Një gjykatë për të mirën e Kosovës

24 Prill 2014 - 08:43 - Enver Robelli      

Themelimi i Gjykatës Speciale u jep fund spekulimeve për krime të llahtarshme nga ana e kryengritësve shqiptarë të Kosovës. Kundër trajtimit juridik të kësaj lënde mund të jenë vetëm ata që nuk e kanë kuptuar ende se si shtet Kosova duhet të marrë edhe vendime të rënda dhe individët nuk mund të qëndrojnë mbi Republikën

Nën masa të rrepta të sigurisë dhe me procedurë të shpejtë Kuvendi i Republikës së Kosovës me një shumicë befasisht të lartë prej 89 votash e ka miratuar vazhdimin e pranisë së Misionit të Bashkimit Evropian (EULEX) në Kosovë dhe, në kuadër të këtij vendimi, edhe themelimin e një Gjykate Speciale, e cila do të merret me akuzat e rënda të ngritura në një raport të Këshillit të Evropës kundër një grupi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Gjykata do të ketë seli të dyfishtë: në Prishtinë dhe, me gjasë, në Hagë. Pritet që Tribunali i përbërë nga gjykatësit ndërkombëtarë të fillojë punën deri në fund të këtij viti ose më së largu në fillim të vitit 2015. Pas presionit nga ana e shumë diplomatëve të Bashkimit Evropian, nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe pas letrës “këshilluese” të nënpresidentit amerikan, Joseph Biden, votimi në favor të Gjykatës Speciale nuk paraqet ndonjë befasi. Votimi kundër do të ishte një uverturë për konfrontim politik dhe juridik me aleatët e Kosovës, pa të cilët ky vend – me gjithë aq shumë gjak të derdhur e aq shumë sakrifica që nga viti 1912 – nuk do të ishte bërë i pavarur.
Kjo shoqëri duhet ta pranojë hapur: pjesëtarë (individë!) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e mundshme të kenë kryer krime gjatë luftës. Diçka që është pëshpëritur prej vitesh duhet të thuhet hapur, më në fund. UÇK – edhe këtë po ashtu duhet thënë hapur – ka qenë një trupë kaotike.

Po të kishte qenë ndryshe, komisari i saj politik, Hashim Thaçi, nuk do të thoshte në Euronews: “Kam qenë larg fronteve të luftës”, ndërsa pak ditë më vonë në televizionin e tij propagandistik në Tiranë, Top channel, i njëjti, Thaçi, do të fliste për heroizmat e tij marramendës. Ku gjendet e vërteta dhe ç’është propagandë në deklarimet e Thaçit? Kjo mbetet enigmë. Por shoqëria e Kosovës duhet të bëjë hapa përpara dhe të mos (bashkë)jetojë më me enigma.

Është në nderin e secilit njeri normal në Kosovë që të marrë parasysh se ka të vrarë edhe në mesin e komuniteteve të tjera në Kosovë dhe individët që i kanë kryer këto krime duhet të përgjigjen në kuadër të një procedure të pavarur penale. Si shoqëri po ia shohim sherrin një “kulture kujtimi” të imponuar nga garda absurde e komandantëve që me arrogancë të pashoqe s’pranon asnjë gabim sa i përket kohës së luftës. Gjithçka arsyetohet me luftën e drejtë. Me këtë kryeneçësi luftën e drejtë mund ta bëjmë të padrejtë. Kjo bëhet lehtë nëse si shoqëri rreshtohemi pas 5 apo 10 të dyshuarve për krime lufte. Por, të tillët nuk e meritojnë solidaritetin e shoqërisë, sepse kanë keqpërdorur luftën për çlirim nga terrori i Beogradit. Ideja për çlirim, lëvizja për pavarësi është diçka më e madhe. Edhe si ide, edhe si sakrificë. Nëse shikojmë në retrospektivë, atëherë shohim një të keqe që na ka shoqëruar gjatë: edhe ato pak gjykime që janë zhvilluar kundër individëve shqiptarë për krime lufte shumica e njerëzve në Kosovë i ka përcjellë me indiferencë, madje është pajtuar që persona që duhet të jenë në burg - të jenë në Parlament ose në poste të tjera të larta!

Gjykata Speciale po themelohet për shkak se si shoqëri për 15 vjet e kemi penguar drejtësinë. Kemi qeshur kur matrapazë (mes tyre edhe kinse gazetarë) shkonin në vende nordike për të kërcënuar dëshmitarë; kemi qeshur kur gjykatës vendës s’kanë pasur guxim të pajtohen me dënimet për krime lufte që i kanë shpallur kolegët e tyre ndërkombëtarë; kemi qeshur kur pas luftës vritej një bullgar i shkretë, të cilin e kishin pyetur në serbisht: “Koliko je sati?” dhe ai në qendër të Prishtinës ishte përgjigjur sllavisht; kemi qeshur kur po ashtu në qendër të Prishtinës u përgjak një boshnjak vetëm pse e kishin dëgjuar duke folur sllavisht (e vetmja gazetë që e ka alarmuar si duhet opinionin atëbotë ka qenë “Koha Ditore” dhe për këtë gazeta dhe gazetarët janë atakuar nga bandat “patriotike”); kemi qeshur si shoqëri kur një serb (profesor i Universitetit të Prishtinës) u kall i gjallë në veturën e tij më 26 nëntor 1999.

