15 Maj 2014 - 09:40 - Enver Robelli
Mbi domosdoshmërinë e rilindjes së Republikës!
“Ndoshta ju do të pyesni se çfarë Republike ëndërroj unë. Unë ju përgjigjem: një Republikë të pavarur, të lirë, demokratike, ekonomikisht prosperuese dhe njëkohësisht një Republikë të drejtë në aspektin social, shkurt një Republikë njerëzore, e cila i shërben njeriut dhe për këtë arsye shpreson se edhe njeriu do t’i shërbejë asaj. (...) Ajo çfarë guxon të kërkojë individi dhe jo vetëm guxon, por edhe duhet, është ajo çfarë keni kërkuar ju, Vaclav Havel: të drejtat e njeriut, bukën e përditshme për secilin, barazinë para ligjit, lirinë e mendimit, lirinë e grumbullimit, transparencën, heqjen e torturës etj., të gjitha këto nuk janë utopi, por gjëra të vetëkuptueshme, atribute të njeriut, shenja të dinjitetit të tij ...”. – Friedrich Dürrenmatt, shkrimtar zviceran. (Nga fjalimi për nder të disidentit çek Vaclav Havel).
Morali i këtij rrëfimi?
Brenda një muaji çdo qytetar i Kosovës duhet të përgjigjet qartë se çfarë Republike dëshiron: Pronto-Republikë që funksionon si kazino e mafisë apo Republikë, e cila garanton liri e demokraci, pavarësi të vërtetë, paqe, tolerancë e solidaritet, përgjegjësi për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme? Ose, siç thuhet në Preambulën e Kushtetutës së Zvicrës: “I lirë është vetëm ai që e përdor lirinë e tij dhe forca e një populli matet me mirëqenien e pjesëtarëve të tij hallexhinj”.
Mbi domosdoshmërinë e demaskimit të mashtruesve!
“Zoti Müller theu dyqanin e zotit Markdorf. Zoti Markdorf me atë rast në të vërtetë e humbi krejt pasurinë, por gjysmën e saj ia ktheu shoqëria e sigurimit dhe gjysmën tjetër zoti Müller. Tani të gjithë ishin të lumtur: zoti Markdorf i mori paratë e tij, zoti Müller u bë më i pasur dhe shoqëria e sigurimeve ishte e lumtur, sepse e kishte paguar vetëm gjysmën e dëmit”. – Georg Kreisler, poet, këngëtar dhe kompozitor austriak.
Morali i këtij rrëfimi?
Qeveria theu arkën e shtetit, vodhi gjithë pasurinë dhe tani para zgjedhjeve po përbetohet se në mandatin e ardhshëm bile gjysmën e pasurisë së vjedhur do t’ia shpërndajë popullit. Me një kusht: nëse edhe në mandatin e ardhshëm i lejohet të vjedhë gjithë pasurinë e popullit. Të votosh për partitë e këtij pushteti është si të hedhësh fall mbi mangall: i djegur ke për të dalë!
Mbi domosdoshmërinë e hedhjes së dogmave në shportën e bërllokut!
“Sa më shumë pushtet që siguron një parti politike, aq më mjerueshëm zhbëhet ideja në emër të së cilës ajo e ka arritur fitoren dhe si trashëgimtarë legjitimë sillen bastardët e degraduar të idesë: dogmat”. – Arthur Schnitzler, shkrimtar austriak.
Morali i këtij rrëfimi?
U pa, sërish, me rastin e shpërndarjes (jo shpërbërjes!) së Kuvendit të Kosovës, se pushteti që me vite të tëra ka varrosur ide e shpresa njëkohësisht ka prodhuar bastardë të ideve: dogma. Dhe dokrra! Tash loja ka filluar sërish: me premtime e me ide të mëdha dhe të rrejshme. Sidomos në ditën e zgjedhjeve dogmat duhet të hidhen në shportën e bërllokut, përgjithmonë. Lëmshi i së keqes ka shumë fije. Ka ardhur dakiku i shthurjes! Secili qytetar para vetes i ka dy rrugë: të deklarohet më vonë kundër krimit apo të bjerë në shtrat me kriminelë? Për çdo njeri normal në Kosovë vendimi nuk duhet të jetë i vështirë. Rruga e parë është shpëtim. E dyta (vetë)poshtërim.
Mbi domosdoshmërinë e dallimit të karaktereve!
