9 Gusht 2015 - 09:06 - Agron Bajrami
Pas shumë debateve, kundërshtimeve, hezitimeve, negocimeve dhe presioneve, Kuvendi i Kosovës e votoi amendamentin kushtetues dhe pakon ligjore që i hap rrugë krijimit të Gjykatës Speciale para së cilës do të procedohen rastet që janë hetuar nga ekipi special bazuar në pretendimet e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës, i hartuar nga Dick Marty.
Shumëçka është thënë pse nuk duhet të ketë një Gjykatë Speciale për Kosovën. Në anën tjetër, është argumentuar shumë edhe pse një tribunal i tillë është i domosdoshëm. Kishte të tillë që insistonin se krijimi i një gjyqi të tillë, i cili të ndjekë vetëm pjesëtarë të UÇK-së dhe vetëm për një numër të kufizuar krimesh është plotësisht i padrejtë. Por, disa të tjerë kërkonin që drejtësia të vihej në vend përmes gjykatave ekzistuese kosovare, apo edhe duke krijuar një gjykatë për krime lufte në Kosovë, e cila do të persekutonte të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në vitet 1998-1999. Zëra të shumtë insistonin edhe se krijimi i një Gjykate Speciale do të pastronte një herë e përgjithmonë dyshimet që hidhen mbi luftën e drejtë të UÇK-së, ndërsa Kosova nuk e ka luksin të kundërshtojë një kërkesë eksplicite dhe të vendosur nga aleatët perëndimorë, posaçërisht SHBA-ja, për krijimin e Gjykatës.
Kishte madje edhe të tillë që lamentuan faktin se lidershipi kosovar, nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, me vite të tëra kishte lëshuar rastin që t’i trajtojë seriozisht akuzat e hedhura nga Del Ponte dhe Marty, dhe tani, pasi dyshimet e tyre u hetuan nga ekipi special i hetuesve nën udhëheqjen e amerikanit Clint Williamson, e gjithë çështja u kthye si një bumerang për të na goditur rëndë pikërisht tani. Edhe gjatë diskutimeve në Kuvend, eksponentë të koalicionit qeverisës e pranuan se injorimi i dyshimeve të ngritura së pari nga Carla del Ponte, më pas edhe nga raporti i Dick Marty-it, ka nisur ortekun e hetimeve speciale, që përfundimisht iu përplas fytyrës deputetëve të hënën e kaluar.
Sido që të jetë, Gjykata Speciale, me gjithë kundërthëniet që kishte rreth saj, tashmë u votua, dhe ajo do të bëhet. Si me inercion, debati rreth Gjykatës tashmë ka nisur të zhvendoset rreth asaj se kush nga krerët dhe pjesëtarët e UÇK-së, të marrë në shënjestër në raportin e Dick Marty-it, do të përfundojë si i akuzuar para kësaj Gjykate.
Por, derisa presim (së paku deri vitin e ardhshëm) të marrim vesh se kush do të jenë të akuzuarit (për financimin e mbrojtjes të të cilëve Kuvendi tashmë e miratoi ligjin), mbase do të na bënte mirë që, edhe një herë, të shikojmë se çfarë pasojash, saktësisht, na sjell krijimi i Gjykatë Speciale.
* * *
Së pari, për pasojat negative.
Me krijimin e Gjykatës Speciale, Kuvendi i Kosovës e pranoi zyrtarisht, dhe pa asnjë dilemë, se Kosova nuk është e aftë të gjykojë vetë krimet e luftës që dyshohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së. Kërkesa për krijimin e Gjykatës Speciale, e cila do të funksionojë me ligje të Kosovës, por do të kryejë punimet jashtë Kosovës dhe me gjykatës ndërkombëtarë, është arsyetuar me paaftësinë e gjyqësorit kosovar që të ofrojë kushte të duhura për gjykime të tilla në Kosovë. Politizimi i gjyqësorit, sikur edhe frikësimi i dëshmitarëve, janë përmendur të jenë ndër arsyet kryesore pse gjykimet e tilla nuk mund të bëhen në Kosovë, dhe nuk mund të bëhen nga kosovarët. Për më tepër, mënyra si u mor vendimi, sidomos fjalimet e atyre që votuan pro Gjykatës, të cilët kryesisht insistonin se vendimi merret për shkak të presionit dhe jo për shkak të nevojës për të adresuar akuzat e rënda dhe serioze, lënë të kuptohet se këtë elitë politike vetëm presioni i jashtëm e detyron të bëjë gjënë e duhur kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, luftimin e krimit, korrupsionit dhe ndjekjen e krimeve të luftës. Fatkeqësisht.
Sigurisht, e gjitha është po aq edhe vërtetim, përtej çdo dyshimi, se kanë dështuar edhe misionet ndërkombëtare që ishin të mandatuara për të ndjekur dhe gjykuar krimet e luftës në Kosovë. Pra, edhe EULEX-i, edhe UNMIK-u para tij, janë dështimet që sollën nevojën për të pasur një Gjykatë Speciale. Edhe EULEX-i, edhe UNMIK-u, në vend se ta nxirrnin në rrugë të drejtë u akomoduan në sistemin tonë të politizuar e të korruptuar. Për më tepër, skeptikët thonë se ka gjasa që edhe Gjykata Speciale të dështojë, nëse do të udhëhiqet nga të njëjtët njerëz dhe në të njëjtën mënyrë si EULEX-i dhe UNMIK-u.
