Kontinuiteti i qeverisjes së dobët

21 Qershor 2015 - 09:29 - Agron Bajrami      

Ajo që mund të thuhet bazuar në gjashtë muajt e deritanishëm të kësaj qeverie, është se sado që të zgjasë, do të punojë kështu si deri tash. Dobët.

1.

Gjashtë muaj nuk janë pak, për ata që duan të kryejnë punë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjashtë muaj është koha mesatare për ndërtimin e një shtëpie.

Në Kosovë shtëpia ndërtohet edhe më shpejt.

Por jo edhe Qeveria.

Gjashtë muaj pas marrjes së mandatit, kabineti i Isa Mustafës ende nuk është i plotë, dokumentet specifike qeverisëse nuk janë në vend, ndërsa Qeveria nuk funksionon si një tërësi, por më tepër si një konfederatë zyrash, me ministrat që kryesisht bëjnë atë që duan. Sidomos disa ministra. Sidomos ministri i Jashtëm, i cili tani duket sikur e ka luksin të udhëheqë segmente të rëndësishme të

Qeverisë nga prapavija, duke e pasur kryeministrin mburojë nga kritikat.

Në vend se ta merrte mandatin me strategji dhe programe të gatshme, siç ka qenë e natyrshme për një qeveri që vjen pas krizës politike gjashtëmujore, Qeveria Mustafa-Thaçi ka nisur hartimin e planeve për qeverisje vetëm pasi kanë marrë postet dhe janë akomoduar nëpër zyra, dhe këtë punë tani e bëjnë me një ritëm sa të ngadalshëm aq edhe flegmatik. Shembulli i freskët është vendimi që Qeveria mori këtë muaj për hartimin e Strategjisë së Zhvillimit Kombëtar, duke lënë publikun të pyetet pse nuk qe e mundur që ky vendim të merrej gjashtë muaj më parë? Sot, mbase, dokumenti do të kishte qenë i gatshëm?

2.

Kur Isa Mustafa kishte marrë detyrën e kryeministrit, dhjetorin e kaluar, pakkush në Kosovë nuk ishte i mllefosur me Qeverinë e re.

Pjesa më e madhe e publikut ndiente zhgënjimin për faktin që LDK-ja deri dje opozitare ia mundësoi PDK-së mbetjen në pushtet edhe për një mandat. Derisa edhe elektorati i vet[ PDK-së nuk e shihte me sy pozitiv faktin që mbetja në Qeveri u kushtoi me postin e kryeministrit.

Madje, as vetë LDK-ja e kryeministrit Mustafa nuk mund ta përpinte aq lehtë faktin se për ta marrë timonin e Qeverisë u duhej të amnistonin tërësisht PDK-në dhe Thaçin, duke krijuar një Qeveri të përbashkët, e cila as me përbërjen e saj nuk jepte ndonjë shpresë të veçantë për ndryshime. Mbetja e një numri të ministrave të PDK-së nga Qeveria e kaluar, bashkë me instalimin e ish-kryeministrit Thaçi në pozitën e shefit të diplomacisë dhe njeriut numër dy në Qeveri, e bëri të qartë se ecja e Qeverisë Mustafa nuk do mund të jetë në diskontinuitet me dy qeveritë e kaluara të Thaçit.

Në anën tjetër, hyrja në Qeveri me Thaçin i kushtoi Mustafës jo vetëm me çarje brenda partisë, por edhe me krijimin e një blloku opozitar skajshmërisht të armiqësuar me të, për shkak të “tradhtisë” që i bëri marrëveshjes me Haradinajn, Limajn dhe Kurtin.

E qytetarët, shumica e tyre - të lodhur nga gjashtë muajt e bllokimit paszgjedhor të shkaktuar nga përplasja politike mes PDK-së, që donte me çdo kusht të mbetej në pushtet, dhe VLAN-it, që insistonte se ka shumicën për ta detyruar Thaçin dhe partinë e tij të dilnin në opozitë - ndienin sikur janë zgjuar nga një makth i rëndë, vetëm për ta parë veten në një makth tjetër, edhe më të madh.

Në rrethana të tilla, që nga dita e parë në pushtet, pritjet se Qeveria Mustafa do të mund të sillte edhe ndryshimin minimal ishin pothuajse inekzistente, derisa forcat që kërkonin dobësimin e kryeministrit të ri, dikur edhe rrëzimin eventual të tij, ishin shtuar jo veç në opozitë, por edhe brenda radhëve të LDK-së së tij, si dhe, në prapaskenë, edhe tek partneri i koalicionit, PDK-ja.

3.

Dikujt mund ti tingëllojë edhe absurde, por rrethanat e tilla, në fakt, mund të kishin qenë të volitshme për Mustafën që të niste qeverisjen e tij, nëse ai do të ishte i vendosur të ndërronte rrënjësisht mënyrën se si ishte qeverisur Kosova deri atëherë.

