22 Janar 2015 - 08:30 - Enver Robelli
Festat ikën. Para Krishtlindjeve katolike u bë jo pak zhurmë për stolisjen e Prishtinës me xixa e drita. Njëkohësisht në medie bëri jehonë vdekja e një qytetari nga Komuna e Ferizajt në acarin e Hungarisë. I ndjeri ishte nisur drejt Europës Perëndimore në kërkim të një jete që ia vlen të jetohet. Një jetë të tillë ai nuk e kishte në Kosovë. Vitin e vjetër e lamë pas me kujtime të neveritshme për ngërçin politik dhe për mashtrimin kolosal të popullit për ndryshime të mëdha nga shumica e partive të “bllokut shumëpartiak”. Ata që prisnin ndonjë gjë pozitive në vitin e ri shpejt u zhgënjyen. Prej ditësh opinioni merret me provokimin e një ministri të Qeverisë së Kosovës, i cili vepron si të ishte ministër i qeverisë së Serbisë dhe sillet si mysafir-sabotator në mbledhjet e kabinetit të Isa Mustafës, pardon Hashim Thaçit. Ka gjasa që emri Jablanoviq të jetë më i përmenduri në vitin 2015. Këtë emër në politikën e Kosovës e sollën Hashim Thaçi dhe bartësi i valixheve të tij, Blerim Shala, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pas negociatave aq madhështore në Bruksel. Lidhja Demokratike e Kosovës u bëri amin negociatave skandaloze në Bruksel, sepse diçka tjetër nuk mund të pritej nga një parti që tashmë 15 vjet është vetëm urë e së keqes. Pa u rrëzuar kjo urë, që mban peng vota e shpresa, Kosova zor se do të shkojë përpara. Nga themeli i LDK-së duhet të ndërtohet diçka e re, ndryshe ekzistenca e kësaj partie-patericë nuk ka asnjë kuptim. Tani që edhe Krishtlindjet ortodokse ikën dhe me to edhe viti i ri serb, tani që kaloi edhe vizita e Aleksandar Vuçiqit, ish-sekretarit medial të Radovan Karagjiqit dhe Ratko Mladiqit, është koha për një bilanc ngjarjesh të ditëve të para të vitit të ri, të cilat paralajmërojnë një dymbëdhjetëmuajsh të vendnumërimit, të varfërimit dhe të dëshpërimit të përgjithshëm popullor. Ilaçi i vetëm kundër murtajës sunduese janë alternativat e reja politike dhe mobilizimi i madh qytetar kundër aleancës mes krimit dhe ligësisë, PDK-së dhe nëndegës së saj, LDK-së. Ky janar nuk mund të fillonte pa u bërë publike veprimtaria tepër atdhetare e të ashtuquajturve komandantë të UÇK-së. Ky panoptikum i janarit, prandaj, duhet të fillojë me shokun Sami Lushtaku.
1. Vlerat e familjes Lushtaku
Duket se Lushtakët tradicionalisht janë marrë me prodhim energjie. Edhe mullinjtë nuk i kishin dikur për të bluar drithë, por për të prodhuar energji. Energjia e tyre i bëri të famshëm jo vetëm në Drenicë, por në mbarë Kosovën. Kjo energji Lushtakëve dhe bandës së tyre ua ndriçoi rrugën drejt Prishtinës. Sapo arritën në kryeqytet - u shpërndanë: dikush zuri vend në KEK, tjetri zaptoi dyqane e restorante, e mbi të gjithë qëndronte kumbara i krimit të organizuar, korrupsionit dhe luftës së lavdishme plaçkitëse, Sami Lushtaku. Lajmi se Misioni i BE-së për sundim të ligjit EULEX, më në fund, ka ngritur aktakuzë kundër Sami Lushtakut dhe disa personave të tjerë për dëmtimin e KEK-ut në një tender në vlerë prej gjashtë milionë eurosh nuk paraqet fare befasi për opinionin kosovar. Energjia e Lushtakëve, këtyre figurave emblematike të ndërmarrjes politiko-kriminale PDK, energjia e këtyre cubave kurrë nuk mund të jetë elektrike, por vetëm kriminale. Këta energjinë elektrike e shfrytëzojnë vetëm për të ndriçuar rrugën për plaçkitje të shtetit. Në majë të kësaj piramide kriminale qëndron vetë udhëheqja e PDK-së me duetin Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
2. Vlerat e familjes Hamiti
