“Rruga Hyrë Emini”

22 Dhjetor 2016 - 08:20 - Enver Robelli      

Mbi kaosin, nacionalizmin megaloman dhe rrugët e Prishtinës

Në qendër të Prishtinës, në zemër të qytetit, nëse ky qytet i helmuar prej lloj-lloj gazesh, ka vërtet zemër, ekziston një rrugë me emrin “Garibaldi”. Një rrugë në kujtim të Guiseppe Garibaldit, luftëtarit të madh për bashkimin e Italisë dhe largimin nga pushteti të monarkisë. Garibaldi ishte pjesë e Risorgimentos, lëvizjes për unifikimin e vendit të ndarë në shtete të ndryshme. Kishte shtete kishtare, mbretëri në jug e në veri, austriakët mbanin nën kontroll Venedikun dhe krahinat në verilindje, mbreti Viktor Emanuel II i Sardenjës kishte organizuar një sistem shtetëror liberal. Nga ky konglomerat shtetesh u krijua Italia dhe një nga figurat më meritore për këtë ishte Guiseppe Garibaldi.

Në qendër të Prishtinës, në zemër të qytetit, nëse ky qytet i helmuar prej lloj-lloj gazesh, ka vërtet zemër, rruga me emrin “Garibaldi” vazhdon të ekzistojë, por aty diku tani është edhe një rrugë e re. Krahas Garibaldit, i cili i bën rojë rrugës nga ish-ndërtesa e Bankkosit deri tek ish-Pallati i Shtypit dhe tutje në drejtim të Dragodanit, tani banorët dhe vizitorët e Prishtinës duhet të mësohen me një emër të ri. Rruga ka marrë emrin «Hyrë Emini». Mësojmë nga burimet publike se kjo grua paskësh qenë trime me fletë, trime e vërtetë, paskësh luftuar në Kosovë dhe në Maqedoni - për Shqipëri e Iliri. Atje, në Maqedoni, ajo paskësh rënë heroikisht për “çështjen kombëtare“, siç thuhet rëndom. Për heroizmin e saj gjenden edhe këngë në një kanal muzike në internet. S’kemi asnjë arsye të mos besojmë në bëmat e kësaj gruaje, as në përkushtimin e saj patriotik.

Megjithatë, duhet pyetur: a e ka vendin në qendër të Prishtinës edhe një luftëtare e luftës së fundit? A duhet që rrugët në qendër të Prishtinës të bartin vetëm emra njerëzish që mjet pune kishin kryesisht kallashnikovin dhe rrallë ose kurrë lapsin? Sigurisht këta njerëz, të cilët janë sakrifikuar për lirinë e vendit apo kauza të tjera, nuk mund të kundërshtojnë për së vdekuri të gjallët, popullistët, manipuluesit, nacionalistët e rinj, të cilët (keq)përdorin emrat e tyre për agjenda të mëdha, plane të mëdha, projekte të mëdha, shtete të mëdha.

Sipas pikëpamjes megalomane: a nuk u vra edhe Hyrë Emini për një projekt të madh? Për Shqipërinë e shtrirë nga Saranda në Ohër e tutje në Mitrovicë? A nuk angazhohet edhe Lëvizja Vetëvendosje për realizimin e këtyre planeve dhe idealeve, së paku me retorikë? Për të zhvilluar këtë betejë, në qendër të Prishtinës edhe një rrugë merr emrin e një pjesëtareje të UÇK-së - thuajse nuk janë zaptuar krejt rrugët e kryeqytetit me emra “komandantësh legjendarë”, luftëtarësh dhe patriotësh të viteve ‘90. Disa prej tyre, po të ishin gjallë, do të turpëroheshin që emrat e tyre keqpërdoren për zaptim simbolik të qytetit, për shlyerje të emrave të tjerë, për rishkrim të historisë. Në këto rrethana të zaptimit të rrugëve me emra pa asnjë kriter, duhet përgëzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe komisionin për emërimin e rrugëve që kanë arritur të “gjejnë” edhe një rrugë në qendër të qytetit, së cilës ia kanë vënë emrin “Hyrë Emini”.

Aty, në qendër të Prishtinës, nuk kishte vend për Radovan Zogoviqin. Kush është ky? Tingëllon diçka si sllav? Me siguri ka qenë armik i shqiptarëve. Me siguri emrin e tij ia kishte vënë një rruge në lagjen Pejton ndonjë “parti e Beogradit”, ndërsa tani, shyqyr, erdhi Vetëvendosja, partia që me “sapun patriotik shqiptar” dëshiron t’i pastrojë rrugët e kryeqytetit. Hiqe Radovan Zogoviqin, poetin e madh malazez, denoncuesin e krimeve kundër shqiptarëve. Fute aty diku te Garibaldi edhe një luftëtare, sepse mentaliteti ynë provincial kështu e do. Radovan Zogoviqi është përzënë nga qendra.

Në qendër të Prishtinës nuk ka vend për poetin Azem Shkreli, për letrarin Esad Mekuli, për shkrimtarin Anton Pashku, për juristin Gazmend Zajmi, për sociologun Fehmi Agani, për Mirko Gashin, për Beqir Musliun, për Gani Bobin, për Agim Çavdarbashën, për Hasan Mekulin, Dervish Rozhajën, Musa Haxhiun. S’ka vend as për shkrimtarë të njohur botërorë si Johann Wolfgang von Goethe, Friedrich Schiller, Franz Kafka, Jean-Jacques Rousseau, Vaclav Havel, Dostojevskin, Pushkinin. Nuk ka vend për “Rrugën e Varshavës”, “Rrugën e Berlinit”, “Rrugën e Londrës”, “Rrugën e Parisit”. Neve na mjafton “Rruga Hyrë Emini”. Na mjaftojnë ngjarjet të cilat përdoren e keqpërdoren për agjenda të politikës ditore dhe për synime marramendëse. Sepse duket që historia edhe për Vetëvendosjen fillon dje, më së largu pardje.

Revolucionari i përjetshëm Guiseppe Garibaldi ankohej se në kohën e tij Evropa shtypej nga despotizmi dhe gënjeshtra, andaj e kishte të vështirë të merrte veten. A mund ta marrë veten Kosova më shumë se një shekull pas Garibaldit? “Një njeri jeton për të qenë i dobishëm për masat. Dhe vlera e një njeriu përcaktohet nga dobia që ai u sjell njerëzve të tjerë. Të lindësh, të jetosh, të hash, të pish dhe të vdesësh - këtë mund ta bëjë edhe një insekt”.
Në qendër të Prishtinës, në zemër të qytetit, nëse ky qytet i helmuar prej lloj-lloj gazesh, ka vërtet zemër, një ditë as për Garibaldin nuk do të ketë vend. Sepse ne kemi shumë heronj e heroina, por pak rrugë, pak bulevarde dhe pak politikanë që janë të aftë të kapërcejnë gardhin provincial.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...