Politika e imazheve

1 Shkurt 2015 - 11:01 - Agron Bajrami      

Është bërë traditë. Sa herë që vendi përballet me telashe, krizë apo çfarëdo zhvillimi negativ, politikanët vendorë dhe diplomatët ndërkombëtarë na flasin për imazhin që po na dëmtohet. Kështu, veç dy-tre muajt e fundit, kemi dëgjuar paralajmërime për dëmtimin e imazhit nga shtimi i kosovarëve në radhët e ISIS-it në Siri, për rritjen e numrit të azilkërkuesve kosovarë në Evropë, dhe, së fundi, për hedhjen e gurëve në ndërtesat qeveritare në Prishtinë.

Pa dyshim se është kështu.

Por, nëse me imazh nënkuptojmë reputacionin që ka vendi në botë, atëherë duhet sqaruar se Kosova tashmë e ka pasur reputacionin skajshmërisht të keq, të dëmtuar në vazhdimësi, me vite të tëra, që nga ditët e para të pasluftës në Kosovë e deri më sot, nga një pjesë (dominuese) e klasës politike (në pushtet e opozitë), e cila asnjëherë nuk ka çarë kokën për atë se si do të jetë imazhi i vendit, kur me veprimet e veta e ka plaçkitur qytetarin, duke ia vjedhur të kaluarën, të tashmen e të ardhmen.

Sepse Kosova sot në botë ka reputacionin prej vendit me qeverisje të zhytur në korrupsion endemik, të udhëhequr nga politikanë të lidhur ngushtë me krimin e organizuar, të ngujuar në kontest politiko-territorial me Serbinë, të shndërruar në territore problematik, të cilin njerëzit e braktisin me dëshirë - nuk ia kanë krijuar huliganët 16-17 vjeç që hidhnin gurë e thyenin prona, të martën pasdite.

Ky reputacion u krijua nga dhjetëra raporte kritike që identifikuan, shpeshherë me saktësi, problemet akute të vendit tonë, prej politikave të dështuara qeverisëse dhe manipulimeve zgjedhore deri tek veprimet kriminale dhe hajnitë ekonomike. Janë raporte që kanë ndërtuar një pamje të rëndë të Kosovës, ku personazhet kryesore negative janë në masë të madhe të njëjtit që edhe sot udhëheqin shtetin. Raporte të NATO-s, të BE-së, të OSBE-së, të OKB-së, e të shumë organizatave joqeveritare me renome, ndërtuan një imazh për një Kosovë të pasigurt, jodemokratike, jotolerante, me klasë të korruptuar politike, dhe një sistem që ngadalë por sigurt po shndërrohet në oligarki ekonomike.

Sigurisht Qeveria e Kosovës dha miliona euro për të krijuar një imazh tjetër të shtetit, si një demokraci perëndimore me rini evropiane, por Kosovës i ka mbetur reputacioni i keq në botë, si një ish-vatër e krizës që assesi nuk po mund të ngrihet në këmbë të veta: ende ka nevojë për një forcë të NATO-s që t’ia ruajë kufijtë; ende ka nevojë për forcë policore evropiane për t’ia vendosur sundimin e rendit dhe të ligjit; ende ka nevojë për gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë për t’i ndjekur kriminelët e profilit të lartë.

Dhe, së fundi, ka nevojë për një Gjykatë Speciale, madje të vendosur jashtë vendit, për t’i gjykuar krimet e supozuara të luftës, sepse e gjithë bota – OKB, BE, SHBA, NATO, etj. – u pajtua se gjykim të tillë Kosova vetë nuk është e aftë ta bëjë, meqë aty, sipas raporteve ndërkombëtare, do të gjykohen personalitete të larta politike të vendit!

Ky pra është imazhi i Kosovës në botë, për të cilin Qeveria tha se do të dëmtohet shumë nga protestuesit që u përplasën me policinë dhe kryen akte huliganizmi!

Tallen me ne?

* * *

Imazh nuk është vetëm reputacioni që vendi ka jashtë kufijve. Imazh është edhe perceptimi i brendshëm për vendin nga vetë qytetarët. Që do të thotë, imazhi që për Kosovën e kemi ne, qytetarët e këtij vendi.

