3 Qershor 2015 - 18:43 - Agron Bajrami
Një vit pas librit “Këmbët e Gjarprit” – 364 ditë, më saktë – jemi sërish bashkë me Veton Surroin dhe shënimet e tij heretike. Nën titullin “Ambasadori i Melkizedekut”, kësaj radhe Surroi na sjell një, si e quan vetë, libër esesh, por që njëkohësisht është edhe libër historie, analizë politike, rrëfim letrar, edhe paralajmërim intelektual.
Në dymbëdhjetë kapitujt e “Ambasadorit të Melkizedekut” – prej të cilëve secili qëndron edhe si ese më vete, i pavarur nga libri – autori na ballafaqon me iluzionet që u ndërtuan në, për dhe mbi shoqëritë shqiptare në përgjithësi, dhe Kosovën në veçanti. Prej eksperimentimeve politike të çastit dhe rastësisë, dhe dilemave ideologjike-religjioze deri tek dhe realitetet politike e kriminale që na sollën aty ku gjendemi sot: ende në këmbë, por duke pyetur veten - me fjalët e huazuara nga Mario Vargas Llosa - në ç‘moment saktësisht u shkërdhye Kosova?
Surroi, që në fillim, ende pa shtruar pyetjet si kjo, tregon se libri i tij nuk i jep përgjigjet. Së paku jo ato përfundimtaret, të përhershmet, meqë, siç e thotë në hyrje, në formë të përhershme ekzistojnë veç pyetjet.
E megjithatë, lexuesi i vëmendshëm i “Ambasadorit të Melkizedekut” do të gjejë brenda faqeve diç më të vlefshme sesa vetë përgjigjet. Do të gjejë të përshkruar, deri në detajet më të imta, një kombinim të ndërlikuar arsyesh, momentesh e incidentesh që definuan rrugën e humbur në të cilën ka ecur Kosova, por edhe shqiptarët, me vite të tëra, për të arritur tek pyetja e huazuar nga nobelisti peruan Llosa.
“Ambasadori i Melkizedekut” ka veç 283 faqe, por brenda librit janë qindra histori, të mëdha e të vogla, të shkëputura prej njëra-tjetrës, por të ndërlidhura ngushtë brenda rrëfimit, në masë të madhe edhe tragjik, për shqiptarët dhe Kosovën.
Si përherë, Surroi nuk ngurron që ato që i sheh t’i quajë ashtu si i sheh, si i kupton dhe, tekefundit, ashtu siç janë. Në asnjë moment ai nuk e kursen lexuesin nga e vërteta, sado që ajo mund të hidhërojë dikë, e mbase - sikur në rastin e pararendësit “Këmbët e Gjarprit” - mund edhe të përcillet me djegie barbare të librit.
I shkujdesur, pra, për pasojat e ushtrimit të lirisë së shkrimit dhe shprehjes, Surroi flet hapur jo veç për iluzionet e sajuara për të marrë dhe mbajtur pushtet politik e faktik në Kosovë, apo për ndërtimin e qeverisjes së “modelit të Kosovapetrolit” që në vend të viktimave të luftës u interesua për kontrollin e tregtisë me naftë e me të edhe të parave që sigurojnë pushtetin, por flet hapur edhe për rrezikun që shqiptarëve u kërcënohet nga ekstremizmi islamik dhe putinizmi, në kohën kur rrugëtimi drejt demokracisë liberale dhe integrimeve evropiane u është ndërlikuar shumë nga të tjerët, por më së shumti nga vetvetja.
Në terminologjinë standarde letrare, “Ambasadori i Melkizedekut” do të mund të quhej libër me shumë personazhe negative (kush më pak e kush më shumë, por negative, gjithsesi), dhe me popullin në rolin e viktimës, në traditën e tragjedive klasike. Shqiptarët, në Kosovë dhe jashtë saj, na shfaqen të mashtruar, të keqpërdorur, të viktimizuar e të sakrifikuar, gjithnjë nga karaktere të dyshimta, individë oportunistë e njerëz të paaftë apo të ligj.
Në momente, “Ambasadori i Melkizedekut” është edhe i rëndë për lexim, sepse na i sjell në kujtesë krimet e rënda, pothuaj të harruara ndaj shqiptarëve – si masakra e Krushës së Vogël – por, si herezi që është, edhe vrasjet e pakuptimta të pasluftës të minoritarëve nën pretekstin e hakmarrjes dhe nën mbulesën e heshtjes së pushtetit të ditëve të para të çlirimit, që edhe kësaj radhe, si në “Këmbët e Gjarprit”, personifikohet përmes figurës së Hashim Thaçit, asokohe kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Me gjithë faktin se çdo kapitull i “Ambasadorit të Melkizedekut” trajton (edhe) një tjetër nëntemë – prej krahasimit të katapultimit të Atifete Jahjagës në postin e presidentes së Kosovës me atë të përfundimit po aq incidental të Sejdo Bajramoviqit në postin e kreut të shtetit në ish- RSFJ, e deri tek ikja e fundit masive e shqiptarëve nga Kosova përmes Serbisë dhe Hungarisë për në Evropë – vend të veçantë, mbase edhe qendror, në libër zë problemi që shqiptarët kanë me ekstremizmin islamik. Surroi, mbase si askush deri më tani, hyn thellë në analizën e arsyeve historike, shoqërore dhe politike të shfaqjes së shqiptarëve të tipit të Lavdrim Muhaxherit në radhët e xhihadistëve terroristë të ISIS-it, si dhe arsyeve pse lufta aktuale e botës demokratike kundër terrorizmit ka gjasa të jetë e humbur.
Në fakt, vetëm analiza historike, shoqërore dhe politike e rrethanave që i mundësuan ekstremizmit islamik të zërë rrënjë ndër shqiptarë është një traktat më vete, një lloj libri brenda librit, që shquhet jo veç për përshkrimet e sakta e të detajuara të ngritjes së ekstremizmit islamik ndër shqiptarë, por edhe për vlerat letrare, informative, vrojtuese dhe sqaruese, të cilat Surroi, si gazetar i lindur që është, na i sjell me mjeshtërinë prej rrëfimtari dhe vendosmërinë prej heretiku të papërmirësueshëm që është.
Fatmirësisht!
(Fjala e autorit në promovimin e librit të Veton Surroit, “Ambasadori i Melkizedekut”)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...