14 Prill 2016 - 08:35 - Enver Robelli
Gjëra të çuditshme ndodhin në shoqërinë tonë. Në Republikën tonë. Për herë të parë pas luftës autoritetet e Kosovës kanë arritur të arrestojnë njërin prej gjeneralëve kryesorë të regjimit serb, i cili ka shërbyer në Kosovë në vitet më të tmerrshme – në gjysmën e dytë të viteve nëntëdhjetë. Milovan Bojoviqi, një llapjan i fshatit Peran, (selo Perane, po thonë mediat serbe), është ndaluar për kalim ilegal të kufirit me Kosovën. E kanë çuar në burg, e kanë nxjerrë para gjyqit, ia kanë dhënë 30 ditë burg, sepse Bojoviqi, siç u tha, e paskësh kaluar kufirin ilegalisht. Kushedi, ndoshta Bojoviqi ka hyrë shumë herë legalisht në Kosovë, pa u rënë në sy autoriteteve tona.
Kush është Milovan Bojoviqi? Thënë shkurt: njëri prej oficerëve serbë më të besueshëm dhe më besnikë të Slobodan Milosheviqit. Në fund të shërbimit në Kosovë, Bojoviqi ishte komandant i Korpusit të Prishtinës të Armatës Jugosllave. Se çfarë roli luante ai më herët, për këtë ka treguar vetë Milosheviqi në një mbledhje të Këshillit të Lartë të Mbrojtjes në Beograd, një instancë që ka marrë vendimet më të rëndësishme dhe më kriminale për agresion ndaj Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. Në një mbledhje të mbajtur në vitin 1994, atëherë kur digjej Ballkani, Milosheviqi thoshte: “Milovan Bojoviqi është kosovar, i cili nuk duhet ta shikojë fare hartën, ai e di çdo fshat në Kosovë.
Ne dikur e patëm vendosur komandant të Mbrojtjes Territoriale në Kosovë. (…) Korpusi i Prishtinës është korpus goditës, shumë i zhvilluar, 90 për qind i plotësuar dhe me rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë e territorit tonë. (…) Mendoj se atij (Bojoviqit) duhet dhënë gradën gjeneral nënkolonel. (...) Babai, nëna, gjyshi i tij, të gjithë janë në Kosovë. Gjeneral i tillë na duhet atje”. Për Milosheviqin Bojoviqi kishte bërë riorganizimin komplet të Mbrojtjes Territoriale – “ashtu siç i kemi thënë”. Mund të merret me mend çfarë ka bërë Bojoviq: përjashtim dhe izolim të kuadrit shqiptar, forcim të krahut nacionalist serb në Mbrojtjen Territoriale.
Është shumë e mundshme që Bojoviqi do të largohet nga Kosova pa therë në këmbë.
Në mediumet tona lajmi për arrestimin e tij nuk i bëri ndonjë jehonë të veçantë. Po të kishte Kosova gjyqësor të mirëfilltë Bojoviqin do e priste aktakuza e gatshme për krime të luftës. E ka thënë qartë Tribunali i Hagës: Korpusi i Prishtinës ka kryer krime të llahtarshme mbi popullsinë civile shqiptare. Mbi bazën e këtyre gjetjeve një prokuror kosovar ka mundur ta përgatisë aktakuzën. Kur të shkruhet historia e mirëfilltë e Kosovës, një kapitull do të ketë këtë titull: “Si na vranë dhe si nuk mbeti askush për të treguar për krimet dhe për të luftuar për drejtësi”.
Në përpjekje për t’u dukur të moderuar, në tentim për t’u hyrë në hatër diplomatëve të caktuar, politikanët e Kosovës, sidomos ata që u frikësohen mëkateve të tyre të mundshme në të kaluarën, po përpiqen që konfliktin shekullor me Serbinë ta prezantojnë si një kacafytje mes pijanecëve që janë takuar rastësisht te Udhëkryqi i Komoranit. Nuk duhet të ketë armiqësi shekullore mes popujve, por e vërteta duhet të thuhet para çdokujt: Serbia ka vrarë dhe grirë shqiptarë pandërprerë. Dhe ëndrrën e vrasjeve dhe grirjeve nuk e ka varrosur ende! Në Kosovë liri gëzojnë edhe të dyshuarit për vrasje (për fat të keq).
Ndërsa gjenerali Bojoviq pret të lirohet nga burgu, autoritet e Kosovës – njëjtë si ato të Kroacisë – ia kanë ndalur hyrjen në territorin kosovar racistit Vojislav Sheshel.
Por mes Kroacisë dhe Kosovës ka një dallim. Në Kroaci Sheshelin e pret aktakuza e gatshme, në Kosovë e presin prokurorë që nuk kanë mbajtur evidencë për asnjë krim të tij. Në një vend normal – Kosova do të vuajë shumë derisa të jetë vend normal – Prokuroria e Shtetit do të kishte të grumbulluara krejt faktet – prej paraqitjes së parë të Sheshelit në opinionin publik deri në shkuarjen e tij në Hagë në shkurt 2003. Shesheli është ai që ka kërkuar që për zgjidhjen e çështjes së “krahinës jugore serbe të populluar me pakicën shqiptare” shteti i Serbisë t’i infektojë shqiptarët me virusin HIV (në opinion e njohur si sëmundja e Aids/Sida). 17 vjet liri dhe me gjasë asnjë institucion i Kosovës nuk e ka siguruar apo ruajtur këtë dokument.
Shesheli është ai që ka përgatitur klimën e krimeve masive serbe mbi popullsinë shqiptare në Kosovë. Ka ardhur në Kosovë në vitet ‘90 për të nxitur dhunën e terrorin mbi shqiptarët. Në këtë fushatë është përkrahur nga Tomislav Nikoliqi, pjekësi mbase më i mirë i rakisë dhe kultivues i marrëzisë, nga Aleksandar Vuçiqi, një zjarrvënës politik që e ka përkrahur si represionin në Kosovë, ashtu edhe vrasjen e mbi 10 mijë njerëzve në Sarajevë (mes tyre 1.600 fëmijë) dhe sot, bash sot, shkon në Bruksel dhe shtiret se dëshiron pajtim në Ballkan. Pastaj vjen në Kosovë, kërkon “Trepçën”, Liqenin e Gazivodës, Mitrovicën, Pejën, Anamoravën, Brezovicën... Dhe ne kemi politikanë që e kanë hapur rrugën për këtë hata, sepse kështu po e kërkuakan integrimet evropiane...
[email protected]
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...