Me plis dhe me dinjitet

16 Qershor 2016 - 08:23 - Enver Robelli      

Zürich-Strassbourg-Verdun-Lens: shënime për një udhëtim, për futbollin dhe entuziazmin e bukur shqiptar.

Është e premte, dielli duket i zbehtë në horizont, por rrezet gjatë ditës do t’i mposhtin retë. Kjo është e sigurt si amini në kishë e xhami. Rruga nga Zürichu në Lens i ngjan një deti me flamuj dhe me shqiptarë. Në qoshkun e lagjes kafetë e mëngjesit për popullin punonjës i përgatit një shqiptare, në një rrugë të Zürichut mbi një kamion të vogël është vendosur një flamur i madh shqiptar, në Basel, në një kafene që duket se është pikëtakim i komunitetit hebraik, shërben një shqiptare, në autostradë defilojnë shqiptarë me vetura të dekoruara me lloj-lloj simbolesh kombëtare, në pika të karburantit detyrat janë të ndara: shoferi paguan benzinën, të tjerët këndojnë dhe valojnë flamujt.

Çfarë bie në sy: disa shqiptarë kanë marrë kampvetura me qira dhe do të ndjekin ndeshjet e Kombëtares së Futbollit nga veriu në jug – Lens, Marseille, Lyon. Janë ditë për të mbajtur në mend. Pas gati 90 vjetësh gara në arenën ndërkombëtare Shqipëria ka arritur të kualifikohet në Kampionatin Evropian të Futbollit.
Futbolli mund të bëjë mrekulli, nëse nuk keqpërdoret si arenë për shovinizëm, racizëm dhe primitivizëm. Kjo lojë, si asnjë sport tjetër, ngjall emocione, i bën njerëzit të duan vendin e tyre, krijon një ndjenjë të përbashkësisë mes shtresave të popullsisë, sepse në tribunën e futbollit të gjithë janë të barabartë: punëtorë dhe të pasur.

Në historinë e re të futbollit dy ndeshje i kanë dhënë vetëbesim të madh Gjermanisë: në vitin 1954, në Kampionatin Botëror të Futbollit në Zvicër, gjermanët mposhtën hungarezët e favorizuar. Kjo fitore u dha vullnet të madh gjermanëve për të ndërtuar vendin, zhvilluar ekonominë dhe për të qenë optimist se një ditë do të ishin të respektuar në botë, pas krimeve të llahtarshme që i kishin shkaktuar njerëzimit. Para 10 vjetësh Gjermania përjetoi «ëndrrën verore», kur u bë kampione e botës dhe këtë sukses e festoi me lehtësi dhe me krenari. Për shkak të njollave historike gjermanët me vite kanë pasur një raport të ngurtë, të pasigurt ndaj patriotizmit.

Shqiptarët kanë një histori tjetër, por edhe në rastin e tyre futbolli dhe sukseset e futbollistëve shqiptarë, sidomos në klubet e huaja, mund të shërbejnë si model për të kuptuar se çfarë domethënë për jetën e përditshme nëse edhe politikanët do t’i kishim po aq cilësorë sa janë Taulant Xhaka, Mërgim Mavraj dhe shumica e shokëve të tyre në fushën e gjelbër.

Ndërsa këto mendime fluturojnë në kokë, ne kalojmë pranë Verdunit, kësaj fushëbeteje të tmerrshme të Luftës së Parë Botërore. Atëbotë brenda 300 ditëve ishin vrarë 300 mijë veta, francezë dhe gjermanë, njëri nga pjesëmarrësit në luftë ishte Charles de Gaulle, i cili pas Luftës së Dytë Botërore si kryeministër dhe kryetar hapi rrugën për pajtim me Gjermaninë, një proces që kulmoi me nënshkrimin e Marrëveshjes për Miqësi mes Gjermanisë dhe Francës.

Fushat e qytezës së Verdunit, e cila i takon rajonit Alsace-Champagne-Ardenne-Lorraine, sot janë të mbjella me të lashta, por trualli i tyre ende kullon gjak.
Në krahasim me këtë kapitull të llahtarshëm disfata e së shtunës e Kombëtares së Shqipërisë nuk duhet të kalohet me dhimbje të mëdha. Këtë edhe e demonstruan lojtarët shqiptarë, të cilët humbjen, sado të pamerituar, e përballuan me dinjitet. Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” me të drejtë thekson se ekipi shqiptar i ka dhënë një leksion Kampionatit Evropian: ky është arti i humbjes dhe sjellja me dinjitet.

Lojtarët shqiptarë nuk lejuan që disfata të shndërrohet në dështim, ata u gëzuan dhe refuzuan të jenë të pikëlluar, nënvizon gazeta më tutje. Ata treguan se mes fitores dhe humbjes ka diçka më të rëndësishme mes tyre dhe se jeta zgjat më shumë se 90 minuta.
Këtë nuk do të jenë në gjendje ta kuptojnë disa fansa shqiptarë, që me fjalë të rënda (“Valon magjupi”) dhe me fishkëllima ndaj Behramit dhe Shaqirit e prishën pak një festë të mirë. Po aq të dëmshme qenë edhe informatat e rrejshme që u hodhën nëpër mediume shqiptare. Një gazetar i njohur nga Tirana e prezantoi trajnerin e Zvicrës si “serbi Petkoviq”. Është e lehtë të kuptohet se Petkoviq nuk është serb.

Për 10 sekonda e vërteta mësohet në google. Nëse qëllimi është që, duke ia veshur Petkoviqit një etni inekzistente, të aludohet se shqiptaret që luajnë për Zvicrën “bashkëpunojnë me një serb”, atëherë kjo është lojë perfide gazetareske. Edhe sikur Petkoviq të ishte serb, çka ka rëndësi kjo për një trajner që jeton qe 30 vjet në Zvicër dhe Itali? Përndryshe Petkoviq është kroat, i lindur në Sarajevë - dhe ka merita të mëdha për sukseset e disa futbollistëve shqiptarë.

Një lojtar i Kombëtares Shqiptare po citohet të ketë thënë: “Jam shqiptar 24 karat, andaj luaj për Shqipërinë”. Me këtë mendësi s'ecet përpara. Porosia për Shqipërinë dhe Kosovën mund të jetë kjo: investoni në sport, mos lejoni që klubet dhe federatat e futbollit të infiltrohen nga mafia apo politika, atëherë do të keni sukses. Shtetet e tjera që u krijojnë kushte futbollistëve shqiptarë për t’u bërë të suksesshëm, nuk mund të shikohen vetëm si vetëshërbime ku Shqipëria apo Kosova mund të marrin çfarë të duan dhe t’i quajnë tradhtarë ata lojtarë që vendosin të luajnë për Kombëtare të tjera. Një gjerman që ka marrë shtetësinë ruse po luan për Rusinë në Kampionat.

Askush në Gjermani s’e ka quajtur atë tradhtar. Në ditët në vijim fansat shqiptarë duhet të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë me plis dhe me dinjitet. Edhe me flamuj. Sepse ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë dhe të bukur.
[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...