Të etur për lajme të mira

3 Korrik 2014 - 08:56 - Enver Robelli      

Për Kosovën sot lajme të mira prodhon vetëm Xherdan Shaqiri: një shënim sentimental para ndeshjes së Zvicrës me Argjentinën

Messi kundër Shaqirit, Xhakës, Behramit, Xhemajlit, Mehmedit. Argjentina kundër Kosovës. Gaucho kundër bijve të shqipes. (Gaucho në Argjentinë quhen blegtorët). Edhe nga ky prizëm mund të shihet ndeshja e sotme mes Zvicrës dhe Argjentinës. Nga ora 18:00 sytë tanë do të jenë të drejtuar nga Brazili, nga Arena Corinthians në Sao Paulo – kështu do të jetë prej Zhegrës deri në Mitrovicë, prej Skenderajt në Llap, prej Junikut në Ferizaj, prej Prishtinës në Pejë, prej “Filikaqës” në Pejton e deri te kafehanet e vogla të Kemenicës, Përlepnicës, Skivjanit, Rahovecit, Korishës.

“Të martën, aman, ma gjej një fotograf në Prishtinë. Le të dalë e ta fotografojë atmosferën gjithandej. Menjëherë pas ndeshjes duam t’i kemi disa fotografi dhe t’i nxjerrim në webfaqe të gazetës”. Kështu më thoshte javën e kaluar një koleg derisa në deskun e gazetës “Tages Anzeiger” në Zürich isha thelluar duke redaktuar një artikull mbi luftën vëllavrasëse në Irak. Fotografi në Prishtinë është gati. Sonte presim fotografi të bukura nga Kosova.

Xherdani prej kartoni

Zvicrën e ka përfshirë Shaqiromania. Në fakt, Shakiromania. Kjo për shkak se Xherdani, për fat të keq, kur ka nisur karrierën profesionale si futbollist nuk i ka bërë dy gjëra: ta shkruajë emrin drejt shqip - Gjerdan, jo Xherdan - dhe të precizojë se quhet Shaqiri, jo Shakiri. Por, duket se të gjitha këto ai i arsyeton me lehtësinë e të luajturit futboll. Një shkurtabiq magjik, që në “Twitter” shkruan edhe shqip, aty-këtu me gabime të vogla, të cilat e bëjnë edhe më simpatik ndër bashkëkombës.

Para çdo dyqani të një rrjeti të njohur në Zvicër klientët i përshëndet Xherdan Shaqiri – prej kartoni. Aktualisht në televizionin publik të Zvicrës reklama më e popullarizuar është me Xherdan Shaqirin: tre burra – fansa futbolli - pjekin mish në skarë dhe befas shfaqet Shaqiri. Të habitur ata thonë: “Xh... Xh... Xherdan!”
Kjo është një reklamë e mirë për mish, por edhe reklamë falas për shqiptarët në Zvicër dhe për Kosovën si Republikë që e kërkon një ardhmëri më të mirë. Këto ditë kur Xherdan Shaqiri po e përmirëson pak imazhin e keq të shqiptarëve në Zvicër më mirë të mos kujtojmë ata që kanë bërë kërdi në këtë vend: plaçkitësit e dhomave të fjetjes nga Strellci, tregtarët e drogës nga Ferizaj e Anamorava, vrasësit e bashkëshorteve dhe të punëtoreve të enteve sociale nga rrethina e Prizrenit, mashtruesit e sigurimeve sociale nga Drenica, që bëjnë karrierë politike në Kosovë, intelektualët e shpifur që shkruajnë bejte që s’ua lexojnë as kushërinjtë dhe që ende, pas 30 vjet qëndrimi në këtë vend, vetëm belbëzojnë ndonjë fjalë gjermanisht apo frëngjisht.