Përveç kësaj, komplikimet që e përcollën procesin e krijimit të Gjykatës Speciale, me mosmiratimin e saj në seancën e parë, më 26 qershor, dhe presionet ndërkombëtare që u desh të përdoren, para së gjithash ndaj Thaçit dhe deputetëve të tij, treguan qartë se krerët e Kosovës nuk kanë kapacitet politik për të gjeneruar konsensus kombëtar rreth çështjeve të rëndësisë shtetërore. Për fat të keq, as presidentja Jahjaga nuk arriti të ngrihet mbi lojërat e politikës ditore, për të hapur një diskutim qenësor dhe me kohë jo veç rreth krijimit të Gjykatës Speciale, por edhe rreth arsyeve të vërteta pse kjo Gjykatë duhet të ndodhë – e duhej të ndodhte jo për shkak të presionit ndërkombëtar, por për shkak të dyshimeve serioze që u injoruan nga sistemi ynë politik dhe ai gjyqësor.
Po ashtu, gjatë gjithë kësaj kohe, përtej fasadës së kërkimit të votave të mjaftueshme, publiku kosovar ka mundur të vërejë edhe një proces të neveritshëm politik, gjatë të cilit kreu i Qeverisë, Mustafa, bashkë me partinë e tij u tërhoqën në pasivitet thuajse çështja e Gjykatës nuk është hiç punë e tyre, derisa kreu i partisë më të madhe në vend, Thaçi, sikur përpiqej të negocionte diç për vete në shkëmbim për votën pro Gjykatës, pa marrë parasysh koston për të tjerët dhe vendin në përgjithësi. Në anën tjetër, edhe opozita nuk u tregua kush e di sa më bindëse në ofrimin e alternativave, derisa fakti që vetëm para një viti disa prej deputetëve opozitarë kishin votuar për të njëjtën gjë që tani e kundërshtonin, sigurisht se nuk është tregues i mirë për konsekuencë në qëndrime.
Sigurisht, një aspekt tjetër negativ është edhe fakti që Kuvendi vendosi t’u siguronte mbështetje financiare të akuzuarve, siç u thuhet, potencialë, me çka, qytetarëve të Kosovës, do t’u faturohen shpenzimet e të akuzuarve për avokatë të shtrenjtë. Kjo, sigurisht, është keqpërdorim i mandatit të deputetëve për përfaqësim të popullit.
* * *
Por, vendimi për Gjykatën Speciale nuk ka vetëm pasoja negative.
Së pari, krijimi i kësaj Gjykate, e cila do të trajtojë rastet specifike, ku dyshohet për krime të kryera nga individë të UÇK-së, sikur që e thotë aktivistja nga Beogradi, Natasha Kandiq, hap çështjen e krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj shqiptarëve, e që nuk po procedohen as nga drejtësia ndërkombëtare as nga ajo e Serbisë. Në fakt, presioni që deri më tani i është bërë Kosovës, tash e tutje do të duhej të zhvendosej në drejtim të Serbisë, ashtu që ndjekja e krimeve të luftës të kryera në Kosovë të mos përmbyllet me krijimin e Gjykatës Speciale për Kosovën. Derisa është e qartë se jo secili kriminel i luftës do të mund të nxirret para drejtësisë, synimi duhet të jetë që sa më shumë të tillë të gjykohen dhe dënohen, sidomos në dritën e njohurive publike që kemi, për shembull, për gjeneralët serbë që janë përgjegjës për vrasjet e dhjetëra e mijëra civilëve shqiptarë në luftën e viteve 1998-1999. Krijimi i Gjykatës Speciale e bën edhe më urgjente trajtimin e të gjitha krimeve të luftës të kryera në Kosovë.
Po ashtu, kur të nisë punën Gjykata, një barrë e madhe që Kosova e ka bartur në shpinën e saj ka gjasë se do të shkarkohet për t’iu vënë si barrë vetëm disa individëve. Që do të thotë, meqë Gjykata u votua nën pretendimin se ajo do të “pastrojë” dyshimet mbi luftën e UÇK-së dhe është gjyq kundër individëve dhe jo kundër UÇK-së, kur të ngrihen aktakuzat e para dhe të publikohen emrat e të akuzuarve, nuk do ketë më vend për të kundërshtuar Gjykatën. Madje edhe nëse para saj do të duhej të paraqiteshin edhe krerët e UÇK-së, meqë ishin vetë ata që e miratuan krijimin e kësaj Gjykate.
Sigurisht, për një shoqëri demokratike, në të cilën sundon rendi dhe ligji, e natyrshme do të ishte që rastet sikur këto që do të trajtohen nga Gjykata Speciale të adresohen përmes gjyqësorit kombëtar. Por, Kosova nuk është as shoqëri plotësisht demokratike, e as nuk ka sundim të rendit dhe të ligjit. Kjo është arsyeja themelore pse ndodhi Gjykata Speciale. Andaj, më shumë se sa zgjidhje e problemit, Gjykata Speciale është veç simptoma që po na e tregon sëmundjen. Ndërsa ilaçin duhet ta gjejmë vetë.
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...