Dhe, cili është ai imazh?

Si e shohin, pra, Kosovën ata prej nesh që marrin rrugën ilegale drejt Perëndimit në kërkim të një jete tjetërqysh? Apo ata që shkojnë për të luftuar në krah të terroristëve, në Siri?

Si e shohin Kosovën ata që të martën hidhnin gurë mbi polici e institucione, duke lënduar në proces çdo gjë që u doli përpara? Dhe si e shohin Kosovën ata policë të thjeshtë që u detyruan të përballen me protestuesit në mesin e të cilëve kishte edhe të mitur, dhe që në atë përballje të padëshiruar pranuan goditje me gurë dhe dhanë goditje me shufra gome e gaz lotsjellës?

Dhe si e shohin Kosovën ata që të premten bënë grevë për shkak se u mashtruan nga premtimet parazgjedhore për paga të rritura e kushte të përmirësuara të punës?

Si e shohin Kosovën ata që me pagën e tyre nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet mujore familjare, derisa politikanët që flasin në emrin tonë jetojnë në shtëpi milionëshe dhe krijojnë pasuri marramendëse me pagën e shtetit!

Si e shohim Kosovën ne të tjerët, që rregullisht votojmë me shpresën e ndryshimit vetëm për të gëlltitur zhgënjimin e radhës nga politikanët hipokritë, hileqarë e gënjeshtarë?

Si e shohim Kosovën kur e shikojmë ekonominë, arsimin, shëndetësinë? Nivelin e varfërisë, të papunësisë, të shërbimeve publike? Apo gjendjen e lirive individuale e grupore, tolerancës ndëretnike, fetare, politike, sociale?

Janë pyetje të rëndësishme këto, sepse ky imazhi i brendshëm i vendit, që mbretëron tek shumica e qytetarëve, jo vetëm se i identifikon problemet më saktë, por edhe jep paralajmërimin më të mirë se çka na pret, nëse gjërat nuk ndryshojnë.

Jo paralajmërimin se “do të na dëmtohet imazhi”, por paralajmërimin se “po na shkon dëm shteti”!

* * *

Por përveç imazhit të jashtëm, që krijohet bazuar në një perceptim të seleksionuar të realitetit (botës i interesojnë disa gjëra në Kosovë, jo gjithçka) dhe atij të brendshëm, që ndërtohet nga shumësia e ndërlikuar e problemeve me të cilat përballet kosovari i rëndomtë (jetën e sheh ashtu si e jeton), në Kosovë kemi edhe një imazh të tretë me rol të madh - imazhi politik, apo, thënë më saktë, imazhi që ndërtojnë politikanët.

Për dallim nga dy të parët, që në një mënyrë apo tjetër reflektojnë një realitet të caktuar, duke e interpretuar atë në mënyra të ndryshme, imazhi politik është tërësisht i rremë. Është imazh që politikanët krijojnë për t’u dukur ndryshe prejse janë, imazh fiktiv që për qëllim ka mashtrimin e qytetarit, qoftë për t’ia marrë votën, qoftë për t’ia marrë përkrahjen.

Është imazh që më shumë ka të bëjë me përzgjedhjen e ngjyrës së kollares, aktrimit të buzëqeshjes, blerjes së shërbimeve teknike - një ekspert për shkrimin e fjalimeve, një tjetër për rrjetet sociale, një të tretë për komunikim me media, dhe ndonjë tjetër për çështje të dukjes së jashtme dhe sjelljeve të veçanta dhe pozimit për publik. Politikanët e tillë kanë rroba të bukura, por nuk kanë qëndrime, sikur që kanë edhe aftësi për të thënë bukur gjërat që fare nuk i kuptojnë.

Andaj, nuk është çudi që, në mungesë të vizionit dhe aftësisë për të ndërtuar një realitet të ri në vend, këta flasin për imazh.

Por, Kosova nuk ka problem me imazhin e saj, kur ai reflekton realitetin që ekziston. Kosova ka problem me njerëzit që e ndërtuan realitetin e tillë.

Kot ndërrojmë imazhin, nëse realiteti mbetet i njëjtë!

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...