Kërkohet një Kosovë e re

1 Mars 2015 - 11:20 - Agron Bajrami      

Njerëzit e Kosovës që muajve të fundit morën rrugën drejt Evropës, me shpresën se do të nisin atje një jetë të re, do të kthehen në vend shumë shpejt. Rreth 100.000 (numri i saktë ka pak rëndësi në këtë moment) thuhet se do kthehen mbrapa gjatë kësaj pranvere.

Kurdo që të kthehen, me vete do të kenë ca para më pak se që kishin kur shkuan, ndonjëri nuk do ta ketë më truallin që e kishte shitur për të financuar udhën, e disa do ta kenë të humbur edhe atë vendin e punës që lanë kur ikën drejt Hungarisë. Një numër i tyre prapa vetes mbase do t’i kenë lënë edhe iPhonat që ua përmend kryeministri i tyre me ironi – kur nuk ke para, trafikantët pranojnë edhe pagesë me mall.

Në rastet më tragjike, do të ketë edhe asi që kthehen për të hapur një varr, për të derdhur lot dhimbjeje e hidhërimi, dhe për të mallkuar ditën që u nisën për këtë rrugë. Dikur do t’i kenë dëgjuar edhe leksionet që u japin qeveritarët:

- Nuk niset njeriu në atë rrugë me fëmijë, u tha kryeministri.
- Kur ke 300 euro rrogë, mos bën shumë fëmijë, u tha ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Dhe mallkimi i ditës që u nisën do të zëvendësohet me mallkimin e ditës që u lindën në këtë vend dhe në këtë kohë me këta njerëz.

Po, do të ketë edhe të tillë që do të kthehen pa trauma e kujtime të dhimbshme, e ndoshta edhe me ndonjë qindarkë më shumë në xhep. Por edhe të tillët, si të gjithë këta të tjerët, me vete do të kenë bindjen edhe më fort se ikja në Perëndim është shpëtimi i vetëm!

Të gjithë që do të kthehen me vete do kenë një mllef më të madh të mbledhur si grumbull diku në gjoks, që u thotë se u kthyet edhe më të braktisur se që ishit më parë.

* * *

Krerët e shtetit nuk shohin.

Nuk duan të shohin apo nuk u konvenon të shohin, apo vërtet janë të verbër për të parë, pak ka rëndësi. Me rëndësi është që ata nuk e shohin pezmin që mblidhet tek njerëzit. Nuk e shohin as grumbullin në gjoksin e të kthyerve që tashmë rritet edhe tek ata që nuk ikën asnjëherë.

Këta – krerët e shtetit, pra, nëse mund t’i quajmë të tillë - shohin vetëm veten.

Njëri shpërthen me inat thua se gjithçka është një konspiracion kundër tij. Tjetri mban distancë, duke kalkuluar dëmin që gjithçka do t’u shkaktojë rivalëve të tij politikë.

Askush prej tyre nuk do të flasë me njerëzit, përveç presidentes, e cila, me apo pa dashje, u shndërrua në qese boksi për t’u goditur në vend të cakut të vërtetë, duke marrë kështu mbi vete të sharat dhe mallkimet që hidhen në adresë të shefave të vërtetë të vendit.

Dhe, përveçse nuk shohin, ata as nuk e kuptojnë ku është problemi. Mendojnë se lumturinë e sjellin iPhoni dhe paraja, prosperitetin falja e borxheve. Kush ikën, na thonë, po ikën nga liria!

Në anën tjetër, është opozita që ende përpiqet të mbledhë copat e veta pasi u thye nga tradhtia politike e nëntorit të kaluar, mbetet me fuqi të kufizuara, dhe as vetë nuk arriti të ndërtojë një platformë përballë krizës së re, të madhe shoqërore, në të cilën problem i migrimit dhe kthimit është vetëm maja e Ajsbergut.

