23 Nëntor 2014 - 08:23 - Agron Bajrami
Edhe një fazë e krizës politike mori fund, por vetëm sa për t’ia lëshuar vendin tjetrës!
Një marrëveshje e re për koalicion qeverisës u arrit. PDK-ja më në fund gjeti partnerin për të vazhduar sundimin mbi Kosovën. LDK-ja, pas muajve të kaluar në taborin anti-PDK, pothuajse brenda natës ndërroi anë dhe iu bashkua pushtetit aktual për një mandat të ri të qeverisjes. Shpërblimi thuhet të jetë posti i kryeministrit për Isa Mustafën, por kjo mbetet për t’u parë.
Por, ajo që vërtet shihet qartë është se edhe një herë në Kosovë politikanët shkelën mbi fjalët që i thanë, ndërruan kursin politik për 180 shkallë, vetëm për t’i siguruar vetes dhe strukturave partiake pushtet.
Megjithatë, nuk është koalicioni Thaçi-Mustafa i pari në Kosovë që u ndërtua mbi gënjeshtra, manipulime e oportunizëm. Historia e shkurtër e pluralizmit politik në Kosovë është përplot shembuj të ngjashëm. Si LDK-ja tani, më 2004 AAK-ja e braktisi koalicionin joformal paszgjedhor me PDK-në dhe ORA-n për të ndërtuar një Qeveri me LDK-në, pasi siguroi postin e kryeministrit për Haradinajn. Po ashtu, të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë, prej asaj të Bajram Rexhepit dhe tjetrës të Ramush Haradinajt e deri te dy qeveritë e Hashim Thaçit, ishin ndërtuar pa asnjë parim ideologjik, duke shkelur çdo premtim parazgjedhor dhe programor, e madje, si në rastin e PDK-së, duke ndërruar edhe krahun ideologjik në mes të qeverisjes!
Sigurisht, në këtë kontekst të hipokrizisë politike ndaj qytetarit, nuk është për t’u harruar edhe përkrahja që LDK-ja e AAK-ja i dhanë dialogut në Bruksel, pasi që e kishin kritikuar atë skajshmërisht, me partinë e Haradinajt që madje edhe hyri në ekipin e negociatave me Serbinë, përmes nënkryetarit të parë të saj, Blerim Shala. Dhe, në fund, qytetarët e Kosovës sigurisht se nuk e harrojnë kohën e kthimit të Haradinajt nga Haga, kur afrimi me Thaçin kishte tejkaluar kurtuazinë publike, ndërsa rrëfimeve për një koalicion PDK-AAK me Haradinajn kryeministër u kishte besuar edhe vetë kreu i Aleancës!
Por, nëse partitë e mëdha e kishin gjithmonë telashin kë ta gjejnë që t’ua shtojë numrat për ta mbajtur pushtetin apo për ta arritur atë, ato të voglat që jetojnë për mbijetesë politike - prej AKR-së, PD-së, LB-së e LDD-së, e deri te partitë sezonale, siç janë Lista e Rugovës, PSD-ja e Agim Çekut dhe AD-ja e Edita Tahirit – janë edhe më të pështira: kërkojnë akomodim me çdo kusht dhe për çdo çmim. Rasti i tillë më i freskët dhe më joparimor është koalicioni parazgjedhor i PDK-së që përfshinte spektrin prej një ekstremi ideologjik politik e fetar deri tek ekstremi tjetër, duke i futur në një thes proevropianët, nacionalistët, islamikët, demokristianët, të djathtë e të majtë, e të qendrës, të cilët i bashkon vetëm një gjë: uria për pozitë!
Që gjithçka të jetë edhe më e neveritshme, institucionet e shtetit, ato që do të duhej të ishin mbi politikën dhe në mbrojtje të qytetarit, si Presidenca dhe Gjykata Kushtetuese, u treguan të jenë nën kontroll dhe diktat të establishmentit politik, duke mos qenë të vullnetshme të bëjnë edhe një hap të vetëm jashtë kornizës së përcaktuar nga sistemi i korruptuar, i dominuar nga pushteti dhe grupet e interesit.