Pra, që në ditët e para Mustafa kishte rastin t’iu tregonte skeptikëve të shumtë se ishte i përkushtuar të zhbënte dëmin që Kosovës ia ka shkaktuar qeverisja 7-vjeçare e Thaçit, por jo vetëm ajo.

Në momentin e marrjes së timonit të vendit, Mustafa ka mundur të ripërsëriste atë që e kishte thënë gjatë verës, kur ende ishte në taborin opozitar, se Kosova është një shtet pa shtet, të cilin këta që e kanë kapur shtetin dhe e kanë siguruar diktatin e shndërruan në livadhin e tyre. Dhe të shtojë më pas se tani, kur ai merr postin e kreut të Qeverisë, është i vendosur më shumë se kurdo herë më parë që t’i ndalë këta njerëz me çdo kusht!

Ka mundur, Mustafa, të bënte shumëçka në ato ditët e para, për të na bindur se është ndryshe nga Thaçi, se synimi i tij dhe i partisë me të cilën udhëheq nuk është veç pushteti, dhe se ideja e një Kosove demokratike, të zhvilluar, ku sundon ligji, dhe e cila administrohet nga njerëz të aftë - nuk është veç një iluzion.

Ka mundur, por nuk e bëri! Dhe fakti që nuk e bëri, sipas logjikës së gjërave, na dëshmon (edhe një herë) se Mustafa nuk është ndryshe prej pararendësit të tij, sikur që partia e tij nuk është ndryshe prej partisë me të cilën janë në koalicion.

4.

Mëngjesi i qeverisjes Mustafa ishte i zymtë.

Janari 2015 ishte plot me protesta të përditshme, përshkallëzim të dhunës, azilkërkues kosovarë nëpër kufij dhe kampe evropiane ilegalësh. Shumë nga telashet ishin shprehje e një frustrimi të akumuluar, që gjeti momentin e shpërthimit me krijimin e Qeverisë së re.

Sigurisht, nuk janë krijuar këto dhe shumë telashe të tjera nga Mustafa, por ai është njeriu që ka marrë përgjegjësinë t’i adresojë dhe zgjidhë. Për më tepër, duke u pajtuar që Qeverinë ta bëjë me Thaçin dhe PDK-në, Mustafa dhe LDK-ja kanë marrë përsipër edhe barrën e “mëkateve” të partnerëve, ku përfshihen dyshimet e shumta dhe serioze për korrupsion, keqpërdorime, keqqeverisje, instalim të nepotizmit…

Dështimi në “çkapjen” e shtetit, siç premtonte se do ta bëjë Mustafa, tashmë duket evident, dhe marrë parasysh mëngjesin e zymtë të qeverisjes, nuk është për t’u befasuar nëse në fund të mandatit të kësaj Qeverie të mos jetë veç shteti ai që është i kapur.

5.

Faji nuk është vetëm i kryeministrit.

Përgjegjësinë, përveç atyre që për 7 vjet qeverisjeje në pushtet instaluan korrupsionin dhe krimin, e kanë edhe bashkëpartiakët e Mustafës, që nuk patën vullnetin të mbronin as më të voglin parim politik të vetin.

Por, përgjegjësinë e kanë edhe shumë të tjerë, që rrinë të heshtur nëpër institucione. Prej Kuvendit, Presidencës dhe partive politike, e deri tek agjencitë shtetërore dhe organet e ndjekjes dhe të gjyqësisë, janë fajtorë pse vendi është në këtë situatë.

Madje edhe opozita, e cila me të drejtë dhe vazhdimisht e kritikon dhe kundërshton Qeverinë, ka dështuar të prezantohet si alternativë kualitative aty ku e ka pushtetin, në nivelin lokal. Sepse, derisa sot vërejmë te Mustafa të njëjtat defekte që kishte edhe në kohën kur udhëhiqte me Komunën e Prishtinës, çka mund të presim nga njerëzit dhe strukturat opozitare që sot udhëheqin në disa komuna, përfshirë Prishtinën?

Përgjegjës janë edhe gjithë ata aktivistë partiakë, në partitë në pushtet dhe ato në opozitë, që i nënshtrohen diktatit nga lidershipi i vet dhe heqin dorë nga demokracia e brendshme, duke e instaluar në parti kulturën e klientelizmit, e cila më pas bartet me automatizëm kur partia të marrë pushtetin.

6.

Ka pasur Kosova më parë Qeveri të papërgjegjshme dhe joefektive, të korruptuara e të kriminalizuara, që e kryen mandatin e plotë. Me këtë sistem politik që kemi, të populluar me politikanë çfarë i kemi, llogaridhënia nuk ekziston, përveç në letër.

Por ajo që mund të thuhet, bazuar në gjashtë muajt e deritanishëm të kësaj qeverie, është se sado që të zgjasë, do të punojë kështu si deri tash. Dobët.

[email protected]

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...