22 Tetor 2015 - 08:35 - Enver Robelli
Një gjë duhet pranuar fqinjëve tanë veriorë: askush si ata nuk di të qajë e të vajtojë në mënyrë aq dramatike, aq teatrale, askush si ata nuk di të mobilizojë opinionin në shërbim të agjendave politike. E kemi parë këtë në pranverë pas përleshjes në Kumanovë mes disa shqiptarëve dhe autoriteteve maqedonase.
Në mediumet serbe, sidomos ato bulevardeske, flitej për “rrezikun e Shqipërisë së Madhe”, për gjasat e një lufte të re në Ballkan, paralajmërohej se presidenti Tomislav Nikoliq po e mobilizon ushtrinë në “jug të Serbisë”. Para disa javësh mediumet e Beogradit e fyen rëndë kryeministrin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, duke e quajtur “ustash”, për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy shteteve rreth kalimit të refugjatëve.
Tani stuhia e ka përfshirë Vladimir Kostiqin, kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave të Serbisë, për shkak të një deklarate për Kosovën. Kostiq është me profesion neurolog dhe me siguri më racional në krahasim me shumë akademikë serbë, të cilët serbizimin e kanë shndërruar në profesion. Kostiq ia ka dhënë një intervistë Radio-Beogradit dhe aty ka thënë diçka që në fakt e kanë të qartë të gjithë në Serbi: Kosova është shtet fqinj dhe jo krahinë e Serbisë, siç shkruan në Kushtetutën e këtij vendi dhe siç trumbetojnë shumë politikanë të Beogradit. “Dikush duhet t’i thotë popullit se Kosova de fakto dhe de jure nuk është në duart tona. Mençuria e vetme politike është që Kosova të braktiset”, ka deklaruar Kostiq.
“Turp dhe poshtërim” – ky ishte reagimi i politikanëve dhe mediumeve kundër deklaratës së Kostiqit. Më i zhurmshmi edhe kësaj radhe ishte kryetari Tomislav Nikoliq, ish-shef i varrezave në Kragujevc, pjekës krenar i rakisë, ish-çetnik dhe pjesëmarrës në agresionin e Beogradit kundër Kroacisë dhe Bosnjës, ndërtues shtëpie pa leje ndërtimi. Nikoliq i kërkoi Akademisë ta shkarkojë kryetarin e saj.
Kostiq nuk e theu tabunë vetëm sa i përket Kosovës. Aleancën aq të lartësuar me Rusinë nga ana e Nikoliqit ai e quajti “artificiale”, ndërsa anëtarësimin në Bashkimin Evropian “pa alternativë”. “Mund ta gënjejmë njëri-tjetrin në sy, por alternativa është shumë e qartë”, tha kryetari i Akademisë Serbe të Shkencave.
Ky është një hap në drejtim të duhur, kur të merret parasysh e kaluara e Akademisë serbe si nxitëse e urrejtjes ndërnacionale në Jugosllavi, si udhërrëfyese e nacionalizmit dhe hegjemonisë serbe. Me shkencë dhe humanizëm kjo sjellje e Akademisë serbe nuk ka pasur të bëjë asgjë. Mungesa e gatishmërisë së Akademisë serbe për ta trajtuar në mënyrë kritike të kaluarën e saj vazhdon edhe sot. Një trajtim kritik do të ishte në të mirë të shoqërisë serbe.
