10 Qershor 2014 - 08:49 - Agron Bajrami
Procesi i zgjedhjeve u përmbyll pa defekte të mëdha organizative, dhe derisa partitë presin rezultatet përfundimtare që do të tregojnë se kush saktësisht do të përfaqësojë në Kuvendin e Kosovës atë që quhet vullnet i popullit dhe cili koalicion do të qeverisë vendin në mandatin e radhës, është kohë e përshtatshme për të nxjerrë disa mësime nga vota e 8 qershorit.
1. Fushata elektorale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ose duhet sanksionojë shkeljet e rregullave të fushatës zgjedhore dhe heshtjes zgjedhore, ose duhet të shpallë se fushatë mund të bëjë kushdo dhe kurdo, ndërsa heshtja zgjedhore të anulohet.
Fushata, siç është evidencuar, ka nisur shumë javë para se të jetë hapur zyrtarisht, ndërsa askush nuk ka monitoruar shpenzimet e partive në kohën kur ato kanë bërë fushatë para se të shpallej zyrtarisht e hapur. Kështu, partia në pushtet sidomos ka përdorur gjithë infrastrukturën qeveritare për të bërë fushatë, duke i vënë në pozitë të pabarabartë partitë opozitare, që i bën këto zgjedhje të mos jenë edhe aq të drejta e të rregullta, siç pretendohet.
Në anën tjetër, gjatë heshtjes zgjedhore qytetarët e Kosovës kanë qenë të bombarduar nga sms-të e kandidatëve që paturpshëm kërkonin votën, si dhe postimet në rrjetet sociale, ndërsa pankartat dhe posterët elektoralë kanë mbetur të dukshëm para të gjitha vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve. Tani ose duhet të sanksionohen të gjithë ata që kanë bërë shkelje gjatë heshtjes zgjedhore, ose duhet të shpallim se nuk mund të mbajmë rregull dhe të anulojmë heshtjen zgjedhore në zgjedhjet e së ardhmes.
2. Rregullsia e procesit. Sigurisht është për t’u lavdëruar mbarëvajtja e procesit zgjedhor. Derisa nuk është se ishin zgjedhjet të përkryera (nuk do mend se edhe më tej kemi probleme të natyrave të ndryshme, edhe teknike, edhe politike), fakt mbetet se institucionet ishin aktive për të penguar hajninë e madhe. Kjo në vetvete është arritje, por njëkohësisht është edhe dëshmi se për manipulimet e së kaluarës, sidomos ato të vitit 2010, nuk ndodhën për shkak se kishim një sistem të brishtë zgjedhor, por ndodhën për shkak se disa parti politike ishin të përkushtuara që të mbanin pushtetin me çdo kusht, pra edhe nëse duhet vjedhur votat, ndërsa institucionet e ngarkuara me organizimin e zgjedhjeve dhe mbrojtjen e votës së lirë i mbyllën sytë.
Mësimi që duhet nxjerrë ka të bëjë me faktin se partitë që e bënë këtë më 2010 dhe institucionet që e lejuan ende janë këtu, të pandryshuara. Në momentin e parë që të shmangim vëmendjen, manipulimet do të vazhdojnë.
3. Pushteti. Derisa doli si fituese e zgjedhjeve, PDK-ja nuk duhet të harrojë se këtë e arriti falë një opozite të fragmentuar, fushatës me premtime absurde të kreut të saj, Hashim Thaçi, dhe listës manipuluese zgjedhore që Thaçi krijoi duke bërë bashkë ekstreme që nuk përputhen, apo që janë në kundërshti të drejtpërdrejtë mes vete.
Megjithatë, nëse gjithë procesin duhet shikuar nga këndi makiavelist, pra nëse pajtohemi se qëllimi i mbajtjes së pushtetit arsyeton përdorimin e çdo mjeti, atëherë nuk mund të mos pajtohemi se Thaçi dhe PDK-ja janë treguar më të aftë se të tjerët.
Një mësim shtesë që do ta nxjerrim më vonë nga mënyra se si PDK-ja e fitoi këtë votë ka të bëjë me shpenzimet elektorale. Derisa Thaçi, për të fituar votën, zbrazi buxhetin e shtetit deri në centin e fundit, (bazuar në premtimet, i zbrazi edhe buxhetet e viteve të ardhshme) koha e qeverisjes nënkupton mbushjen e asaj zbrazëtire të lënë në këtë buxhet dhe në buxhetet e ardhshme. Dhe kjo mbushje nuk ka si të bëhet tjetër, përveçse me paratë e taksapaguesve, kursimet e tyre pensionale apo të hollat e privatizimit. Çdo rritje e pagave pashmangshëm do të shoqërohet me rritje të taksave, rritje të çmimeve, rritje të kostos së jetesës, e kështu me radhë, deri në zgjedhjet e ardhshme.
