6 Korrik 2014 - 08:33 - Agron Bajrami
* * *
Të imagjinojmë për një çast, për hir të argumentit, që demokracia është religjion, e organizuar sikur tri religjionet e mëdha monoteiste.
Në atë rast, Kushtetuta e shtetit demokratik do të ishte e barasvlershme me Librin e Shenjtë, ndërsa Gjykata Kushtetuese do të kishte rolin e interpretuesit suprem të dogmave dhe riteve fetare, disi ngjashëm me rolin e Pontifex Maximus në Romën antike (prej të cilit buron edhe emërtimi i kreut të Kishës Katolike, Papës) apo me rolin e liderit suprem shpirtëror në Iran, Ayatollahut.
Dhe, nëse do ishte demokracia religjion, ndërsa Kushtetuta Libër i Shenjtë, opinioni i një Gjykate që e interpreton Kushtetutën (që diku, si në Kosovë, quhet Gjykatë Kushtetuese, e diku tjetër, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjykatë Supreme) do të ishte një lloj edikti, apo fatwa, me të cilën bëhet interpretimi. i cili as nuk mund të kundërshtohet, as të mohohet, e as të refuzohet, dhe rezultati do të ishte në mbështetjen e verbër të dogmës që na shfaqet si e vërtetë e pakontestueshme!
Pra, fjala e fundit i takon interpretuesit të besimit, dhe fjala e tij nuk mund të vihet në pikëpyetje!
Po të ishte, pra, demokracia fe, Republika demokratike e Kosovës do të ishte një regjim totalitar-diktatorial, i udhëhequr nga një Qeveri dhe Kuvend, me një si Monark simbolik në krye të Presidencës, që i nënshtrohen autoritetit suprem interpretues të të gjitha çështjeve, Gjykatës Kushtetuese, ku kryetarit të saj i bie të jetë Pontifex Maximusi ynë, Papa dhe Ayatollahu i Madh! Apo, edhe më keq, një Inkuizicion i Mesjetës, që zyrtarisht ishte një zyrë brenda sistemit juridik të Kishës Katolike, me mandat të luftojë devijimet nga interpretimi zyrtar i dogmës, e jozyrtarisht ishte de facto kreu i Kishës, me mandat për të dënuar me vdekje këdo që nuk i bindej!
Fatmirësisht, demokracia nuk është religjion, dhe institucionet e shtetit demokratik nuk e kanë atë fuqi e pushtet për t’i djegur apo mbytur me gurë heretikët dhe të pafetë që e mohojnë dogmën. Për më tepër, demokracia më shumë i ngjan herezisë që e konteston autoritetin suprem fetar, apo, në rastin e demokracisë liberale, është edhe krejt e kundërta e religjionit, meqë themelet i ka në lirinë e njeriut që mendon me kokë të vetën, pra njeriut që shtron pyetje dhe çdo përgjigje e merr me rezervën skeptike!
Natyrisht, edhe demokracia, sado liberale të jetë, ka nevojë të qeveriset nga ligjet dhe rregullat (apo, thënë më mirë, pikërisht për shkak se është liberale, ka nevojë të qeveriset nga ligjet dhe rregullat), dhe rrjedhimisht edhe ka nevojë për interpretim të tyre, që do të thotë se një lloj Pontifex Maximus Civitas Popularis - pra Kryeprift i Demokracisë - është i domosdoshëm.
Dhe kjo përgjegjësi, në sistemin tonë, i bie në krah Gjykatës Kushtetuese dhe kreut të saj.
* * *
Por, çka të bëjmë kur, si në rastin e Kosovës, kredibiliteti i këtij Kryeprifti të Demokracisë është i barabartë me zero?
Çka të bëjmë nëse, si pasojë e sistemit të korruptuar etik e moral, ku ligjet, përfshirë edhe atë më superiorin - Kushtetutën, ekzistojnë në letër, ndërsa sistemi i vlerave shoqërore është rrënuar pothuaj tërësisht, në zyrën më të rëndësishme të vendit, aty ku do të duhej të mbrohej demokracia dhe rendi kushtetues, rrinë ulur, mes tjerëve, edhe njerëz me kredibilitet skajshmërisht të kontestuar?
Si t’i besojmë një institucioni, i cili derisa nuk heziton të interpretojë edhe situatat hipotetike kushtetuese, nuk është në gjendje të marrë masa ndaj anëtarit të vet, që shkel rregullat dhe normat e sjelljes zyrtare, sikur që është rasti me një gjykatës, i cili hapur ka marrë pjesë në fushatë zgjedhore në krah të njërit subjekt politik, duke e përbaltur çdo ide për paanshmërinë politike të tij dhe gjithë institucionit?
Si t’i besojmë institucionit kreut të të cilit vazhdimisht i kontestohet autoriteti moral, dhe rregullisht bën pjesë në shkëmbimet kontroverse, ndërsa nuk është i huaj as si subjekt i padive, prej të cilave ka edhe që i ka humbur?
Një institucion i tillë, pjesëtarët e të cilit në të kaluarën, por edhe tani, janë bërë pjesë e makinacioneve politike, kanë marrë vendime të kontestueshme dhe jokredibile, kanë vepruar në kundërshtim me normat më të larta morale, etike, por edhe juridike, që kurrë nuk ka arritur ta ndërtojë integritetin dhe kredibilitetin profesional, zor se mund të shërbejë si një interpretues i rendit tonë kushtetues dhe demokratik.
Ekzagjerim – mund të thotë dikush! Kërkon perfeksion në një shoqëri që nuk e njeh perfeksionin – mund të thotë tjetri!
Ndoshta, do të përgjigjesha. Ndoshta defektet e këtij institucioni edhe janë reflektim i një situate në tërë shoqërinë. Tekefundit, as në institucionet tjera puna nuk qëndron më mirë! Shikojeni Qeverinë, Presidencën apo partitë politike. Apo edhe institucionet e drejtësisë, arsimimit, shëndetësisë, kulturës, sportit... degradim kudo!
Por, a do të thotë kjo që duhet të pajtohemi me këtë gjendje? Do të thotë kjo që performancën e Gjykatës Kushtetuese do ta masim me të njëjtin kut sikur të një gjykate komunale, apo të një teatri të qytetit? Do të pajtohemi që performanca dhe autoriteti profesional i Kryepeshkopit të Demokracisë sonë të matet me atë të drejtorisë së Stacionit të Autobusëve në Han të Elezit? Apo të Qendrës për Punë Sociale në Klinë? Apo të Shtëpisë së Shëndetit në Sharr?
* * *
Në librin monumental të J.R.R, Tokienit, “Kryezoti i Unazave”, Faramiri, një nga personazhet që luftojnë kundër së keqes universale, thotë: “Nuk e dua shpatën e shndritshme për mprehtësinë e saj, as shigjetën për shpejtësinë, dhe as luftëtarin për lavdinë e tij. E dua vetëm atë që ata e mbrojnë...”
Sikur shpata, shigjeta dhe luftëtari te Tolkieni, edhe institucionet e shtetit janë vetëm një instrument për të mbrojtur atë që është me vlerë: demokracinë!
Gjykuar sipas zhvillimeve të javëve të fundit, konkludimi i vetëm është se mbrojtja dhe përparimi i demokracisë së brishtë kosovare nuk do jenë të mundshme pa reformimin rrënjësor të instrumenteve të shtetit, prej Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit, deri te Gjykata Kushtetuese dhe vetë Kushtetuta. Posaçërisht Gjykata Kushtetuese dhe Kushtetuta!
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...