7 Janar 2016 - 08:18 - Agron Bajrami
Tregimi i Parë
Është nata e Vitit të Ri. Mbrëmja e ftohtë ngrohet nga fishekzjarrët dhe dritat e shumta që e kanë mbuluar sheshin “Nëna Terezë”. Kryeqyteti i Kosovës tashmë feston zhurmshëm ndërrimin e moteve. Mesnata nuk është larg, por ka ende njerëz që mbeten rrugëve me gota vere të nxehtë në duar, të cilat vazhdojnë të shiten në tregun dimëror, të vendosur nga autoritetet komunale qysh para Krishtlindjeve, përballë hotelit “Grand”.
E në hotel, që ende është pronë shoqërore - i fundit i këtij lloji në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor - nata më e gjatë e vitit mund të pritet në organizim tradicional, për vetëm 1 400 dinarë, nën tingujt e këngëve të vjetra qytetare të dashurisë. Për ata me xhepat më të cekët, opsioni për gjysmë më i lirë është në ndonjërin prej klubeve-restorante me programe muzikore turbo-tallava serbo-shqiptare.
Apo edhe në Sheshin e sapoinauguruar të Bashkimit Evropian - të emërtuar “Europe” –mes ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, Teatrit Krahinor dhe restorantit të rinovuar “Union”, ku skena e improvizuar tashmë pret grupet multietnike rinore që sonte do të luajnë falas.
Plagët e luftës së humbur 16 vjet më parë ende nuk janë shëruar plotësisht, andaj dhe shumica e njerëzve edhe më tej presin Vitin e Ri në shtëpitë e veta, të rrethuar me familjarë e njerëz të besueshëm. Por periudha tetëvjeçare e administrimit ndërkombëtar të OKB-së (2000-2008), si dhe mbikëqyrja evropiane e rindërtimit të autonomisë pas saj (2008-2015) kanë bërë të veten; popullata shumicë shqiptare, edhe pse pa dëshirë, i është përshtatur zgjidhjes së imponuar politike: Kosova nuk u pavarësua, por fitoi formën e lartë të autonomisë nën mbikëqyrjen e BE-së.
Premtimi se autonomia e re e Kosovës do të shpjerë një ditë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (“shumë shpejt, mbase pranverën e ardhshme” - sipas kreut të Ekzekutivit kosovar), bashkë me arritjen e marrëveshjes së vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare që garanton vetëqeverisje për komunitetin shqiptar në ato rajone të Kosovës ku është shumicë, kanë mbytur nervin kryengritës të popullit, posaçërisht pasi autoritetet në Beograd, bashkë me Komisionin Evropian në Bruksel, janë pajtuar që në territorin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare të vendoset sistemi i veçantë i vetëqeverisjes, një lloj pavarësie e brendshme që nënkupton se çka ndodh mes shqiptarëve mbetet çështje e shqiptarëve; intervenimi i forcave të BE-së, paqeruajtësve të NATO-s, apo edhe forcave serbe të sigurisë mbetet opsion vetëm nëse situata brenda komunitetit shqiptar rrezikon edhe komunitetet e tjera të Kosovës, para së gjithash atë serb; apo nëse autoritetet e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare nuk arrijnë të menaxhojnë konfliktin e brendshëm dhe kërkojnë ndihmë nga jashtë!
Kështu, edhe pse lëvizja shqiptare për pavarësinë e Kosovës është shuar pothuaj tërësisht, problemet vazhdojnë. Partitë e ndryshme shqiptare, në luftë për kontrollin e territorit të Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare, e kanë shndërruar konfliktin politik në përplasje të hapur të dhunshme e fizike; opozitarët përdorin gazin lotsjellës për të bllokuar institucionet, derisa qeveritarët përdorin forcat e sigurisë për të ndaluar opozitën.
Ndërkohë popullata vuan jo veç nga politika. Ekonomia është pothuaj e vdekur, investimet e premtuara nga Perëndimi nuk janë realizuar aspak, më shumë se një e treta e popullatës është e papunë, ndërsa varfëria ka kapluar më shumë se 40 për qind të kosovarëve.
Njëkohësisht, premtimi evropian për liberalizim të vizave ka ngecur, e më të dëshpëruarit vazhdojnë tentimet për kalimin ilegal të kufijve ballkanikë, në shpresë se do të mund të mbërrinin në tokën e premtuar: Gjermaninë! Por Brukseli insiston se as liberalizimi i vizave, por as integrimi evropian nuk mund të ndodhin me nivelin jashtëzakonisht të lartë të korrupsionit që ka vendi, dhe ekstremizmin islamik që ka nisur të zërë rrënjë, e që nuk po mund të luftohet nga organet e rendit.
E, megjithatë, mbrëmja e 31 dhjetorit në Prishtinë paralajmëron festë e hare. Njerëzit, me gjithë telashet e grumbulluara, zgjedhin lumturinë e momentit, ani pse e dinë shumë mirë se kjo më shumë u shërben për të fshehur dhimbjen para fëmijëve të vet, të cilën ende nuk dinë, se gjithçka ka mundur të jetë ndryshe. Fshehin dhimbjen, jo për shkak se u vjen turp që kanë pësuar disfatë apo që kanë mbetur të robëruar, por për shkak se janë dorëzuar. Kanë hequr dorë nga ajo që janë zotuar se do ta bëjnë: Kosovën e lirë dhe demokratike!
