10 Janar 2016 - 08:02 - Agron Bajrami
Nëse do të ketë zgjedhje apo jo, është çështje e pavendosur ende, por duke parë përshkallëzimin e krizës politike dhe të tensionimeve mes pushtetit dhe opozitës, si dhe një marrëdhënie vazhdimisht të parehatshme mes dy partive më të mëdha në pushtet, PDK e LDK, mendja e shëndoshë thotë se nuk do kalojë shumë kohë përpara se të pushtetshmit e vendit, ata që rregullisht vendosin për gjithçka këtu, të thonë se ka ardhur koha që kriza të zgjidhet përmes kutive të votimit.
Megjithatë, në këtë moment, këta vendimmarrës - krerët e koalicionit qeverisës, si dhe faktori ndërkombëtarë - zgjedhjet e mundshme i shohin si pengesë.
Për krerët e Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, zgjedhjet janë të padëshirueshme për aq sa të jetë e vlefshme ujdia që kanë, e që njërin e bëri kryeministër e tjetrin e do të duhej ta bëjë president, brenda javësh.
As ndërkombëtarët nuk do të donin të shihnin zgjedhje të parakohshme, sidomos jo këtë pranverë, meqë kjo do të nënkuptonte shtyrjen edhe për disa muaj, nëse jo më shumë, të dy proceseve qendrore për ta: krijimit të Gjykatës Speciale dhe themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Andaj, në këto rrethana, nuk është çudi të dëgjohen krerët e Qeverisë, siç ishte rasti të premten me zv.kryeministrin Thaçi, duke deklaruar si me inat se zgjedhje nuk do të ketë deri në vitin 2018. Dhe pikë!
* * *
Natyrisht, edhe ky deklarim – se kjo qeveri do të kryejë mandatin e plotë 4-vjeçar – është sikur edhe çdo premtim politik e zgjedhor tjetër që kanë bërë politikanët e pushtetarët kosovarë në 16 vitet e fundit, posaçërisht ish-kryeministri, i kthyer para një viti në shef të përkohshëm të diplomacisë në pritje për t’u bërë president! Është një manovrim tipik politik i kreut të PDK-së, i cili, në njërën anë bën fushatë zgjedhore para LDK-së dhe deputetëve të saj, të cilët i porositë se zgjedhja e tij për President ua siguron atyre pushtetin edhe së paku tre vjet të tjerë, ndërsa, në anën tjetër, ngacmon opozitën duke ia dërguar mesazhin se të kota i ka përpjekjet kundërshtuese – brenda apo jashtë institucioneve!
Por, edhe vetë Thaçi do të mund të ndërrojë pozicion brenda minutash, nëse, për shembull, dështon zgjedhja e tij për president të vendit. Apo, edhe nëse zgjidhet - sepse, në momentin kur Thaçi të jetë ulur në karrigen e Jahjagës, dhe të jetë larguar, së paku formalisht, nga partia, marrëveshja e tij me Mustafën mund të shihet si e skaduar nga PDK-ja dhe Kadri Veseli, apo kushdo tjetër që të zgjidhet në krye të partisë.
Edhe brenda LDK-së ka rryma që nuk janë të kënaqura me idenë që votat e tyre ta çojnë në Presidencë pikërisht Thaçin, të cilin shumë ithtarë të partisë së Ibrahim Rugovës ende e shohin më shumë si një rival të urryer sesa një partner.
Sigurisht, në këtë grup nuk bën pjesë kreu i LDK-së, Mustafa, i cili ulësen e kryeministrit ia ka borxh pikërisht Thaçit, dhe që ka çdo arsye të jetë kundër zgjedhjeve të parakohshme, së paku jo këtë vit, meqë në rrethanat aktuale e ka pothuaj të garantuar mossuksesin zgjedhor, më së shumti për faktin se qeverisja e tij me vendin në 13 muajt e deritanishëm është karakterizuar me protesta opozitare, stagnim ekonomik dhe politik, tensionime shoqërore e sociale dhe nënshkrim të marrëveshjeve të diskutueshme dhe skajshmërisht të papëlqyera me Serbinë.
