Dy vëllezër në mendje, një rrugë e rrezikshme

21 Janar 2016 - 08:27 - Enver Robelli      

Për një çerekshekull në pushtet Milo Gjukanoviqi e ka shndërruar Malin e Zi në emirat personal, i cili i shërben vetëm klanit të tij. Pothuaj me të njëjtat metoda të paligjshme edhe Hashim Thaçi prej vitesh me sukses po e fut nën kontroll komplet ekonominë dhe shtetin e Kosovës. Idhull i tij është Gjukanoviqi.

Hashim Thaçi ka (edhe) një ëndërr. Dëshiron të bëhet president i vendit dhe me gjasë shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur pjekurinë e duhur politike për të penguar një ambicie të tillë. Jo pak deputetë madje janë pjesë e strukturave të korruptuara, andaj nuk kanë asnjë problem kur në postet më të larta të vendit vijnë figura – thënë më së buti – të diskutueshme.

Pasi ta përfundojë mandatin e presidentit në vitin 2020, Hashim Thaçi do të ketë edhe një ëndërr. Të kthehet në postin e kryeministrit për katër vjetët e ardhshëm. Atëherë, më 2024, do të mbushen gati 25 vjet prej se Thaçi luan në ligën e parë të politikës kosovare. I talentuar për të mbajtur pushtetin, për të manipuluar zgjedhjet, por pa asnjë vizion serioz për të ardhmen e vendit. Kështu do të përshkruhet ai në çdo libër serioz që merret me historinë bashkëkohore të Kosovës.

Nuk duhet pritur vitin 2024 për të bërë bilancin e qeverisjes (ose thënë më mirë: sundimit) të Hashim Thaçit. Është një bilanc negativ që shihet në ekonominë e pazhvilluar, në varfërinë e madhe, në largimin e pandalshëm të njerëzve nga Kosova, në mungesën e funksionimit të ligjit, në përhapjen e pafrenueshme të nepotizmit, në aferat e shumta të korrupsionit dhe (vetë)vrasjeve të çuditshme (si rasti i shefit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, i cili vdiq me nëntë plagë thike në trup).

Ky bilanc shihet edhe në politikën e jashtme, për të cilën Thaçi është përgjegjës që nga dhjetori 2014: gjatë kësaj kohe ai nuk ka siguruar pothuaj asnjë njohje të Kosovës nga shtetet e tjera, nuk ka arritur të anëtarësojë Kosovën në UNESCO, nuk është shquar për asnjë nismë serioze në politikën e jashtme. Krejt aktiviteti i tij fillon e mbaron me fraza bajate në “Facebook”, për shembull: duke postuar fotografi, ku shtiret se e ka zënë gjumi nga lodhja me punët botërore të Kosovës.

Në këtë aspekt më origjinal është kryeministri i Malit të Zi dhe presidenti shumëvjeçar, Milo Gjukanoviqi. Meqë si politikan është larg më i shkathtë se Thaçi, malazezi trupgjatë nuk ka nevojë të bëjë skena me gjumë nëpër avionë, madje Gjukanoviqi nuk ka as profil në “Facebook”. Thaçi, sipas ish-këshilltarëve të tij të afërt, ka një idhull: ai quhet Milo Gjukanoviq. Ky vlerësim nuk është ndonjë zbulim i madh, por i rëndësishëm, pasi vjen nga njerëz që e njohin Thaçin prej më shumë se një çerekshekulli.

Se çfarë e pret Kosovën nëse modeli Gjukanoviq vazhdon të kopjohet edhe më tutje nga Thaçi, mjafton të shikohen bëmat e Gjukanoviqit.
Në fund të dhjetorit organizata ndërkombëtare e gazetarisë, Organized Crime and Corruption Reporting Project (OCCRP), ia dha Gjukanoviqit çmimin e parë për kontributin e tij në korrupsion dhe kriminalitet. „Mirënjohja është e merituar“, tha Vanja Çaloviq, drejtoreshë e Rrjetit për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar (MANS) në Mal të Zi. „Gjukanoviqi është diktatori i fundit evropian, i cili e ka marrë peng shtetin për interesat e tij private dhe e ka shndërruar në vatër për kriminelë.

Derisa ai, familja e tij dhe miqtë pasurohen, njerëzit e thjeshtë vuajnë për shkak të varfërisë, padrejtësisë dhe mungesës së sundimit të ligjit. Ata që marrin guxim të flasin për korrupsionin shndërrohen në caqe të tij“. Shumë nga këto elemente të sistemit të Gjukanoviqit tashmë janë implementuar në Kosovë nga Thaçi, partia e tij dhe vëllezërit e tij.

Gjatë privatizimit të „Prva Banka“, e cila ra në duart e vëllait të tij, Aco Gjukanoviq, Qeveria e Gjukanoviqit ka investuar shuma të mëdha nga buxheti në këtë institut financiar. Prej tyre u janë dhënë kredi figurave të dyshimta. Meqë kreditë nuk i kanë paguar, Gjukanoviq detyroi Parlamentin të miratojë një ligj special për të shpëtuar bankën. „Për të siguruar paratë për bankën e futur në borxhe, shiti kompaninë e elektroekonomisë dhe kërkoi që paratë të investohen në bankë“, shkruan OCCRP në njoftimin për ndarjen e çmimit.

Ka disa paralele me Kosovën. Rrjeti energjetik i KEK-ut i është shitur një kompanie turke për një çmim skandaloz të ulët. Shoqatën e Sigurimeve e kontrollon si pasha vëllai i Hashim Thaçit, Ganiu, ai që pas luftës u arrestua me një milion marka dhe shpëtoi pa asnjë ferrë në këmbë. Posta dhe Telekomi i Kosovës prej vitesh është shndërruar në ndërmarrje që kontrollohet nga familje komandantësh, ish-presidentësh dhe veglave të shërbimit të nëntokës të PDK-së. Ka dyshime të bazuara se edhe në projekte të mëdha turistike rrjeti i Thaçit po përpiqet të sigurojë ndikim me para publike apo me biznesmenë të afërt me PDK-në, të cilët janë pasuruar falë afërsisë me Thaçin.

Gjukanoviqi në vitet 90 ishte i inkuadruar në kontrabandën e cigareve bashkë me grupet mafioze italiane. Kundër tij kanë zhvilluar hetime drejtësia italiane dhe gjermane. Ka shpëtuar për shkak të imunitetit diplomatik. Kontrabandë, ndonëse jo në përmasa të tregtisë ilegale me cigare në Mal të Zi, është edhe mënyra se si PDK-ja me biznesmenët e saj e ka kontrolluar dhe e kontrollon tregun e karburanteve në Kosovë.

Me rastin e ndarjes së çmimit për korrupsion për vitin 2015, Milo Gjukanoviqit gazetari amerikan, Drew Sullivan, nga organizata OCCRP, tha: “Këtë mirënjohje e shohim si shpërblim për veprën jetësore të Gjukanoviqit. Askush, përveç Putinit, nuk drejton shtet, i cili në këtë masë mbështetet në korrupsion, krim të organizuar dhe politikë të ndyrë”. Nëse ecën me këtë ritëm edhe Thaçi mund të shpërblehet së shpejti me këtë çmim prestigjioz. Natyrisht pasi ta marrë “Nobelin për Paqe” me Ivica Daçiqin.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...