Një ëndërr prej fluture

6 Janar 2015 - 16:04 - Agron Bajrami      

1. Në Kinën e largët, shumë kohë para Krishtit e Muhamedit, jetonte Mendimtari dhe Mësuesi i respektuar Zhuang Zhou. Një ditë prej ditësh, Mendimtari Zhuang ëndërroi se ishte një flutur që fluturon e lumtur nëpër botë, e lirë për t’u kënaqur me pamjet dhe peizazhet rreth saj, me malet e larta, fushat e blerta dhe lumenjtë të kthjellët.

Flutura nuk e dinte se ishte Zhuang Zhou që ëndërronte se është një flutur.

Dhe, si rëndom që ndodhë me ëndrrat, në momentin kulmor të fluturimit, Mendimtari befasisht u zgjua nga gjumi dhe sërish ishte Zhuang Zhou. Nuk ishte më flutur e çiltër. Por, siç e tregoi vetë Mendimtari, as ai më nuk mund ta thoshte me siguri nëse ishte Zhuang Zhou që po ëndërronte se ishte flutur, apo ishte një flutur e cila tani po ëndërronte se ishte Zhuang Zhou.

Zhuang, bashkëkohës i Konfuçit, vdiq në moshën 83-vjeçare pa e zgjidhur enigmën e ëndrrës: nëse ishte Zhuang që ëndërroi se është një flutur, apo është flutur që ëndërroi se ishte Zhuang!

2.
Ka vite që në Kosovë na është bërë zakon, traditë madje, të festojmë ndërrimin e moteve me bujë. Sa më shumë që afrohet 31 dhjetori, aq më tepër ngjallen rrugët, shtohet shkëlqimi i dritave festive, shitoret mbushen me ushqime e dekorime dhe njerëz që duan t’i blejnë ato. Miq e familjarë na vijnë nga e tërë bota për ta kaluar në vendlindje atë që rëndom e quajmë “nata më e hareshme e vitit”, dikush në ndonjërin nga qindra restorantet që garantojnë ushqim e pije me muzikë e valle deri në mëngjes, e dikush tjetër në ambient familjar, me miq e program televiziv, duke pritur momentin për t’i cakërruar gotat dhe për të uruar zëshëm: “Gjithë të mirat në 2015-n!”

Edhe në përllogaritjet tradicionale që ua bëjmë arritjeve dhe mangësive të vitit që po e lëmë pas, disi natyrshëm, pa vetëdije, madje, më shumë peshë u japim të mirave se sa të këqijave. E edhe kur e shënojmë diku se shumë më shumë gjëra na shkuan ters, kërkojmë çfarëdo arsye për të qenë sa më optimist se viti i ardhshëm, mbi të gjitha, do të jetë më i mirë se ky që po e përcjellim me kaq pompozitet!

Sigurisht, jo të gjithë kanë mundësi ta festojnë ndërrimin e moteve, e disa mbase edhe nuk e kanë fare atë dëshirë. Por, për shumicën dërrmuese të kosovarëve e gjithë përvoja e pritjes së Vitit të Ri ka kuptimin e ikjes nga realiteti i përditshmërisë, në atë të një ëndrre festive. Për pak orë bëhemi ëndërrimtarë, sikur ajo flutura që nuk e dinte se s’është gjë tjetër veçse një ëndërr që do përfundojë në ag.

Ëndërr e bukur, ama: Një Kosovë gjithnjë në festë, pa brenga e telashe, me njerëz të lumtur që punojnë për vendin e vet. Një Kosovë plot perspektivë, përparim, energji pozitive dhe harmoni.

3.
Ëndërrimtarët shpeshherë quhen edhe idealistë. Njerëz që besojnë se mendja, përmes idesë, mund ta ndryshojë realitetin. Njerëz që, në botëkuptimin tonë, jo vetëm ëndërrojnë, por edhe ecin drejt përmbushjes së ëndrrës. Njerëz që refuzojnë t’i përshtaten realitetit dhe luftojnë për ta ndryshuar realitetin dhe për ta bërë ëndrrën e tyre realitet. Njerëz që edhe nëse nuk arrijnë qëllimin, pas vetes lënë një ëndërr që dikush tjetër do ta ndjekë dhe dikur edhe ta realizojë.
Në Kosovë, e tillë ishte ëndrra për liri. Të tilla janë edhe ëndrrat për paqen dhe harmoninë, për mirëqenien e popullit dhe përparimin, demokracinë dhe drejtësinë, të cilat presin përmbushjen, se ende ka njerëz që i ëndërrojnë, idealistë që besojnë se mund të jetojmë të gjithë bashkë, të çiltër e të sinqertë, të mirë e të padjallëzuar, në një Kosovë ideale, që nuk ka pse të mbetet si një flutur në ëndërr.
Mund të bëhet.

4.
Sigurisht, ëndrra nuk shohin vetëm njerëzit e mirë. Ata tjerët në vend të fluturave, shohin ujq, dhelpra e grabitqarë. Shohin mashtrime, plaçkitje, manipulim e djallëzi. Shohin luftë të përhershme për prona e para, për pushtete e fuqi, mbizotërim ndaj të tjerëve, edhe kur të tjerët i kanë hiç më pak se vëllezër e motra.
Por, të tillët në Kosovë ka vite që i realizuan ëndrrat e veta. I jetojnë ato, në dëm të të tjerëve.
Tani, ka ardhur koha e ëndrrës së fluturës!

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...