Gjashtë veta mbi një motoçikletë!

15 Shtator 2016 - 08:31 - Enver Robelli      

Sa janë të qëndrueshme akuzat e hetuesve kosovarë kundër gjashtë aktivistëve të VV-së? Dhe përse qytetarët e Kosovës nuk mund t’i besojnë më policisë dhe gjyqësisë, e cila drejtohet nga puthadorët e pushtetit?

Eureka! I gjetëm terroristët. Ata janë në mesin tonë. Më në fund edhe Kosova e ka Fraksionin e Armatës së Kuqe (RAF), më në fund kemi ideologë ekstremë majtistë, që duan të luftojnë kapitalizmin dhe neokolonializmin. Eureka! Policia jonë efektive na shpëtoi nga një rrezik i madh. Policia jonë profesioniste zbuloi se gjashtë aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje” qenkan terroristë. Eureka! A duhet të gëzohemi? Gjithsesi. Pa fund.

Është e njëjta polici e cila qe gati dy dekada nuk ka arritur të arrestojë vrasësin apo vrasësit e deputetit të LDK-së, Smajl Hajdaraj, vrasësin apo vrasësit e aktivistit të LDK-së, Haki Imeri, vrasësin apo vrasësit e kryetarit të Klinës, Ismet Rraci. Dhe vrasësin apo vrasësit e shumë figurave të tjera politike dhe publike. Është po kjo polici që nuk arrin ta ruajë as dhomën e dëshmive dhe prej saj vidhen 50 kilogramë drogë. Ndoshta janë vjedhur edhe dëshmi të tjera edhe më të rëndësishme me atë rast, kushedi. Po kjo polici nuk ka arritur të arrestojë vrasësin apo vrasësit e Elvis Pistës, një politikani lokal të PDK-së në Rahovec dhe menaxher i PTK-së. (Këtë ndërmarrje publike PDK-ja e shfrytëzon si çiflig prej vitesh).

Bash kjo polici e Kosovës, që ka dështuar në zbulimin e krimeve më të mëdha të pasluftës në Kosovë, kjo polici që drejtohet nga një puthador i pushtetit, arriti brenda një afati rekord të zbulojë se kush e ka kryer sulmin kundër Kuvendit të Kosovës. Eureka! U arrestuan gjashtë keqbërës, sipas policisë. Mbi ta rëndon akuza më e rëndë e mundshme në kushte paqeje: terrorizëm! Absurdi qëndron te fakti se me gjithë pretendimin se kemi të bëjmë me – kinse - terroristë, tre prej tyre dërgohen në arrest shtëpiak. Të dyshuarit për terrorizëm të lejohen të pinë çaj në shtëpi, të japin intervista?

Sa janë të qëndrueshme akuzat e hetuesve kosovarë kundër gjashtë aktivistëve të VV-së? Një nga pretendimet e prokurorisë është se motoçikleta prej së cilës u godit ndërtesa e Kuvendit u shfrytëzua nga gjashtë aktivistët e VV-së. Si mund ta marrim me mend këtë? Gjashtë veta mbi një motoçikletë? Këtu prokuroria duhet të jetë më e saktë. Në një paraqitje televizive gazetari hulumtues, Vehbi Kajtazi, ka shprehur dyshime të mëdha ndaj «dëshmive» të policisë në këtë rast. Ai ka thënë: «Një motor është gjetur i djegur në dalje të Prishtinës. Ky motor i ka ardhur si dhuratë VV-së nga Zvicra. Motori është shfrytëzuar nga njëri prej gjashtë aktivistëve të arrestuar. Disa ditë para se të ndodhte sulmi kundër Kuvendit, motori i është shitur një individi, por pa letra (pra, nuk është legalizuar shitja me dokumente, v.j.). Dëshmitarët kanë thënë se një motor ka ikur nga vendi i ngjarjes (pra, me rastin e sulmit kundër Kuvendit, v.j.). Një motor është gjetur i djegur në Taukbahçe. A është ky motor i djegur ai që ka qenë te Kuvendi?»

Një çështje tjetër është komunikata me të cilën grupi ominoz «Rugovasit» merr përgjegjësinë për sulmin. Sipas Kajtazit vendi prej nga është dërguar komunikata është «hyrja e banesës së kryetarit të VV-së, Visar Ymeri». Sipas policisë IP-adresa prej nga është dërguar komunikata është lokalizuar në banesën e zëdhënësit të VV-së, Frashër Krasniqi.