Balancën në peshoren politike ende e mban në favor të Mustafës faktori i jashtëm, i cili nuk dëshiron zvarritje të mëtutjeshme në proceset që i sponsorizon, posaçërisht në krijimin e Gjykatës Speciale dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë. Por me vëmendjen ndërkombëtare çdo herë e më larg nga Kosova, dhe presionin e shtuar të brendshëm politik e social, si dhe performancën e dobët në qeverisje të kabinetit Mustafa, herët a vonë edhe ndërkombëtarët mund të pajtohen se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme e mbetur për të shpëtuar çka mund të shpëtohet. Posaçërisht nëse një kërkesë e tillë vjen jo veç nga opozita.
Andaj, sado paradoksale të duket, përpjekja e opozitës për të detyruar mbajtjen e zgjedhjeve varet më së shumti nga vullneti i PDK-së, e cila, duke i marrë parasysh zhvillimet e dy viteve të fundit, sërish ka më së shumti gjasa të dalë fituese zgjedhore, me apo pa manipulime.
Kështu, një proces zgjedhor i iniciuar këtë vit, që do të mbahej në një sistem të pareformuar zgjedhor, në hijen e tensionimeve dhe konfliktit të radikalizuar të brendshëm politik, me rrezikshmëri të lartë për fushatë të pandershme, incidente të dhunës dhe manipulime zgjedhore të përmasave të gjera, nuk është se ofron shpresë se mund të sjellë një kthesë dramatike e qenësore në mënyrën se si bëhet politika dhe si qeveriset vendi.
Sigurisht, mund të rezultojë me një koalicion tjetër fare në pushtet, por jo pa së paku njërën prej dy partive të mëdha qeverisëse në të. Ndryshimi maksimal mund të jenë disa emra të rinj në poste qeveritare – ndoshta edhe një kryeministër tjetër, një zëvendëskryeministër tjetër, a një ministër i ri të jashtëm. Dhe me disa emra të njohur në opozitë, tashmë me një përvojë të shtuar në bllokim të institucioneve dhe përplasje me pushtet!
Një recetë e përkryer për të çuar edhe një vit dëm. Apo edhe më shumë se kaq…
* * *
Dhe, nëse situata nuk është e qëndrueshme si është, ndërsa as zgjedhjet nuk janë zgjidhja, cila është rrugëdalja, pra?
Kam frikë se përgjigjja nuk është optimiste: Rrugëdalje ka, por është e ndërlikuar, kërkon kohë dhe është e mundimshme, dhe nënkupton aktivizimin qytetar kundër politikës, jo kundër sistemit.
Sepse, problem i Kosovës nuk janë as sistemi zgjedhor, as sistemi juridik, as sistemi i prokurimit, as sistemi ekonomik, as sistemi politik. Madje, problemi i vërtetë nuk është as kriza aktuale politike. Të gjitha këto, si edhe shumë sfera të tjera të dështuara të shtetit, janë pasojë.
Problem qenësor janë njerëzit që e kanë populluar skenën politike dhe partitë brenda saj, dhe përmes këtyre e kanë marrë nën kontroll tërë shtetin. Problem janë partitë politike, të cilat funksionojnë si klane mafioze që nuk i nënshtrohen asnjë ligji, nuk paguajnë asnjë taksë, nuk respektojnë asnjë normë, dhe që të vetmin rol e kanë të delegojnë ushtarë partiakë në gjithë sistemin shtetëror, dhe ta infektojnë atë, ta korruptojnë dhe ta degradojnë deri në disfunksionalitet të plotë. Vendi nuk mund të ecë përpara, sepse është ngufatur nga këto struktura jodemokratike politike, shpesh herë edhe ilegale e të kriminalizuara, partiake.
Politika është helmi prej të cilit vuan Kosova. Dhe derisa është kështu, mbajtja e zgjedhjeve do të shërbejë vetëm për të ruajtur këtë status quo.
Asgjë më shumë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...