Për një strategji të re


Do të ishte mirë që pas këtij Kampionati Botëror të dilte në sipërfaqe një gjeneratë e re shqiptarësh që flet në emër të diasporës dhe që përfaqëson diasporën. Të tillë ka mjaft – në botën akademike, në biznese të llojllojshme legale, në jetën publike. Por, për këtë do të duhej të ekzistonte një strategji e njerëzve qëllimmirë. Disa përpjekje modeste kanë dështuar për shkak se protagonistët vuajnë nga kompleksi i profilizimit personal me çdo kusht. Dhe si në çdo sferë të jetës ndër shqiptarë kudo edhe në Zvicër armiku më i madh i tyre është xhelozia – sa energjia harxhohet për shpifje, për konflikte të panevojshme, për urrejtje personale dhe kolektive, për mashtrime. Të mirët heshtin dhe llumi bën zhurmë.

Suksesi i Xherdan Shaqirit mund të shërbejë si pikënisje për ndërtimin e një imazhi të ri. Shanset nuk vijnë shpesh. Para 40 vitesh shqiptarët filluan të vijnë në Zvicër dhe tek tani, me futbollistët që u prin Shaqiri, diaspora ofron idhuj publikë për vendin mikpritës, që viteve të fundit po bëhet gjithnjë e më jomikpritës për shkak të numrit të madh të të huajve, problemeve në integrimin e tyre në shoqëri dhe në procesin e punës. Më herët ndoshta as që ka qenë e mundshme të dalin kësi idhujsh publikë për shkak se diaspora shqiptare në Zvicër vetëm fizikisht ka jetuar në këtë vend. Lidhjet me Kosovën kanë qenë më shumë se familjare, kanë qenë emocion dhe luftë për mbijetesë kolektive.

125 mijë herë

Tani emocionet përqendrohen në fushën e futbollit. Të dielën, për shembull, s’kishte gazetë zvicerane pa një storje për futbollistët shqiptarë. Gazeta e përjavshme “SonntagsZeitung” shkruante për entuziazmin e shqiptarëve kudo, e sidomos në Kosovë, për futbollistin trupvogël Xherdan Shaqiri. Pas ndeshjes së fundit me Hondurasin, ku Shaqiri shënoi tre gola, emri i tij në rrjetet sociale u përmend 125 mijë herë. Edhe kjo është reklamë për Kosovën – falas. Pas shumë vjetëve me konflikte, luftëra, kriza dhe varfëri shqiptarët e Kosovës, gjysma e të cilëve janë nën moshën 30-vjeçare, janë të etur për lajme të mira. Së paku Xherdan Shaqiri tani kujdeset për këto lajme.

Gazeta “SonntagsBlick” portretonte familjen e Xherdan Shaqirit, e cila ka ardhur nga Zhegra e Gjilanit në Basel, ku babai i tij Iseni punoi murator. Ai sot thotë: “Fëmijët e mi nuk kanë ngrënë me lugë të arit dhe ky fakt neve dhe Xherdanin na kanë bërë edhe më të fortë”. Pas çdo ndeshjeje, shkruan kjo gazetë, Xherdani i telefonon së pari nënës së tij, Fatimes, e cila nuk interesohet sa gola i ka shënuar, por a mos është lënduar biri i saj. Xherdani lavdëron sidomos gatimet e nënës së tij nga kuzhina tradicionale shqiptare. Vëllai Arianiti e kishte marrë me vete në fushë të futbollit Xherdanin e vogël. Vëllai tjetër Erdini merret me marketing në futboll dhe nganjëherë është edhe zëdhënës i Xherdanit. Princesha e shtëpisë është motra 14-vjeçare, Medina.

“SonntagsBlick” shpreson se uniteti mbresëlënës brenda familjes do t’i ndihmojë Xherdanit edhe të martën kundër Argjentinës. Shaqiromania shkon më tutje: gazeta e Zvicrës frankofone “Le Matin” ka takuar në Gjenevë Blerimin, Ibrahimin dhe Afrimin – që të tre kushërinj të Xherdan Shaqirit. Kjo nuk duket befasi e madhe, sepse gati gjysma e Zhegrës jeton në Gjenevë, por është edhe një shembull se çfarë mrekullish mund të sjellin shembujt pozitivë. Sonte të gjithë shqiptarët, sërish, janë me Zvicrën, sepse janë të etur për lajme të mira.

[email protected]

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...