Natyrisht figura si Tomislav Nikoliqi nuk do të pajtohen me thyerje të tabuve, por duket se neurologu serb Kostiq ka folur për domosdoshmërinë që gjeneratat e reja në Serbi të shkëputen nga helmi nacionalist. Ky helm ende është i pranishëm, sidomos në Partinë Progresive Serbe (SNS) të Nikoliqit dhe kryeministrit Aleksandar Vuçiq. Ndonëse Vuçiqi sillet si murgeshë për të treguar se ka hequr dorë nga e kaluara e tij ekstremiste, shpesh ai përdor mediumet bulevardeske të kontrolluara prej tij për të njollosur kundërshtarë politikë ose angazhon figura qesharake si regjisorin Emir Kusturica për të mbajtur fjalime në takimet e partisë së tij. Kështu bëri vaki gjatë fundjavës, kur partia e Vuçiqit me një ceremoni në “Sava Centar” të Beogradit shënoi shtatëvjetorin e themelimit. Me një fjalim u paraqit Emir Kusturica, i cili tha se nuk është “rastësi që ishte bash një britanik që na e solli lajmin se hyrja në BE domethënë pranim i Kosovës”. Pas këtyre fjalëve ambasadori britanik braktisi ceremoninë.
Edhe nga perspektiva e nacionalistëve serbë Kosova gjithnjë e më shumë po shihet si betejë e përfunduar. Njëri prej publicistëve më nacionalistë serbë, Gjorgje Vukadinoviq, kështu shkruante këto ditë: “Nëse pranoni që dikush të ketë numrin ndërkombëtar telefonik, nëse ia pranoni diplomat dhe dokumentet, nëse pranoni që nga veriu i Kosovës dhe Metohisë t’i tërhiqni organet tuaja të sigurisë dhe drejtësisë, nëse brutalisht i detyroni bashkëkombësit tuaj të dalin në zgjedhjet parlamentare të shpallura nga organet e ‘Republikës së Kosovës’, kur lufta për Kosovën ‘serbe’ shndërrohet në slogan të thjeshtë (...) -, atëherë përse zemëroheni ndaj tjetrit dhe ç’prisni prej Washingtonit, Brukselit, Burkina Fasos dhe nga Vanuatu?”
Nga këto fjalë jehon frustrimi i thellë. Siç jehojnë edhe reagimet e politikanëve serbë në lidhje me hapjen e kapitullit 35 në kuadër të anëtarësimit në BE. Gjatë negociatave për këtë kapitull Serbia në një mënyrë duhet të pajtohet me ekzistencën e Kosovës si shtet, ndonëse derisa të hapet ambasada e parë e Serbisë në Prishtinë do të kalojnë edhe disa vjet. Por treni është nisur dhe pikërisht për këtë Nikoliqi po e humb kontrollin, duke i krahasuar kushtet e Berlinit me ultimatumin e Austro-Hungarisë ndaj Serbisë në korrik 1914, vetëm disa javë pas vrasjes së arqidukës Franz Ferdinand nga ana e anarkistit serb Gavrilo Princip.
Pala gjermane reagoi me habi ndaj llomotitjeve të Nikoliqit, i cili si president vendi nuk duhet të marrë vendime të rënda, siç është për shembull shkurtimi i pensioneve. Nikoliqi në vjeshtë mund t’ua heqë bërthamën kumbullave dhe të merret me pjekje të rakisë, ndërsa kryeministri Aleksandër Vuçiq duket më i vetëdijshëm për kaçikun e Serbisë. Ai tha se më parë do të jepte dorëheqje sesa të prishte miqësinë me Gjermaninë, e pranoi se Beogradi nuk ka fuqi të pengojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, e mbrojti nga kritikat e ashpra kryetarin e Akademisë, Kostiq, duke thënë se çdonjëri ka të drejtë të ketë mendimin e vet.
Kjo kakofoni tregon se politikanët serbë e kanë vërejtur se herët apo vonë do të gjenden para pyetjes së pashmangshme: të integrohet Serbia në BE duke hequr dorë nga Kosova apo të jetojë me iluzione, të cilat do ta largojnë nga Evropa? Kësaj pyetjeje, kuptohet, nuk mund t’i përgjigjet një provincial si Tomislav Nikoliqi. Kushedi, ndoshta pas tij në postin e kryetarit të Serbisë vjen ndonjë neurolog.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...