6 Shtator 2015 - 08:00 - Agron Bajrami
Është një strehë e përkryer. Nga zhurma e qytetit, presioni i punës, zhgënjimi me ngecjen, pakënaqësitë e vogla e të mëdha të së përditshmes.
Në 1200 metra lartësi, ajri që thithim është i pastër, uji që pimë është nga burimi, ushqimi që hamë është natyral. Edhe vapa e verës është e durueshme falë hijes së drunjve të mëdhenj, livadheve të blerta dhe puhisë së këndshme që sjell freskinë nga majat e larta të Sharrit.
Përveç fishkëllimës së heshtur të flladit, qetësinë e ndërpresin vetëm edhe zogjtë dhe gurgullima e përroit që kalon pranë.
Natyra ende është zot në këto anë, në jugun e Kosovës, rrëzë maleve të Sharrit, ku rruga nuk të çon përveç nëse nuk je nisur pikërisht aty.
Natyra është zot… por jo edhe gjatë!
Zëri i rrjedhës së ujit është magjepsës, por edhe mashtrues, sepse pamja e tij tregon historinë e vërtetë: Dikur një lumë me ujë të ftohtë burimi, tani është përrua përplot mbeturina, të hedhura aty nga njerëz që luftojnë natyrën.
Një pamje e rëndë po aq sa edhe një vrasje.
* * *
Shteti nuk çan kokën.
Mbrojtja e ambientit për institucionet e vendit, si ato kombëtare ashtu edhe lokale, është po aq e rëndësishme sa edhe mbijetesa e llojeve të fluturave fushore në zhdukje. Pushtetarët, të cilët paguhen, mes tjerash, edhe për të mbrojtur ambientin dhe biodiversitetin e Kosovës, e me të edhe shëndetin e njerëzve të saj, nuk e kanë merituar as edhe një rrogë të vetme që kanë marrë deri më tani. Madje, diku tjetër, edhe do të ishin gjykuar për keqpërdorim të detyrës për vetë faktin se nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar krimin.
E krimi është i madh. Bërlloku që na mbulon nëpër rrugët e secilit vendbanim të Kosovës është vetëm maja e ajsbergut. Problemi është shumëfish më i madh. Prej lumenjve që ose janë shndërruar në deponi bërlloku, deri në masën që as edhe një peshk nuk ka mbetur në ta i gjallë, ose u është shkatërruar rrjedha nga nxjerrja e pakontrolluar e zhavorrit, deri te pyjet dhe malet që janë shkatërruar nga gurthyesit e shumtë dhe ndërtimet e pakontrolluara dhe të paqëndrueshme. Mos të flasim për ajrin e ndotur që sot e thithim në pjesët më të mëdha të Kosovës, i cili shumë kosovarëve nuk u sjell gjë tjetër përveç sëmundjeve dhe, përfundimisht, vdekjes së parakohshme dhe të mundimshme.
Ka 16 vjet, që nga fundi i luftës, që këto gjëra dihen, janë vërejtur e raportuar, thënë e shkruar, analizuar e debatuar, nga njerëz e organizma të shumtë, vendës e ndërkombëtarë. Politikanët si zakonisht kanë dhënë premtime e kanë bërë zotime, dhe janë betuar se do ta bëjnë Kosovën shembull ekologjik! Kanë thënë, sikur që i kanë thënë shumë gjëra të tjera, dhe nuk i kanë bërë. Kanë dalë në fushata për Ditën e Tokës, për t’u fotografuar, duke mbledhur letra në mëhallët e kryeqytetit, dhe kaq! Kanë folur për aspiratat tona për anëtarësim në BE, thua se evropianët do të pranonin një vend të tillë të pistë, siç jemi sot. Kanë mashtruar për votë, dhe sapo e kanë marrë atë, ia kanë kthyer shpinën obligimit që Kosovën ta bëjnë një shtet të pastër. Dhe ashtu, të zënë me kacafytjet dhe fyerjet e tyre të ulëta virtuale dhe luftën e përhershme për të mbetur apo ardhur në pushtet, vazhdojnë ta shohin vendin e ngujuar në ndotje, pa u merakosur fare.
* * *
Sigurisht as ne, që na thonë njerëzit e rëndomtë, nuk jemi krejt të pafajshëm. Hedhja e mbeturinave nëpër rrugë, lumenj e male sikur na është bërë sport kombëtar, sikur garojmë se kush do të arrijë të ndotë më shumë. Fshatra e qyteza të tëra dhe dhjetëra mijëra familje kosovare jetojnë dhe i rrisin fëmijët në kundërmimin e ujërave të zeza dhe nën kërcënimin e përhershëm nga epidemitë që përhapen nga papastërtia, ndërsa presin që dikush t’ua pastrojë oborret dhe mëhallët.
Madje, edhe ata prej nesh që me vite kanë jetuar në vende perëndimore, kur vijnë në vendlindje ndodh të hedhin mbeturinat nga dritaret e veturave të shtrenjta e të shpejta, sikur të kishin kënaqësi në kryerjen e një akti të tillë të shëmtuar, që në vendet e pastra ku jetojnë dënohen me gjobë.
Sigurisht, zgjidhja është e qartë prej fillimit. Në një shoqëri të tillë, ku hedhja e mbeturinave kudo është shndërruar në normë të pranueshme sociale, shteti duhet ndërhyrë në zbatimin e rregullave përmes: dënimeve të ashpra, si për qytetarët që nuk u binden rregullave, ashtu edhe për zyrtarët që nuk kryejnë shërbimet.
Ndërsa politikanët, për ndyrësirat që bëjnë dhe për këto tonat që nuk mërziten, shpresojmë të mund t’i ndëshkojmë duke ua kthyer shpinën kur të vijnë për vota.
* * *
Qytetet e Kosovës, bashkë me pjesën më të madhe të rrafshit, kanë tokën, ajrin dhe ujin e helmuar. Shumica e kosovarëve jetojnë si të ngujuar në këto zona të errëta, ku ne, njerëz të pamend, e rrënuam natyrën në luftën tonë barbare kundër të bukurës.
Atje lart, afër majave të Sharrit, sikur edhe në Bjeshkët e Nemuna, natyra ende është Zot.
Por jo edhe gjatë!
[email protected]
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...