8 Tetor 2015 - 08:33 - Enver Robelli
“Kështu, këtë ditë, e përjetojmë si njerëz që kanë pranuar një dhuratë. Kësaj radhe historia mendoi mirë për neve gjermanëve. Andaj edhe më shumë kemi arsye për reflektim të ndërgjegjshëm”.
Me këto fjalë, të thëna nga presidenti Richard von Weizsäcker, kanali i parë i televizionit gjerman ARD nisi lajmet më datën 3 tetor 1990. Në prag të përvjetorit të 25-të të bashkimit të Gjermanisë emisioni i lajmeve tani është shpërndarë në mediumet sociale për të kujtuar këtë ditë të paharrueshme – jo vetëm për kombin e ndarë gjerman.
“Mirëmbrëma, zonja dhe zotërinj! Gjermanët sërish jetojnë në një vend sovran, të lirë dhe të bashkuar. 45 vjet pas Luftës së Dytë Botërore natën që shkoi mori fund ndarja gjermane. Republika Demokratike Gjermane dhe Republika Federale Gjermane u bashkuan në një shtet. Bashkimi u kremtua në Berlin dhe në qytete të tjera me ceremoni prekëse dhe me festime gazmore popullore”.
Këto qenë fjalët e para të moderatorit të lajmeve Werner Veigel. Ai citoi presidentin gjerman Richard von Weizsäcker, i cili në ditën e kurorëzimit të bashkimit u kishte bërë thirrje të gjithë gjermanëve për solidaritet: “Të bashkohesh domethënë të mësosh të ndash”. Dhe gjermanët, sidomos ata të pjesës perëndimore, pra kapitaliste, e kuptuan mesazhin: me dekada ata do të duhej të mbështesin Gjermaninë lindore, në mënyrë që ajo t’i afrohej zhvillimit të krahinave (landeve) perëndimore.
“Bashkimi ynë nuk iu imponua askujt, por u arrit me pajtim paqësor. Ai është pjesë e një procesi historik mbarevropian, i cili ka për qëllim lirinë e popujve dhe një rend të ri të paqes në kontinentin tonë. Këtij synimi ne gjermanët duam t’i shërbejmë, atij i kushtohet bashkimi ynë”, tha Richard von Weizsäcker, bir i një diplomati të regjimit të Hitlerit. Pas Luftës së Dytë Botërore Weizsäcker, jurist me profesion, e kishte mbrojtur të atin para gjyqit.
Më 8 maj 1985, në 40-vjetorin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, presidenti Weizsäcker mbajti fjalimin mbase më të rëndësishëm pas vitit 1945. Në thelb ai tha se sa më sinqertë gjermanët e shikojnë historinë, aq më të lirë do të jenë. Dhe, po, data e 8 majit 1945, shtoi ai, është edhe ditë e çlirimit të Gjermanisë nga barbaria naziste. Këtë fjali, me këtë këmbëngulje, nuk e kishte thënë asnjë politikan gjerman më parë. Si asnjë prijës gjerman, Richard von Weizsäcker ishte dëshmitar i shumë kthesave të Gjermanisë në shekullin e 20-të, andaj më 3 tetor 1990 ai mund të thoshte me krenari, por dhe me respekt se bashkimi gjerman ishte “një shkëndijë hyjnore”.
Kjo shkëndijë hyjnore s’do ishte ndezur pa etjen dhe betejën për liri të disidentëve polakë e çekë, pa rezistencën e intelektualëve hungarezë dhe angazhimin e shkrimtarëve rumunë kundër tiranisë sovjetike. Kjo shkëndijë s’do të ishte ndezur pa Mihail Gorbaçovin, i cili – tejet jotipike për një komunist të proveniencës sovjetike – e kuptoi realitetin, e kuptoi se kambanat po binin për ata që dëgjonin dhe i hapi rrugë bashkimit të Gjermanive dhe integrimeve evropiane.
Vitet ‘90 Gjermania i kaloi në debate relativisht të ashpra mbi rolin e saj në botë. Kancelari Helmut Kohl ishte deklaruar për pjesëmarrjen e shtuar të trupave gjermane në misione paqeruajtëse me mandat të OKB-së, por kategorikisht kishte përjashtuar pjesëmarrjen në çdo konflikt të armatosur. Në pranverë të vitit 1999, kjo do të bëhej realitet me pjesëmarrjen e Gjermanisë në luftën e NATO-s për çlirimin e Kosovës.
