5 Qershor 2016 - 08:00 - Agron Bajrami
Shumë fjalë kritike tashmë janë thënë për EULEX-in.
Cilësimet më të shpeshta që i janë vënë punës së këtij misioni evropian në Kosovë ishin: dështim, mashtrim, eksperimentim, paaftësi, politizim, korruptim.
Ndoshta përmbledhjen më të mirë të kësaj kritike të drejtë dhe me vend e ka bërë tashmë i ndjeri, Rupert Neudeck, gjermani të cilin “Koha Ditore” pati nderti ta kishte kolumnist me vite, një mik i madh i Kosovës dhe një njeri me zemër për gjithë botën, e cila kurrë nuk e duronte padrejtësinë, kudo që ndodhte, kujtdo që i ndodhte, dhe prej kujtdo që bëhej.
Para një viti, në një prej intervistave të fundit që kishte dhënë rreth Kosovës, i pyetur për punën e EULEX-it nga gazeta “Kolner Stadt Anzeige”, Neudeck tha: “Ky mision deri tani është dëshmuar vetëm si një vetëmashtrim evropian dhe zhgënjim për popullin e Kosovës. Misioni i EULEX-it ka dështuar plotësisht. Asgjë nuk do të ngjante nëse do largohej ky mision – me përjashtim të interesave të njerëzve të paguar shumë, të cilët punojnë për EULEX-in. Shumë qytetarë në Kosovë nuk e kanë të qartë nëse ekziston një mision i tillë. Ata nuk e vërejnë atë, sepse nuk ka asgjë pozitive të theksohet për të. Nëse të gjitha paratë që janë djegur kot do të investoheshin atje në ndërtimin e qendrave të formimit profesional, popullsia do të mund të përfitonte së paku nga ato para”.
* * *
Edhe shumë fjalë tjera janë thënë gjatë tetë viteve të fundit për EULEX-in, prej se ky mision u vendos në Kosovë, në përpjekjen për të krijuar një sistem funksional të sundimit të ligjit, punë kjo të cilën dështoi ta kryente për nëntë vite misioni paraprak ndërkombëtar në Kosovë, UNMIK-u.
Shumë fjalë janë thënë, kryesisht kritike, që nga dita e parë, për faktin se EULEX-i që në zanafillën e tij kishte dështuar të përmbushte një prej shtyllave kryesore të mandatit të vet – atë që të funksionojë në gjithë territorin e Kosovës. Duke mos u shtrirë në veriun e vendit, EULEX-i ka ndihmuar në krijimin e problemit territorial në veri, i cili së fundi u tentua të zgjidhet përmes krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe, si një entitet me tipare të pushtetit që i takojnë një niveli të ri të pushtetit në Kosovë, kësaj radhe të bazuar në kriterin etnik dhe jo qytetar.
Përveç veriut, EULEX-i u kritikua në vazhdimësi edhe për dështimin në adresimin e krimeve të luftës, ku dështimi i misionit evropian rezultoi në ndërtimin e presionit ndërkombëtar që Kosova të pajtohet me krijimin e një Gjykatë Speciale, me seli në Hagë, e cila do të gjykojë vetëm krimet që supozohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së. Një Tribunal ky i paprecedent në rajon, që me apo pa qëllim sjell edhe një damkë të rëndë mbi sistemin e drejtësisë në Kosovë - pjesë e të cilit që nga pavarësimi i vendit ka qenë edhe vetë EULEX-i – si i vetmi në rajon që është i paaftë për të procesuar krimet e luftës!
Po ashtu, EULEX-i u kritikua edhe për dështimin në adresimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, që ndërlidhet me qarqet e larta të pushtetit; me gjithë paralajmërimet shumëvjeçare nga EULEX-i për kapjen e “peshqve të mëdhenj”, Kosova mbetet e sunduar nga po ata peshq, ndërsa të gjitha raportet monitoruese për nivelin e korrupsionit e identifikojnë vendin në mesin e shteteve më të korruptuara në rajon dhe më gjerë.