Si shoqëri mund të vazhdojmë të qeshim edhe më tutje. Fundja, qeshja pa arsye është tipar i shoqërive të papjekura, parapolitike, të pavetëdijshme për arsyen pse ekzistojnë. Me sa duket, si shoqëri nuk e kemi kuptuar se të kesh e të jesh shtet domethënë të marrësh edhe vendime tejet të rënda. Dje në Kuvendin e Kosovës u mor një vendim i tillë, por jo pse kjo shoqëri është e gatshme të merret me anët e errëta të së kaluarës së saj më të re, por për shkak se erdhën amerikanët (e me ta edhe evropianët) dhe thanë: ne akuzat e Raportit të Këshillit të Evropës i marrim seriozisht dhe duam t’i dënojmë fajtorët! Kur e saboton drejtësinë 15 vjet – asgjë tjetër mos prit përveçse një Gjykatë Speciale! Nuk duhet harruar edhe një gjë: sa është qeshur pastaj kur vriteshin dëshmitarët (potencialë). Sa është qeshur në këtë shoqëri kur vriteshin rivalë politikë e thuhej: “Krejt këto po i bën Serbia”, ndërkohë që vrasësit kanë mundur të pinin kafe fare afër nesh, në Prishtinë e Pejë, ta zëmë.

Secili njeri në Kosovë sot duhet ta vërë gishtin në kokë e të pyes: përse paskësh arsye bashkësia ndërkombëtare të jetë kundër Kosovës dhe të themelojë Tribunal për krime të luftës të kryera nga pala shqiptare? Kjo është e njëjta bashkësi ndërkombëtare që ka ndihmuar në çlirimin e Kosovës. E njëjta që ka harxhuar miliarda për strehimin e qindra-mijëra refugjatëve në rajon, në Evropën Perëndimore dhe gjetiu në botën e lirë. Por, kjo është e njëjta bashkësi ndërkombëtare që ka arritur këtë nivel të lartë zhvillimi edhe falë sundimit të drejtësisë. Andaj kjo bashkësi ndërkombëtare s’mund t’i mbyllë sytë para dyshimeve serioze për krime.
Këto ditë nëpër medie sociale, aty ku primitivizmi shqiptar gjen hapësirë të madhe, dëgjohen e mund të lexohen fjalë si kjo: „Evropa kurvë nuk e ka dënuar asnjë urdhërdhënës serb të krimeve ndaj shqiptarëve në Kosovë“! Me këtë fjali absurde e gënjeshtra të tjera po bëjnë propagandë militantë të verbër partiakë, patriotë të shpifur dhe disa nacionalistë të nivelit të hallvaxhinjve. E vërteta është se nga Tribunali i Hagës janë dënuar: Nikola Shainoviq, zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, i ngarkuar për Kosovën – 22 vjet burg;

Dragolub Ojdaniq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë – 15 vjet burg; Nebojsha Pavkoviq, komandant i Armatës së Tretë, e cila ka qenë përgjegjëse për territorin e Kosovës – 22 vjet burg; Vladimir Lazareviq, komandant i Korpusit të Prishtinës – 15 vjet burg; Vlastimir Gjorgjeviq, zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Serbisë, shef i Sektorit për siguri publike, përgjegjësi kryesor për bartjen e kufomave të shqiptarëve të Kosovës në Serbi – 18 vjet burg. Pastaj: Slobodan Milosheviq, i akuzuar për krime lufte, ka vdekur gjatë procesit gjyqësor në Hagë; Vlajko Stoilkoviq, ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë, ka bërë vetëvrasje në shkallët e Parlamentit në Beograd për të shmangur ekstradimin në Hagë. Krahas këtyre Gjykata për krime të luftës në Beograd ka dënuar një sërë kryerësish të krimeve të luftës.
Sigurisht që ky numër i të dënuarve nuk mjafton, kur të shihen përmasat e krimit në Kosovë.

Kur të shihen Meja e Krusha e Madhe, Prekazi e Suhareka. E shumë e shumë vende të tjera që janë shndërruar në fshatra të vdekura. Megjithatë, është skandaloze që individë të papërgjegjshëm në mesin e shoqërisë shqiptare në Kosovë luajnë me emocione, gënjejnë dhe shpifin se “askush nga pala tjetër nuk është dënuar”.

15 vjet pas luftës duhet të themi: boll më me çervish-patriotizëm. Si shoqëri të përulemi para heronjve, por kriminelët t’i çojmë në burg. Nëse nuk e patëm fuqinë që këtë punë të rëndë ta kryejmë vetë, atëherë t’u jemi mirënjohës atyre që në këtë rrugëtim të vështirë na ndihmojnë. Në të njëjtën kohë si shoqëri ne kemi të drejtë absolute të denoncojmë e kritikojmë bashkësinë ndërkombëtare, e cila me vite të tëra në emër të “stabilitetit politik” ka bërë kompromise me politikanë, me dosje të trasha krimi. Por, kritika ndaj ndërkombëtarëve nuk mjafton. Kjo shoqëri duhet të krijojë alternativë të re politike. E alternativa s’krijohet duke bërë kompromis me krimin.

[email protected]
 
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...