Në këto rrethana dhe me këtë mendje, Qeveria sajon dhe premton Programin e Shpëtimit, i cili, qysh tani u shndërrua në një procedurë të stërzgjatur burokratike: do ta prezantojnë, do ta diskutojnë, do ta harmonizojnë, do ta amendamentojnë, do ta rishikojnë, do ta buxhetojnë, do të kërkojnë donacione, do ta votojnë, do ta miratojnë, do të krijojnë poste të reja qeverisëse për t’i zbatuar, do të themelojnë komisione e task forca, do të organizojnë tryeza e grupe punuese, do të shpallin grante e tenderë, do të organizojnë trajnime për riintegrim, dhe dikur, nëse arrijnë nga gjysma e mandatit, do të shpallin zgjedhje të reja dhe do të thonë: e patëm Programin e Shpëtimit, por nuk arritëm ta zbatonim se na u shkurtua mandati!

Edhe këtë do t’na e bëjnë, sepse nuk e shohin, dhe nuk e kuptojnë - apo nuk duan ta shohin dhe nuk duan ta kuptojnë, pak ka rëndësi - se ata janë barra prej së cilës ikin njerëzit, dhe sa më shumë të mbeten aty ku janë, aq më shumë do të rritet grumbulli në gjoksin e popullit, dhe njerëzit do të kërkojnë shpëtimin sa më larg prej tyre.

Apo, ndoshta, në përballje me ta!

* * *

Po mirë, do të thotë dikush, çka duhet bërë?

Zor të thuhet, por e pashmangshme. Kush kritikon, e ka për borxh të ofrojë edhe një zgjidhje.

Problem tek ne është që me sistemin që kemi zgjidhja nuk është e mundur. Është një qark vicioz, sepse, nëse njerëzit ikin për shkak të mënyrës si udhëhiqet ky shtet nga një grup njerëzish të papërgjegjshëm, zgjidhje nuk mund të jetë ndryshimi i mënyrës së udhëheqjes, duke mbajtur njerëzit e njëjtë në udhëheqje, e as ndryshimi i njerëzve që udhëheqin pa e ndryshuar mënyrën si udhëhiqet.

Ndryshimi rrënjësor, pra, është i mundur vetëm nëse ndërrohen edhe sistemi, edhe njerëzit që e udhëheqin atë.

Revolucion? Jo!

Reformë, rindërtim, rilindje – nuk është me rëndësi si e quajmë.

Një Kosovë e re, që shfaqet pa dhunë, mbi rrënojat e kësaj që tashmë ka nisur të kolapsojë.

Sigurisht, miqtë ndërkombëtarë dhe këta që janë në pushtet dhe ata që jetojnë dhe përfitojnë nga ky sistem i korruptuar, nuk duan ta pranojnë se rendi politiko-ekonomiko-social që kemi është duke u rrënuar, por shenjat janë aty, dhe e pranuam apo jo, kolapsi tashmë është duke ndodhur.

Sidomos miqtë ndërkombëtarë, diplomatë e zyrtarë perëndimorë do të rezistojnë fuqishëm, sepse mund ta shohin një ndryshim të tillë dramatik si kërcënim të investimit të tyre shumëvjeçar politik në një sistem lokal që siguron stabilitet rajonal. Por, edhe ata do të binden, shumë shpejt, kur kolapsi të tregojë plotësisht dhëmbët e vet rrënues.

E ai kolaps tashmë ka nisur, sepse:

- vendi vazhdimisht përballet me bllokime kushtetuese;
- vendi është përherë në krizë politike;
- vendi gjendet në një krizë të skajshme ekonomike e sociale;
- vendi nuk ka kapacitet për të ofruar sundim të ligjit dhe stabilitet e siguri në tërë territorin dhe për të gjithë qytetarët;
- edhe pse formalisht i shpallur plotësisht i pavarur, vendi mbetet nën mbikëqyrje ekzekutive të misioneve të huaja, prej të cilave një pjesë nuk e njohin as rendin kushtetues, as ligjet e vendit.

Dhe, kjo Kosovë e re që duhet të lindë, disi ngjashëm si Republika e Francës që rilindi pesë herë, do të duhej ndërtuar mbi mësimet e mësuara dhe të pësuara nga Kosova në të cilën jetojmë tani.

Pak ka gjasa të bëhet me konsensus politik, përveç nëse Kuvendi do të hapte sytë për të parë çka vërtet po ndodh.

Por do të ndodhë pashmangshëm, me kolapsin që po vjen. Vetëm shpresoj pas tij të kemi fuqinë dhe mendjen e shëndoshë që kësaj radhe ta bëjmë si duhet.

[email protected]

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...