Për 15 vjet Lidhja Demokratike e Kosovës ka lejuar dhe mundësuar shkatërrimin e Prishtinës. Kjo parti shpesh këtë e ka bërë në bashkëveprim me njerëz (?) të krahut të luftës. Kanë ndarë sektorët, dikush ka kontrolluar ndërtimet, tjetri ndërmarrjet publike. Kompanitë komunale janë kontrolluar nga klanet familjare, mafioze apo rajonale. Drenica është rehatuar në Qeveri, ndërsa këta që thirren në origjinën e tyre nga Llapi (ku pothuaj nuk marrin më vota) i kanë ulur në kolltukë të ndërmarrjeve komunale të Prishtinës jo vetëm gratë e tezet, por edhe çikat e tezeve. Për shkak të mungesës së planifikimit serioz hapësinor Prishtina nga arkitektë të vërtetë quhet: “pseudometropol i turbo-folkut arkitektonik ballkaniko-anadollak”. Duke qenë njëherë edhe i arrestuar për shkak të dyshimeve për korrupsion, Sami Hamiti nuk ka të drejtë as morale të flasë, siç foli së fundi, për qeverisjen e Prishtinës. Ai duhet të heshtë me turp në 15 vjetët e ardhshme. Qeverisja e tij mund të mbahet mend (nëse doni) vetëm nga dëfrimet, drekat dhe darkat nëpër mejhane të Prishtinës, ku Sami Hamiti ka tërhequr penjtë e politikës dhe bizneseve në favor të klanit të tij. Shpend Ahmeti duhet të tregojë cilësi më të mëdha si kryetar kryeqyteti, por përfundimisht Sami Hamiti nuk është figura e duhur për të mbajtur ders mbi atë se si duhet gjetur dermani Prishtinës. Virusi nuk mund të shndërrohet në derman. Kurrë. Sepse: kur kallet shtëpia nuk duhet ta ftojmë piromanin për ta fikur zjarrin. Qytetarët e Prishtinës mund ta marrin seriozisht LDK-në vetëm nëse prezanton figura të tjera që duan të marrin përgjegjësi publike. Kur perspektivë e LDK-së janë Sami Hamiti, Naser Osmani, Ismet Beqiri, Lutfi Zharku, Agim Veliu dhe lloji i tyre, atëherë anëtarët dhe mbështetësit e LDK-së kanë vetëm një zgjidhje: të largohen nga kjo ndërmarrje e tyxharëve të neveritshëm politikë dhe të kërkojnë alternativa të tjera për të shpëtuar shtetin dhe për ta bërë atë të denjë për të ecur drejt integrimeve europiane. Nëse nuk gjejnë alternativë, përkrahësit e sinqertë të LDK-së duhet ta krijojnë një alternativë të re – brenda ose jashtë LDK-së! Lëreni naserat, ismetat, saminjtë, lutfinjtë dhe çiliminjtë në shtrat me përfaqësuesit e krimit dhe të korrupsionit. Aty e kanë vendin!
3. Si funksionon RTK-ja?
Rreth orës 19:00: “Çka keni sonte në lajme?” pyet kryeministri i punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, sipas traditës shumëvjeçare. Redaktori i rekrutuar nga shërbimi sekret partiak i Thaçit reciton renditjen e kronikave si nxënësi para mësuesit të ashpër që vringëllon thuprën. “Hiqe atë raport, ktheje këtë!” jep urdhër redaktori përgjegjës dhe komandanti suprem i RTK-së, Thaçi. Dhe redaktori vepron sipas urdhrit. Të shtunën me RTK-në u nervozua – shih ti! – vetë Isa Mustafa, të cilit Thaçi po ia bën qejfin duke e quajtur kryeministër. RTK-ja në lajme e përmendi Mustafën vetëm duke e fokusuar një parullë në Gjakovë ku shkruante: “Isa Mustafiq – ministër i Rrahman Morinës”. Pjesa tjetër e lajmeve iu kushtua veçanërisht bredhjes së Thaçit nëpër Mal të Zi, një vend që prej vitesh ngushton hap pas hapi të drejtat e shqiptarëve. Sidoqoftë, ka dy kryeqytete ku Thaçi ndihet tepër komod: në Ankara tek autokrati Rexhep Taip Erdogan dhe në Podgoricë te Milo Gjukanoviqi, njëri prej kontrabandistëve kryesorë të cigareve në Ballkan dhe i hetuar nga drejtësia italiane dhe gjermane. Nervozizmi i Isa Mustafës me RTK-në është i vonshëm, absurd dhe qesharak. Partia e Mustafës, Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka krijuar këtë situatë në RTK, duke dhënë pëlqimin në Parlament për financimin e RTK-së. LDK-ja ka heshtur me vite të tëra përballë skandaleve të njëpasnjëshme në RTK – nga raportimet thellësisht në shërbim të PDK-së deri te joprofesionalizmi përtej çdo kufiri. Tani