5 Qershor 2014 - 09:00 - Enver Robelli
I frikësuar se mund të humbë në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit dhe i hutuar se mund të ndëshkohet nga zemërimi popullor kryeministri në largim Hashim Thaçi ka filluar të sillet e flasë si të ishte jerm. Herë shfaqet me terplote në dorë, duke lozur rolin e kuzhinierit, herë sillet si bletar. Para qytetarëve të Kosovës, të cilët janë bërë dëshmitarë të një spektakli qesharak të ndërtuar me premtime e gënjeshtra gjigante, Thaçi nga thesi i tij i shqyer po nxjerr plot e përplot fruta të kalbura. Përmasa e manipulimeve, e skicimit të realiteteve të paqena dhe e zotimeve pa asnjë mbulesë ka arritur cilësinë e neveritshme të romanit humoristik. Këto ditë autori Hashim Thaçi po i jep fund doracakut të tij për ndërtimin e dordolecëve gjatë stinës së verës.
Gjatë fundjavës doracaku u pasurua me një kapitull të ri: angazhimin e shefit të PDK-së për natyrën e bukur kosovare. Për të dëshmuar këtë Thaçi (ose mirëmbajtësi i faqes së tij të zezë në Facebook) postoi disa fotografi nga fushat me lule të Kosovës të shoqëruara me disa fjali stereotipe të Thaçit mbi natyrën e Kosovës. Por ekziston një e vërtetë tjetër e tmerrshme: qytetarët e Kosovës jetojnë në njërin prej ambienteve më të ndotura në Evropë. Dhe qeveria e këtij vendi nuk ka ndërmarrë pothuaj asnjë hap serioz kundër këtij zhvillimi shqetësues.
Ja disa argumente: Tymi helmues që vjell termocentrali “Kosova A” është 70 herë më i lartë se normat evropiane. I vetmi investim madhor që ka bërë kjo qeveri për të ndërprerë këtë tmerr ka qenë instalimi i kuadrove të PDK-së në KEK. Me vite të tëra të gjithë tenderët e KEK-ut i ka menaxhuar Njazi Thaçi, i afërm i Hashim Thaçit. Njëkohësisht gati 300 mijë njerëz në Prishtinë dhe në komunat përreth helmohen dhe vriten për çdo ditë nga pak nga oxhakët e KEK-ut. Mjafton të shikohet se si po rritet numri i të sëmurëve dhe rrjedhimisht edhe mjerimi i përgjithshëm.
Mbi 40 për qind e popullsisë së Kosovës nuk është e lidhur në ujësjellës publikë dhe 52 për qind nuk është e lidhur në rrjetin e kanalizimit. Në fshatra uji nuk kontrollohet fare, në të shumtën e rasteve cilësia e tij është tepër e keqe dhe e dëmshme për shëndetin e popullsisë. Me këtë mjerim tani po tallet Thaçi duke postuar fotografi idili nga Ujëvara e Mirushës. Banka Botërore vlerëson se kostoja vjetore që shkaktohet nga ndotja e ambientit në Kosovë arrin në 221 milionë euro. Kurrë kjo qeveri nuk e ka marrë seriozisht këtë fakt.Kontaminimi i tokës dhe ujërave me metale industriale është problem gjigant në Kosovë. Ndër rajonet më të rrezikuara janë Mitrovica, disa pjesë të Drenicës dhe Prishtina me rrethinë. Shumica e lumenjve në Kosovë janë të ndotur, konstaton GIZ (Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar). Në Kosovë mblidhet më pak se 40 për qind e bërllokut të amvisërive. 60 për qind përfundon në natyrë, duke e ndotur dhe helmuar atë.
Bërlloku privat hidhet kryesisht në deponi ilegale. Riciklimi i bërllokut pothuaj se nuk ekziston.
Në Kosovë praktikisht nuk ka planifikim hapësinor. Kaosi i ndërtimeve pa leje ka shkaktuar dëme të pariparueshme dhe ka dëmtuar tokën e bukës. Gjeneratat e ardhshme do ta paguajnë një çmim tepër të lartë të kësaj papërgjegjësie. Mjafton të shikohet se si po mbillen objekte të neveritshme përgjatë rrugës Prishtinë - Ferizaj dhe Prishtinë - Pejë për të parashikuar se “urbanizimi” në stilin e turbofolkut po e shndërron Kosovën në humnerë. A e keni dëgjuar kryeministrin Thaçi duke folur për këtë problem gjatë gjithë këtyre viteve? Jo. Ai kërkon votën tuaj duke e mbuluar ndotjen e ambientit me fotografi nga fushat me lule të Kosovës. Por, faktet s’mund t’i mbulojë askush më, aq më pak Thaçi me ekipin e tij për prodhim rrenash. Anekënd Kosovës “komandantë” e “çlirimtarë”, “gjeneralë” e xhelatë të tjerë po e gërryejnë vendin kudo ku munden: me gurthyes dhe me prerje malesh, me prishje të shtratit të lumenjve dhe me ndotje të ambientit me automjete që nuk i kontrollon askush si duhet, andaj Kosova është bërë varr masiv i bërllokut automobilistik të importuar nga të katër anët e botës.
