2 Qershor 2016 - 08:32 - Enver Robelli
Se punët me EULEX-in nuk po ecnin mirë e kishte vërejtur që në vitin 2012 Gjyqi Evropian i Auditorëve. Në një raport kishte konstatuar se niveli i krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë mbetet i lartë dhe drejtësia vazhdon të jetë joefikase dhe nën ndikimin e politikës. Nga viti 2008 deri në vitin 2016 për EULEX-in nga arkat e BE-së janë paguar rreth 1,5 miliardë euro – një shumë marramendëse nëse shihen arritjet modeste në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Tani Brukseli dhe pushteti kosovar po diskutojnë për një çështje të ndjeshme: vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Kosovarët kanë të drejtë të jenë të dëshpëruar me prokurorët dhe gjykatësit evropianë, por duke e pasur parasysh faktin se agjenda e vetme shpresëdhënëse për të ardhmen e Kosovës dhe rajonit është integrimi në BE, ekziston një pajtim i përgjithshëm se Kosova ka nevojë të mëtutjeshme për prani të një instrumenti të BE-së me kompetenca të rëndësishme sidomos në luftimin e korrupsionit, një kancer që po e gërryen shtetin e Kosovës.
Aferat e pandriçuara
Është me rëndësi që në Bruksel dhe në Kosovë të diskutohet hapur se çfarë EULEX-i na duhet. Po ashtu është jetike për Kosovën që EULEX-i të ketë gjykatës e prokurorë të aftë, të cilët vijnë në vendin tonë për të ndihmuar sinqerisht dhe jo për të mbushur kuletat e tyre. Nëse personeli i EULEX-it edhe më tutje nuk do të ketë respekt ndaj shtetit të Kosovës dhe shoqërisë kosovare dhe pas perdeve do të merret vesh për mandatin e ri me politikanë të padenjë dhe shpeshherë edhe nën dyshime për korrupsion, atëherë zhgënjimi do të vazhdojë dhe dështimi i BE-së do të jetë edhe më i madh.
Shoqërisë kosovare i duhet një pushtet transparent dhe në këtë drejtim duhet të ndihmojë EULEX-i. Nëse EULEX-i vazhdon të bëjë kompromise me cuba për arsye të stabilitetit politik, atëherë agonia është e garantuar. Në këtë drejtim misioni i BE-së për sundim të ligjit duhet të jetë vetë shembull i transparencës dhe i vendimeve të qëndrueshme. Duhet të zbardhen të gjitha aferat që e kanë varrosur besueshmërinë e misionit, sidomos ato të bëra publike nga vetë personeli i EULEX-it. Javëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të disa arrestimeve, përfshirë edhe Azem Sylën, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, nëse ka ekzistuar diçka e tillë. Prokuroria pretendon se Syla i prin grupit të madh të organizuar kriminal nga viti 2006. Në atë kohë padron i drejtësisë ka qenë UNMIK-u, ndërsa nga viti 2008 EULEX-i. Ndoshta nuk është naive të pyetet se si bëri vaki që Syla të veprojë plot 10 vjet dhe të mos arrestohet më herët, por pikërisht tani kur po diskutohet për vazhdimin e mandatit? Kosova nuk ka nevojë për koncerte në fund të mandatit.
Rruga kundërthënëse
Mbi të gjitha EULEX-i nuk mund të ndërtojë standarde për sundim të ligjit nëse vetë nuk ka respekt për rregulla, rend, ligje e standarde. Një rast i tillë është përpjekja e fundit për vazhdimin (në fakt, kontrabandimin) e një mandati të ri të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese. Këta gjyqtarë kanë qenë pjesë e procesit të pavarësisë së mbikëqyrur, përkatësisht Zyrës Civile Ndërkombëtare. Ky proces zyrtarisht ka marrë fund në vitin 2012, madje me shumë bujë e lavdërime. Rrjedhimisht, që atëherë edhe gjyqtarët e huaj është dashur të largohen nga Gjykata Kushtetuese. Nuk u larguan. Bile u gjet një rrugë bukur kundërthënëse në aspektin juridik dhe mandati i gjyqtarëve u vazhdua. Kjo u bë nëpërmjet të marrëveshjes së lidhur në trajtë letërkëmbimi mes presidentes së atëhershme Atifete Jahjaga dhe shefes së BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton.
Gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese u futën në një pako me gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it, ani pse kishin qenë pjesë e një misioni krejt tjetër, pra Zyrës Civile Ndërkombëtare, e cila kishte përfunduar mandatin. Ky veprim e nxiti Avokatin e Popullit t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se presidentja Jahjaga kishte shkelur Kushtetutën duke mundësuar vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Kur ishte gjykuar ky rast nga Gjykata Kushtetuese ishte e diskutueshme nëse ka pasur apo jo kuorum. Drejtësia ka filluar hetimet në bazë të denoncimit të Avokatit të Popullit dhe pretendon se për të siguruar kuorumin ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani dhe pasardhësja e tij në këtë post Arta Rama-Hajrizi kishin falsifikuar nënshkrimin e një gjykatësi ndërkombëtar, i cili thuhet se nuk ishte i pranishëm gjatë seancës. Me atë rast kërkesa e Avokatit të Popullit u konsiderua e papranueshme. Odiseja juridike rreth falsifikimit apo jo të nënshkrimit të një gjykatësi ndërkombëtar po vazhdon. Paradokse të tilla juridike mund të shihen vetëm në Republikën e Kosovës, ku përgjegjësinë vendimtare në instancat kyç ende e mbajnë faktorët ndërkombëtarë, BE-ja me misionet dhe misionarët e saj, pastaj brigadat e diplomatëve.