Mësimi, pra, është se premtimet zgjedhore paguhen nga xhepi i qytetarit, dhe madje me interes!
4.Opozita. Ashtu siç ka punuar, e poakoordinuar gjatë gjithë mandatit të kaluar të Thaçit, opozita u shfaq e tillë edhe në fushatë, duke u përplasur madje shpeshherë më shumë mes vete sesa me vetë pushtetin. Një LDK me një fushatë të zbehtë, pa gjak, me një diskurs që nuk arriti ta zgjonte votuesin, një VV që njëkohësisht luftoi me të gjithë, një AAK që mbeti e ngujuar në mitin e Haradinajt kryeministër, dhe një Nismë me nisje të vonshme që nuk arriti të profilizohet si alternativë e vërtetë – që të gjitha, pra, me dobësitë që Thaçi me koalicionin e tij i shfrytëzoi për të neutralizuar çdo ide se ndryshimi është i mundshëm. Defekti, mbase më i madh, është se të gjitha partitë, pa përjashtim, fushatën e bënë duke ndjekur hapat e Thaçit, jo duke i paraprirë atij.
Në fund, opozitarët ishin në pritje të fitores, derisa Thaçi ishte në kërkim të saj.
Mësimi për të gjithë: Fitorja zgjedhore asnjëherë nuk është e garantuar!
Përveç nëse nuk gjen mënyrë për të ndërtuar një koalicion të madh që do ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve, LDK, VV, AAK dhe Nisma tani gjenden para dilemës nëse do t’u mbesin besnikë fjalëve të veta – se nuk bëjnë koalicion me PDK-në – apo do të shiten për pushtet, siç rëndom ka ndodhur!
5. Qytetari. Nëse dikush ka pësuar disfatë në këto zgjedhje, ishte qytetari i Kosovës. Me gjithë procesin e rregullt të votimit, pjesëmarrjes së mirë (përqindja e daljes në realitet është më e madhe, nëse nga trupi votues heqim gjithë ata kosovarë që nuk jetojnë në Kosovë, por figurojnë në listat e votuesve, apo ata që nuk janë ndër të gjallët më), së pari fushata e pastaj edhe rezultati i zgjedhjeve, për shumicën e votuesve nuk është ai i prituri.
Gjatë fushatës kosovarët patën rastin të dëgjonin më shumë fjalë për ekonominë, punësimin, mirëqenien, që në vetvete do të duhej të ishte përmirësim krahasuar me fushatat e mëparshme. Por niveli i diskutimit të këtyre problemeve ka qenë tejet i ulët, zgjidhjet e ofruara shumë manipuluese, që tek një pjesë e votuesve kanë shkaktuar irritim, ndërsa tek një pjesë tjetër kanë ngritur pritjet e larta, që nuk do të mund të përmbushen. Si puna e 200.000 vendeve të punës.
Mësimi për qytetarët është i njëjti që prejse ekzistojnë zgjedhjet dhe lufta për pushtet: politikanëve nuk duhet besuar.
E pasojat për shoqërinë do të jenë: thellim i zhgënjimit dhe radikalizim i elektoratit.
Përgjegjësia për këtë, si rëndom, mbetet e paadresuar.
6. Serbët dhe veriu. Pak është folur për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, sidomos të atyre në veri të Kosovës. Derisa në letër na del një pjesëmarrje e mirë, e nivelit shumë më të madh se herëve të tjera, rezultati i zgjedhjeve, ku mandatin e përfaqësimit të serbëve e kanë fituar pothuaj ekskluzivisht politikanët e emëruar nga Beogradi, do ta bëjnë komunikimin me përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës shumë më të komplikuar sesa që ka qenë deri më tani.
Si pasojë, gjasat janë se për çdo gjë, deri edhe në ndërtimin e kanalizimit të financuar nga Republika e Kosovës në Graçanicë, apo kalimin e autostradës nëpër territorin e një komune serbe, Qeveria e Kosovës do të duhet të negociohet me Qeverinë në Beograd.
Mësimin nga ky ndërlikim gjasat janë se do ta mësojmë kur të vijë koha e ndryshimeve kushtetuese, të cilat nuk do të mund të bëhen pa votat e serbëve, që tani e tutje do të thotë vota e Qeverisë së Serbisë!
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...