Kush i njeh të tjerët – është i mençur,
Kush e njeh veten – është i urtë.
Kush i mund të tjerët – ka forcë,
Kush mund vetveten – është i fuqishëm.
Kush arrin diçka me sukses – ka vullnet,
Kush di të thotë boll – është i pasur.
Kush nuk e humb vendin e tij – është i qëndrueshëm.
Kush nuk fundoset as pas vdekjes – ai jeton.
Laoci, filozof kinez.
Morali i këtij rrëfimi?
Zgjedhjet janë një shans i madh për të dalluar karakteret. Ata që sot paraqiten si asketë, nesër mund të jenë gllabërues të radhës. Votuesi duhet ta ketë të qartë: gabimi më i madh është përsëritja e gabimit!
Mbi domosdoshmërinë e ndaljes së llafazanëve!
Një llafazan kishte dëshirë ta mësonte retorikën e Sokratit. Filozofi i kërkoi llafazanit dyfishin e honorarit që rëndom paguanin të tjerët. Llafazani u habit dhe pyeti se cila ishte arsyeja për këtë. Sokrati u përgjigj: “Sepse ty duhet të të mësojë edhe për të folur, edhe për të heshtur”.
Morali i këtij rrëfimi?
Po vijnë zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Në katër javët e ardhshme do të flitet shumë, pa kufi e pa karar. Nga kjo retorikë s’ka qar, ka vetëm zarar. Një shembull i freskët i llafazanërisë: gati të gjitha partitë po thonë: “Në listat tona nuk do të ketë kandidatë që kanë probleme me ligjin”. Kështu, tërthorazi, po pranohet se jo pak nga deputetët e deritanishëm i kanë duart e përlyera ose kanë ndikuar në njollosjen e shtetit. Përse atëherë partitë në fjalë nuk po thonë: “Ata që kanë probleme me ligjin duhet të dalin para gjyqit dhe të marrin dënimin e merituar”? Ndalja e zhurmës së llafazanëve duhet të jetë prioritet mbi prioritete në katër javët e ardhshme. Në pyllin e premtimeve s’ka asnjë dredhëz. Ka vetëm gjarpërinj e zvarranikë të tjerë.
Mbi domosdoshmërinë për të mos shkelur në dërrasa të kalbura!
“Në qytezën Wittlisbach në kantonin e Bernës erdhi një i huaj dhe bujti. Para se të shtrihej në shtrat dhe kur ishte zhveshur deri në këmishë ai nxori një palë papuçe nga strajca e tij, i mbathi, i lidhi për këmbësh me toja dhe ra të flejë. Një udhëtar tjetër, i cili kishte fjetur në këtë bujtinë, duke e parë këtë tha: ‘Mik i dashur, përse e bëni këtë?’ I huaji u përgjigj: ‘Këtë e bëj për shkak se jam i kujdesshëm. Njëherë në ëndërr pata shkelur në një copë xham. Aq shumë pata ndier dhembje në gjumë, saqë jam betuar të mos fle më kurrë këmbëzbathur”. – Johann Peter Hebel, shkrimtar, teolog dhe pedagog gjerman.
Morali i këtij rrëfimi?
Kur të plotësoni fletëvotimin më 8 qershor duhet të keni kujdes të mos shkelni në dërrasa të kalbura. Rruga për të hequr nga pushteti një kastë grabitëse është me pengesa, me dërrasa të kalbura dhe me copa xhamash të thyer të institucioneve të shtetit. Këmbëzbathur beteja nuk fitohet. Me vendosmëri dhe qëllime fisnike po.
Mbi domosdoshmërinë e luftimit të keqbërësve!
“Natën e Vitit të Ri
Mblidhen kanibalët nudistë përsëri
Rreth vatrës me zjarr ata qëndrojnë
Mprehin thikat, dhëmbët kërcëllojnë”
Joachim Ringelnatz, shkrimtar, kabaretist dhe piktor gjerman.
Morali i këtyre vargjeve?
Viti i Ri sivjet në Kosovë është më 8 qershor. Ata që e kanë rrjepur shtetin po i mprehin thikat për misionin e ri, pardon të vjetër. Kush voton për ta duhet ta ketë të qartë: votat tuaja do të (keq)përdoren si lima të ashpra për mprehjen e thikave – dhe dhëmbëve.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...