LDK-ja, në qorrsokak

26 Prill 2015 - 08:04 - Agron Bajrami      

Me ose pa Isa Mustafën kryetar, LDK-ja është strukturë e pareformuar, pa ide të qartë se ku shkon, derisa tashmë e ka ngatërruar edhe prej nga vjen

Që një demokraci të jetë efektive, funksionale dhe e suksesshme, ajo duhet të nisë brenda partive politike që pretendojnë t’i përfaqësojnë qytetarët. Andaj, zgjedhjet e lira partiake janë guri i parë që hidhet në themelin e secilit shtet demokratik. Në të kundërtën, nëse një parti lejohet t’i manipulojë zgjedhjet brenda saj, ajo do të jetë edhe më e guximshme në manipulimin e çdo gjëje tjetër, kur ta marrë pushtetin!

Ndoshta kjo edhe është gjeneza e problemeve në Kosovë: po të bëhej një hetim i jashtëm i partive në Kosovë, nuk do mend se shumica (nëse jo të gjitha) do të rezultonin parti jodemokratike, ku lidershipi partiak nuk zgjidhet me votën e lirë, ndërsa nuk ka as llogaridhënie për performancë të dobët.

Sigurisht, nuk janë të gjitha partitë e Kosovës të njëjta. Madje, do të thosha se dallojnë shumë prej njëra-tjetrës. Njëra mund të jetë e udhëhequr si diktaturë patriarkale, tjetra si njësit (para)militar, e treta si biznes familjar, tjetra si ndërmarrje e përbashkët tregtare, e ndonjë tjetër si shoqëri aksionare që ndan pushtetin dhe përfitimet prej tij si të ishin dividendë.

Sidoqoftë, përderisa partitë e Kosovës funksionojnë si çifligje të sundimtarëve që mbajnë pushtetin përmes vasalëve të shumtë, të mëdhenj e të vegjël, situata nuk mund të shpresojmë se do të ndryshojë në favor të demokratizimit të vërtetë.

Në këso rrethanash shoqërore, pra, presim zgjedhjet e radhës të partisë së dytë për nga madhësia, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

* * *

Për shumë arsye, LDK-ja vazhdimisht është shquar si parti ku ndryshimet ndodhin më lehtë, më shpesh, madje edhe përkundër vullnetit të lidershipit të saj. Kjo mbase për shkak se fillimisht partia ishte një lëvizje mbarëpopullore, e cila përfaqësonte aspiratat e shumicës dërrmuese të popullit, dhe brenda vetes kishte njerëz të përcaktimeve skajshmërisht të kundërta ideologjike: të majtë e të djathtë, nacionalistë e komunistë, demokratë e populistë, proevropianë e islamikë, që të gjithë, në një kohë ishin pjesë e trungut të quajtur LDK.

Një përbërje e tillë sigurisht se i bëri çarjet dhe ndarjet brenda partisë më të shpeshta; duke mos pasur një ideologji të elaboruar mirë, vizioni themelor i saj – i ashtuquajturi “rugovizëm” – u interpretua në mënyra të ndryshme, edhe këto shpesh të kundërta, sipas nevojës së interpretuesve.

Sigurisht, LDK-ja e sheh veten si parti me orientim të djathtë, mbrojtëse e traditave dhe vlerave nacionale, më konservatore. Por, në praktikë, sidomos kur është pjesë e pushtetit, LDK-në e kemi parë të përfaqësojë një mish-mash ideologjik, që më shumë gjithçka tjetër sjellë konfuzion në veprim. Por, sidoqoftë, është e qartë se LDK-ja që nga fillimi ka pasur më shumë hapësirë se partitë e tjera për disidencë brenda partisë, që ka rezultuar me përçarjet dhe ndarjet e shumta, konfliktet e vazhdueshme brenda partisë, si dhe braktisjet e saj nga njerëz që konsideroheshin qenësorë për të.

Shpeshherë trendë të tillë janë marrë si “dëshmi” se kjo parti qenka më demokratike se të tjerat, meqë lejon debatet, polemikat dhe kundërshtimet brenda saj. Megjithatë, një vështrim më serioz duket se tregon që debatet e ashtuquajtura në LDK pothuaj asnjëherë nuk kanë qenë për arsye ideologjike a programore; ato si rregull ishin luftë për pushtet, pozita dhe pozicionime brenda strukturave partiake. Pra, përderisa LDK-ja mbetet partia ku më së shumti publikisht shfaqen mospajtime të brendshme, ato mospajtime kanë të bëjnë, para së gjithash, me pakënaqësi personale, dhe ndodhin më shumë për shkak se partia, prej vdekjes së liderit historik Ibrahim Rugova, nuk udhëhiqet me autoritet.