LDK-ja do të përpiqet ta disiplinojë pak RTK-në dhe aty do të gjejë me siguri edhe redaktorë që do të jenë të gatshëm të bëhen shërbëtorë të Isa Mustafës për të mos humbur vendin e punës. Por, kjo nuk është rruga e duhur. RTK-ja nuk duhet të jetë as televizion i PDK-së, as i LDK-së. Duhet urgjentisht të gjendet një mënyrë tjetër e financimit, jo nga buxheti i Kosovës. Duhet të sigurohet transparenca maksimale financiare dhe për keqpërdorimet eventuale të deritanishme të japin përgjegjësi menaxhmenti, bordi, drejtorët, redaktorët dhe gazetarët e RTK-së, sidomos ata që e kanë njollosur profesionin për interesa jogazetareske dhe jopublike. Kosovës i duhet një televizion publik, por RTK-ja nuk është i tillë, andaj më së miri do të ishte të mbyllej dhe të riorganizohej me një ekip më profesionist dhe me redaktorë të cilët kur thërret Hashim Thaçi në orën 7 për të redaktuar lajmet pa ngurrim i thonë: “Pirdhu” ose “Beži”. (Në fakt, sipas një burimi nga RTK-ja, që u lajmërua vullnetarisht, Thaçi nuk thërret në orën 19:00, por në orën 18:30, në mënyrë që redaktorët të kenë mjaft kohë për të ujdisur lajmet sipas interesave të PDK-së. Tash ndoshta Isa Mustafa do të thërrasë në orën 18:00 për të redaktuar lajmet qendrore).
4. Halli i vërtetë i krerëve të PDK-së
Kosova nuk qeveriset, sepse të dyja partitë e mëdha të koalicionit kanë halle të tjera. LDK-ja merret me akomodim militantësh në poste zëvendësministrash, këshilltarësh dhe rojtarësh. Dhe me ofendim të opinionit publik dhe të gazetarëve kritikë. Në PDK krerët e saj ia dëshirojnë njëri-tjetrit shkuarjen në Hagë. Askush nuk është i sigurt se nuk do të përfshihet nga cunami i Gjykatës Speciale që do të themelohet së shpejti me përpjekjet e përbashkëta të Këshillit të Europës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Unionit Europian dhe organizatave me renome për të drejtat e njeriut. Meqë gati të gjithë krerët e PDK-së po frikësohen se do të akuzohen për vrasje, tortura e krime të tjera, ata po përpiqen që në Ligjin mbi Gjykatën Speciale të futet një nen, i cili parasheh që shpenzimet e avokatëve të secilit të akuzuar t’i mbulojë shteti i Kosovës. Këta kusarë është mirë që avokatët t’i paguajnë me paratë që ua kanë vjedhur qytetarëve të Kosovës. Parlamenti i Kosovës nuk duhet të pranojë që të dyshuarve për vrasje t’u paguhen edhe shpenzimet për avokatë. Qëllimi i kësaj kërkese të PDK-së është që krimet e krerëve të saj të prezantohen si vepra të kryera në interes të shtetit dhe pavarësisë së Kosovës. Jo. Krimet janë kryer vetëm në interes të banditëve të cilët s’luftuan kurrë për liri e pavarësi, por për pushtetin e tyre personal dhe për rrjetin e tyre kriminal, të cilin pas luftës e zgjeruan deri në atë masë, saqë sot Kosova është një shtet i kapur dhe ku është bërë realitet maksima: çdo shtet ka mafien e vet, në Kosovë mafia ka shtetin e vet. Përse t'u jepen miliona euro plaçkitësve të Kosovës, të cilët madje thonë se nuk kanë asgjë për të fshehur, sepse na qenkan të pastër si loti? Sidoqoftë, Gjykata Speciale është rruga e vetme për ta pastruar Kosovën nga të dyshuarit për krime të rënda të luftës dhe të pasluftës. Rrjedhimisht, është e pafalshme nëse Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi dhe Albin Kurti votojnë kundër kësaj gjykate. Ky është testi i tyre kryesor sivjet në raport me bashkësinë ndërkombëtare - dhe me qytetarët që shqetësohen për të ardhmen e Kosovës nëse vazhdon bashkëjetesa me të dyshuar për krime lufte. Nëse të tillë ka edhe në parti të tjera, krahas PDK-së, kjo është një arsye më shumë për të votuar Gjykatën Speciale.
[email protected]
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...