2 Tetor 2014 - 08:28 - Enver Robelli
1.
Njëherë duhej të ndodhte: je nisur të shkosh diku dhe ke harruar pasaportën. Një zemërim i lehtë dhe një shpresë e vogël të sillen në mendje: ndoshta mund të udhëtosh me letërnjoftim. Me hapa të pasigurt dhe duke i dhënë vetes kurajë afrohesh te sporteli, nxjerr letërnjoftimin dhe bëhesh sikur s’të mungon asgjë. “A e keni pasaportën me vete?”, pyet zonja e sportelit. “Jo, por unë mund të udhëtoj me letërnjoftim në Kosovë”, pason përgjigjja. Akrepat e orës lëvizin me shpejtësi, ora është 10:50, një orë më vonë avioni do të jetë në pistë, gati për t’u ngjitur në qiell.
“Jo, në Kosovë s’lejohet hyrja me letërnjoftim të Zvicrës. Në Serbi po, Kroaci, Sllo...”. Sqarimet e zonjës vazhdojnë dhe koha ecën. Një vërshim i ri me pyetje përplaset në kokë. Të kthehesh në shtëpi për të marrë pasaportën nuk të mjafton koha. Ajo s’mjafton edhe nëse dikush niset nga shtëpia dhe vjen fluturimthi në aeroportin e Zürichut me pasaportë në dorë. Sepse sporteli do të mbyllet “në orën 11:10”, thotë zonja dhe zëri i saj tingëllon aq i vendosur, saqë udhëtari s’e merr guximin të bëjë pyetjen e marrë: “A nuk mund ta shtyni pak, nja 10-15 minuta?” Jo, këtu s’shtyhet asgjë. Rregullat janë rregulla që duhet respektuar.
Zonja e sportelit ka një propozim: “Shkoni pyetni në zyrën e policisë këtu afër nëse mund t’ju lëshojnë një pasaportë të përkohshme. Por, dyshoj që mjafton koha”. Në orën 10:59 udhëtari hyn në zyrën e policisë. Në sportelin e parë një burrë (me gjasë nga Azia) ia shpjegon një policeje se një grua, “e cila fliste me aksent të Europës Lindore”, i kishte vjedhur ca gjësende. Sporteli tjetër është i zbrazët, ora është 11:00, polici dëgjon me durim shqetësimin e udhëtarit harrestar dhe pa një pa dy thotë: “Hyni në kabinë, të bëjmë një fotografi. Më lini këtu letërnjoftimin që t’i marr të dhënat personale dhe kthehuni te zonja në sportel dhe thoni asaj të pranojë valixhen, sepse pasaporta do të bëhet gati sa më shpejt që të jetë e mundshme”. Derisa valixhja niset në shiritin lëvizës drejt labirinteve të teknologjisë moderne, udhëtari e ka mendjen te pasaporta.
A do të jetë gati apo jo? Në orën 11:09 minuta polici me lehtësi të vetëkuptueshme thotë: “Urdhëroni pasaportën. Mos harroni ta nënshkruani. Harrova t’ju them: kushton 150 franga. Ju uroj një udhëtim të rehatshëm”. Tingëllon e pabesueshme, por administrata zvicerane është aq efikase, saqë në aeroport të lëshon një pasaportë për 9 minuta. Kështu bëri vaki javën që shkoi.
Në këso çastesh njeriu ndihet jo vetëm i befasuar dhe i lehtësuar, por edhe i lumtur që tatimet që ia ka paguar shtetit tani po i kthehen në formën e shërbimit që të lë pa frymë, sidomos kur ke përvojë modeste me administratën e vendeve ballkanike, siç janë Kroacia, Kosova, Shqipëria, Serbia... Shembulli i mësipërm nga aeroporti i Zürichut tregon se zyrtarët e shtetit zviceran e shohin veten si shërbëtorë të qytetarëve, prej të cilëve marrin rrogat.
2.
Aterron në Prishtinë, kalon kontrollin e pasaportave, pastaj ndalesh në “Duty-free-shop”, blen diçka dhe e paguan me kartelë. Aparati për leximin e kartelës të përshëndet anglisht “Welcome” dhe turqisht “hoşgeldiniz”. Shqipja është gjuhë e padëshiruar, me sa duket. Në terminalin e ri të aeroportit të Sllatinës, që e bart emrin e “Adem Jasharit” si maskë patriotike, udhëtarët që vijnë nga Perëndimi mirëpriten me reklama të spitaleve turke të hapura në Kosovë. Ky është mbase një absurd me brirë, sepse sistemi shëndetësor turk nuk mund të matet me atë zviceran, gjerman apo austriak, në kuadër të të cilit janë të siguruar të gjithë shqiptarët që jetojnë legalisht në trekëndëshin Berlin, Vjenë, Gjenevë. Zor të përfytyrohet një shqiptar, i cili vjen ekstra nga Europa Perëndimore për të operuar zemrën apo veshkat në spitalin e çfarëdollojshëm turk në Prishtinë.
Në spitalet e kësaj kategorie në Prishtinë mund të shtrihet ndokush që ka ndërmend të bëjë dallavere me sigurimet shëndetësore në Zvicër, Gjermani apo Austri. “Për shembull me operacione fiktive”, siç supozon një mjek shqiptar me përvojë në një vend nordik.
3.