Eureka! Ndoshta militantët e VV-së vërtet janë verbuar, ndoshta kanë vendosur të merren me aksione terroriste për të rrëzuar këtë pushtet. Por, për veprimet e mundshme terroriste të gjashtë aktivistëve të VV-së policia dhe prokuroria duhet ta bindin opinionin. Deri më tani në këtë rast ka më shumë konfuzion se sa qartësi.

Duke qenë polici e kontrolluar nga politika, e infiltruar deri në postet komanduese me njerëz të shërbimit sekret të Partisë Demokratike të Kosovës, Policia e Kosovës e ka humbur besueshmërinë. Ngjashëm edhe sistemi i drejtësisë, i cili dominohet prej prokurorëve e gjykatësve barkmëdhenj që duke i shërbyer pushtetit të tanishëm duan të heqin njollat nga biografitë e tyre të përlyera në epokën e Jugosllavisë, kur dënonin pothuaj fëmijë për shkak të brohoritjes «Kosova Republikë».

Për të ilustruar se si funksionon sistemi i policisë dhe i drejtësisë në Kosovë duhet të kthehemi në nëntor të vitit 2008. Dikush (ende nuk dihet kush) hodhi një mjet shpërthyes në oborrin e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO). Policia e Kosovës – me gjasë me urdhër të pushtetit - arrestoi tre agjentë gjermanë, duke i akuzuar si autorë të sulmit. Mediat e PDK-së ua publikuan fotografitë zyrtarëve gjermanë dhe këtë rast e shndërruan në një shou të madh publik. Ky shou i konvenonte shumë kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi ,edhe si akt hakmarrjeje ndaj shërbimit gjerman, BND, i cili në një raport e kishte përshkruar si urdhërdhënës vrasjesh dhe figurë kyç të krimit të organizuar. Gjykatësi kosovar që ua kishte caktuar masën e paraburgimit tre agjentëve gjermanë u shpreh i habitur kur në zyrën e tij e pyeta për rastin: «Pashë zotin edhe në Gjermani po interesohen mediat për këtë, a?» Dukej se gjykatësi nuk e kishte idenë për dimensionin e skandalit, ndërkohë që para zyrës së tij prisnin dhjetëra gazetarë të tjerë gjermanë. Një prokuror i këtij rasti ishte i sinqertë. Në zyrën e tij ai me zë të ulët tha: «Nuk ka asnjë dëshmi kundër gjermanëve. Shpresoj se këtë rast do ta zgjidhë politika, e cila na e solli këtu». Kur presioni gjerman u bë i madh, pushteti i PDK-së nuk pati zgjidhje tjetër përveçse të gjejë një mundësi për t’i liruar agjentët. Ishte 28 nëntori i vitit 2008, ditë festive, gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës pushonin. Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, s’arriti atë ditë të gjejë asnjë gjykatës kosovar që do të merrte vendim për lirimin e gjermanëve. Në mbrëmje Kosovën e shpëtoi një gjykatës i UNMIK-ut nga Afrika. Kosova ishte bërë e pavarur në shkurt të vitit 2008, por në nëntor pushteti i PDK-së e rikthente rolin vendimmarrës të UNMIK-ut, duke shkaktuar skandal me një shtet mik. Më parë një organizatë e panjohur shqiptare kishte dërguar një komunikatë, përmes së cilës merrte përgjegjësinë për sulmin. Mund të merret me mend se kush e kishte sajuar këtë organizatë dhe kush e kishte përpiluar komunikatën: natyrisht ata që përpiqeshin ta mbyllnin tani skandalin, sepse nuk u dolën kalkulimet. Ishin kalkulime të mësuara nga doracakët e shërbimit sekret të regjimit të Enver Hoxhës. Shërbimi sekret gjerman, BND, në raportin për Thaçin dhe kamarillën e tij shkruante: «Ata nuk kanë interes të ndërtojnë rend funksional shtetëror, sepse një sistem i tillë do t’i pengonte bizneset e tyre që po lulëzojnë». Ky konstatim, i bërë para më shumë se 10 vjetësh, vazhdon të jetë aktual. Milicia dhe prokuroria e kësaj kamarille pushtetarësh edhe në vitin 2016 kryejnë arrestime të bujshme, por me akuza tejet spekulative. Në dramën «Gjashtë persona kërkojnë një autor» të shkrimtarit italian Luigi Pirandello një personazh thotë: «...nëse ka një çmenduri, ajo, sidoqoftë, është arsyetimi i vetëm i profesionit tuaj». Nëse profesioni i vetëm i pushtetarëve të PDK-së është çmenduria, atëherë gjashtë aktivistët e VV-së mund të paguajnë një çmim të shtrenjtë. Dhe bashkë me ta të gjithë ata qytetarë që nuk pajtohen me këtë pushtet.

[email protected] 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...