Kjo na sjell deri te konkludimi se një pjesë e problemit gjithmonë ka qenë e lidhur me faktin se Ibrahim Rugova pas vetes nuk e la asnjë trashëgimtar të denjë politik; në kohën e luftës dhe pas saj, intelektualët që e themeluan kryesisht u distancuan nga partia, derisa njeriun më të vlefshëm që e pati Rugova pranë vetes, Fehmi Agani, e vrau shteti serb. Ajo çka mbeti më pas në qarkun e brendshëm të vendimmarrjes në LDK pas luftës, por sidomos pas vdekjes së Rugovës, më 2006, nuk e kishte më kualitetin e lidershipit politik, dhe as vizionin për një parti që duhet të ndërtohet në rrethana të reja politike e shoqërore.

Këtu sigurisht duhet kërkuar arsyet e debaklit zgjedhor të vitit 2007, kur LDK-ja, prej 292 mijë votave (45,3 për qind) sa i kishte fituar në vitin 2004, ra në 129 mijë (22.6 për qind), duke rënë prej 47 parlamentarëve në 25. Një argumentim i kohës ishte se përçarja që ndodhi nga “Kuvendi i karrigeve”, kur Nexhat Daci me LDD-në e tij u shkëputën, ia kishte ndarë elektoratin LDK-së në dysh, por një përllogaritje e thjeshtë na tregon se numri i përbashkët i deputetëve të LDK-së dhe LDD-së në atë legjislacion ishte 36, që është 11 më pak se numri që kishte LDK-ja e vetme në legjislacionin paraprak.

Pra, rrjedhja e madhe e votave të LDK-së veç kishte nisur, dhe atë rrjedhje nuk kanë arritur ta kompensojnë as Fatmir Sjediu as Isa Mustafa; sot, tri palë zgjedhje më vonë, LDK-ja ende ka 17 deputetë më pak se që kishte në vitin 2004.

* * *

Tani, pyetja e parë që shtrohet është: Çka duhet pritur nga zgjedhjet në LDK?

Përgjigja e shkurtër do të ishte: Asgjë të re!

Me ose pa Isa Mustafën kryetar, LDK-ja është strukturë e pareformuar, pa ide të qartë se ku shkon, derisa tashmë e ka ngatërruar edhe prej nga vjen! Si ndryshe duhet interpretuar koalicionin me PDK-në, i cili, nëse duam të jemi të sinqertë, nuk ka ndodhur vetëm për shkak se Isa Mustafa e bëri, por ka ndodhur sepse shumica dërrmuese në këtë parti donin të ngjiteshin në pushtet. Thuajse nuk kishin mësuar asgjë nga koalicioni edhe më i pafavorshëm me PDK-në që para Mustafës e kishte bërë vetë Fatmir Sejdiu, dhe të cilin e prishi vetëm kur e humbi karrigen e presidentit.

Pyetja tjetër që vjen natyrshëm: Cila është rëndësia për Kosovën e zgjedhjeve në LDK?

Përgjigja e shkurtër: Jo fort e madhe, për të mos thënë kurrfare!

Derisa nuk duhet përjashtuar mundësinë që një natë para Kuvendit Zgjedhor të dalë një kundërkandidat i fortë përballë Isa Mustafës, që do të mund ta mposhtë atë sikur që bëri vetë Mustafa para katër vitesh kur e sfidoi Fatmir Sejdiun, një ndërrim i tillë i lidershipit në LDK nuk do të sjellte asgjë më shumë se që ka sjellë ndërrimi i Sejdiut me Mustafën!

Sigurisht, ithtarët e status quo-së mund të kenë frikë nga destabilizimi i LDK-së, meqë një gjë e tillë pashmangshëm do të reflektohej edhe në Qeveri, por rrëzimi i Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme në këtë situatë mbase më së shumti do t’i konvenonte PDK-së dhe Hashim Thaçit.

Thënë ndryshe: Dikur LDK-ja shihej si shpresë për rrugën përpara, sot ajo e ka futur veten në një qorrsokak, prej të cilit nuk po mund të gjejë rrugëdaljen!

Ndërsa Kosova nuk ka kohë ta humbasë!

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...