Tri shënime për një koalicion që po duket në horizont

10 Shtator 2014 - 23:04 - Enver Robelli      

1. Vetëvendosje me negociata!
Tani kur po shihen vetëm konturat e marrëveshjes mes LDK, VV, AAK dhe Nisma në sipërfaqe dalin banalistët e regjimit, gazetarët e paguar dhe të frustruar, ata që janë të gatshëm të bashkëjetojnë e bashkëpunojnë me një regjim që gjithnjë ka qenë vetëm simbol krimi e korrupsioni. Ky regjim njihet me siglën PDK. Shpotia që po drejtohet kundër Vetëvendosjes, e cila deri dje “ka qenë kundër bisedimeve me Serbinë” - e tash, ja, e ndërroi pllakën, është më shumë mungesë e potencës mendore të lloj-lloj vëzhguesi për të gjykuar saktë. E çfarë të keqe ka që VV korrigjon disa qëndrime? Në fakt, është pozitive që Vetëvendosje dalëngadalë ka filluar të hyjë në moshën e pjekurisë, duke hequr dorë nga kërkesa jorealiste, shpesh edhe qesharake (ndryshimi i kufijve në Ballkan, rrotullimi i kamionëve dhe i planetit, bashkimi me Çamëri e Çorovodë).

Në këtë rrugëtim VV do të bëjë gabime edhe në të ardhmen, do të merret me provokime e do të dëshpërojë sidomos ata qytetarë që duan politikë pozitive dhe jo rrëmujë. Kuptohet, çmimin VV do ta paguajë në zgjedhjet parlamentare.

Por, është gjithsesi mirë që VV ka nisur të ecë për toke, rrafshit. Vështirësitë e ecjes nëpër rrafsh janë më të mëdha se nëpër kodra. Sa ka qenë në kodra duke fluturuar VV nuk i ka dhënë llogari askujt, tash - nëse hyn – në pushtet qendror prej saj do të kërkohet llogari. Dhe këtë llogari VV nuk mund ta paguajë me statuse militantësh dhe pushtetarësh nëpër Facebook, por me punë konkrete e të prekshme. Përkundër të gjitha gabimeve Vetëvendosje nuk i ka bërë asnjë dëm të pariparueshëm Kosovës, në krahasim me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila brenda pak vitesh arriti rekordin e saj tmerrues: sjelljen e Kosovës para greminës politike dhe ekonomike!

2. Eqrem Kryeziu tregon përralla nga Prizreni!
Eqrem Kryeziu, një figurë që ka dhënë kontribut të dukshëm në humbjet e njëpasnjëshme të LDK-së viteve të fundit, ka shprehur jo skepticizmin, por cinizmin e tij kundër koalicionit mes LDK, VV, AAK dhe Nisma. Kjo është e drejtë e tij. Më shumë as që mund të pritet nga një politikan që përveç tregimit të përrallave, meseleve dhe anekdotave nuk i ka sjellë diç pozitive Prizrenit, madje i ka humbur zgjedhjet për kryetar të qytetit kundër një kandidati të PDK-së që ishte totalisht i diskredituar nga aferat e korrupsionit. Isa Mustafa mund të mos jetë kryetari më i duhur i LDK-së, por atij partinë në dorë ia kanë lënë pikërisht figura si Eqrem Kryeziu, Fatmir Sejdiu e të tjerë, që për më shumë se dy dekada bllokuan çdo reformë e ndryshim në LDK. Sot Kryeziu i ngjan vetëm një lahutari që nuk po i gjen as fijet e bishtit të kalit për pak muzikë shurdhuese.

Ata që në LDK deklarohen kundër koalicionit me VV-në me argumentin e dobët se VV e hedh poshtë trashëgiminë e Rugovës, duhet t’ia shtrojnë vetes një pyetje: përse këta lahutarë nuk e kundërshtuan kurrë koalicionin e LDK-së me PDK-në, e cila nga NATO akuzohet se ka vrarë bashkëpunëtorët më të afërt të Ibrahim Rugovës? Albin Kurti nuk ka vrarë askënd. LDK-në e shpëton hapja ndaj gjeneratave të reja, figurave të reja, zërave të rinj dhe jo stagnimi, duke lejuar që në emër të LDK-së të flasin budallenj nga qymezet kosovare dhe nga kotecet e diasporës. Fundja, trashëgimi e Ibrahim Rugovës janë edhe Astrit Haraqija dhe Ukë Rugova. LDK bëhet parti normale kur ta kuptojë se epoka e Ibrahim Rugovës është e rëndësishme, por jo edhe përmbyllje e misionit politik të LDK-së.