Për më tepër, në vitet e fundit EULEX-i doli se ka probleme të mëdha dhe ende të paadresuara edhe me korrupsionin brenda radhëve të veta, dhe kur këto telashe u ekspozuan nga kjo gazetë, dy vjet më parë, misioni i BE-së për sundimin e ligjit befasisht u kthye në mision kundër “Kohës Ditore” dhe medieve të lira, për shkak të raportimit të së vërtetave që kurrë nuk u demantuan, dhe që kurrë as nuk u hetuan deri në fund, nga askush!
Kështu, siç e kanë thënë edhe shumë kritikë të tjerë prej kohësh, gradualisht, pothuaj pavërjetshëm, EULEX-i ndërtoi një mentalitet shumë më të përafërt me atë të politikanëve dhe biznesmenëve të rajonit tonë ballkanik, në vend se të ndikojë në ndryshimin e atij mentalitetit që krenohet me suksesin në mashtrim, manipulim, gënjeshtra dhe mospunë. Pra, në vend se të ndihmojë evropianizimin e Kosovës, EULEX-i u ballkanizua vetë!
Dhe, sot, ai mbetet i tillë, ballkanik – jo në kuptimin e përkatësisë gjeografike, por në kuptimin negativ-politik të fjalës, e cila përshkruan atë njeri të këtyre viseve që refuzon të shohë veten dhe mangësitë e veta, dhe zgjedh që të gjithë botën ta shpallë fajtore për çka do që shkon keq në punën e tij.
* * *
Dhe, derisa vëzhguesit e paanshëm (dhe ata pak më anues) në vazhdimësi kanë pasur kritika të shumta objektive (por edhe ca më pak objektive) për mospërmbushjen e mandatit nga EULEX-i, ndërsa qeveritarët kosovarë edhe e kanë përkrahur edhe e kanë sulmuar (varësisht prej interesit të momentit), vetë Bashkimi Evropian, që e ka dhënë mandatin këtij misioni, në të shumtën e rasteve i ka mbyllur para problemeve që janë shfaqur, duke shpresuar, mbase, se një ditë gjithçka do të bjerë në vendin e vet.
Kështu, siç e evidentojnë edhe shumë raporte monitoruese e analitike, EULEX-i ka arritur të kryejë vetëm një pjesë të punës, atë pjesën më pak të ndjeshme që ndërlidhet me funksionalizimin e doganave dhe funksionimin e rregullt të policisë, por ka dështuar në pikën kryesore të mandatit të vet – adresimin e krimit dhe korrupsionit dhe ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm të drejtësisë, që funksionalizon një shtet ku sundon ligji.
Ky dështim, ka kohë që është vërejtur edhe në Bruksel, por BE-ja duket se kurrë nuk ka pasur vullnetin e nevojshëm politik për të riparuar atë që mund të riparohet në EULEX, që së paku ta bëjë misionin efektiv në vitet që i kanë mbetur përpara, duke adresuar dështimet tashmë të qarta në mision.
Tani, kur duket qartë se EULEX-i do të mbetet së paku edhe dy vite në Kosovë, ndërsa diskutimi i mandatit të tij mes Prishtinës dhe Brukselit më shumë është çështje politike se sa përpjekje për ta bërë misionin më efektiv, pyetja që shtrohet është nëse dikush e di në cilin drejtim do të ecë misioni më i madh i sundimit të ligjit që BE-ja ka pasur ndonjëherë në historinë e vet.
Apo ndoshta e vërteta është se kurrë askujt edhe nuk i ka interesuar në cilin drejtim punon EULEX-I; me rëndësi ka qenë të krijohet përshtypja se ai po ecën. Qoftë edhe në drejtimin e gabuar!
Siç do ta kishte thënë Neudecku i ndjerë: një vetëmashtrim evropian që vazhdon.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...