3 Shtator 2015 - 09:04 - Enver Robelli
Janë pamje që zor harrohen. Një fëmijë në një çadër bjeshkatarësh përpëlitet mes fshatit Idomeni në Greqi dhe stacionit të trenit në Gjevgjeli (Maqedoni). Në brez e teposhtë është i palëvizshëm, mjekët e kanë futur në gjips. Nëna e tij përpiqet t’ia bëjë jetën sadopak të durueshme derisa presin që policët maqedonas të hapin kufirin dhe karvani i refugjatëve të marrë trenin për të vazhduar rrugën drejt Evropës Perëndimore, tokës së premtuar. Pleq shëndetligj presin për ndihmë para një veture të organizatës “Mjekët pa kufij”. Burra të lodhur nga udhëtimi i gjatë përpiqen që edhe në këto kushte të rënda të ruajnë dinjitetin, të mbajnë pastërtinë, për aq sa kjo është e mundshme në Idomeni.
Përtej dimensionit tragjik të konfliktit duhet parë pasojat. Shifrat shpesh tingëllojnë abstrakte. Në rastin e Sirisë, e cila para fillimit të revoltës në vitin 2011, kishte rreth 21 milionë banorë, kjo domethënë: mbi 200 mijë të vrarë, një milion të plagosur e të lënduar, tetë milionë të shpërngulur brenda vendit, katër milionë të strehuar në vendet fqinje. Këto shifra tregojnë: Siria si shtet faktikisht është shkatërruar dhe shoqëria po shpërbëhet. Ky proces mund të shihet këto ditë edhe në Ballkan, ku mijëra njerëz nga Siria po kalojnë në përpjekje për të gjetur një jetë pa frikë në Perëndim. Lindja e Afërt, siç e kemi njohur deri më tani, ka nisur të zhduket. Çfarë kishte filluar si “Pranverë arabe” dhe ishte mirëpritur në Evropë dhe Amerikë, si fillim i një faze të zhvillimit demokratik, tani mund të quhet vetëm “Dimër arab”. Një dimër i përgjakshëm, kur po bie edhe rendi i Lindjes së Afërt i vendosur në vitin 1916 me Marrëveshjen e famshme Sykes-Picot.
Nëse një vendi si Siria gjysma e popullsisë i është çrrënjosur, atëherë dridhjet janë të mëdha, ndoshta të pariparueshme. Po zhduket shtresa e mesme, shtylla kryesore e shoqërisë, po ikin mjekë e avokatë, ekonomistë dhe inxhinierë, mësues dhe edukatorë, punëtorë socialë dhe pylltarë. Me një fjalë, të gjithë ata që e përbëjnë një shtet. Primatin po e marrin fanatikët fetarë, ata që janë armiq të çdo lloj pluralizmi, ata që duan të imponojnë ideologjinë e tyre të përgjakshme. “Shteti Islamik” nuk është shtet, por projekt për ndërtimin e një shteti po. Në atë kalifat të ëndërruar do të vlenin rregulla të prera për të gjithë dhe do të jetohej vetëm me përkushtim për botën e përtejme, sepse, sipas fanatikëve, çdo gjë në këtë botë është e përkohshme, andaj nuk mungon ngurrimi që në marshin apokaliptik të hiqen qafe të gjithë ata që edhe në këtë botë duan një jetë me dinjitet.
Nuk kanë munguar paralajmërimet mbi shpërbërjen e Sirisë. Në fillim të vitit 2013, ish-ministri i Jashtëm i Algjerisë, Lakdar Brahimi, i cili më parë ishte emëruar i dërguar i OKB-së për Sirinë, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, tha se nëse OKB-ja nuk intervenon, atëherë Siria do të shpërbëhet “para syve tanë”. Pak më vonë ai tha se bota mund të jetë dëshmitare e fundit e Sirisë “siç e kemi njohur”. Dhe shtoi: Siria mund të bëhet “Somali”. Paralajmërimet u dëgjuan, por nuk patën ndonjë efekt. Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbetet i ndarë. Rusia ia mban anën diktaturës së Al-Asadit, Kina luhatet, por në thelb është kundër ndërhyrjes, shtetet perëndimore janë më kritike, por as ato nuk kanë një koncept të qartë si duhet luftuar regjimin e Al-Asadit dhe para së gjithash me kë.
Me paraqitjen e “Shtetit Islamik” në skenën e luftës dhe politikës në Siri, Perëndimi po ballafaqohet me një strukturë edhe më gjakpirëse se armata kriminale e regjimit në Damask. Opozita siriane mbetet e përçarë në grupe të ndryshme interesi, vijat ndarëse etnike, religjioze, konfesionale, sektare, kulturore dhe sociale janë thelluar. Bashkëpunimi me regjimin e Al-Asadit nuk merret në konsideratë nga vendet perëndimore për shkak se Al-Asadi i ka duart tepër të njollosura me gjak viktimash të pafajshme.
Ndërsa protagonistët kryesorë të politikës botërore duket se kanë hequr dorë nga Siria, duke menduar (ndoshta edhe shpresuar) se gjakderdhja në të gjitha frontet e atjeshme do të arrijë atë nivel, saqë palët do të lodhen dhe dorëzohen. Tek pastaj mund të gjendet ndoshta një zgjidhje. Sado cinike të tingëllojë gati ngjashëm ka ndodhur edhe në Bosnjë: zgjidhja u gjend vetëm pasi u mbushën me gjak greminat e luftës. Në librin e tij të ri “Fundi i Lindjes së Afërt, siç e njohim”, eksperti gjerman Volker Perthes shkruan se “Shteti Islamik” mund të dobësohet me vazhdimin e sulmeve nga ajri të shteteve perëndimore dhe me marrjen e kontrollit në qytetin e Mosulit nga ana e ushtrisë irakiane. Ky do të ishte hapi i parë. Pastaj bashkësia ndërkombëtare do të duhej t’i bindte të gjitha palët në Siri (me përjashtim të “Shtetit Islamik”) që të merren vesh për një qeveri kalimtare, detyrë e së cilës do të ishte konsolidimi sipërfaqësor i infrastrukturës dhe mundësimi i kthimit të refugjatëve. Pa një formë të ndarjes së pushtetit nuk mund të ketë paqe në rajon. Për të pasur sukses ky opsion duhet të jenë bashkëpunues shumë fuqi – nga njëra anë evropianët dhe amerikanët, nga ana tjetër Rusia dhe Irani, të dy këto shtete që deri më tani kanë mbështetur regjimin e al-Asadit. Përballë tyre gjendet Arabia Saudite, e cila përkrah grupe të ndryshme xhihadiste sunite në Siri.
“Në Siri”, shkruan Perthes, “njerëzit – ose më konkretisht: përfaqësueset dhe përfaqësuesit e popullsive të ndryshme – dikur duhet të vendosin nëse dhe në çfarë forme duan të jetojnë më tutje në një shtet të përbashkët. Në rastin më të mirë dhe jo vetëm në kuptim abstrakt kjo do të çonte në një lloj kontrate shoqërore. Secila luftë civile një ditë mbaron – qoftë përmes fitores së një pale në luftë, përmes kompromisit apo për shkak të rraskapitjes së përgjithshme. (...) Pa uljen e tensioneve mes Iranit dhe Arabisë Saudite në të ardhmen e parashikueshme në Siri nuk mund të pritet një zgjidhje e konfliktit, por as përpjekjet e shumë emisarëve të Kombeve të Bashkuara nuk do të jenë të frytshme”.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...