“Taksi, taksi” – jehojnë zërat në hyrje të Aeroportit të Prishtinës. “25 euro e kemi deri në Prishtinë”, thotë njëri, “po hajt për 20 shko”. Derisa pret që i njëjti shofer me të cilin sapo u more vesh për çmim të futet në veturë për të vazhduar rrugën, vjen një taksist tjetër dhe menjëherë nisë një potere e madhe. “Përse po bën pazar në emrin tim. Kështu po ia bën përherë.
Nuk është korrekte kjo”, i thotë ai kolegut të tij. Udhëtari që nuk i ka faj askujt për mosmarrëveshjen mes dy taksistëve mbetet duke pritur përfundimin e fjalosjes. Më në fund shoferi hyn në veturë. Udhëtari detyrohet të dëgjojë deri në Prishtinë një monolog mbi shtetin e Kosovës që s’është në shërbim të qytetarëve, por vetëm të pushtetarëve. Ky është rrëfimi i taksistit: “3 euro paguanim për parking. Sapo e mori turku menjëherë e bëri 6 euro. Nuk të rrejë. I kam bërë 55 vjet. Populli është shumë i mirë, por këta e kanë lëshuar rrugën. Një send që nuk e merr me hallall dhe këqyr të bëhesh milioner, hairin nuk ia sheh. Janë bërë milionerë, e kanë hëngër Prishtinën e Pejën, Gjakovën, krejt Kosovën.
Kur u bënë këta milionerë? Njerëzit janë fabrikantë dhe nuk e kanë gjithë këtë pasuri. E ti? Ti brenda natës milioner. 25 vjet përvojë pune i kam në fabrika të Kosovës. Krejt me letra. E tash jam pa punë. Tash mbijetoj si taksist në aeroport. Jam futur në kredi, 8 mijë euro, e kam blerë këtë veturë. Duhet t’i kthej 12 mijë. E krejt këtë e kam bërë që së paku fëmijëve t’ua sigurojë bukën. Kredia në Kosovë është fajde. Merr 8 mijë dhe kthe 12 mijë a 13 mijë. Një litër tambël këtu kushton 1 euro. 50 centë në Gjermani.
Një zbutës i teshave 4.50 euro. 99 centë në Gjermani dhe rroga 1500 euro. Zvicra - xheneti i dynjasë. Për lakmi. Me një shtet ku sundon ligji dhe ku nuk cenohen të drejtat e njerëzve aty ka edhe bereqet. Shteti të jep të drejtën e ushqimit, shkollimit, punësimit. Këtu në Kosovë asnjërën nuk e ke. Këta tanët ia falën aeroportin turqve, nuk ia shitën. Për 20 vjet ia falën.
Ne jemi veç e zeza e vetes. Krejt këto biznese me taksie në aeroport i ka kontrolluar Shukri Buja. Tash ai le ta këqyrë Stambollin. U bë milioner Buja, gjë të gjallë nuk kishte. Ne nuk ia mohojmë meritat e luftës atij, as vëllait të tij. Por, Shukri Buja për dy mandate u bë milioner”. Kështu tingëllon zëri origjinal i popullit.
4.
“A po më sheh si jam kështu i veshur?”, thotë kamerieri i parë që të shfaqet para syve në Prishtinë: “Qe besa as në shtëpi nuk do të shkoja të ndërrohem, por do të ikja nga këtu menjëherë, kështu i veshur me rroba kamerieri, drejt në Zvicër”.
Ndonëse gazetari që gjendet para tij nuk e ka përshtypjen se duket si ndërmjetësues martesash, megjithatë kamerieri ka një lutje të drejtpërdrejtë: “A ma gjen një nuse me letra në Zvicër?” Për fatin e keq të kamerierit dhe për fatin e mirë të diasporës gjithnjë e më shumë vajza shqiptare në Perëndim po mendojnë – me të drejtë – se ndjenjat nuk mund të importohen, madje as nga Kosova.
5.
“E gjithë kjo është vetëm një komedi. Mbreti dhe dhomat e parlamentit qeverisin, populli duartroket dhe paguan”, u shkruante nga Franca prindërve të tij shkrimtari gjerman Georg Büchner. “Populli i mjerë tërheq me durim qerren, mbi të cilën princërit dhe liberalët luajnë komedinë e tyre të majmunëve”, bërtet Büchner me zjarr revolucionar: “Mendimi im është ky: nëse në kohën tonë diçka të ndihmon, atëherë ajo është forca. Ne e dimë se çfarë mund të presim prej princërve tanë. (...) Çka e quani ju gjendje ligjore?
Një ligj, i cili masën e gjerë të qytetarëve e bën kafshë skllavëruese për t’i kënaqur nevojat e panatyrshme të një numri të vogël të njerëzve të parëndësishëm dhe të kalbur? Ky ligj, i përkrahur nga pushteti i ashpër ushtarak dhe nga dredhitë e marra të agjentëve të tij, ky ligj është një dhunë e përhershme, e ashpër, që ushtrohet mbi të drejtën dhe arsyen e shëndoshë, dhe unë do të luftoj me gojë e me dorë kundër tij kudo ku mundem”.
Gjermania është bërë vend i sundimit të ligjit edhe falë shkrimtarëve militantë si Georg Büchner, i cili para gati dy shekujve e quante veten “mik të popullit”. Kosova nuk duhet të presë as dy shekuj, as dy ditë për t’i hequr qafe shkelësit e lirisë dhe plaçkitësit më të mëdhenj të pasurisë së saj, të cilët po i bëjnë konkurrencë madje edhe regjimit të dikurshëm të Slobodan Milosheviqit.
[email protected]
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...