Tregimi i dytë
Është nata e Vitit të Ri. Shëtitorja në sheshin “Nëna Terezë” është përplot njerëz nga të gjitha anët e botës. Amerikanë, gjermanë, rusë, francezë, spanjollë, arabë, kinezë, indianë, serbë e shqiptarë do të presin numërimin e sekondave të fundit të vitit në sheshin e kryeqytetit të shtetit më simpatik të botës, anëtarit më të ri të OKB-së, Kosovës. Mbi skenën madhështore të përgatitur për ngjarjen mbarevropiane, “Evropa 2016”, sonte do të ngjiten yje të mëdha të muzikës së popullarizuar – U2, Rolling Stones, Adele, Beyonce, Rita Ora, Dua Lipa e “Troja” - për të dërguar mesazhin e paqes dhe të tolerancës fetare, etnike e racore nga vendi ku ajo tashmë është realitet: Kosova, shteti i harmonisë njerëzore.
Vendi ka lulëzuar prejse është shpallur Pavarësia, më 2008, kur përmes një rezolute të OKB-së bota njohu shtetin më të ri, ndërsa Kosova e shpagoi besimin duke ndërtuar për vetëm 8 vjet një shoqëri model, ku sundon rendi dhe ligji. Një shtet i përparuar dhe me ekonominë në rritje, Kosova ka arritur që të shërojë plagët e luftës dhe të hapë dyert drejt integrimit evropian: në fazën e fundit të negociatave, anëtarësim në Bashkimin Evropian, vendi tashmë pritet që prej qershorit 2016 të bëhet anëtari i 29-të i BE-së.
Qytetarët e këtij vendi tashmë ndihen si evropianë; ata prej vitit 2012 lëvizin lirshëm nëpër gjithë Evropën, pa viza dhe pa ndalesa. Kjo edhe ka bërë që festimin e Vitit të Ri në Prishtinë viteve të fundit ta bëjnë kryesisht të huajt; kosovarët festat e fundvitit i kalojnë jashtë vendit, më së shumti në Vjenë, Berlin, Paris, Romë, Londër, Bruksel, Madrid e Barcelonë.
Por këto nuk janë sukseset që luajnë shumë rol; është përparimi ekonomik ai që e ka shndërruar Kosovën nga një vend pothuaj i shkatërruar tërësisht në luftën e vitit 1999, në një shtet modern që duket sikur nuk ka parë luftë me dekada, ndërsa është edhe model i qeverisjes së mirë dhe pa korrupsion.
Telashet fillestare me minoritetin serb janë zgjidhur shpejt nga politikanët kosovarë, shumica prej të cilëve të arsimuar nëpër universitetet botërore ishin të vetëdijshëm për nevojën e ndërtimit të një qasjeje të re ndaj minoriteteve. Njëkohësisht, transicioni i butë i administratës publike dhe shërbimeve shtetërore, përfshirë policinë dhe gjyqësinë, i vënë në vend qysh në ditët e para të pasluftës nga një Qeveri e Shpëtimit kombëtar që përfshinte të gjithë faktorët politikë kosovarë, ka bërë që vetëm 5 vjet më vonë, në mars të vitit 2004, Këshilli i Sigurimit i OKB-së njëzëri të vendosë për reduktimin e misionin të vet paqeruajtës dhe administrativ në Kosovë, dhe të nisë transicionin nga protektorati ndërkombëtar në një shtet të pavarur. Kundërshtimet iniciale nga Serbia janë heshtur shpejt pasi u bë e qartë se Kosova e pavarur do të bëhet shembull i shtetit demokratik evropian dhe ekonomisë së përparuar për gjithë Ballkanin.
Vitin e Ri 2016 Kosova e pret me një gjeneratë të re politikanësh, tashmë të ngritur nga sistemi kosovar i arsimit, i reformuar sipas modelit finlandez, që e bëri Kosovën të ngjitet në vendin e 9-të në listën e vendeve me sistemin më të mirë të arsimit në botë.
Nuk është vetëm kjo; Kosova ka arritur këtë vit të jetë e 12-ta në botë në listën e vendeve me sistemin më kualitativ shëndetësor, e 15-ta në listën e vendeve më të favorshme për investime, dhe e 17-ta në listën e vendeve më të zhvilluara.
Po ashtu, Kosova ka ulur papunësinë në 7 për qind, shërbimet publike i ka të nivelit skandinav, ndërsa Prishtina tashmë është në top 20-shen e qyteteve të botës që konsiderohen më të mira për të jetuar.
Mbrëmja e 31 dhjetorit në Prishtinë pritet nga njerëzit me buzëqeshje të sinqerta dhe krenari të plotë, të lumtur, në dijeninë se e kanë gjetur kuptimin e bërjes së shtetit të Kosovës: të lirë e demokratik, jo sa për sy e faqe, por për qytetarë!
Tregimi i tretë, i vërtetë…
Është nata e Vitit të Ri. Kosova ka mundur të jetë shumë më ndryshe. Ka mundur të jetë shumë më keq. Dhe ka mundur të jetë shumë më mirë. Ka mundur të jetë zi. Ka mundur të jetë bardhë. Ka mundur të pësojë në një përballje të pabarabartë me Serbinë, por ka mundur edhe të ngrihet në këmbë të veta, të udhëhiqet nga njerëz të zotë, të rindërtohet si një vend i qytetarëve të lirë, të vendosur për të ecur kokëngritur, pa asnjë pendesë. Ka mundur Kosova të bëhet e pavarur jo veç nga Serbia, por edhe nga politika e hajnisë dhe e korrupsionit. E pavarur nga mosdija dhe paaftësia.
Tani është kështu si është, as zi, por as bardhë, por pyetja që shtrohet në fund të vitit, si çdo vit tjetër, është: kur të lëvizë, Kosova, do të ecë nga e bardha apo do kthehet nga e zeza?
Mbrëmjen e 31 dhjetorit, të festojmë me shpresë se, më në fund, do të ecim përpara!
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...