Morali dhe gjyqtarët
Së fundi mediumet e Kosovës kanë njoftuar se ekziston një presion nga BE-ja, sidomos nga Zyra e BE-së në Prishtinë, ndaj institucioneve kosovare për t’ua vazhduar mandatin gjyqtarëve ndërkombëtarë. Edhe për laikët, jo vetëm për juristët, është e qartë se nuk ka më hapësirë juridike për praninë e gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese.
Për të kuptuar këtë mjafton të lexohet neni 114 i Kushtetutës së Kosovës, i cili rregullon zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Për të qenë absurdi më i madh tani për falsifikim të nënshkrimit po ndiqet vetëm Enver Hasani, ndërsa është hequr dorë nga ndjekja e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, e cila në publik shihet zakonisht në shoqërim të bosëve politikë. Sa për kujtim në nenin 114 të Kushtetutës thuhet se nëntë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë “juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë”. Nuk do të ishte aspak befasi që heqja dorë nga ndjekja e kryetares së Gjykatës Kushtetuese të jetë bërë pas ndonjë “këshille dashamirëse” nga politika për t’ia vënë kapakun këtij procesi.
Shoqëria kosovare është mësuar dhe topitur nga shkeljet e përditshme ligjore nga ana e politikanëve. Nga këto shkelje nuk është përjashtuar as Kushtetuta si akt më i lartë juridik i vendit. Ndoshta Zyra e BE-së në Prishtinë kalkulon se shoqëria kosovare nuk do të zemërohet aq nëse ligji themelor i shtetit do të shkelet duke ua vazhduar mandatin gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Një vendim i tillë mbase edhe do të përpihej nga shoqëria kosovare nëse Gjykata Kushtetuese do të gëzonte prestigj në shoqërinë kosovare. E kundërta është e vërtetë: Gjykata shpesh ka marrë vendime kundërthënëse, ndërsa lë për të dëshiruar si paanësia dhe përgatitja profesionale e disa gjykatësve vendorë ashtu edhe transparenca sa i përket, për shembull, rrogave mujore që marrin gjyqtarët ndërkombëtarë, që supozohet të jetë mbi 10 mijë euro.
Në një paraqitje televizive ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese kishte thënë se gjyqtarët e huaj i paguan një ambasadë. Në këtë drejtim zor se mund të pritet transparencë edhe nga kryetarja aktuale e Gjykatës Kushtetuese, e cila shpeshherë sillet si kryetare e nëndegës së Partisë Demokratike të Kosovës në Muçivërcë.
Diplomatë dhe politikanë të BE-së shpesh me të drejtë kritikojnë paaftësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve vendorë për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Por zyrtarët e BE-së duhet të pyesin veten nëse modeli që kanë ndërtuar në Kosovë për gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë u përgjigjet standardeve të BE-së apo më shumë standardeve të Zimbabvesë së Robert Mugabes? Disa vendime të Gjykatës Kushtetuese do të kenë pasoja afatgjatë dhe të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, andaj duhet të dihet se cili ka qenë roli i gjykatësve ndërkombëtarë në ato vendime, të cilat nuk forcojnë shtetin e Kosovës, por betonojnë brishtësinë e shtetësisë. Me sa duket, edhe Britania e Madhe ka dhënë njëfarë llogarie në kolonitë e saj para një shekulli në krahasim me misionet ndërkombëtare në Kosovë, të cilat s’japin kurrfarë llogarie për vendimet e tyre dhe sidomos për pasojat e atyre vendimeve.
Nuk kemi atdhe rezervë
Misioni i BE-së në Kosovë është pranuar me entuziazëm nga qytetarët e Kosovës, të cilët kanë besuar se kështu do të përshpejtohej ndërtimi i shtetit funksional. Qëllimi i shpallur i EULEX-it ka qenë mbështetja në konsolidimin e shtetit të Kosovës. Në kohën kur po flitet për vazhdim të mandatit të EULEX-it është me rëndësi të diskutohet hapur për standardin e sundimit të ligjit që do të ndërtojë ai në Kosovë. A ka standard më të keq se shkelja e Kushtetutës nga ana e atyre që kanë ardhur të na japin leksione për respektim të ligjeve? Për dallim nga një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, i cili mund të kthehet në atdheun e vet, shoqëria kosovare nuk ka atdhe rezervë dhe duhet t’i bartë pasojat e vendimeve të marra për interesa të ngushta dhe afatshkurtra politike dhe në dëm të shtetësisë së Kosovës. Është e patolerueshme që kjo praktikë shpërfillëse ndaj Kushtetutës të bëhet në emër të emancipimit të përgjithshëm politik të shoqërisë dhe vendit.
[email protected]
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...