit diktatura ushtarake ia masakroi dhe shkatërroi familjen, edhe qytetarët e Kosovës mund të pyesin sot: “Kush do ta kishte marrë me mend se viçi do të martohet me kasapin?” ose: “Kush do ta kishte marrë me mend se pëllumbi do të martohet me skifterin, dyshimi me mirësinë, i plaçkituri me plaçkitësin?” Juan Gelman vdiq si José Emilio Pacheco në vitin 2014, por pyetjet e tij duhet të marrin përgjigje në vitet në vijim – sidomos në Kosovë. Sepse ky vend – “i tërbuar! i pikëlluar! i vrarë! i bukur!” (Gelman) – meriton një pushtet shumë më cilësor dhe një gatishmëri të gjerë publike për të mbytur fanatizmin për plaçkitje. Duhet dhënë shpresë utopisë për shtetin e përsosur.

Mjafton që shoqëria e Kosovës të niset drejt kësaj utopie. Në fillim të kësaj rruge është barazia para ligjit, barazia sociale, mekanizmat funksionalë për kontrollin e pushtetit dhe shmangien e anarkisë, pastaj mund të vijë mirëqenia, por kjo s’është kurrë e garantuar nëse ekonominë e mbajnë në duar oligarkët që nuk i nënshtrohen asnjë rregulli të ekonomisë së tregut. Tek kur një vend niset kësaj rruge premtuese, drejt utopisë qëllimmirë, qytetarët mund të besojnë se u janë hequr nga duart zinxhirët e padrejtësisë.

Një shtet i tillë do të ketë përherë instrumente për të qëndruar i pamposhtur ndaj poshtërsisë, lakmisë dhe vrazhdësisë të cilat janë pjesë e çdo shoqërie, siç janë sinqeriteti, dashuria dhe zemërgjerësia. Shoqëria që përqafon demokracinë pa hile përherë do të jetë në gjendje që shtetin ta mbrojë nga ata që i bëjnë dëm dhe ta shndërrojë në digë vetëmbrojtëse. Punëtorët më të zellshëm të kësaj dige janë qytetarët që dyshojnë, që shtrojnë pyetje (kryesisht të pakëndshme), që shpejt davarisin mjegullën e demagogjisë dhe në mënyrë ofensive angazhohen për të mbrojtur atë që është e tyre: liria.

[email protected]

© KOHA.net 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...