17 Tetor 2015 - 10:46 - Agron Bajrami
Do të doja të thosha se ndiej kënaqësi që jemi mbledhur këtu, për të promovuar edhe një libër të Veton Surroit, të shkruar me stilin e tij tashmë të dalluar prej gazetari e shkrimtari.
Do të doja të thosha po ashtu që, sigurisht, jam edhe i nderuar që më gjeni sërish, edhe si redaktor i Surroit, tani në një libër që vjen natyrshëm pas dy palë shënimeve heretike, librave “Këmbët e Gjarprit” dhe “Ambasadori i Melkizedekut”, jo si vazhdim i tyre i tretë – sepse nuk është – por si një lloj reagimi urgjent ndaj zhvillimeve të cilat i ka prodhuar kontesti i përshkruar me aq shumë saktësi në shënimet heretike.
Në rrethana normale, sigurisht kështu edhe do të ishte.
Por, e vërteta është se sot shumë e zorshme të gjendet një arsye për t’u ndier i kënaqur në Kosovë. E vërteta është se shumë më shumë se kaq, do të doja që Kosova, sot, të ishte shumë më ndryshe se që është, dhe që Surroi të na gëzonte me romane e libra të tematikave të tjera.
Sepse, “Emri i Autonomisë” është libër që na e shfaq të vërtetën e pakëndshme, realitetin e Kosovës ku jetën e diktojnë dhe vendimet në emër të të gjithëve i marrin njerëz të papërgjegjshëm, politikanë egoistë e tekanjozë, individë të paskrupullt, të cilët nuk çajnë kokë as për interesin e vendit as për mirëqenien e popullit. Dhe jo, nuk e kam fjalën për një palë a parti në veçanti, por për një skenë të tërë politike, e cila duket të mos jetë në gjendje të shikojë përtej gardhit të interesit apo ambicies së vet të ngushtë.
* * *
“Emri i Autonomisë” i Veton Surroit është libër që tashmë e keni lexuar.
Ose, thënë më saktë, lexuesit e rregullt të “Kohës Ditore” e kanë lexuar pjesën më të madhe të tij, sepse ai buron nga një analizë e gjatë e Vetonit, e botuar në tetë vazhdime, në fund të muajit gusht dhe fillim të muajit shtator, të këtij vitit.
Por, libri nuk është thjesht dhe vetëm një përmbledhje e shkrimeve në një vend; ky version përmban edhe pjesë të reja, të cilat autori i ka shkruar enkas për këtë botim, duke e shndërruar një shkrim gazete - fejton analitik e komentues nëse doni - në një libër të plotë, të shkruar me stil tashmë të veçantë e lehtë të identifikueshëm të shkrimtarit Surroi.
Lexuesit e lartpërmendur të “Kohës Ditore” do të gjejnë se, për dallim nga shkrimi në gazetë, libri nis me një prolog dhe mbyllet me një epilog, të cilat bashkë me dhjetë kapitujt e librit tregojnë një rrëfim më të thellë se sa vetë analiza që Surroi i bën Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, si një emër tjetër për Autonominë e komunitetit serb në Kosovë.
I qartë në argumentim, por mjeshtëror në rrëfim, “Emri i Autonomisë” është njëkohësisht edhe një traktat polemizues politik, edhe një rrëfim letrar plot kujtime digresive, që e bëjnë leximin e tij një përvojë të jashtëzakonshme edhe për ata që mund të mos pajtohen me analizën e autorit.
* * *
Mua më duket e qartë, sidomos pas zhvillimeve të javëve, ditëve por edhe orëve të fundit, se politika është ajo që na fut çdo herë e më thellë në krizë.
Në këtë pikë, “Emri i Autonomisë” bën pjesë në shënimet heretike të Surroit, me të cilat nxirret në dritë natyra e bishës së quajtur sistemi politik i Kosovës. Por, “Emri i Autonomisë” është më shumë se kaq; është një klithje intelektuale për të kthyer në qendër të vëmendjes jo konfrontimin, por nevojën e gjetjes së zgjidhjes. Rrugëdaljes nga kriza, e cila, nuk është aq krizë politike, sa është krizë e politikës.
Mund të mos duam ta pranojmë, por e vërteta është se politika në vend kalon një moment të krizës së rëndë. Politikanët kosovarë, shumica prej tyre, e kanë sjellë vendin buzë greminës së tensionimit, konfliktit e përplasjes, e cila, po kulmon para syve tanë në diç që më shumë i ngjan kombinimit të arrogancës së verbër të një mbreti në prag të revolucionit popullor, dhe fatalitetit me të cilin e kundron jetën dhe qenien e tij një pilot kamikaz.
“Emri i Autonomisë” është libër që flet edhe për gjenezën dhe historinë e kësaj krize, për mënyrën si dhe kush na solli këtu, por, që është më e rëndësishmja në këtë pikë, flet edhe për rrugën që mund të na shpie jashtë saj. Për zgjidhjen e mundshme, në të mirë të vendit.
Në fund të kapitullit të dhjetë, Surroi shkruan:
“Nëse pushteti dhe opozita nuk e gjejnë rrugën e konsensusit, debati politik, edhe ashtu i varfër dhe joefikas, do të zhduket fare nga Parlamenti i Kosovës. Vendi do të niset me shpejtësi drejt krizës politike.
Tjetra është të provojnë të krijojnë konsensus rreth platformës së vet të evropianizimit.
Pushteti dhe opozita nuk kanë shumë kohë për këtë. Vendimet që duhet t’i marrin janë të disa ditëve, maksimumi disa javëve në vijim”.
Nëse nuk lexojnë asgjë tjetër, politikanët e Kosovës, ata që marrin vendime, në pozitë e opozitë, në Qeveri, Kuvend e presidencë, nëpër partitë politike e grupet parlamentare, ta lexojnë këtë këshillë të Surroit, dhe të mendojnë çka është gjëja e duhur për ta bërë.
Jo se u besoj që do ta bëjnë zgjidhjen e duhur, por së paku për të mbetur e thënë dhe e shkruar se kishin një mundësi të na çojnë përpara, në vend se të na shtyjnë në greminë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...