3. Propagandë e ulët diplomatike!
Është një grup diplomatësh perëndimorë që në Prishtinë kanë qejf të merren me fantazi. Për fat të keq i tillë rezulton edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, kur merret me konstruksione fluturuese, duke deklaruar se një aksion simbolik i Vetëvendosjes kundër një uji të një firme serbe në pronësi të një koncerni amerikan qenka i drejtuar hiç më pak se “kundër Amerikës”.

Kjo është propagandë e ulët, zotëri ambasador.
Në vitin 2006 dhjetë (10!) universitete amerikane ndaluan shitjen e një pije amerikane me ngjyrë të zezë, duke e akuzuar ndërmarrjen prodhuese për dëmtim të ambientit në Indi, skllavërim në Kolumbi dhe – madje - involvim në vrasje!

A mund të quhen qindra-mijëra studentë amerikanë – antiamerikanë vetëm pse bëjnë fushatë politike kundër një ndërmarrje që prodhon pije të ëmbla?

Thirrjet e VV-së për bojkotimin e prodhimeve serbe në Kosovë nuk i përkasin aq shekullit 21 dhe nuk janë tamam në frymën e integrimeve europiane. Por, a janë sjelljet e Beogradit kundër shqiptarëve të Kosovës në harmoni me integrimet europiane? Ambasadori i Norvegjisë nuk ka protestuar kurrë, kur policia serbe qëllimisht i linte të presin dhjetëra-mijëra shqiptarë në kufi gjatë pushimeve verore dhe dimërore, bile deri në 6 apo 7 orë. Së paku për hir të fëmijëve dhe foshnjave që gati dehidroheshin nën diellin përcëllues apo ngriheshin nga acari zoti ambasador është dashur të tregojë pak kurajë. Nuk ka shkruar asnjë shkronjë në Twitter asnjë diplomat perëndimor, as ambasadori norvegjez, kur qytetarë të Kosovës (ekskluzivisht shqiptarë) për arsye politike dhe raciste nuk lejohen të hyjnë në Serbi. Së fundi një grup artistësh kosovarë nuk u lejuan të hyjnë nga Bosnja në Serbi dhe të vazhdonin rrugën për në Kosovë. Edhe ky lajm duket se i ka ikur ambasadorit nga veriu i largët, i cili tregohet aq vigjilent ndaj çdo aksioni të Vetëvendosjes, ndërsa i verbër ndaj sjelljeve kriminale të regjimit të Beogradit. A duhet të qëndrojnë politikanët e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës duarkryq ndaj secilit provokim të Serbisë? A duhet të bëjnë amin kosovarët ndaj çdo provokimi të Beogradit? Jo. Kurrë. Sepse gatishmëria e kosovarëve për bashkëpunim nuk duhet të keqinterpretohet nga diplomatët si gatishmëri për nënshtrim ndaj regjimit të A. Vuçiqit. Duke qenë vend neutral Norvegjia duhet t’i marrë parasysh të gjithë gurët e mozaikut që përbëjnë të vërtetën e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Jan Braathu është mirë ta shikojë krejt tablonë dhe jo të lëshohet në lojëra të ulëta politike.

Kosova duhet të bisedojë me të gjithë fqinjët, edhe dhe sidomos me Serbinë, pasi që me këtë shtet ka shumë çështje të hapura, por prej Kosovës nuk mund të kërkohet të rrijë duarkryq derisa Serbia lufton pavarësinë e Kosovës, saboton Misionin e Bashkimit Europian në Kosovë, sillet me përçmim ndaj qytetarëve të Kosovës dhe në fund shpërblehet me integrim ekspres në BE. Pa marrë parasysh kush e qeveris Kosovës, bisedimet me Serbinë janë të domosdoshme, por çfarë nuk na duhet është mitizimi i bisedimeve, mitizimi i marrëveshjeve, që i ka arritur kryeministri i deritanishëm Hashim Thaçi.

[email protected]

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...