Kosova vërtet ka natyrë të bukur, aty-këtu, por kjo hapësirë po rrudhet e zvogëlohet dita-ditës për shkak të një qeverie që helmimin e ambientit e sheh si reshje atmosferike dhe jo si pasojë të politikave të saj të këqija qeverisëse. Më 8 qershor votohet edhe për një Kosovë të pastër në kuptim të shumëfishtë.
Këtu hyn edhe qartësimi i raporteve me Serbinë. Kjo qeveri po ia lë trashëgim popullit të Kosovës një marrëveshje me Beogradin, e cila më shumë e ndot ambientin politik se sa që e zgjidh ndonjë problem. Duke qenë i frikësuar se mund të shantazhohet nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të ndonjë afere korruptive delegacioni i Kosovës nuk i ka zhvilluar bisedimet me Serbinë për t’i ndihmuar Kosovës, por për t’ia zbukuruar imazhin Thaçit si politikan vizionar. Në këtë kontekst hyn edhe përralla se Thaçi dhe zëdhënësi i Slobodan Millosheviqit, Ivica Daçiq, do ta marrin çmimin “Nobel” për “marrëveshjen historike”.
Nga këto bisedime historike janë vetëm shpenzimet nga buxheti i Kosovës për dhoma hotelesh, bileta avioni dhe dreka e darka në Bruksel, rezultati i llafazanërisë, ndërkaq, është antihistorik. Gjithsesi Kosova duhet të zhvillojë bisedime me të gjithë fqinjët, e sidomos me Serbinë, por në këto bisedime Kosova mund të arrijë ndonjë rezultat nëse përfaqësohet nga politikanë që mbrojnë interesat e vendit dhe jo interesat kryekëput personale.
Që në vitin 2012 Instituti Gjerman për Politikë Ndërkombëtare (“Stiftung Wissenschaft und Politik”) kishte prekur pikat e dobëta të bisedimeve me Serbinë, pra në një kohë kur zagarët propagandistikë të Thaçit shkonin nëpër ambasada perëndimore në Prishtinë dhe tentonin t’i bindnin diplomatët se kritikët e bisedimeve me Serbinë janë armiq të pakicave etnike dhe flisnin edhe budallallëqe të tjera. Instituti nga Berlini kishte nënvizuar se çështjet si kontrolli doganor dhe kufitar (mes Kosovës dhe Serbisë, v.j.) faktikisht pothuajse nuk mund të rregullohen pa u sqaruar çështje thelbësore siç është ushtrimi i autoritetit shtetëror. Tani, në vitin 2014, populli ka rast të vërejë se autoriteti i shtetit të Kosovës në veri të vendit vazhdon të jetë më shumë virtual se sa real.
Më tutje në raportin gjerman theksohet: “Në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë mund të jetë problematike që politika e zgjerimit të BE-së ndaj Serbisë të koncentrohet vetëm në çështjen e kooperimit me Kosovën”. Serbia përmes bisedimeve me Kosovën ka arritur t’i afrohet BE-së pa ndryshuar gati asgjë në sistemin e vjetër dhe të përbërë nga korrupsioni e krimi. Përse Kosova të shërbejë si urë për në BE për këtë vend që jo vetëm nuk e pranon Kosovën si shtet, por bën gjithçka që të hidhet në ajër pavarësia e Kosovës? Dhe të sabotohet çdo punë e domosdoshme e EULEX-it. Konstatimi i radhës i Institutit Gjerman për Politikë Ndërkombëtare shpalos krejt mbrapshtinë e negociatave me Serbinë: “...meqë BE sa i përket çështjes së Kosovës vazhdimisht i ka zgjeruar kriteret, këto kritere njëkohësisht janë bërë gjithnjë e më joprecize”. Këto “kritere joprecize” qeveria e Hashim Thaçit i ka prezantuar si “suksese” dhe “të arritura të mëdha”.
Por, çmimin e tyre është duke e paguar populli i Kosovës, i cili nuk sheh asnjë dobi nga bisedimet me Serbinë. Thaçi dhe trupa e tij vetëm fizikisht kanë qenë në Bruksel, duke shpresuar se punët i kryejnë të tjerët. Kështu me ndotje të natyrës dhe me ndotje politike Kosova ka humbur shumë vite. Përfundimisht ka ardhur koha që, siç tha ambasadori britanik Ian Cliff, shoqëria e Kosovës të zgjedhë fytyra të reja politike. Përkthyer në gjuhë politike kjo domethënë: ambasadori i Britanisë së Madhe po bën thirrje që nga politika të largohen politikanët që janë të pranishëm në skenë që nga paslufta. Hashim Thaçi është njëri prej tyre. Qeverisja e tij nga çdo historian serioz në të ardhmen do të përshkruhet si aksident fatal historik.
[email protected]
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...