Sigurisht, gjithë këto nuk duhet të na befasojnë. Nëse asgjë tjetër, qytetarët e Kosovës tashmë e kanë përvojën e madhe me politikanë që përdorin çdo mjet për të arritur qëllimin - pushtetin. Qytetarët madje nuk kanë nevojë ta lexojnë “Princin” e Machiavelit për të kuptuar se politikanët i arrijnë synimet e tyre “duke mos i mbajtur premtimet e dhëna dhe duke mashtruar njerëzit”, sepse jetojnë në një Kosovë makiaveliane, ku modeli i suksesit është mashtruesi e gënjeshtari, madje jo vetëm në politikë!
* * *
Rezultati i gjithë kësaj është ky që kemi sot: fundi i një faze të krizës politike, dhe hyrja në fazën e ardhshme, atë të cinizmit të skajshëm politik!
Sepse, nëse deri sot qytetarët ishin të zhgënjyer, prej sot ata janë të pashpresë! Sepse, gati gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të cilat prisnin se mund t’ua sjellin ndryshimin, qytetarët e kanë humbur edhe atë pak besim që e kishin në politikën dhe politikanët.
Kjo fazë e krizës në Kosovë, kjo kohë e cinizmit politik, do ta reduktojë edhe më shumë pjesëmarrjen e qytetarit në proceset politike. Dhe, në njërën anë do të thellojë edhe më tepër kontrollin që shtetit i bëjnë të korruptuarit, oportunistët, manipuluesit, gënjeshtarët dhe ushtria e injorantëve që u shkon mbas, ndërsa në anën tjetër do të thellojë hendekun shoqëror mes kastës së politikanëve dhe njerëzve që janë nën sundimin e tyre.
Dhe nga kjo zor se mund të dalim lehtë, pa thyerje edhe më të mëdha.
Sigurisht, aktorët politikë, të njëjtët këta që shkelin çdo premtim të dhënë para qytetarit, do të gjejnë mënyrën për të arsyetuar veprimet e veta. Dhe, si shpeshherë deri më tash, disa prej tyre do të thirren në Bismarckun, i cili ka thënë se “politika është arti i së mundshmes”!
Por, ky është edhe një manipulim i radhës që bën politika, për të arsyetuar grykësinë e vet! Sepse, politika është arti i së mundshmes, por nuk është arti i mashtrimit. Politika nuk është prostitucion që ti i shitesh secilit që të jep më shumë. Politika nuk është gënjeshtër, që të vjedhësh votën e qytetarit që kërkon shpëtim!
Kur Otto von Bismarck e tha këtë frazë të stërpërsëritur, ai nuk e kishte mendjen te gënjeshtra, manipulimi, tradhtia e mashtrimi, për t’ia arritur qëllimit! Ai fliste për mundësitë që në politikë gjithmonë janë të kufizuara, dhe si të tilla i obligojnë liderët të jenë të sinqertë me qytetarin, dhe të jenë realistë në atë që e kërkojnë dhe propagandojnë, dhe jo të japin premtime të paarritshme e deklarata pompoze që edhe vetë e dinë se nuk mund t’i plotësojnë!
Sigurisht, në variantin kosovar të demokracisë, ku votat shiten e blihen me shumicë, si në zgjedhje ashtu edhe më pas në Parlament, zor se mund të presim ngritjen e një klase tjetërfare politike! Së paku jo me këta njerëz!
Andaj, sa më parë që këta të ikin, për t’ua lëshuar rrugën njerëzve që nuk gënjejnë, nuk vjedhin e nuk mashtrojnë, aq më pak do të dëmtohemi! E në pyetjen cinike: “Ku janë këta të tjerët, atëherë?!”, përgjigjja mund të jetë vetëm ajo e moçmja: Këtu, në mesin tonë! Vetëm duhet shikuar me sy!
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...