Ky angazhim nuk do të ishte i pakusht – sepse më 2003 kancelari Gerhard Schröder, ai që kishte dhënë pëlqimin për sulme ajrore kundër Serbisë, do t’i thoshte “jo!” pjesëmarrjes së Gjermanisë në luftën e Amerikës së George W. Bushit kundër Irakut të Sadam Huseinit. Atëbotë kryetarja e kristiandemokratëve Angel Merkel do të botonte një editorial në “Washington Post”, ku do të shkruante se Schröder nuk është duke folur në emër të të gjithë gjermanëve. Kjo ishte një polemikë e pazakonshme, sepse deri atëherë vlente deviza se opozitarët nuk duhet të flasin keq për qeverinë jashtë vendit – dhe as qeveria s’do ta bënte këtë ndaj opozitës.
Schröder fitoi zgjedhjet dhe nisi reformimin dhe liberalizimin e tregut të punës. Rezultatet e kësaj politike pastaj i korri Angela Merkel si kancelare, duke e katapultuar Gjermaninë në superfuqi ekonomike. Kjo nuk do të ishte e mundshme pa tregun e madh të Bashkimit Evropian, prej të cilit Gjermania ka përfituar pa masë – dhe ka ndjekur një politikë të ashpër ndaj shteteve të përfshira nga kriza, si Greqia, për shembull. Ndonëse krizën e madhe në vendin e tyre e kanë shkaktuar vetë oligarkitë greke, në Evropë shpesh janë dëgjuar zëra kritikë kundër egoizmit gjerman, që shikon vetëm interesat e veta.
Ky imazh u përmirësua deri-diku javëve të fundit me euforinë gjermane të solidarësisë ndaj refugjatëve nga Siria dhe vatrat e tjera të krizës. Pa menduar gjatë shumica e politikanëve dhe mediumeve u bashkuan për të mirëpritur qindra-mijëra refugjatë. Domethënës ishte ky koment i gazetës “Süddeutsche Zeitung” mbi kombin gjerman në 25-vjetorin e bashkimit: “Pyetja që ia shtroi vetes shkrimtari Ernest Renan në Sorbonnen parisiene ishte e vështirë: çka është kombi?
Atëbotë, në vitin 1882, Renan gjeti një përgjigje befasisht moderne. Sipas tij, vendimtare nuk janë as raca, as gjuha, as feja apo pozita gjeografike, por akti i vullnetit. Kombi, tha folësi, është një bashkësi e madhe solidare, e cila kujton të kaluarën e vet dhe ka dëshirë të vazhdojë jetën e përbashkët. ‘Ekzistenca e një kombi është një plebishit i përditshëm’, tha Renan. Ky plebishit sot po fitohet për çdo ditë në Gjermani, 25 vjet pas ribashkimit shtetëror. (…) Sot Gjermania, me të gjitha të metat e veta, nga pikëpamja e miliona njerëzve në shumë vende është parajsë. Që të jetë edhe më tutje kështu shoqëria, politika dhe drejtësia duhet të kërkojnë respektimin e rregullave themelore dhe të luftojnë ekstremistët – pa marrë parasysh nëse ata gjenden në mesin e qytetarëve të vjetër apo të rinj. (…) Kush vjen në Gjermani duhet të pranojë këtë konsensus; ai duhet të thotë po në plebishit – sa i përket mësimeve nga e kaluara dhe sa i përket të ardhmes. Pastaj ai mund të bëhet pjesë e kombit – pa marrë parasysh prej nga vjen”.
25 vjet pas bashkimit Gjermania ofron pamjen e një shteti të fuqishëm ekonomikisht dhe të pasigurt sa i përket rolit të vet në botën e jashtme. “Tepër e madhe për Evropën, por tepër e vogël për botën”. Kështu e kishte përshkruar Gjermaninë ish-ministri i Jashtëm amerikan Henry Kissinger. Pasiguria, natyrisht, buron edhe nga faji historik i gjermanëve si shkaktarë të tragjedisë më të madhe botërore në shekullin e 20-të.
Stuhia e bashkimit e përplasi Gjermaninë në normalitet. Në këtë normalitet Gjermania duhet ta gjejë rolin e vet – në mënyrë që bota të mos vlerësojë vetëm rendin e rreptë gjerman, birrën gjermane dhe veturat gjermane (me përjashtim të VW), por edhe përzemërsinë e një vendi që me zemër e me logjikë angazhohet për një Evropë të popujve të barabartë.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...