13 Qershor 2015 - 09:53 - Agron Bajrami
1. Liria e fjalës dhe e shtypit
Derisa liria e fjalës dhe e shtypit ekziston në Kosovë, pyetja e vërtetë që do shtuar është nëse problem është në fakt liria pas fjalës. Që do të thotë se ato media që janë profesionale dhe të guximshme për të trajtuar çështjet më të ndjeshme, sikur që janë krimet e luftës, hetimi i korrupsionit qeveritar, lidhjet mes krimit të organizuar, partive politike dhe zyrtarëve shtetërorë, përballen me pasoja të rënda të ushtrimit të fjalës së lirë dhe raportimit profesional, mes të cilave shpeshherë janë kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve individualisht, si dhe presioni politik dhe ekonomik ndaj mediave.
Në anën tjetër, liria e fjalës nuk është e përballueshme për shumicën e mediave; është diç që mund të ushtrohet vetëm nga më të devotshmit. Ajo nënkupton të heqësh dorë nga marketingu qeveritar, të përballesh me presionet politike dhe ekonomike, të të fyejnë me emrat më të këqij, prej gënjeshtari deri te tradhtari. Ajo nënkupton se duhet të përballesh me faktorin e vetëm më të fuqishëm dhe më të madh politik, shoqëror dhe ekonomik në vend: Qeverinë.
Sepse, ata që zgjedhin gazetarinë hulumtuese, standardet profesionale dhe mediat e lira pashmangshëm do të zbulojnë se ju duhet të përplaseni me Qeverinë, e cila është punëdhënësi më i madh, investitori më i madh, sikur dhe entiteti më i pasur në vend.
Në këtë lloj ambienti, shumica e mediave nuk janë të vullnetshme që të mbajnë standardet themelore profesionale. Shumë kanë rënë nën kontrollin e entiteteve politike apo edhe grupeve të ndryshme të interesit. Rasti më i freskët është ai i transmetuesit publik, RTK-së. Redaktorë nga ky medium kanë akuzuar drejtuesit publikisht se kanë lejuar që mediumi që financohet nga paratë publike të bjerë nën kontrollin e partive në pushtet dhe të përdoret hapur si mjet i propagandës.
2. Rrethanat (jo)demokratike
Kosova nuk është një demokraci funksionale. Institucionet e saj janë të ndërtuara si duhet vetëm në letër. Në realitet, ndikimi politik i ka korruptuar shumicën e institucioneve të shtetit, që supozohet se duhet të jenë të pavarura, prej gjyqësisë e deri tek trupat rregullativë.
Korrupsioni është i lartë. Sundimi i ligjit është selektiv. Shtypi i pavarur është nën sulm.
Qeveria dhe partitë sillen sikur gjithçka që bëjnë është punë e tyre e brendshme, një lloj Cosa Nostra, ku mediat, sikur edhe publiku, janë të përjashtuar tërësisht. Nuk ka transparencë dhe as llogaridhënie.
Vetë partitë nuk janë entitete demokratike. Zgjedhjet partiake janë të manipuluara. Ushtarët partiakë, që janë pasues të liderit, ngrihen brenda strukturave partiake. Kritikët eliminohen. Konventat partiake organizohen me skenarë të parashkruar. Liderët rregullisht zgjidhen pa kundërkandidatë, me aklamacion. Zgjedhjet e paradokohshme në LDK, të mbajtura në maj, janë ilustrimi më i mirë i kësaj: Gazetarët u dëbuan nga Konventa, kishte vetëm një kandidat, vota ishte 99 për qind në favor të tij, ndërsa një javë më vonë, njëri që votoi kundër tani gjendet nën presion për t’u tërhequr nga partia!
Për shumicën e politikanëve, BE-ja është mjet, dhe jo qëllim. Politika nuk është rruga për të ndikuar pozitivisht realitetin, por një mundësi drejt pasurimit dhe pushtetit.
Për këto arsye, por edhe për shumë të tjera, mediat kritike, ato që nuk janë të gatshme që verbërisht të pranojnë çkado që u thuhet e servohet nga pushteti dhe politika, konsiderohen armike nga sistemi. Njëlloj shihet edhe fjala e lirë.
3. Ndikimi ndërkombëtar
Fatkeqësisht, përfshirja dhe prezenca e madhe ndërkombëtare në Kosovë nuk ka rezultuar me ambient më të mirë për media. Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë BE-në posaçërisht, por edhe demokracitë perëndimore në përgjithësi, kanë dështuar në ndërtimin e një Kosove demokratike. Natyrisht, barra kryesore e përgjegjësisë bie mbi shpatullat e vet Kosovës dhe kosovarëve, por një pjesë e madh e fajit ndahet edhe nga Perëndimi, po ashtu.
Duke e përkrahur elitën e korruptuar dhe të kriminalizuar politike, për hir të ruajtjes së stabilitetit, bashkësia ndërkombëtare ka sakrifikuar vetë parimet demokratike që me aq zemër i promovon.
Për më tepër, kohët e fundit zyrtarët perëndimorë edhe vetë janë përfshirë në sulme dhe presione ndaj mediave; rasti i EULEX-it kundër “Kohës Ditore” është vetëm i fundit nga shembujt e sulmeve ndaj mediave nga prezenca ndërkombëtare, për shkak të raportimeve të tyre.
(Fjala prezantuese e kryeredaktorit të “Kohës Ditore” në debatin “Mediat e (pa)lira në Evropën Juglindore”, mbajtur të martën në Berlin, organizuar nga Fondacioni Heinrich Böll dhe Asociacioni për Evropën Juglindore)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...